
Sulmi gjerman mbi BS dhe themelimi i P. K. SH. /
Nga Eugjen MERLIKA/
Dalja e Mustafa Krujës nga jeta aktive politike nuk do të thoshte frenim i projektit nacionalist të klasës politike shqiptare. Në një pjesë të nacionalizmit, që e quante pushtimin nga Italia si të keqen më të madhe të Shqipërisë, për pasojë luftën kundër saj si objektivin kryesor, lindi iluzioni se mund të shërbehej çështja kombëtare duke bashkëpunuar me Lëvizjen Nac.- Çl. të drejtuar nga Enver Hoxha dhe tutorët e tij serb e malazez.
Deri në verën e vitit 1941, grupet komuniste në Shqipëri e n’Evropë ishin në një letargji të plotë. Ata i konsideronin fitoret e Boshtit dhe pushtimet e tij në gjithë Evropën si fitore kundër fuqive imperialiste e kolonialiste, që duheshin përshëndetur. Në Francën e pushtuar komunistët ishin mbështetësit më të mirë të administratës franceze të Petenit. Në Shqipëri pushtimi italian u prit me optimizëm prej komunistëve që e quanin si mjetin më të mirë për të nxitur krijimin e klasës puntore e të ndërgjegjes së saj proletare. Problemet filluan të dalin me bashkimin e tokave shqiptare, sepse në këtë mënyrë, simbas tyre, dëmtoheshin marrëdhëniet me popujt grek e jugosllav. Meqënëse çështja kombëtare ishte bërë veprimtaria kryesore e nacionalizmit që gjente në këtë fushë përkrahjen e Italisë, ajo duhej luftuar a priori.
Kjo apati e komunistëve evropianë e kishte burimin në vartësinë e tyre nga Kremlini dhe Kominterni, ku vazhdohej të respektohej Pakti Ribentrop – Molotov me të gjitha pasojat e veta në lidhje me Poloninë e republikat balltike. Më 21 qershor ai pakt u hodh në kosh, mbasi Hitleri dhe bashkëpuntorët e tij menduan se, brënda dy muajsh, do të bënin të dorëzohej Stalini. Llogaritë nuk u bënë si duhet dhe koha e humbur për sulmin në Ballkan qe fatale për gjermanët, mbasi dimri rus frenoi ofensivën gjermane, deri atëherë tepër e suksesëshme. Historia u përsërit dhe gjermanët provuan atë humbje që 130 vjet më parë kishin pësuar francezët nën drejtimin e Perandorit Napoleon Bonaparti.
Mbas këtij sulmi filluan të aktivizohen e të organizohen edhe komunistët shqiptarë të ndarë në grupe, pa ndonjë veprimtari të dukëshme. Ndonjë përpjekje për bashkimin e grupeve kishte ekzistuar, por nuk kishte patur sukses, mbasi secili prej tyre mëtonte zotërimin e partisë. Kështu, me nismën e Qemal Stafës etj. u vendos të kërkohej ndihma e partisë komuniste jugosllave, ndihmë që i shkoi shumë për shtat fqinjëve lindorë e që nuk vonoi. Miladin Popoviçi, që ishte i internuar në Peqin, u lirua nga një aksion i Mustafa Gjinishit e Vasil Shantos dhe u vu në dispozicion të organizimit të partisë. Ai arriti t’i mbledhë e t’i bashkojë grupet komuniste, të krijojë partinë, duke përjashtuar nga drejtimi gjithë krerët e grupeve e duke zgjedhur në udhëheqje njerëz që mund t’i vërtiste siç donte ai, me në krye Enver Hoxhën.
