Shkruar nga: Prof. Murat Z.Gecaj/
1.
Ndoshta, shumëkush nuk e di, se ku ndodhet krahina e Nikaj-Mërturit, por shpesh dhe e emërtuar “Lekbibaj”. Pa bërë shumë “gjeografi”, shënoj këtu se ato dy fise, me emrat Nikaj e Mertur, shtrihen në pjesën perëndimore të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Kufizohen, po në atë drejtim, me Dukagjinin e rrethit të Shkodrës. Në 12 fshatrat e asaj krahine, historikisht, jeton një popull me tradita të lashta dhe të njohura, si besa e burrëria, trimëria, respekti, vëllazërimi e dashuria për lirinë dhe virtyte të shumta, të njohura të shqiptarëve. Si në gjithë krahinat tjera, popullsisë së atyre anëve u është dashur që, ndër breza, të përballen jo vetëm me vështirësitë e natyrës së egër alpine, po dhe me sulme të njëpasnjëshme të armiqëve pushtues. Por kurrë nuk janë gjunjëzuar dhe prej andej janë kthyer me turp, komandantë ushtarakë të huaj, krajla e pashallarë të Stambollit. Po, për fat të keq, përvoja të hidhura provuan e përjetuan ata edhe në 50 vitet e regjimit monist, që kaluam të gjithë në Shqipëri. Prandaj ndodhi që, pas vitit 1990, shumë djem e vajza ose familje të asaj krahine, morën udhët e largëta, për një jetë më të mirë. Disa qëndruan në krahina të tjera të vendit tonë, por dhe jashtë tij, pra në shtete të ndryshme të Europës dhe deri në Amerikë.
Për këto fakte, që përmendëm fare shkurt, dëshmon historia, e shkruar ose jo; për këto të vërteta flasin këngë e rapsodi, që nga ato të Mujit e Halilit, që në Nikaj-Mërtur e kanë zanafillën ose burimin e tyre legjendar.
2.
Të largohesh nga vendlindja, është dhimbje e madhe dhe përjeton shqetësime të shumta, kudo që ndodhesh e punon dhe sado mirë të jetosh. Por është ende më tronditëse, nëse e harron truallin e të parëve tu. Për fat të mirë, “mërgimtarët” e rinj, të fiseve Nikaj e Mërtur, nuk ia kanë kthyer shpinën shtëpive e tokave të tyre, rudinave e pllajave me bimësi të rrallë, burimeve ujëkristalta e bjeshkëve me aha e pisha shekullorë, ku bora nuk shkrin as në stinën e verës. Për këto, dëshmitare janë edhe faqet e ndryshme të Internetit, ndër të cilat “Facebooku”. Aty shpesh lexojmë njoftime dhe shohim, sa e sa fofografi të bukura, që flasin për udhëtimet e pandërprera të banorëve të atyre krahinave, sidomos nga të rinjtë e të rejat, bile edhe kur vijnë nga jashtë shtetit, nëpër gjurmët e vendlindjes së tyre ose të paraardhësve.
Por është edhe një “dëshmitar” shumë i fuqishëm i mos harrimit dhe i kujtesës së vendlindjes, nga nikajmërturasit. Ja, ka disa vjet që është formuar shoqata emërmirë, “Nikajmërturi”, me qendër në Tiranë. Natyrshëm, ndjen kënaqësi, kur mëson se degë të kësaj shoqate janë formuar, vitin e kaluar, edhe në Gjakovë e Shkodër. Sigurisht, ky proces afrimi, bashkimi e vëllazërimi ndërmjet tyre do të vazhdojë më tej. Por kjo Shoqatë ka botuar edhe disa numra të gazetës mujore, që mban po atë emër dhe tani drejtohet nga arsimtari Dedë Qokaj.
3.
Sigurisht, kanë domethënien e tyre, ato që shkrova më sipër. Por nuk është ky qëllimi kryesor i këtij shkrimi. Pra, dëshiroj t’i njoh shkurtimisht lexuesit me një përvojë shumë të bukur, që ka nisur pak vite më parë dhe që vazhdon me sukses tani. Nuk e harroj një takim, në Tiranë, me ish-kryetarin e komunës së Nikaj-Mërturit, Dedë Malaj. Ai po projektonte mendimin për çeljen e një gazete të krahinës, si dhe organizimin e një shfaqjeje masive në kryeqytet, pikërisht kushtuar traditave atdhetare e kulturore të saj. Prandaj kërkonte mbështetjen e intelektualëve, biznesmenëve dhe dashamirësve të Nikaj-Mërturit. Pa u zgjatur, rikujtoj këtu se u organizuan dy shfaqje madhështore, me këngë, valle e recitime, njëra në Teatrin e Operas e Baletit dhe tjetra në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, veprimtari të tilla masive u organizuan me sukses, nga kjo Shoqatë, në qytetin verior “Bajram Curri”, por dhe në qytetin e Gjakovës.
Tashmë, këto që tregova i përkasin së kaluarës. Por na vjen mirë, kur jemi dashmitarë të mbajtjes gjallë të kësaj tradite me shumë vlera, për të gjithë moshat, por sidomos për brezin e ri. Kështu, në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, një natë tjetër magjike dhe “të zjarrtë”, përjetuan nikajmërturasit, por dhe të ftuarit nga Kosova, si Gjakova e Peja dhe nga Tuzi i Malit të Zi. Në mes tyre ishin edhe personalitete të njohura, me origjinë nga ajo krahinë, si: Akademiku Mark Krasniqi, “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, drejtori i Arsimit të Gjakovës, Zef Osmani, Ramiz Gërvalla, Gjokë Geci e të tjerë. Po kështu, kishte përfaqësues të shoqatave simotra, si nga ajo “Bytyçi”, me kryetar av.Agron Gjedia.
