-Qeveria e Kosovës e përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të luftëtarëve të UÇK-së/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shkurt 2016/ Liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp pas takimeve me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të biseduar për tejkalimin e situatës në takimin e përbashkët me opizitën të ftuar për të hënën nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Natyrisht se unë si kryeministër iu kam bërë ftesë edhe vetë që të takohemi. Edhe unë, po ashtu, edhe zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës kemi treguar interesin dhe gatishmërinë që të marrim pjesë që të dytë. Por, ne, njëherësh i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që ata të jenë aty, sepse ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me bisedë, në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, tha se dy kryetarët e partive më të mëdha në Kosovë do t’i përgjigjen ftesës së presidentes Jahjaga për takim të hënën në ora 9:00 në Presidencë.
“Besoj që është hap i drejtë dhe një proces i konsultave të brendshme institucionale, se dialogu është procesi i vetëm përmes të cilit mund të arrihen objektivat e përbashkëta të interesit shtetëror mes pozitës dhe liderëve opozitarë dhe jo format dhe metodat tjera që nuk përkojnë me traditën e qytetarëve të Kosovës dhe filozofinë politike kosovare në këto 25 vitet e fundit”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi Thaçi, duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen ftesës pozitivisht, t’i bashkëngjiten dialogut. “Është zgjidhja e vetme dhe mundësia më e mirë dhe ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, në të njëjtën kohë është edhe këshilla e bashkësisë ndërkombëtare. Ne, në çdo rrethanë duhet të ulemi, duhet të bisedojmë. E kemi axhendën e qartë të interesave të shtetit të Kosovës dhe mendoj që ky dialog tejkalon çdo interes partiak, prandaj besoj që sot do të kemi edhe përgjigje pozitive të opozitës sepse është edhe në interesin e tyre”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Në 4 dhjetor 2015, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë shtypi ka njoftuar se një ftesë zyrtare për takim atë ditë u kishte dërguar të drejtuesit e tre partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga AAK-ja dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi.
Por, ai takim i përbashkët nuk ka ndodhur.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar sot takime me përfaqësuesit e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht me një delegacion të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, të kryesuar nga Xhevdet Qeriqi, si dhe një delegacion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të kryesuar nga Smajl Elezaj.
Në takime ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Në një konferencë të mbajtur pas dy takimeve, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për veteranët e luftës së UÇK-së.
Kryeministri Mustafa tha se është biseduar për preokupimet, hallet, kërkesat dhe nevojat e veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Treguam përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që bashkërisht t’i zgjidhim të gjitha problemet e mundshme të cilat mund t’i zgjidhim në kohë të caktuar dhe në periudha të caktuara kohore. Ne si Qeveri kemi bërë përpjekje që të sigurojmë fondet për të përballuar pensionet për veteranët. Natyrisht se numri i veteranëve është i tillë që ne duhet të mundohemi që të plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre sipas vendimeve të cilat janë marrë, t’i plotësojmë edhe në pikëpamje kohore, të kujdesemi edhe për invalidët e luftës të UÇK-së”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, falënderoi veteranët për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe për angazhimin e tyre që të gjitha problemet të zgjidhen përmes bisedave, përmes argumenteve dhe përmes mënyrave të bashkëpunimit.
Smajl Elezaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e ka vlerësuar shumë konstruktiv takimin dhe mirëkuptimin e hasur nga kryeministri, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale për gjetjen e rrugëve për tejkalimin e vështirësive që kanë veteranët pretendentë për invalid të luftës.
“Biseduam për verifikimin e veteranëve, për zgjatjen e verifikimit që ka zgjatë shumë, ta përfundojmë atë kapitull dhe hallet e tjera të veteranëve. Çështja e pagesës së veteranëve, që ka ankesa nga terreni dhe veteranët e luftës, dhe jemi dakorduar që prej kohës kur kanë aplikuar veteranët e luftës Qeveria e Kosovës obligohet që t’i bëjnë pagesat për veteranët e luftës”, tha Elezaj, duke shprehur besimin se ky takim do të jetë frytdhënës.
Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, në raportet e pozitës dhe opozitës, Elezaj ka shprehur dëshirën e luftëtarëve të UÇK-së që më të mos shihen skena si ato që janë parë lidhur me dy temat aktuale, të ngritura tash e pesë muaj në Parlamentin e Kosovës, ku është përdorur në një formë gazi lotsjellës dhe dhuna edhe në rrugët e Kosovës.
“Mendoj se duhet të mendojmë shumë më shumë për ndërtimin e Kosovës, për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe jemi që pozita dhe opozita çdo çështje të ngritur, jo vetëm këto të dyja, të ekziston transparenca, bashkëpunimi dhe të merren vesh me dialog dhe assesi në rrugë të tjera”, tha Elezaj.