
Nga Ramazan Çeka/
Takim tradicional i Shoqatës “Dukagjini” në Michigan.
Mbrëmja festive e “Natës së Bashkimit” të shqiptarëve, e organizuar nga Shoqata “Dukagjini” në Michigan, është kthyer tashmë në një festë tradicionale jo vetëm për dukagjinasit, anëtarë apo mbështetës të kësaj shoqate, por edhe për mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për 18-vite me rradhë, që nga data e themelimit të kësaj shoqate në vitin 2005, është bërë traditë që të organizohet “Nata e Bashkimit” apo e takimit, siç e prezantojnë zyrtarisht drejtuesit e shoqatës, e cila gjithnjë e më shumë po dëshmon për rëndësinë dhe vlerat që mbart kjo darkë solemne.
E menduar si një nevojë për të përmbushur objektivat dhe qëllimin për të cilin është themeluar kjo shoqatë, duke u pasuruar gjithnjë e më shumë ndër vite me vlera kulturore e humane, traditë dhe folklor, shpesh edhe për të mbledhur fonde për t’i dhënë një dorë mbështetje vëndlindjes, ky bashkim i ka kapërcyer të gjitha limitet për t’u quajtur vetëm një darkë rutinë e takimit të shoqatës, ndaj me të drejt sot në komunitet njihet si Darka e Bashkimit të Shqiptarëve.
Ky bashkim e hapi siparin e tij në orën 19.00 të mbrëmjes së 29-dhjetorit, në sallen e Kishës “Zoja Pajtore”, e cila prej dekadash është kthyer në strehë shpirtërore dhe vllazërore për gjithë shqiptarët.
Fjala e rastit dhe e mikpritjes, ashtu siç ka qenë tradit atje, në kullat e gurit në Malësinë e Dukagjinit, e mbajti i zoti i shtëpisë z. Ndue Ftoni, Kryetar i Shoqatës “Dukagjini” në Michigan, i cili ndër të tjera tha:
“Sonte këtë darkë do ta quaj darkë bashkimi e falenderimi, pasi sonte në këtë sallë jemi bashkue dukagjinas, malësorë, patriotë shqiptarë dhe intelektualë të shquar, drejtues shoqatash dhe ansamblesh, që punojnë e kontribuojnë me devocion për çështjen kombëtare.
Në këtë darkë dua të falenderoj të gjithë ata dukagjinas e jo vetëm, që punuan e kontribuan në vite për të mbajtur të gjallë frymën e bashkimit në këtë shoqatë, që ndihmuan e kontribuan në mbledhje fondesh për donacione, duke investuar në art, në kulturë, në infrastrukturë e në nevoja jetike në Dukagjin, Shkodër e këtu në Komunitetin Shqiptar të Michiganit.
Gjithashtu dua të falenderoj të gjithë ata dukagjinas që më kanë mbështet edhe mua si kryetar i shoqatës, në mbarvajtjen e punës organizative”.
Me shumë dashamirësi z. Ndue Ftoni falenderoi me përzemërsi të ftuarit dhe miqtë e ardhur nga larg, si dhe të gjithë të pranishmit, duke i cilësuar dhe vlerësuar për punën dhe kontributet e tyre në aktivitetet dhe fushat e tyre të jetës.
Në organizimin e Darkës së “Bashkimit” nga Shoqata “Dukagjini” në Michigan, një rol të rëndësishëm në mbarvajtjen e saj, pati edhe performanca e moderatorit të njohur nga Mirdita, studiuesit dhe akademikut Zef Pergega, i cili me shumë seriozitet dhe profesionalizëm, përcolli emocion dhe dinjitet tek të pranishmit.
Me një prezencë sa zyrtare, aq miqsore, përshëndeti të pranishmit edhe Av. Ervin Tinaj, Kryetar i Shoqatës “Kelmendi”, i cili si më i riu ndër këta drejtues, me fjalë të mirëpeshuara në mençurinë e malësorit, falenderoi organizatorët dhe përshëndeti të pranishmit me fjalë zemre.
Në takimin festiv të Shoqatës “Dukagjini” në Michigan, ishte i ftuar bashkë me Shoqërinë Kulturore – Artistike “RAPSHA NË MËRGIM”, z. Anton Junçaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse përcolli emocione të veçanta tek të gjithë të pranshmit.
Prezantimi i performancës së shkëlqyer i valltarëve dhe përshëndetja e tij, i dhanë nuanca patriotike dhe atdhetarie kësaj darke bashkimi, për çka vlerësohet nga i gjithë komuniteti si një malësor i traditës dhe i mikpritjes.
Në këtë darkë bashkimi u përkujtua edhe kёngёtari dukagjinas Prelё Marku, i cili me këngёn dhe zërin e tij, transmetoi nё komunitet, folkun burimor tё krahinёs, duke marrё pjesё dhe duke e shpalosur atë nё koncerte e aktivitete kulturore tё Diasporёs Panshqiptare.
Televizioni ACTV në Michigan transmetoi përmes një projektori një insert që tregoi vlerat e këtij këngëtari të paharruar.
Të ftuar në këtë mbrëmje bashkimi ishin edhe këngëtarët e mirënjohur të trevës së Dukagjinit, rapsodët Fran Kodra dhe Ndue Shytani.
Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare me president Dr.Minella Kureta, e nderoi këngëtarin e paharruar Prelë Marku me një Mirënjohje, të cilën në emër të kësaj qendre e dorëzoj artisti Fran Kodra.
Viti 2023 ishte shpallur edhe Viti i Xhubletës, si një vlerë e çmuar, e cila u pranua në UNESCO.
Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” e nderoi z.Ndue Ftoni me “Mirënjohje”, në vlerësim të punës dhe kontributit të tij, si një veprimtar i shquar për merita të jashtëzakonshme, jo vetëm në treven e Dukagjinit dhe të Malësisë së Madhe, ku ruhet e trashëgohet xhubleta, kjo pasuri materiale dhe shpirtërore e lokeve tona, në prehërin e së cilës është rritur edhe z.Ndue Ftoni, por edhe për ruajtjen e kësaj trashëgëmie, në Komunitetin e Shqiptarëve në Amerikë, si atdhetar e veprimtar, por dhe si përfaqsues i Shoqatës “Dukagjini” në mërgim.
Darka e Bashkimit shpalosi edhe një herë vlerat kulturore të Dukagjinit, të gërshetuara me këngë e valle tradicionale, si dhe vlerësime kontributesh për antarët dhe aktivistët patriotë shqiptarë.