Nga Elida Buçpapaj
Nuk e di se çfarë i emocionon tani shqiptarët, të shtetit amë e kam fjalën !
Çfarë i bën të psherëtijnë, të marrin frymë thellë, të përloten, të mallëngjehen, të shkunden!
Një libër i mirë, do t’i bënte, por ata nuk lexojnë më libra!Një poezi e mirë, do t’i trondiste, por tani kanë filluar të prodhojnë kolektivisht folklor banal.
Një shkrim i mirë do t’i çlironte nga paragjykimet, por tani ata që të lexojnë e të pëlqejnë diçka, duhet të marrin aprovimin e partive…
Botën e qytetëruar, muzika – këngët e kanë çuar hov në këmbë. Le të kujtojmë këngët e The Beatles, Bob Marley, Pink Floyed, John Lennon, Bob Dylan, Jim Morrison, Janis Joplin, Jimi Hendrix që kanë shkaktuar revolucion, kanë çuar shpirtin peshë e frymëzuar e revoltuar miliona e miliona i kanë ngritur në protesta, këngë që kanë bërë histori. Nuk ka rëndësi rock, pop, metalica, soft, dance, country apo blues! Rëndësi ka që të jetë Art i vërtetë!
Shqiptarët e shtetit amë janë zhveshur nga emocionet, janë varfëruar mendërisht e shpirtërisht…
Natë e ditë shohin një teatër vulgar me siglat ERTV, që ua ka shkatërruar gjithë shijet për të bukurën!
Shteti po e vret kulturën, me indiferencë po i vret artistët, po i shumëzon me zero kompozitorët, poetët, po e kthen jetën në një rezervuar kafshësh të egra!
Shqiptarët e shtetit amë, kur shohin festivalin kombëtar të këngës i kërkojnë emocionet tek trupat lakuriq, tek fryrjet me silikon, tek tundjet vulgare, si striptiza, tek zbrazësia shpirtërore, tek kotësia,
shqiptarët e shtetit amë po kthehen në komb koti!
Më tepër u interesojnë format e kolme të Albërie Hadërgjonajt dhe të bëjnë baste për moshën e saj se të dëgjojnë e të edukojnë fëmijët e tyre me muzikë të vërtetë.
Shqiptarët e shtetit amë nuk po e jetojnë jetën!
Sepse nuk ka jetë pa emocione, prandaj është krijuar muzika, poezia, piktura!
“Emocionet e pastra ju ngrejnë lart” thosh Rainer Maria Rilke, “ndërsa emocionet e papastra, ju shtrembërojnë.”
E bukura të emocion, e bukura zgjon emocionet e pastra!
Ndërsa po ndiqja indiferente Festivalin Kombëtar të Këngës, me ndonjë përjashtim të rrallë,
u befasova nga një zë i ngrohtë plot ngjyra, që buronte natyrshëm e të zgjonte nga gjumi letargjik i të rëndomtës e monotones.
Ishte një zë që nuk këndonte ritme të forta, jo, ishte një baladë, pak hymn, pak marsh, por që të hapte sytë e mendjes të lodhur nga banaliteti i ngritur në institucion!
Ju flet Tirana, këndonte vajza e brishtë, me një zë gjithë sfumatura, e shoqëruar nga i jati, artisti i mirënjohur Genc Tukiçi. Atë e bijë interpretonin duke luajtur në piano, pa zhurma, pa slang, por me art, nën shoqërinë e një orkestre që ndihej madhështore.
Nadia Tukiçi vjen nga Parisi, ajo e ka në gjak muzikën sepse është bijë dhe mbesë arti. Nadia ka tre nacionalitete, shqiptare, japoneze, franceze dhe në skenën e Festivalit këndoi shqip “Ju flet Tirana”.
Nadia këndoi plot emocion dhe zgjoi emocionet tona të fjetura.
Ndërsa shqiptarët krenohen kur flasin gjuhë të huaja, Nadia krenohet se flet shqip.
Gjatë mbrëmjeve të Festivalit të 58 të këngës në RTSH Nadia Tukiçi nuk ishte veshur sexy, nuk ekspozoi linja, përkundrazi , bukura e saj natyrale vihej më në pah nga maksifustanët e thjeshtë dhe elegantë.
Nadia Tukiçi ishte gati pa truk në fytyrë, me bukurinë e pastër të moshës, që bënte të shfaqeshin qartë ndjenjat e Artistes gjatë interpretimit.
Nadia Tukiçi e ndjente atë që këndonte, mallin kur dëgjojmë atë trifjalësh të thjeshtë “Ju flet Tirana”, Tirana ku është lindur e rritur i jati i saj, ku ajo vjen jo shpesh, por prapë e kupton se çfarë do të thonë ato tre fjalëza magjike, edhe për ata që janë brënda, edhe për ata qindra mijë emigrantë jashtë, që ikën nga Tirana të zbulojnë Amerikën në Perëndim, ndërsa Nadia me zërin e saj, me shqipen e saj të bukur në shkodranisht, kërkon të zbulojë Amerikën në Tiranën e ftohur nga muzika tallava dhe arti rrumpallë!
Shqiptarët kanë nevojë, sikur thosh, Bob Marley, “të emancipohen nga skllavëria mendore”.
Arti i vërtetë të emancipon, të arratis nga shëmtimi i përditshëm që i ushqen shqiptarët përmes skenave dhe televizioneve tona.
Sepse sa më tepër art trash nga kryemetropoli, aq më tepër kultivohet skllevëria!
Ndërsa Nadia Tukiçi me Ju flet Tirana dhe Sara Bajraktari me Ajrin ishin risia e këtij Festivali sepse bën art të mirëfilltë, çlirues, zgjues, qytetërues!
Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, TIRANA, Paris, Nadia Tukiçi, Ju flet Tirana