Anton Çefa/
Atdhetari nacionalist e demokrat, publicisti e shkrimtari Xhevat Kallajxhi, që gjithë jetën punoi pa u kursyer për të mirën e kombit e të atdheut, u lind në Gjirokastër në vitin 1904. Me idealet dhe ndjenjat atdhetare, ai u ushqye që në fëmijërinë e tij të hershme, jo vetëm nga zhvillimi i ngjarjeve të kohës, po edhe nga tradita dhe edukata familjare. Xhaxhai i tij, Ahmet Shefki Kallajxhi, mik e bashkëpunëtor i vëllezërve Frashëri, i njohur si Kadiu i Prevezës, sepse shërbei këtu për një kohë të gjatë – (siç ka shkruar vetë Xhevati në “Dielli”, April 1 , 1980) – luajti një rol të rëndësishëm në veprimtarinë drejtuese të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Jug, e cila paralizoi punimet e komisionit të kufijve jugorë dhe i tregoi Kongresit të Berlinit dhe mbarë botës me anë të memorandumeve dhe demonstratave që populli shqiptar nuk i lëshon kufijtë pa gjak. Evropa u detyrua të zmbrapsej në këtë kohë nga qellimet e saj për të kënaqur lakmitë greke për tokat shqiptare të Artës, Prevezës, Janinës dhe disa viseve të tjera. Në krye të demonstratës më të fuqishme që u zhvillua në Prevezë ditën e mbledhjes së komisionit të lartpërmendur, dhe ku morën pjesë mijëra shqiptarë të armatosur, ishte Kadiui i Prevezës. Populli i Gjirokastrës e ka kujtuar gjithnjë me respekt e miradije Ahmet Kallajxhiun. Ishin të freskëta bëmat e xhaxhait, kur lindi e u rrit Xhevati. Veç kësaj, fëmijëria dhe rinia e tij përkojnë me luftën e çetave për liri të Bajo e Çerqiz Topullit dhe me kryengritjen e Përgjithshme që i dha Shqipërisë Pavarësinë. Bindjet dhe idealet atdhetare e afruan Xhevatin që në rini me lëvizjen e shëndoshë përparimtare nacionaliste. Të ardhmen e popullit tonë ai e shihte në krijimin e një rendi demokratik. Kështu që gjithë jeta e tij u përvijua kryesisht në dy rrafshe: në rrafshin e idealit kombëtar dhe të atij demokratik. Në vitet ’30, që kanë qenë për Shqipërinë vitet e një lëvizjeje të gjallë intelektuale për ta projektuar shtetin dhe shoqërinë shqiptare në dritën e qytetërimit evropian, Xhevati drejtoi gazetën “Demokratia” (1930-1937), që kishte filluar të botohej që në vitin 1925, dhe ku bashkëpunuan Jorgo Meksi, Vangjel Koça, Branko Merxhani, etj., ideologë të rrymës së “neoshqiptarizmës”. (Shih : “Shejzat”, v. 1962, nr. 1-2, f. 72, dhe “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë, 1983, f. 461). Gjatë kohës së pushtimit Italian, mbas një periudhe të shkurtër lëkundjeje, Xhevati u lidh me organizatën e Ballit Kombëtar, e cila iu kundërvu që në orët e para sundimit të huaj. Fitorja e komunistëve në v. 1944, e detyroi Xhevatin, bashkë me qindra atdhetarë të tjerë nacionalistë, të mërgojë jashtë atdheut. Mbas një qëndrimi prej disa vitesh në Itali, vjen në Amerikë, fillimisht në Nju Jork e më pas në Washingto D. C. Punon si pjatalarës për t’i përballuar jetesës, po nuk i shmanget pasionit të tij, gazetarisë. Në bashkëpunim me Fehmi Kokalarin dhe në sajë të mbështetjes së mërgimtarëve nacionalistë antikomunistë, në vitin 1950 fillon të botojë në Nju Jork gazetën : “Shigjeta”, organ i Frontit Antikomunist Shqiptar në USA. Më vonë punoi në “Free Europe” për të vazhduar pastaj për një kohë të gjatë në “Zërin ë Amerikës”, duke u bërë zëdhënës i gjendjes së mjerë ku e katandisi Atdheun tonë regjimi komunist, i protestës kundër mohimit të të drejtave njerëzore e kombëtare të popullsisë shqiptare në Jugosllavi e Greqi, dhe i idealeve të larta demokratike perëndimore. Në të njëjtën kohë, nuk pushon së vepruari në fusha të tjera të veprimtarisë kombëtare, dhe gjithashtu nuk pushon së botuari shkrime të ndryshme në gazetat e revistat e mërgatës shqiptare në Amerikë. Në vitin 19 54, u themelua në Detroit Teqeja Bektashiane, ku ai luajti një rol të rëndësishëm. Teqeja qe për Xhevatin një “Welcome spiritual and social retreat”, siç thotë në Buletinin Katolik Shqiptar të v. 1990 autori i shkrimit “In memoriam”, i