Ismail Qemali e quante “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”/
Nga KOLEC TRABOINI/
Shumçka në këtë 100 vjetor te Pavarësisë po vihet në vendin e merituar. Edhe shpata e përkrenarja e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut erdhi nga Vjena që shqiptarët të shohin nga afër armët e burrit më të madh të këtij kombi; erdhi dhe Meshari i të madhit Dom Gjon Buzuku; tashmë Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina janë në vendin që e meritojnë.
Mirë kish qënë të ishte edhe Dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi, sepse nuk mund të shkruhet historia pa këto burra. Por ndjehet mungesa e një tjetri që përbën lavdinë e kombit, flamurtarit të madh të 6 prillit 1911, bash e atij që Ismail Qemali e quante “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”, është kryefjala për kreshnikun e Malësisë së Madhe, burrin e panjollë, Ded Gjo Luli që u shkri megjithë familje për shqiptari dhe i mungon dukshëm këtij jubileu të madh të shqiptarëve të gjithë botës.
Kur ka qënë puna për luftë ai është ndodhur i pari, madje duke dhënë jetën e vet dhe bijve të vet, por tash në paqe e në festime legjitime nuk është. Nuk ndjehet kurrkund. Nuk e përmënd kurrkush në asnjë fjalim a shkrim a thua se ai ishte vetëm heroi ynë, pra i Hotit dhe Malësisë. Por Ded Gjo Luli ka luftuar për Shqipërinë e jo vetëm për Malësinë. Se kështu i tha Deda ministrit të Perandorisë Otomane kur u shfaq në Podgoricë duke u mburrur se erdha me ju takue: “S’na ka marrë malli me të pa, por meqë erdhe dëgjo”,- e Ded Gjo Luli theksoi : “Ato pika të Librit të Kuq i duam jo veç për vedi e Malësi, por për tanë Shqypni”. Ky ishte Ded Gjo Luli!
Tash Shqipëria feston e Ded Gjo Lulin po e harron, aq sa u darovitën në Kuvend Popullor plot tituj e ndere. Disa prej të cilëve për katragjyshët e vet, por nga ata luftëtarët e Ded Gjo Lulit asnjë. E vajtueshme kjo pamje. E turpshme përpara historisë. Vërtetë ju dha titulli “Nderi i Kombit” Malësisë së Madhe, por malësia pa bijtë e vet nuk është gjë tjetër veç një grusht male. Eshtë njeriu pa është mali e fusha, lumenjtë e deti.
Mbi dhjetë vjet më parë, në nje polemikë me titull “Trumani apo Ded Gjo Luli” me milionerin shqiptaro-amerikan Ekerem Bardha, kam ngritur zërin si hotian më shumë sesa si gazetar, që në atë shesh që ndodhet në rrugën “Ded Gjo Luli”, të mos ngrihet busti i Trumanit siç propozonte Ekerem Bardha, që do ta financonte, por busti i Ded Gjo Lulit. Prej presioneve edhe të malësorëve shqiptarë të Detroitit, Ekerem Bardha u konsultua me Ismail Kadarenë, i cili e këshilloi të tërhiqej duke thënë se aty në rrugën “Ded Gjo Luli” do të ishte mirë të ngrihej monumenti i tij e jo një tjetri. Ekerem Bardha atëherë deklaroi se hiqte dorë nga projekti Truman e madje do të kontribonte me njëmijë dollarë për bustin e Ded Gjo Lulit që do të ngrihej në atë shesh përpara restorant “Piazza” të tij. Qysh atëherë kanë kaluar shumë kohë. Herë pas here e kam ngritur këtë problem jo vetëm në shtyp por në çdo rast që kam patur mundësi, i kam kërkuar angazhim edhe Fondacionit Ded Gjo Luli në New York, por në vesh të shurdhër gjithçka. Edhe sot e kësaj dite ky shesh këndor prapa Muzeut Kombëtar mbetet me karrige kafenesh. Bardha, që tashmë merret me vreshta e prodhimin e verës e ka shitur Piazza-n tek një pronar tjetër, por busti i Ded Gjo Lulit nuk po vihet aty ku i takon.
Po pse shqiptarët e Amerikës me origjinë prej Hotit e Malësisë së Madhe nuk po ndjehen kurrqysh për këtë punë të monumentit të Ded Gjo Lulit. Shoqata me emrin Ded Gjo Luli në New York bën organizime me shpenzime për turnamente sportive e nuk po bën kurrnji veprim për të krijuar një fond për këtë monument. Edhe shoqata me të njëjtin emër në Tuz mund të angazhohej me këtë veprim atdhetar anipse Ded Gjo Luli e ka një shtatore në Tuz që sheh përballë malit të Deçiqit. Ndërsa shoqata Ded Gjo Luli në Shqipëri me çfarë kam konstatuar, pas vdekjes se kompozitorit Zef Leka që e mbante me veprimtari, tashmë është inaktive e thuajse nuk ekziston. Sot që Tirana është bërë një qytet i madh ku vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, në mes tyre dhe bijtë e Malësisë së Madhe do të ndjeheshim bash mirë që krahas Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës të vizitonin e të vendosnin një tufë lule në shtatoren e Ded Gjo Lulit. Por ky monument për fat të keq nuk është në kryeqytetin e shqiptarëve të tërë botës.
Këtij kryeqyteti mjerisht i mungon kryekreshniku i Malësisë së Madhe e i kryengritjeve që sollën Pavarësinë që gëzojmë sot.(Foto: Ded Gjo Luli me të birin Kolën)
27 nëntor 2012