-Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë në vizitën në Kosovë takon Presidentin Thaçi, pritet edhe Ministrinë e FSK-së./-Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti ka thënë se NATO është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë, për të siguruar paqe dhe stabilitet për krejt rajonin.
PRISHTINË, 21 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë, Gjenerali Curtis M. Scaparrotti, po viziton sot Kosovën, ku shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Giovanni Fungo, u prit në takim edhe nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.
Presidenti Thaçi ka falënderuar gjeneralin Scaparrotti për mbështetjen që NATO i ka dhënë Kosovës në sigurimin e paqes në Kosovë dhe rajon.
Presidenti ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Roli juaj në Kosovë, si dhe në rajon është i pazëvendësueshëm. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje”, ka theksuar Presidenti.
Presidenti Thaçi ka informuar atë për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Sipas tij, Kosova ka përfunduar me sukses procesin e zgjedhjeve, të cilat kanë qenë të lira, fer dhe demokratike.
“Tani jemi në proces të krijimit të institucioneve të Kosovës, të cilat do të jenë multietnike dhe me orientim të qartë euroatlantik”, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, presidenti Thaçi ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shpresuar që rrugën e njëjtë do ta ndjekin edhe shtetet tjera, duke kontribuar kështu për paqen afatgjatë në rajon.
Nga ana tjetër, komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti ka thënë se NATO është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë, për të siguruar paqe dhe stabilitet për krejt rajonin.
Presidenti ka theksuar se Kosova është duke punuar që të përmbyll procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. “Kjo do të ndodh në koordinim të plotë me ju dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe komuniteteve në Kosovë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se Kosova po ashtu do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.
Sipas axhendave të njoftuara deri tash, Komandanti i Komandës së SHBA-ve për Evropë dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, Gjeneral Curtis M. Scaparrotti do të vizitojë edhe Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministria në njoftimin e dërguar bën të ditur se, ai do të pritet nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Orkestra frymore e FSK-së do të ekzekutoj Himnin e NATO-s si dhe Himnin shtetëror të Republikës së Kosovës.
KFOR ka ftuar përfaqësuesit e medieve të marrin pjesë në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur nga Gjenerali Curtis M. Scaparrotti, Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë (SACEUR) dhe nga Gjeneral Major Giovanni Fungo, Komandanti i Forcës së Kosovës (COMKFOR) në aeroportin ushtarak të Sllatinës. Komandanti Suprem i Aleancës për Evropë do të ndajë informacione me gazetarët mbi misionin e KFOR-it në Kosovë dhe operacionet e NATO-s.
Konferenca për shtyp do të pasohet nga një turne me helikopter, e ofruar nga Komandanti i KFOR-it për përfaqësuesit e medieve, thekson njoftimi dërguar nga forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë.
Para një viti, në 1 korrik 2016, Komandanti i posaemruar Suprem i Aleancës për Evropë (SACEUR), gjeneral Curtis M. Scaparrotti ishte për vizitë në Kosovë, e më pas në 21 shkurt 2017, me ç’rast në konferencën për shtyp mes tjerash deklaronte se, “derisa Kosova ecë përpara dhe përqafon të ardhmen e saj, NATO mbetet e zotuar për të bërë pjesën e saj”.
Në vizitën e parë, në takimin para një viti me Presidentin Thaçi Gjenerali Curtis Scaparrotti e siguroi se stabiliteti i Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit mbetet prioritet i lartë i NATO-s.
“Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të brendshëm e të jashtëm. I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbisë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, theksonte gjenerali Scaparrotti.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i rikonfirmonte Gjeneralit Curtis Scaparrotti se KFOR-i gëzon një respekt, besim dhe mbështetje nga të gjithë në Kosovë, pa dallim etnie apo përkatësie fetare.