“Ndër detyrat më kryesore që i parashtroi vetes PKSH-ja , në rezolucionin e mbledhjes ishte zhvillimi i “dashurisë dhe bashkëpunimit luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez e maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional”[1]
Që në fillim organizatorët jugosllavë u kujdesën t’i japin drejtimin proserb partisë që krijuan, duke e veshur atë me petkat e “internacinalizmit proletar”, që ishte baza e doktrinës komuniste. Që në themelim PK dilte në arenën politike si një forcë kundër shqiptare, sa i përkiste shtrirjes territoriale e bashkimit të trevave kombëtare me Shtetin shqiptar. Duke mbuluar me demagogjinë e luftës kundër pushtuesit, qëllimin e vërtetë të projektit serb, që ishte ai i kthimit në kufijtë e 1913, pra me Kosovën, Dibrën dhe Liqenjtë, përsëri nën administrimin jugosllav, drejtuesit e PK viheshin katërcipërisht në shërbim të strategjisë kundër shqiptare që kishte filluar në luftën ballkanike, kishte vazhduar me Konferencën e Londrës dhe Protokollin e Firences, ishte ligjëruar plotësisht në Konferencën e Paqes 1919 – 1921, ishte ripohuar në mungesën e çfarëdo lloj kundërveprimi ndaj pushtimit të Shqipërisë e përmbysjes së rendit të saj kushtetues më 7 prill 1939, gjente një mbështetje të fortë në deklaratën e 17 dhjetorit 1942 të Ministrave të Jashtëm të Anglisë, SHBA-ës dhe BS. E lindur si një forcë alternative e nacionalizmit shqiptar, të rrjeshtuar në anën e Boshtit jo për përkatësi ideologjike, por për interesa kombëtare, PK e mbështjellë në shpërgënjtë e Beogradit komunist, mori që në fillim trajtat e një force politike në të cilën mbizotëronin kurthet, pabesitë, intrigat e krimet. E keqja e madhe ishte se propaganda e saj, e gatuar në guzhinat më të përsosura të botës sllave, gjente tokë të punuar në të rinj të paformuar që, në “idealizmin” e tyre të moshës rinore, nuk arrinin të ndanin grurin nga egjra, të kuptonin se e ardhmja e tyre ishte e lidhur më shumë me atdheun e fituar, se energjitë e tyre duhej të derdheshin për të arsimuar krahinat që nuk njihnin akoma shkollat shqipe, për të përhapur në to, jo idetë e Marksit, por idealet e Rilindjes e poezitë e Naimit e të Fishtës.
“Në vitin 1942, në gjimnazin e Tiranës, kur prof. Epaminonda Bulka po shpjegonte historinë e Skënderbeut, studenti Astrit Bozgo, djali i Kasem Bozgos nga Gjinokastra, u ngrit dhe bërtiti : “Mjaft na çave kokën me Skënder koqen!”
Në polemikën e përditshme të tyne, komunistat pretendojshin se Kosova nuk duhet lidhë me Shqipninë, mbasi kjo qe vepër e fashizmit; ajo do të ishte ma mirë nën sundimin e nji Jugosllavie demokratike se nën nji Shqipni zogiste e reaksionare.
Ndodh njiherë që, në shtëpinë e nji fshatari, në Kolonjë, vjen për me ba agjitacion nji djalë komunist, ilegal. Gjatë bisedës, ai i flet për vëllaznimin me popullin grek. Fshatari, i zemruem, i thotë : Kjo shtëpi asht djegë tri herë prej grekvet. Del jashtë!”
Ma vonë, si shenjë vllaznimi, komunistat kanë thye gurët e kufinit me Greqinë. Dhe çetat komuniste greke, bullgare e jugosllave kanë hy në Shqipni dhe kanë luftue së bashku me komunistat shqiptarë kundër shqiptarëve nacionalista.