nënshkruar “A frend of Xhevat” (Peter Prifti). Për këtë teqe dhe për bektashizmin, në përgjithësi, dhe bektashizmin shqiptar, në veçanti, në v. 1964 Xhevati botoi librin: “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”, ku autori ka vënë në dukje rëndësinë e madhe të bektashizmit në jetën fetare e kombëtare të popullit tone, dhe faktin që teqetë bektashiane u bënë qëndra të lëvizjes për çlirim kombëtar. Është e tepër të themi që vëllezërit Frashëri dhe Ismail Qemali qenë bektashinj. Në vitin 1976, edhe pse në moshë të thyer, Xhevati i përgjigjet me ngazëllim e dashamirësi thirrjes së Vatrës për ta drejtuar organin e saj “Diellin”, dhe punon me përkushtim e pa u lodhur për dhjetë vite me radhë, deri në vitin 1986, kur u detyrua të tërhiqej për arsye shëndetësore. Ai e bëri “Diellin” një tribunë të mbrojtjes së çështjes shqiptare, të idealeve të humanizmit e të demokracisë. Në editorialet e tij, që do të mbeten si një pasqyrë e saktë e problemeve shqetësuese dhe e jetës në përgjithësi të bashkësisë shqiptaro-amerikane, dhe si një dëshmi e përpiktë e konturimeve të çështjes kombëtare gjatë këtij dhjetëvjeçari, është mishëruar me ndjenjat e një atdhetari të flaktë dhe stilin e një publicisti të aftë demskimi i regjimit komunist në Shqipëri, gjendja në okupimin e e shqiptarëve në hapësirën jugosllave. Në të është ngritur zëri për të drejtat njërëzore e kombëtare të popullit shqiptar, është paraqitur demokracia amerikane si më e përparuara në mbarë botën, dhe janë trajtuar shumë e shumë problem të tjera, gjithnjë të situra nga interest e idealet e larta të Atdheut dhe të popullit tonë. Veç kësaj, në faqet e gazetës, nëpërmjet korrespondencës me bashkëpunëtorët dhe lexuesit, dhe me botimin e kronikave, lajmeve, urimeve, ngushëllimeve, etj., ka dalë e gjallë jeta e komunitetit. Duke mbajtur një drejtpeshim të menduar ndaj fraksioneve të ndryshme të mërgatës antikomuniste dhe të bashkësisë shqiptare në përgjithësi, si edhe duke shkruar për patriotët e së kaluares dhe veprimtarinë kombëtare bashkëkohore, “Dielli”, nën editimin e Xhevatit, u bë një gazetë e dashur dhe e mirëpritur për vatranët dhhe gjithë lexuesit shqiptaro-amerikanë.
Si shkrimtar, Xhevati lëvroi poezinë dhe prozën. Edhe subjektet historike e biografike, ai i ka trajtuar në hulli letrare. Veprat e tij janë: “Linkoln” (1961), “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë” (1964), “Skendërbeu” (1975), “Lot e shpresa” (1976), “John F. Kennedy” (1980), “Tingëllimet e zemrës” (1988). La në dorëshkrim romanin “Larg Atdheut”.
Për Skendërbeun, autori shkruan: “Këtë vepër, të bazuar në fakte e legjenda, e shkrova si një kontribut të vogël në përpjekjen e madhe që bënë shqiptarët kudo për të përkujtuar pesëqindvjetorin e vdekjes së Skendërbeut”. Ajo i është kushtuar “dëshmorëve të Shqipërisë të të gjitha luftave për pavarësinë dhe lirinë e saj”. Mbas një parathënieje, ku bëhet fjalë pëe veprimtaritë e organizuara me rastin e këtij 500-vjetori, autori përshkruan vdekjen e Heroit, hidhërimin e popullit e të prijësve dhe pushtimin e Shqipërisë prej turqve. Në kapitujt që pasojnë flet për librat kryesorë të shkruar për jetën dhhe bëmat e Heroit tonë Kombëtar, dhe jep disa vlerësime që i janë bërë atij. Më poshtë tregohen shkurtazi përpjekjet e feudalëve të mëdhenj shqiptarë, Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatlinjve të Shkodrës, për t’u shkëputur nga Porta e Lartë, kryengritjet e popullit tonë kundër Tanzimatit, Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit dhe Shpalljen e Pavarësisë. Në fund, çeken veprat historike për figurën e Skendërbeut, të shkruara nga autorët tonë: Naimi, Noli, Sirdani dhe Gegaj. Si një doracak me vlerë për një njohje sado të përciptë të personalitetit të Heroit tonë Kombëtar dhe të disa momenteve më të rëndësishme të historisë sonë, kjo vepër mund të shërbejë për edukimin atdhetar të breznisë së re shqiptaro-amerikane.
