–
Prof. Dr. Emin Kabashi, gazetar e studiues i njohur dhe Dr. Afërdita Dervishi vizituan Vatrën- /

Gjatë ditës së sotme, e Martë 21 Janar 2020, pata nderin që të prisja në selinë e Vatrës mysafirë të nderuar nga Kosova.Të shoqëruar nga zotërinjtë Elez Osmani, Esat Osmani dhe Arif Osmani, gjatë ditës së sotme Vatrën e vizituan: Studiuesi i njohur Prof. Dr. Emin Kabashi, autor i shumë veprave studimore dhe letrare, Profesoresha e Universitetit të Prishtinës Afërdita Dervishi(PhD).

Mysafirëve u prezantova historinë e Vatrës përgjatë rrugëtimit 108 vjecar si dhe historikun e Gazetës Dielli në prag të 111 vjetorit të botimit.
Po ashtu mysafirët vizituan edhe bibliotekën dhe arkivin e Vatrës, shfletuan koleksionet e Diellit, u ndalën në ekspozitën fotografike etj.

Mysafirët e nderuar shkruan në librin e vizitorëve për mbresat e kësaj vizite. Prof. Dr. Emin Kabashi, ndër të tjera shkroi: Të ndodhesh në mjediset e Vatrës është njësoj si të përshkosh një rrugë më shumë se 100 vjecare të ecjes së historisë shqiptare për ruajtjen e tërësisë të trojeve Kombëtare.
Ndërsa Dr. Afërdita Dervishi shkroi: Sot me 21 Janar 2020 vizitova “Vatrën” dhe dëgjova prezantimin e historisë më shumë se 100 vjecare të Vatrës dhe Diellit. Ndjehem shumë e nderuar që preka nga afër historinë e Vatrës përmes fotografive dhe dokumentave, u njoha me punën e madhe, sakrificat dhe përkushtimin e shqiptarëve të Amerikës, vecanërisht vatranëve. Bashkimi i tyre pa dallim feje e krahine në shërbim të Shqipërisë dhe mbarë Kombit, janë kyci i qëndresës. Më entuziazmoi vecanërisht figura e Faik Konicës, ku mësova përmes rrëfimit të editorit, gjëra që s’i ksiha dëgjuar më parë. Po ashtu më befasoi përvjetori i festimeve të 60 vjetorit të Diellit-, ku spikat bashkimi i dy diasporave asaj të Amerikës me në krye Vatrën me Arbëreshët e Italisë. Kjo më la pmbresa të pashlyeshme që do t’i ndjej përjetë! Faleminderit Vatrës cfarë ka bërë për Kombin Shqiptar!
Si editor i Diellit i falenderova për vizitën.(Dalip Greca)