Noli ka thënë: Ne shqiptarizmën e mësuam nga Faik Konica./
Nga KOLEC TRABOINI/
Sa lehtë e keqkuptojmë dhe sa rëndë e gjykojmë Konicën?! Lexova me shumë vëmendje shkrimin e Konicës ” Muhaxhirët” botuar në nr.8, faqe 21 të revistës së vet “Albania” 1901 ndryshe nga se shkruhet nga disa në median elektronike me një pasion mohues e me ndjenjë revoltuese për gabimin e”madh” Faik Konicës, duke u kapur pas shprehjes se “edhe të mëdhenjtë gabojnë”…- ju ktheva shkrimit sërish e sërish dhe nuk po e kuptoja se ku qënka ky gabim i të madhit që…”edhe gabon”. U përpoqa të jem edhe unë “kritizer” por ngado që e vërtita pozicionin tim, shkrimin “Muhaxhirët” nuk munda ta konsideroj kurrsesi një shkrim antishqiptar. Mendoj se ka ngutje në gjykimin e atij shkrimi dhe të mesazhit që përcjell autori tek lexuesit e vet këtu e një shekull më parë. Gjithashtu nuk shoh që ata të cilët e konsiderojnë shkrimin si antishqiptar, të kërkojnë ti referohen kohës kur është shkruar, rrethanave, shqetësimeve apo ngjarjeve të kohës, po fundja kujt i drejtohej me këtë stigmë. Më duket se ata që po duan ta e vënë përposhtë me kritika Konicën nga pozita fanatike, nisën nga sedra e tyre e besimit mysliman. Është krejt gabim që në gjykimin e një shkrimi të nisësh nga pozitat e besimit tënd. Duhet të jemi realist dhe të mos e fusim fenë si institucion në këtë mes. Në shkrimin e Konicës nuk është fjala për fenë si besim, por për individ apo grupe njerëzish që vinin në Shqipëri me qëllim që të bënin propogandë në dobi të pushtuesve otomane, ti bënin shqiptarët besnikë të verbër, dhe e lidhnin besnikërinë ndaj besimit me besnikërinë ndaj portës së lartë. Kjo kategori njerëzish, mish i huaj për mjedisin shqiptar tolerant, ishin një pengesë e madhe për zgjimin e ndërgjegjësimin e popullit. Ata kërkoni që edhe më tej ti mbanin shqiptarët të lidhur pas qerres së Stambollit e cila aso kohe ndjehej se do të merrte rrokullimën historike. I shqetësuar nga lajmet që vinin prej atdheut, Faik Konica merr penën e i stigmatizon muhaxhirët, siç i cilëson ai, ata sipas Konicës janë të huaj, nuk janë shqiptarë. Dhe në qofshin disa syresh shqiptarë nga origjina, ishin vegla qorre të pushtuesve. Ka që fjalën muhaxhirë e keqkuptojnë me fjalën mërgimtarë, por nuk është ashtu. Faik Konica me fjalën muhaxhirë nuk kishte parasysh mërgimtarët, emigrantët, sepse edhe vetë ishte mërgimtar.Ai nuk mund të konsideronte muhaxhirë mërgimtarët shqiptarë nëpër botë, si ta zëmë ata të kolonisë shqiptare të Bukureshtit apo Misirit që ishin bërë vatra të zjarrta atdhetarie. Me fjalën muhaxhirë ai ka parasysh misionarët ardhacakë e që fanatizonin e përçanin popullin, që bëheshin pengesë për punën e mëmëdhatarëve rilindas. Faik Konica që në krye të shkrimit të vet bën një sqarim se është fjala për ata që po lënë vendin e tyre e po na vinë në Shqipëri… që vijnë e bëhen spijun të qeverisë,….që fusin shqiptarë në burg…. e në fund konkludon se ….duhet të ishin çuar në Anadoll. Pra e përsëris është fjala për ardhacakë e jo për vendas. Është fjala për tradhëtarë. Është fjala për spiun të qeverisë turke. Ku e gjeni antishqiptarizmin e Konicës, ju lutem! Jo vetëm që stigma “Muhaxhirët” është një shkrim me frymë atdhetare por shkrimi më duket edhe aktual. Pse harruam kaq