Misionet aleate dhe Asamblea Kombëtare/
Nga Eugjen MERLIKA/
Këtu ngërçi bëhej edhe më i ngatërruar për nacionalizmin shqiptar. Aleatët ishin përkrahës tradicionalë të Jugosllavisë (Rusia) dhe të Greqisë (Anglia). Integriteti tokësor shqiptar ishte kërcënuar prej tyre, që kur lindi Shteti i parë më 1912. Pra gjëndja e Shqipërisë, në sytë e nacionalistëve ishte e pashpresë. Kësaj i shtohej edhe fakti ogurzi që formacioni politik referent i Aleatëve në Shqipëri, Lëvizja N-Çl., mbas Konferencës së Mukjes në gusht të 1943-it, kishte shpallur haptas, pa asnjë mëdyshje se problemi kombëtar për të nuk ekzistonte e se ajo pushtetin në Shqipërinë e mbas luftës nuk donte t’a ndante me askënd, madje mund të mendonte të zëvendësonte bashkimin me Italinë në atë me Jugosllavinë.
Për të përballuar një mundësi të tillë, që do të ishte, shkatërrimtare e vdekjeprurëse, jo vetëm për projektin e sendërtuar të Shqipërisë së bashkuar, por edhe për fatin e vetë së ardhmes politike të shqiptarëve, duhej një ndërgjegjësim i shkallës eprore të gjithë përbërësve të jetës politike, administrative, fetare e kulturore të kombit. Duhej një bashkim i fuqishëm, ku secila përbërëse e fushës politike të hiqte dorë nga një pjesë e vetvetes, nga paragjykimet e çfarëdo lloji e t’i delegonte një autoriteti të pranuar prej të gjithëve si shpresa e shpëtimit të Atdheut. Ky autoritet duhej të përbëhej nga një skuadër njerëzish atdhetarë të aftë e të ndershëm, që duhet të kishin largpamjen për të hartuar një projekt që të funksiononte duke u përqëndruar në dy objektiva kryesore : ruajtja e tërësisë tokësore shqiptare dhe sigurimi i një demokracie të vërtetë të modelit perëndimor mbas luftës. Ndërmarrja ishte shumë e vështirë, por jo e pamundur.
Duheshin bindur aleatët se në Shqipëri kishte një klasë drejtuese, që frymëzohej, sa i përkiste modelit të shtetit e të shoqërisë, nga parimet e demokracisë së tyre e, njëkohësisht, t’u provonin atyre se populli shqiptar ishte në krahun e saj. Kjo arrihej si rezultat i një ujdije mes të gjitha rrymave të nacionalizmit e duhej t’i nënshtrohej një parimi të njohur : çdo stinë politike duhej të kishte përfaqësuesit e vet, por që të gjithë t’i shërbenin një qëllimi. Popujt që kanë një ndërgjegje kombëtare të zhvilluar e venë në zbatim këtë parim dhe stafeta mes klasave drejtuese në faza të ndryshme, në marrëveshje të hapura e, më shumë të fshehta, nuk përbën një blasfemi. Edhe në Shqipëri, gjatë luftës, këto përpjekje marrëveshjesh janë bërë në nivele personale, por nuk kanë sjellë në një përfundim të kënaqshëm, sepse paragjykimet ishin shumë të forta.
Lidhjet me aleatët në Shqipëri mbaheshin prej misioneve angleze, që qëndronin pranë forcave të mikut të tyre, Abaz Kupit. Por kundrejt kërkesave të tij për sigurinë e Shqipërisë etnike dhe vendosjes së kontakteve me Mbretin Zog, megjithë miratimin në planin vetiak të oficerëve të misioneve, përgjigjet nga Forejn Ofis apo Ministria e Luftës ishin gjithmonë negative. Në sferat e larta të politikës britanike e amerikane ishte vendosur që Vendet e Lindjes i qenë caktuar ndikimit sovjetik, si shpërblim të peshës që atdheu i komunizmit po mbante në luftën e madhe. Si pasojë parapëlqimet e tyre shkonin drejt forcave që qëndronin në pozitat e afërta ideologjike e politike me B.S., në rastin tonë me Frontin N- Çl. që merrte të gjitha ndihmat materiale që caktoheshin për Shqipërinë. Në këtë gjëndje, kur ishte e qartë se çfarë drejtimi po merrnin ngjarjet, e vetmja mënyrë për të shpresuar ndryshimin e kursit të tyre, ishte një kundërfront i fuqishëm që do të kishte në shërbim të tij së paku 50 mijë ushtarë të armatosur mirë, të gatshëm për të ruajtur rendin, sigurinë dhe institucionet me ikjen e gjermanëve.
