Imam Blerim Ciroka, Imami i Xhamisë Shqiptare në Londër, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpjegon rëndësinë e Natës së Kadrit në besimin Islam, organizimin fetar dhe atdhetar të shqiptarëve në Londër, muajin e Ramazanit në komunitetin shqiptar në Londër, aktet e bamirësisë së bashkësisë shqiptare myslimane ndaj shqiptarëve në nevojë dhe funksionimin e riteve e ceremonive fetare në kushtet e pandemisë globale.
RËNDËSIA E NATËS SË KADRIT NË BESIMIN ISLAM
Nata e Kadrit është nata e lutjeve, është nata kur Zoti dërgon engjujt, të shumtë në numër, aq sa ka guralecë toka, i dërgon në mbi njerëzi, deri në agim ka vetëm paqe, pranojnë e përcjellin lutjet dhe kërkesat e atyre që besojnë e luten. Pranimi i lutjeve, kjo arritje e madhe, është më shumë e lehtë në këtë natë. Nata e Kadrit është ajo natë e bekuar kur 14 shekuj më parë erdhi Engjulli i Madh, Xhebraili, dhe filloj t`i përcjellë Muhamedit a.s. Librin e fundit hyjnor, Librin që e udhëzon njeriun, Librin që i`a mëson njeriut atë që nuk e di, Librin që është dritë për besimtarët, Librin në të cilin nuk ka pikë dyshimë, Librin që flet e dialogon me njeriun vetëm me fakte, Libri që e fton njeriun të logjikojë e meditojë, Librin argumentat e të cilit janë të patjetërsueshëm, Librin e moralit, Librin e familjes, Librin e shoqërisë, Librin që e dallon të mirën nga e keqja. Libri që ua siguron mirësinë edhe në këtë botë por edhe në të Amshueshmen besimtarëve që e ndjekin me kujdes. Kjo natë e bekuar kur miliarda besimtarë anë e kënd botës, edhe ata që ndoshta e praktikojnë më pak besimin, agjërojnë posaçërisht në ditën e kësaj nate, të gjithë sa jemi njëherazi i ngrejmë duart dhe lutemi, kërkojmë nga Zoti ynë. Kjo natë më e mirë se 1000 muaj, më e gjatë në vlerë se krejt jeta e njeriut, kjo natë kuptimin dhe vlerën e së cilës njeriu ndoshta nuk e kupton plotësisht por më shumë e ndjen. Këtë natë besimtarët ngrejnë duart lart e duke thënë: O Zot, ti je falës, na fal neve.., ata falen. Ndoshta kryefjala e kësaj nate është falja dhe paqja por besimtarët kërkojnë edhe begati, edhe shëndet, edhe harmoni, edhe jetëgjatësi me vepra të mira, besimtarët kërkojnë dhe duhet të kërkojnë edhe prosperitet, zhvillim ekonomik dhe unitet kombëtar. Është pikërisht Kurani i cili ka fillu të shpallet në këtë natë që na mëson të kërkojmë edhe të mirat e kësaj bote por edhe të amshueshmes. Vetë kjo natë na mëson se krahas sasisë cilësia mbetet kusht për çdo gjë. Për një natë, sic është kjo e bekuar, njeriu mund të arrijë shumëçka më bekimet e Zotit. Kjo natë na mëson se ne besimtarët duhet të jemi cilësorë para së gjithash.
MUAJI I RAMAZANIT ME BASHKATDHETARËT SHQIPTARË NË LONDËR
Ramazani si gjithnjë vjen i bekuar, qëndron me ne për 30 ditë dhe largohet krejt lehtë dhe këndshëm. Mëshirë, shëndet, durim, tolerancë, mirësitë e pafudme Hyjnore në sipërfaqe të tokës, njerëz më të mirë, njerëz më të durueshëm, njerëz më dorëdhënës, njerëz që janë të përqendruar për t`u përmirësuar, për të përmirësuar vetveten e tyre para se të diskutojnë çështjet e tjera. Ramazani është muaj i devotshmërisë, e devotshmëria është një arritje e madhe për besimtarët. Agjërimi, si edukues dhe skalitës i drejtpërdrejtë i vlerave njerëzore, agjërimi fizikisht dhe agjërimi shpirtëror, të dyja plotësuese kusht të këtij riti themelor të Islamit, përjetohet bukur me bashkatdhetarët tanë këtu në Londër. Ngrënia e mëngjesit të hershëm, ngrënia e darkës kur perëndon dielli, falja e darkës në Xhami, leximi i Librit të Shenjtë, Kuranit, bisedat e ndryshme fetare, rritja e konsiderueshme e pjesëmarrësve në faljen e ditës së premte shëmbëllen pikërisht mrekullinë që ndodh tek besimtarët gjatë këtyre ditëve. Bashkatdhetarët tanë i kanë shtuar akoma më shumë lëmoshat e tyre, bujarinë e tyre përmes darkave shtruar gjatë këtyre netëve. Ka një unitet dhe frymë vëllazërore në mesin e shqiptarëve këtu. Ramazani dhe mirësitë e tij na sjellin më afër trojet tona ku jemi mësuar ta përjetojmë Ramazanin, me iftare e teravi, me lutje për njëri-tjetrin e me biseda fetare të agjërimit, iftaret familjare janë ndër zbukurimet më të bukura ndoshta të këtyre ditëve. Edhe ata që nuk agjërojnë e ndjejnë këtë muaj, përmes agjërimit dhe durimit të agjëruesve. Bashkatdhetarët kanë kontribuar më shumë për të afërmit dhe nevojtarët e tjerë në vendlindjet tona, altruizëm për t’u admiruar.
RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË GLOBALE
Pandemia si një rast i veçantë në historinë njerëzore ka ndikuar goxha në komunimin tonë me besimtarët. Mbyllja e xhamive, qoftë për faljen pesë kohëve, qoftë për faljen e të premteve, jetët e humbura dhe pasiguria që krijoi ajo domosdoshmërisht bëri që të largohemi fizikisht me besimtarët dhe ndjekësit e Xhamisë. Këto kushtëzime të reja sollën edhe imponimin për forma të tjera të komunikimit, kryesisht rrjetet sociale, ligjeratave online, etj. Në Xhaminë tonë janë mbajtur rregullisht ligjëratat më këshilla të faljes së të premtes dhe të gjitha janë përcjelluar në kanalin youtube, komunikimet përmes facebook-ut të Xhamisë ka qenë po ashtu i rregullt. Në rastet e morteve në këtë periudhë pandemie kur vdekjet fatkeqësisht kanë qenë më të shumta në numër se zakonisht, Xhamia ka qenë 24 në shërbimin e bashkëatdhetarëve tanë duke patur parasysh se Xhamia jonë ofron plotësisht shërbimin funerale të xhenazeve. Takimet postmortore në kryerjen e riteve fetare të të ndjerëve me familjarë të tyre, duke i respektuar të gjitha rregullat e paraqitura nga qeveria e vendit, ka qenë e vazhdueshme.
XHAMIA SHQIPTARE E LONDRËS, ORGANIZIMET DHE PROJEKTET E BAMIRËSISË
Xhamia ka qenë dhe është vazhdimisht aktive në organizimet e projekteve të bamirësisë. Më konkretisht, sipas nevojës janë ndihmuar familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, janë krijuar fonde për të ndihmuar bonjakët në trojet tona, Shqipëri, Kosovë e më gjërë, janë ndihmuar vazhdimisht ndërtimi i shtëpive për shtresat në nevojë, janë mbështetur vazhdimisht individë me problem shëndetsorë të cilat nuk kanë mundur t`i përballojnë shpenzimet e mjekimit të tyre. Xhamia ka qenë dhe është gjithmonë e hapur për të ndihmuar rastet e vështira dhe për të bashkëpunuar me donatorët e ndryshëm.
NJË MESAZH PËRSHËNDETJEJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA, DIELLIN DHE VATRËN
Është kënaqësi të të jepet mundësia të komunikosh me të mirënjohurit Diellin dhe Vatrën, më shqiptarët e Amerikës, sidomos përmes gazetës tuaj. Dielli dhe Vatra janë dhe mbeten ndër më të vjetrat qendra mediatike dhe organizative shqiptare nëpër mërgatën shqiptare, janë dhe mbeten paraprirëse shembuj për të gjithë emigrantët shqiptarë nëpër botë. Historikisht i kanë shërbyer shqiptarisë dhe vazhdojnë t`i shërbejnë me mish e me shpirt. Mesazhi im fillon me një lutje dhe një homazh për të gjithë atë idealist të Vatrës dhe të Diellit dhe krejt shqiptarisë, që kanë kaluar në amshim, që e kanë mbajtur të ndezur dhe ruajtur ndjenjën dhe aspiratat kombëtare për shërbim ndaj atdheut. Shprehi mirënjohje për të gjithë ata bashkëkohës të tjerë që e ruajnë me çdo kusht letërnjoftimin tonë kombëtare pavarësisht se jetojmë dhe punojmë në vende të huaja, siç janë kryesisht ruajtja e gjuhës sonë shqipe, ruajta e lidhjeve me vendindlindjet tona, ruajta e lidhjeve me të afërmit tonë që jetojnë në mëmëdhe, ruajtja e lidhjeve me bashkatdhetarët tonë në vendet përkatëse ku ne jetojmë. Përcjellja e identitetit tonë kombatër me shumë dashuri tek brezi i ri e bën kombin akoma më të fuqishëm, akoma më me dinjitet.
DIELLI DHE VATRA SHEMBUJ ATDHEDASHURIE PËR SHQIPTARËT ANËKËND GLOBIT
Dua të them se VATRA dhe shqiptarët e Amerikës, më shërbimet që i kanë ofruar atdheut dhe kombit mbeten shembuj për të gjithë mërgimtarët anëkënd globit. Kur shikon dhe lexon për historitë e Vatrës, kur lexon për personalitet dhe familjet e famshme që i kanë shërbyer Vatrës dhe përmes saj i kanë shërbyer kombit nuk ka se si të mos mbushesh me kanaqësi. Shembulli juaj na inspiron të gjithëve. Lutem në këto ditë të bekuar që kombi ynë të ketë prosperitet, të gjejë qetësinë dhe rehatinë e munguar. Uniteti ynë kombëtar është një xhevahir i madh i qënies tonë, është shumë i çmuar dhe duhet të ruhet pa asnjë kompromis nga të gjithë ne. Ju uroj të gjithë ndjekësve të gazetës tuaj të cilët po agjërojnë në këto ditë, agjërim të lehtë e të pranuar. Duke ditur se pak ditë na ndajnë nga festa e madhe e Bajramit të Fitrit, dua ta mbyllë me dy kolos, patriotë të thekur dhe besimtarë të përkushtuar ndaj Zotit krijues, të famshmin At Gjergj Fishta, kur thotë vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë por Shqiptarinë e kemi bashkë, dhe tjetër kolosi ynë Hafiz Ali Korça: “Si ay ta duam iman’ e vatanë, për udhë rrefenjës mjaft kemi Kur’anë. Po mbajtmë Kur’anë, mbajtmë lumtërinë, Me të munt ta mbajme din’ e kombësinë.