• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trupa shtesë të NATO-s për ushtrim në Kosovë

August 11, 2021 by s p

-Një kontigjent i vogël ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në Kosovë më 13 gusht. Trupa shtesë nga aleatët e tjerë të NATO -s, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Rumaninë, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar do të arrijnë deri në fund të gushtit/

PRISHTINË, 10 Gusht 2021-Gazeta DIELLI/Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO (KFOR) dërgoi njoftoi publikun: Rritje e Përkohshme e Pranisë së Trupave të KFOR -it gjatë Ushtrimit. Kampi Film City Prishtinë, Kosovë – Gjatë muajve gusht dhe shtator, Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO (KFOR) do të zhvillojë një Ushtrim per Trajnim dhe Stërvitje Operacionale. Kjo do të rezultojë në një rritje të përkohshme të trupave në terren. Një kontigjent i vogël ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në Kosovë më 13 gusht, me detyrën për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për të strehuar një kontigjent më të madh të NATO -s që do të marrë pjesë në stërvitjen e përmendur. Trupa shtesë nga aleatët e tjerë të NATO -s, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Rumaninë, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar do të arrijnë deri në fund të gushtit. Stërvitja do të mbahet nga data 30 gusht deri më 8 shtator. Aty do të përfshihen skenarë të kontrollit të turmës dhe trazirave, aktivitete të lirisë së lëvizjes dhe operacione të sigurisë që synojnë ruajtjen e një niveli të lartë gatishmërie. Në përfundim të stërvitjes, të gjitha forcat shtesë do të largohen nga Kosova dhe do të kthehen në vendet e tyre përkatëse. Kjo përfaqëson një ngjarje rutinë, nën emërtimin “OPREH Niveli II”. Trupat nga vendet aleate stërviten së bashku me njësitë e KFOR -it si pjesë e Forcës Operative Rezervë. Edhepse gjasat jane te vogla, forcat rezervë shtesë të NATO -s mund të thirren në rast se KFOR-it i nevojitet ndihmë në zbatimin e mandatit të saj të OKB-se për të ruajtur një mjedis të qete dhe të sigurte si dhe per te siguruar liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.Komunitetet lokale mund të verejne një sasi të shtuar të lëvizjes së automjeteve, që rezulton nga transporti i automjeteve të blinduara ndërsa njësitë mbërrijnë në përgatitje.

Filed Under: Kronike Tagged With: NATO, NATO-Kosove

Në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s

June 12, 2021 by dgreca

LUSHNJE- Në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s

-Kryeministri Kurti në Divjakë: Me luftën çlirimtare fituam lirinë e shumëpritur dhe miqësinë e mbështetjen e NATO-s/

Divjakë, 12 qershor 2021-Gazeta DIELLI/ 

​ Në shënim të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës, tri institucionet më të larta të shtetit, organizuan manifestimin në nderim të luftës çlirimtare, në Divjakë, te Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s, kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999, që shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n.  

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se datën 12 qershor e kujtojmë gjithmonë, dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur,  por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë

“Në këtë ditë dhe në vazhdimësi i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave, të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë”, tha ai. 

Në këtë manifestim të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare të Kosovës, të burgosur politik dhe familjarë të dëshmorëve. 

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin në nderim të luftës çlirimtare: 

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, 

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Glauk Konjufca, 

Të nderuar gjeneralë-komandantë Agim Çeku dhe Sylejman Selimi, 

I nderuari gjeneralmajor i FSK-së, zotëri Enver Cikaqi, 

Të nderuar ministra e deputetë, 

Të dashur luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë, familjarë të dëshmorëve, 

Të dashur të burgosur politik, 

Të nderuar pjesëmarrës, 

Pas ofensivave të ushtrisë serbe të vjeshtës së vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvendoset nga Likoci këtu në Divjakë. Këto vargmale, me fshatrat Divjakë, Berishë e Kleqkë, u shndërruan në bazat më të mëdha dhe më të fuqishme organizative të UÇK-së, të udhëhequra nga Shtabi i Përgjithshëm, i cili u vendos këtu. Kjo shtëpi dhe ky vend, jo rastësisht u bënë strehë e UÇK-së. Në këto vise dhe shtëpi, u strehuan dhe u zhvilluan aktivitetet e organizatave e veprimtarëve të shumtë, të cilët punonin për lirinë e atdheut, siç ishte për shembull edhe Afrim Zhitia.  