Nji komunist vlonjak, i cili, natën e 2-3 prillit të vitit 1943, kishte marrë pjesë në therjen me thika të ushtarëve italianë në Romsi të Mallakstrës, vjen në mëngjes me pushue tek nji shtëpi. Vajzat komuniste që ishin mbrenda, tue e pa djaloshin me rrobat tanë gjak, qesin brimën të tmerrueme. Djaloshi i paditë vajzat te Mehmet Shehu, i cili i heq vërejtjen dhe i kërcënon, tue i thanë se ato duhej të gëzoheshin e të ishin kryenaltë. Po këto vajza, ma vonë, në vjeshtë të atij viti, do të asistojnë në vrasjen e tmerrshme të xhandarit, në Prevesh të Shëngjinit të Tiranës, prej Dushanit dhe do të shfaqin gëzimin për këtë vrasje, bile do të flitshin kundër viktimës.
“Në mes të këtij degjenerimi komunist të rinisë, ma e tmerrshme paraqitet të ngjallunit e urrejtjes kundër prindëve, bile sa me i shtye edhe në vrasje..”[2]
Shkëputa këtë paragraf tepër domethënës nga vepra e Faik Qukut, për të ndriçuar më mirë, me shembuj të thjeshtë, pa hyrë në retorikën e diskutimeve akademike, gjëndjen e rëndë në të cilën, brënda një kohe të shkurtër, Miladini, Dushani dhe sejmenët e tyre të komunizmit sllavofil, kishin përpunuar në kah jo vetëm kundër kombëtar, por edhe kundër njerëzor, një pjesë të rinisë shqiptare të kohës. Infektimi me idetë vrastare deri në konceptimin e krimit si një “vepër morale”, rrëzimi nga piedistali i historisë kombëtare të autoritetit më të lartë të saj, brumosja me ide të kundër shqiptarizmit më agresiv, të njëjtësuara me termin antifashizëm, asgjësimi i plotë i parimeve morale të respektit ndaj prindërve e vlerave të familjes, tregonin zvetënimin shpirtëror në të cilin ishin zhytur Raskolnikovët dhe Ivan Karamazovët e vonë të jetës shqiptare. Fatkeqësisht, indoktrinimi me këta parime rrënuese për çdo popull, aq më shumë për ndonjë si yni, që nuk kishte në vetvete antikorpet e qytetërimit të vërtetë, nuk qe diçka e përkohëshme, nuk qe vetëm një kërkesë e kohës së vështirë. Ai u bë kuintesenca e filozofisë së “botës së re”, që ndërtuan ata djem e vajza partizane, në një Vend që u bë fusha më pjellore e sprovës më të suksesëshme të krimit në shkallë evropiane. Shifrat e përndjekjes komuniste janë aty, dëshmia më e mirë dhe më e pakundërshtueshme e përmasave të së keqes që i sollën komunistët Shqipërisë.
Shfaqje të dukurive të mësipërme, fatkeqësisht, vazhduan në gjithë harkun e qënies së regjimit, duke filluar me vrasjet masive të kosovarëve, si masakra e Tivarit, në dënimet e pafund të shqiptarëve që mbronin përkatësinë e Kosovës Shqipërisë, në krimet e përbindëshme ndaj oficerëve të SHIK-ut në Vlorën e vitit1997, deri në “teoritë” e sotme të “kombit kosovar” e të “çmitizimit” të figurave historike, duke kaluar nëpër thertoren e pafund të gjyqeve komuniste, që nga Riza Dani e Shefqet Benja deri tek “poliagjenti” Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, këto brënda lëvizjes e “gjirit të partisë”, për të mos folur mbi gjëmën e madhe të pësuar nga kombi me zhdukjen sistematike të vlerave politike, kulturore e fetare, në asgjësimin fizik të inteligjencës kombëtare.