Shfaqja, e titulluar “Nata e Nikaj-Mërturit”, ishte organizuar nga veprimtarët e palodhur të Shoqatës, po me këtë emër, që tani ka kryetar av. Gjin Niklekaj dhe me zëvendëskryetarë, Mëhill Gecaj e Dedë Malaj. Ajo ishte në vazhdim të veprimtarive kushtuar vitit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ideja e shfaqjes dhe realizimi ishin nga Dedë Malaj, me udhëhqës artistik Kolë Susajn dhe skenar nga Marash Mëhilli, me koordinator Ndoc Malajn e koreograf Vis Hetën. Ndërsa kostumet ishin nga Lek Pecnikaj, skenografia nga Pirro Pjetërnikaj dhe stiliste ishte gjakovarja Bora Balaj.
Për përgatitjen dhe realizimin e tërë shfaqjes kishin ndihmuar disa persona dhe sponsorë ishin: “Drita Travel&Tours, me president Pashk Prekën; Universiteti “Kristal”, baste live “Joy Lloto”, Hotel “Agron”, “Gurra Security”, me president Agron Qokën; Bar-Kafe “Oslo”, me pronar Shpëtim Marvatën; live music, Club “Boleros”.
4.
Sipari i shfaqjes u hap me daljen në skenë të gupit të burrave, “Akapelo” dhe të drejtuesve, Marashit dhe Etlevës. Me aftësi të veçantë, ata i paraqitën në skenë, njëri pas tjetrit, të gjithë numrat e përgatitur, secili më i bukur e më tërheqës se tjetri. Të gjithë ata i përshkonin temat për traditat atdhetare, liridashëve e perparimtare, fryma e bashkimit kombëtar shqiptar etj. Sigurisht, vëmendja e të pranishmëve u përqendrua te gjurra e pashterrshme popullore, pra te foklori mjafi i pasur i kësaj krahine, me larminë e luleve alpine shumëngjyrëshe.
Mund të përmendim mjaft numra të paraqitur dhe autorë të tyre. Ndër ta, u duatrokitën nxehtësisht këngëtarët Zef Beka, Gofile Papleka, Prekë Mrishaj e Lekë Pecnikaj, por dhe Nikolin Përpali, Gjin Pepkola, Gjergj Gjoni, Gjokë Mula, Fjoralba Syla, Bardhok Mehmeti, Ndue Nikolli etj. Këngët u kushtoheshin traditave të pasura të krahinës së njohur në histori, Nikaj-Mërtur, luftës së banorëve të saj shumëvjeçare, për liri e pavarësi dhe përparim të gjithanshëm. Por kishte edhe këngë lirike, si ajo e interpretuar nga Bardhok Prebibaj dhe këngë ritmike të kohës së sotme, nga disa të rinj e të reja, si dhe ato luajtur me vegla të ndryshme, nga nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në kryeqytet. U duartrokitën nxehtësisht, gjithashtu, trioja në këngën “Më pëlqen” dhe vajzat nga Gjakova, motrat Bushi. Mjaft të bukura e me ngjyra të ndezura ishin kostumet popullore të krahinës, si të femrave dhe të meshkujve, të cilat u paraqitën në sfilatat e përgatitura me shijë artistike. Pas daljes në skenë të disa “zanave”, skenë, dy prej tyre u shpallën fituese, njëra nga Nikajt e tjetra nga Mërturi.
Larminë e kësaj veprimtarie e pasuroi edhe shpallja e vendimit të Këshillit të Komunës së Nikaj-Mërturit, e cila kishte vendosur t’u jepte titullin “Qytetar Nderi”, disa figurave të njohura, nga kjo krahinë ose me prejardhje prej saj. Me këtë rast, dëshmitë përkatëse iu dorëzuan me ceremoni dhe duartrokitje të nxehta: Përfaqësuesit të znj. Ahtifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës; z.Ramiz Gërvalla, Dr.Gjergj Papleka, z.Zef Osmani, z. Dedë Qokaj e z. Zef Doda.
Në mbyllje të shfaqjes artistike të nikajmërturasve, e cila e “ndezi” edhe një herë tjetër Pallatin e Kongreseve në kryeqytet dhe që zgjati mbi tri orë, qindra të pranishëm në sallë i ndoqën me shumë kënaqësi grupet masive të këngëtarëve e valltarëve, me flamuj kombëtarë ndër duar, të cilët interpretuan me mjeshtëri këngën kushtuar krahinës së bukur Nikaj-Mërtur, si dhe atë me titullin “Jam shqiptar, kuqezi”.
…Pas kësaj shfaqjeve mjaft mbresëlënëse, e cila e vazhdoi jehonën e saj edhe nëpër familjet nikajmërturase e më gjerë, për të ftuarit dhe artistët amatorë u shtrua një darkë, në Shtëpinë Qendrore të Kulturës së Ushtarakëve të Tiranës. Gjithashtu, aty vijuan deri vonë, gëzimi e hareja e pjësëmarrësve, me këngë e valle popullore. Mendimi i organizatorëve, por dhe i dashamirësve të shumtë të veprimtarive të tilla, ishte se ato do të vazhdojnë përsëri edhe në të ardhmen.
Tiranë, 20 janar 2013