Në këtë mundësi teorike duheshin zgjidhur dy probleme : shtabi drejtues dhe armatimi. Faktori i parë, për mendimin tim, do të ishte i plotësuar nga kthimi i Mbretit, që mund të ishte personi më i përshtatëshëm për të siguruar një besëlidhje të krahinave e forcave politike të ndryshme, që vlerësonin rrezikun komunist. Por Mbreti mbahej i mbyllur në Angli, pa mundur të mbante lidhjet me bashkëqytetarët e tij. Anglia u kishte krijuar mundësi të gjitha Vendeve të pushtuara të mbanin në tokën e saj “Qeveritë në mërgim”. Këtu bënte përjashtim vetëm Shqipëria. Nuk kuptohej nëse ky qëndrim ishte një “dënim” i Mbretit shqiptar për politikën e tij të marrëveshjeve me Italinë, apo një projekt afatgjatë që e përjashtonte atë nga e ardhmja politike e Shqipërisë. Në rastin e parë mendoj se imazhi i Anglisë dhe i Qeverisë së saj nuk është në përputhje me korrektësinë në marredhëniet mes shteteve, që do të thotë respektim i rregullave për të gjithë. Nëse kishte dyshime për mënyrën e shpalljes së Mbretërisë, Ahmet Zogu kishte deklaruar se nuk do të pranonte Fronin nëse nuk do të kishte ligjësimin popullor, nëpërmjet një referendumi. Por komunistët e kishin ndaluar kthimin e Mbretit me vendime të njëanëshme të drejtuesve të tyre dhe anglezët e amerikanët vinin në zbatim këta vendime.
“Kupi tha se do të sulmonte gjermanët vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqënëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marredhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë antimonarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana e jonë”[1]
Kështu shkruan oficeri i misionit anglez pranë Abaz Kupit, David Smiley, në parathënien e librit të kolegut të tij Julian Amery “Bijtë e shqipes”. Ndoshta ishte më shumë vullneti i sovjetikëve se i amerikanëve që respektohej në këtë rast, sidoqoftë nuk ishte shprehje e vënies në jetë të parimeve demokratike që trumbetonin ata si luftëtarë kundër diktaturave, ishte një detyrim që i bëhej zgjedhjeve të një populli. E përjashtuar mundësia e pranisë së Mbretit në zhvillimin e ngjarjeve shqiptare, i takonte të tjerë prijësve, që jetonin në Shqipëri të gjenin zgjidhjen në një organizëm kolektiv, ku bindja e secilit duhet t’i nënshtrohej interesit madhor të shqiptarëve.
Problemi i dytë, ai i armatimit, kërkonte një përkrahje nga jashtë. Meqë kjo përkrahje nuk mund të vinte nga aleatët që ishin angazhuar me komunistët, nuk mbetej tjetër zgjidhje veçse nga gjermanët. Marredhëniet me këta të fundit ishin më pak problematike se me italianët. Gjermanët nuk merrnin pjesë në administrimin e Vendit, atyre u interesonin dy gjëra : të mos lejonin një zbarkim të anglo-amerikanëve në Ballkan e të kishin rrugët e lira për t’u larguar. Pushtimi i tyre ishte i përkohshëm dhe varej nga ecuria e luftës. Kështu më 1 tetor 1943 u bënë zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar, ku për herë të parë e të fundit shqiptarët votuan në të gjitha trevat e tyre etnike, me përjashtim të Çamërisë e zonave të Jugut. Ishte ai Kuvendi më përfaqësues i Shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së tij deri më sot, ku binin në sy listat e deputetëve të Dibrës së Madhe, të Pejës, të Prizrenit, të Prishtinës.