Dy veprat e tjera biografike të shkruara për Linkolnin dhe John Kennedy-n, i trajtojnë këto dy personalitete si kampionë të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë për gjithë njerëzimin. Tërthorazi, ato aludojnë qartë për gjendjen e skllavëruar të popullit tonë nën regjimin komunist. Veprat biografike tregimtare të frymëzuara nga ideale humane, heroike e demokratike, dallohen për një stilt ë shtruar, emocional e shpesh herë edhe mjaft elegant.
Poezia e Xhevatit, megjithëse asaj pothuajse i mungon përmasa e një frymëzimi të natyrshëm e spontan dhe qendron larg përsosmërisë së teknikës artistike, është një dëshmi e çiltër e idealeve dhe e ndjenjave atdhetare e humane, shoqërore e demokratike të uatorit.
Në pjesën më të madhe të vëllimit poetik “Lotë e shpresa” glorifikohen figurat e dëshmorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore ppër çlirimin e Atdheut ose të vrarë tradhtisht nga dora vëllavrasëse komuniste: Jashar Cakrani, Selfo Hekali, Safet Butka, Hysni Lepenica, Skendër Muço, Hadi Kasimati, Hytbi Velisha, Zija Gashi, Fetih Verleni, Dilo Graca, Hilmi Suli, Ahmet Lesko, Besnik Çano, Qeramudin Sulua, Imran Banka, Jani Mina, Tare Kalua, Kolë Tromara, Dom Ndre Zadeja, Hamit Troplini. Letërsia shqipe nuk njeh një shkrimtar të dytë që të ketë hymnizuar një numër kaq të madh dëshmorësh. Është për t’u shënuar që, duke lënë mënjanë këndvështrimin artistik, këto poezi kanë një vlerë dokumentare, aq më tepër sepse regjimi komunist jo vetëm që nuk ua njohu sakrificën supreme këtyre luftëtarëve të lirisë e të demokracisë, por i mohoi plotësisht, duke i zhdukur edhe varret.
Tematika e përmledhjes poetike “Lotë e shpresa” pasqyron edhe fatin e zi e përpjekjet heroike të viseve shqiptare të mbetura nën sundimin serb e grek. Kosovës, së cilës i ka kushtuar disa poezi, poeti i drejtohet me fjalët: “Qendro me krenare se i riu me plakun do ta japin gjakun”.
Në poezitë e vëllimit “Tingëllimet e Zemrës”, krahas lartësimit romantik të së kaluares së popullit tonë, kulturës, gjuhës, mallit për Atdheun dhe fatit të mërgimtarit, të cilit i është mohuar kthimi në Atdhe, tematika përfshin edhe poezi erotike me idilet e zakonshme folklorike të pyjeve e burimeve, me elemente të këngës popullore si në shtjellimin e motivit ashtu edhe në mjetet artistike, sidomos figuracionin. Të tilla janë: “Baresha”, “Zbret vajza nga stani”, “Te burimi”. Po, më të realizuara artistikisht janë baladat, gjithashtu me frymë popullore: “Vallja e vdekjes”, “Shemo Hajduti” dhe “Mbretëresha Argjiro”.
Jeta e rëndë e mërgimtarit të detyruar, me vështirësitë e pengesat, dhimbjet e vuajtjet e saj nuk e mposhtën kurrë besimin e tij në triumfin e së vërtetës dhe të së drejtës. Përkunndrazi, ky tipar personaliteti duket se kultivoi në natyrën e tij sensin e humorit, fryt i të cilit është përmbledhja “Për të qeshur”.
Xhevat Kallajxhi jetoi me dinjitetin e një mërgimtari nacionalist që regjimi komunist i mohoi Atdheun, por nuk mundi t’i mohojë idealet e larta që e ndriçuan gjithë jetën: humanizmin, lirinë dhe demokracinë, ideale për të cilat nuk pushoi së vepruari deri ditën që vdiq, më 8 nëntor 1989.