shpejt sa e sa muhaxhirë e sa e sa shoqata gjoja bamirëse fetare u shfaqën, e sa ndër to ishin vegla të organizatave terroriste. Harrojmë se terroristët që u zbuan nga Shqipëria në vitet ’97-98 ndonjë madje shkoi në litar në vendin e vet, siç është rasti i dy egjyptianëve. Le të sjellim një përqasje historike të shkrimit të Konicës me çfarë ngjau në vitet e para të demokracisë në Shqipëri. A mos është sot ndonjë shprehje shqiptarizmi po të shkruash se kushdo që vjen në Shqipëri si misionar i fshehtë( muhaxhirë pra) , a që gjëndet në Shqipëri dhe e ndjen vetën të huaj, që punon për agjentura të huaja nën etiketën shoqërive bamirëse, apo firmave pseudo tregtare, ngado qofshin, por veçmas ato nga Lindja a Afërme dhe e Mesme, Arabi Saudite, Siri, Libi, e co. që kanë tendencë për radikalizimin e fese, duhen çporruar. Të shkojnë ku të duan, në tërë hapsirat e botës por jo në Shqipëri. Më duket se mesazhi që sjell Konica është aktual. Ti thërrasim mendjes. Të mos e përdorim fenë si casius beli për të krijuar përçarje, e mos o zot, gjakderdhje në mes të shqiptarëve. Dhe ata që llomotisin gjithë ditën për të mirat që na kanë sjellë pushtuesit, mjaft më se jeni bërë vërtetë të neveritshëm. Pa le kur një historian na thotë se “ne me turqit e sunduam Ballkanin për pesë shekuj”. Çfarë çmendurie. Çfarë njerëz me lëkurë të shitur në Anadoll. Nuk ka pushtues e pushtim që i sjell lumturi një populli, veç në qoftë ky një popull urithësh të cilët nuk ja ndjejnë nevojën dritës. Nuk ka qënë kurrë Faik Konica antishqiptar. Ka qënë antitradhëtar. Ka qënë antifanatik. Ka qënë kundër atyre që kërkonin ta shkatrronin kombin e nuk donin ta linin që Shqipëria të shkëputej prej kthetrave grabitqare të sulltanëve të Stambollit. Ka qënë modern. Ka përçuar idetë e qytetërimit perëndimor sepse tek ajo shihte të ardhmen e popullit shqiptar. Nëse Lindja, në vitin 1901 kur e ka shkruar shkrimin, do të ishte më e përparuar, padyshim do të predikonte lindjen. Faik Konica ka qënë i vërtetë. Ka qënë realist në gjykimet e tij. Përjashto afrimin me Zogun, që ka qënë një afrim për mjete jetese e jo për shkak të ideve, të cilat i kishin të kundërta, nuk gjen ndonjë qëndrim inkoseguent në jetën e tij prej mëmëdhetari. E sot na del një zë e na thotë se shkrimi i tij është antishqiptar. A mos po rifillojmë ta dënojmë Faik Konicën, burrin më të madh të pavarësisë, siç e dënoi regjimi i komunistëve fanatike Hoxha, Shehu, Kapo? Sa lehtë e keqkuptojmë dhe sa rëndë e gjykojmë Konicën i cili prej të gjithëve është konsideruar babai i shqiptarizmës. Para se Konica të shkonte e të hapte revisten “Albania”në Londër kurrkush në Europë nuk i vinte në hesap shqiptarët në të drejtën e tyre për autonomi, se për pavarësi as që mund të mendohej. Më tepër respekt për Konicën, ju lutem. Duhet të mendojmë thellë para se të flasim një fjalë për të. Fjalë të rëndë kurrsësi. Këtij kombit tonë nuk i lindin përditë njerëz si beu madh i Konicës, burri më mendjendritur ndër shqiptarët e kohës së vet, për të cilën edhe Noli i madh e pranonte se ishte mësuesi ynë i shqiptarizmës.
E kam shkrue dhe po e perseris: “Dy Burra, Publicistet ma te medhej ne Shek. XX qe ka pase Shqipnia ishin: Faik Konica ne Jug dhe Don Lazer Shantoja ne Veri!”…
Falnderime z. Traboini.