Kuvendi u mblodh më 16 tetor 1943 e zgjodhi kryetar të përkohshëm Lef Nosin e sekretar Xhelal Mitrovicën.
“Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur :
1 – Shfuqizimin e vendimeve të asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.
2 – Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.
3 – Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.
4 – Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.
Në pikën 5 thuhej:
“Konsiderohet e paqenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekretligja me datë 9 qershor 1940, e botueme në “Fletorja Zyrtare” nr. 93 datë 10 qershor 1940, kthyer në ligjin nr. 128, datë 19 gusht 1940, me të cilin Shqipnija njihej e hyeme në luftë me ato shtete me të cilat Mbretnia e Italisë ka pas qënë në luftë”, duke shpallur në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë nga konflikti botëror.”[2]
Shpallja e asnjanësisë në konfliktin botëror ishte një masë e detyruar dhe e zgjuar njëkohësisht. Ishte e detyruar sepse ushtritë gjermane ndodheshin në territorin shqiptar dhe lufta kundër tyre vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore të Shqipërisë të cilën ata po e respektonin. Ishte edhe një masë e zgjuar sepse i tregonte kundërshtarëve të gjermanëve se Shqipëria nuk ishte në luftë me ta e se kishte një arkitekturë institucionale demokratike që e përfaqësonte.
Organet administrative, të dala nga Kuvendi, i kishin të gjitha kompetencat ligjore për të sendërtuar atë bashkim, që duhej të vinte në zbatim projektin e shpëtimit të çështjes kombëtare e të demokracisë së ardhëshme. Ishte një projekt që duhej realizuar nëpërmjet përballimit ushtarak të përparimit të ushtrisë N.-Çl, që ishte kthyer në një organizatë terroriste në shërbim të misionarëve jugosllavë. Edhe pse qeveritë e R. Mitrovicës e të F. Dines ishin të ndërgjegjëshme për domosdoshmërinë e luftës kundër komunistëve, aritjet në këtë drejtim ishin të pakta. Arsyet ishin të ndryshme, por mendoj se e para, e më e rëdësishmja, ishte ajo kronikeja e historisë sonë, paaftësia për të qënë të një mëndje, edhe kur ishim në buzë të greminës e askush nuk do të mund t’i shpëtonte. Kështu forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, nuk merrnin vendim të luftonin komunistët edhe kur sulmoheshin prej tyre, sepse misionet angleze e ndalonin kategorikisht një gjë të tillë. Megjithë përpjekjet e eksponentëve të ndryshëm të nacionalizmit për të koordinuar forcat dhe veprimet rezultatet ishin pothuaj baraz me zero, aq sa që dita e ikjes së ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, u bë edhe dita e marrjes së pushtetit nga komunistët në Shqipëri. Bilanc më negativ as që mund të imagjinohej. Siç e kam pohuar dhe më sipër, vështirësitë ishin shumë të mëdhaja, sepse në anën e komunistëve ishin fuqitë fituese të luftës, por ato nuk ishin të pranishme ushtarakisht në Shqipëri e nuk m’a merr mëndja se për të vënë në pushtet Enver Hoxhën do të zbarkonin trupat e tyre në Shqipëri. Një shtet nacionalist me një fuqi të konsiderueshme, që do të kishte mundur të detyronte lëvizjen komuniste të mos e quante veten fituesen e vetme të luftës, bëhej domosdoshmërisht bashkëbiseduesi i aleatëve dhe garant i interesave kombëtare e demokratike të shqiptarëve. Ky shtet nuk u ndërtua, megjithë vullnetin e mirë të shumë prej aktorëve të jetës politike, ai nuk qe në gjendje të ndalojë ofensivën komuniste që pasonte ikjen e gjermanëve. Fitoi Shteti terrorist i përkrahur nga Vendet e mëdha demokratike, të cilët shpejt e kuptuan se çfarë çorbe të ndyrë kishin gatuar me duart e tyre.