Përballë daljes në skenë të PK e së ashtuquajturës lëvizje nacional-çlirimtare, nacionalizmi shqiptar, i përbërë nga bashkëpuntorët me Italinë, nga mbretërorët me në krye Abaz Kupin dhe nga partia e Ballit Kombëtar, ku militonin pjesa më e madhe e mërgatës antizogiste dhe antiitaliane, pati qëndrime të ndryshme, që kushtëzoheshin edhe nga aleancat në plan ndërkombëtar, që këto forca i quanin më të dobishmet për t’ardhmen e Shqipërisë. Jeta politike shqiptare e asaj kohe ishte në një ngërç tepër të vështirë për t’u zgjidhur. Motivet kryesore lëvizëse të tij ishin dy : Shqipëria etnike dhe Shqipëria e pushtuar. Ky inkuadrohej në kornizën e luftës botërore, të blloqeve kundërshtare të saj, e të lidhjeve, interesave, vartësive apo parapëlqimeve të rrymave të ndryshme të mendimit e veprimit politik brënda nacionalizmit shqiptar.
Problemi kombëtar, ruajtja e Shqipërisë etnike edhe përtej çastit politik të kohës, sido që të ishte fati i luftës, ky ishte shqetësimi kryesor i forcave politike nacionaliste, ky ishte dhe materiali lidhës që përshkontë atë pjesë të politikës, që ndahej pastaj pothuajse në të gjithë përbërësit e tjerë të programeve e filozofisë politike të tyre. Në krahun tjetër, PK vazhdonte të mbante një qëndrim të papërcaktuar, të fshehur mbas figurave nacionaliste të futura në gjirin e lëvizjes, megjithëse roli gjithënjë në rritje i të dërguarve jugosllavë në të nuk mund të linte asnjë shpresë në lidhje me respektimin e g jëndjes së re.
Motivi i dytë shtytës i zhvillimit të ngjarjeve ishte lufta kundër pushtuesit. Këtë e propagandonin me forcë PK, dhe Legaliteti që, nëpërmjet Abaz Kupit, ishte integruar si forcë e pavarur në lëvizjen, por që gjithmonë pohonte vullnetin e njohjes së Shqipërisë etnike. Kundër pushtuesit italian ishte dhe Balli Kombëtar, që kishte dhe ai, si pikë të parë të programit Shqipërinë e bashkuar. Motivi i luftës kundër pushtuesit, që nxitej me të gjitha mjetet edhe nga misionet angleze që ishin të pranishme në Shqipëri që në 1941, nëpërmjet organizatës D, e që nga maji 1943, në formë të rregulltë, pranë Shtabit të Përgjithshëm N-Çl. e pranë forcave nacionaliste, nxirrte në pah më shumë kundërshtitë e mëdha mes tyre. Bashkëpunumi i tyre me Frontin N.-Çl. që kërkohej me forcë nga misionet aleate, të cilat ishin të interesuara vetëm të angazhonin sa më shumë ushtarë të Boshtit në Shqipëri, që këta të mos kishin mundësi të shkonin në frontet e luftës në pjesë të tjera, krijonte zhgënjim e mosbesim tek pjesa tjetër që kishte bashkëpunuar me Italinë deri në kapitullimin e saj. Ai kapitullim solli një sqarim në jetën politike, hoqi prej saj rrezikun, e valëvitur për katër vjet, simbas të cilit Shqipëria kishte humbur pavarësinë e saj, si pasojë e pushtimit ( e vërtetë) e që rrezikonte të humbte identitetin e saj si popull, si pasojë e Bashkimit (frikë e rreme).
Duke dalë nga kuadri shqiptar Italia me të gjitha pasojat e saj e duke u zëvendësuar nga Gjermania, e cila nuk kishte patur asnjëherë interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, problemi shqiptar duhej parë në një dritë tjetër. Jo vetëm për faktin e mësipërm, por edhe për perspektivën e luftës që, me përjashtim të një faktori të jashtzakonshëm që mund të ishte arma atomike, tek e cila shpresoi deri në fund diktatori gjerman e që, ndoshta, mund të ndryshonte fatin e saj, dukej e vendosur në dobi të Aleatëve.
(VIJON)
[1] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit shqiptar 1912-2005” F. 460
[2]Faik Quku “Qëndresa shqiptare gjatë luftës së dytë botnore 1941 – 1944” Vëllimi 2 F.46 – 47