
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Në narrativën dominuese të ish-udhëheqjes komuniste në Kosovë, përgjegjësia për të gjitha të këqijat që ndodhën gjatë periudhës së Jugosllavisë u atribuohej elitës komuniste serbe dhe jugosllave, ndërsa çdo zhvillim pozitiv i atribuohej vetë kësaj elite lokale. Megjithatë, një lexim i kujdesshëm i burimeve të kohës – si për shembull gazeta e datës 30 qershor 1981 – tregon se kuadrot politike kosovare kanë marrë pjesë aktive në legjitimimin e ndryshimeve kushtetuese që më pas ndihmuan në suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Në një mbledhje të përbashkët të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, u shpreh përkrahje unanime ndaj propozimeve për ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e RSFJ-së dhe të Republikës së Serbisë. Nënkryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Nebih Gashi, deklaronte:
“Punonjësit dhe qytetarët e Kosovës unanimisht përkrahin këto ndryshime, me çka vërtetohet fakti se iniciativa e shokut Tito është jo vetëm e arsyeshme, por edhe rruga jonë për zhvillimin dhe begatimin e mëtejshëm të përmbajtjes së sistemit politik dhe zhvillimit të vetëqeverisjes në të gjitha sferat e jetës publike dhe shoqërore. Forcat kundërrevolucionare të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar nuk ia dolën ta shkatërrojnë rregullimin kushtetues të Jugosllavisë”.
Një pasqyrë e shtypit të vitit 1981 e bën të qartë se ajo ishte një periudhë e rëndë represioni dhe fushatash të egra antishqiptare. Për mendimin tim, diskursi i elitës komuniste të atëhershme ka prodhuar dy pasoja tragjike:
Legjitimimi i narrativës hegjemoniste serbe, e cila e paraqiti Kosovën si një vatër destabiliteti dhe kësisoj justifikoi represionin si “masë parandaluese”.
Ndihmoi Serbinë të krijonte terrenin politik dhe juridik për suprimimin e autonomisë së Kosovës, duke e paraqitur këtë si një “reformë” legjitime kushtetuese e jo si dhunim të të drejtave të shqiptarëve.
Elita politike kosovare e asaj kohe jo vetëm që nuk e kundërshtoi narrativën jugosllave, por shpesh e legjitimoi atë me zell. Është koha të ballafaqohemi me të kaluarën pa iluzione – sepse vetëm e vërteta na bën të lirë.