“Përse SOE (Special Operations executive)(Njësitë e veprimeve të veçanta E. M. ) hodhi poshtë aleatët natyrorë të Britanisë së Madhe e mbështeti një lëvizje komuniste? A do të kishte ndryshuar gjë nëse do të mbështeste mbretërorët dhe Ballin në vend të tyre? A do t’a kishte ndryshuar përfundimin e luftës civile shqiptare? Meklin, Smajli dhe Emëri janë plotësisht të bindur për po, e që Britania e Madhe bëri gabimin të mos kuptojë shpejt se komunizmi do të ishte kundërshtari i s’ardhmes.. Simbas tyre, qëndresa kundër komuniste, nëse do të ishte mbështetur nga paisjet dhe prestigji britanik, do të kishte arsye të luftonte dhe do të kishte patur besimin e popullsisë….
Në vjeshtën e 1944 trupat gjermane ishin në tërheqje e komunistët e kishin fituar luftën civile por, simbas Emërit, loja nuk ishte humbur akoma. “Un ndodhesha në Shqipëri n’atë çast kritik. Me një ndërhyrje shumë të vogël britanike ose amerikane mund t’a kishim mbajtur Shqipërinë nga ana e Perëndimit….
Emëri nuk është i një mëndjeje me ata që, duke i bërë jehonë fjalëve të Çërçillit për Jugosllavinë , mendojnë se Perëndimi nuk kishte asnjë interes të pranueshëm në t’ardhmen e Shqipërisë, e aq më pak të drejtën për t’a ndikuar. Kishte, thotë, dy justifikime, njëri moral e tjetri praktik. I pari, ishte një gabim të braktiseshin shqiptarët në duart e regjimit mizor të Hoxhës dhe synimeve imperialiste të Stalinit. E dyta, Vlora dhe ishulli i Sazanit kontrollojnë kanalin e Otrantos, grykën e Adriatikut.
Në Londër në Ministrinë e Luftës nuk e mendonin kështu”[3]
Solla këtë pjesëz të shkëputur nga libri i prof. Betëllit “Misioni i tradhtuar” me nëntitullin “Si Kim Filbi sabotoi mësymjen e Shqipërisë”, që shpjegon shumë qartë, nëpërmjet opinionit të njërit prej më të njohurve antarë të misioneve britanike në Shqipëri, tragjedinë shqiptare dhe rolin e politikës angleze në të. Nuk e di nëse brejtja e ndërgjegjes së Emërit, Smajlit apo Maklinit për braktisjen e Shqipërisë ka gërvishtur sado pak ndërgjegjen atyre që ishin sipër tyre e vendosnin politikën e fuqisë koloniale më të madhe të kohës. Për klasën politike nacionaliste të asaj kohe është një ngushullim i varfër se përgjegjësia për mos shmangien e së keqes më të madhe të kombit nuk duhet të bjerë vetëm mbi të. Është e vërtetë se nuk patën miq fitimtarë, është e vërtetë se patën kundërshtarë që u treguan më të “aftë” për të gënjyer e për të vrarë, është e vërtetë se ishin më të dobët, se kishin më zemër, se nuk donin të vrisnin shqiptarë. Por besoj se skrupujt i kanë mbajtur mbi ndërgjegjet e tyre të vrara, sepse ata skrupuj, ajo pavendosmëri, ajo verbëri solli një tragjedi të pamasë, me pasoja të llahtarëshme për një popull që u mashtrua deri në palcë e u tradhëtua në aspiratat e tij më të shtrenjta si liria, jeta e pasuria, për një Vend që u zgjua nga një ëndërr shumë e bukur, ajo e kombit të bashkuar e ra pre përsëri e mizorisë së fituesve. Ëndrra u thye, por ashtu copë-copë u ngjit lart në zemrën e kujtesës historike të shqiptarëve, për t’u kujtuar atyre gjithmonë se ajo mbetet një synim, një shpresë, një frymëzim për t’ardhmen e një kombi edhe në një epokë kur shpirtërat e tyre priren drejt bashkësive.
(VIJON)
[1] Julian Amery “Bijtë e Shqipes” Shtëpia botuese “Lumo Skëndo” Tiranë 2002 Faqe 10 – 11
[2] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005” F. 502 – 503
[3] Nicholas Bethell “La missione tradita” Arnoldo Mondadori editore 1986 F. 29 – 30