Riorganizimi i Ushtrisë Çlirimtare me vendosjen e Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë, shënoi një hap të rëndësishëm në mbajtjen e linjave komunikuese më të lehta edhe me zonat e tjera, por jo vetëm: konfiguracioni i këtij vendi si pozicion mjaft strategjik i mundësoi UÇK-së të zhvillojë një strategji luftarake sulmuese, por edhe mbrojtëse të pozicioneve të veta duke mos lejuar përparim të forcave serbe në drejtim të bazave kyçe të UÇK-së, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, Spitali Ushtarak, selia e Radios “Kosova e Lirë” dhe agjencisë së lajmeve “Kosovapress”.  

Ky vend këtu nuk u shkel asnjëherë nga forcat serbe, edhe pse pati mësymje të shumta, jo vetëm nga këmbësoria, por edhe nga ajri. Falë rezistencës dhe luftës së organizuar të njësive të UÇK-së që vepronin në këto vargmale, siç ishte Brigada 121 “Ismet Jashari”, Njësia Speciale pranë Shtabit, Njësia e Logjistikës e të tjera, jo vetëm se mbrojtën hapësirat ku vepronin, por u bënë mburoja për qindra mijëra shqiptarë civilë që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe të cilët strehohëshin nëpër të gjitha këto gryka malesh përreth kësaj zone.  

Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë që udhëhiqej nga Shefi i Shtabit, Gjeneral Agim Çeku, i cili po e pasonte Gjeneral Sylejman Selimin, ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999. Ky vend dhe kjo shtëpi Shtab, shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n. Kjo shtëpi ishte e plakut Nezir Zogaj, i burgosur politik me neve të tjerëve që ishim rob lufte, edhe pas mbarimit të luftës, me Nait Hasanin, Bislim Zogajn, Enver Dugollin, e shumë e shumë të tjerë nëpër burgjet e Serbisë. Baca Nezë është i paharrueshëm edhe pas vdekjes, ashtu siç është kjo shtëpi edhe pas çlirimit.   

12 Qershori, është dita e çlirimit të Kosovës, prandaj e kujtojmë gjithmonë dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare, duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë. 

Në këtë ditë dhe në vazhdimësi, i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë.   

Lavdi të gjithë atyre! 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Baza e UÇK, Divjake, NATO

NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË

May 24, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

–Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  

–Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. 

Në trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy anët e oqeanit. 

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.  

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.  Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës. 

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial, ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo-stalinist — historik dhe kulturor — mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.  Çfarë tragji-komedi!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane — në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.  Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post-komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë — një parti-shtet me një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.  Rroftë demokracia alla-shqiptarçe! 

E buono per Albania! 

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Komunizmi, NATO

Transferimi i Autoritetit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë

April 22, 2021 by dgreca

–Kryeministri Kurti u prit nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Franco Federici/

Gjeneral Brigade Jörg Rüter merr detyrën nga Drejtori në largim i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s Gjeneral Brigade Frank T. Best/ 

PRISHTINË, 21 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Sot, Gjeneral Brigade Jörg RÜTER ka marrë detyrën si Drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë. Ai ka marrë përsipër këtë përgjegjësi nga Gjeneral Brigade Frank T. BEST i cili udhëhoqi ekipin këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s që nga prilli i vitit 2020.  

Gjeneral Brigade Frank T. Best lë prapa vetes një periudhë të suksesshme: “Viti im në Kosovë shkoi shpejt. Shpresoj, jo, jam i sigurt, se NALT bëri ndryshimin. Po largohem me kujtime të miqësisë së sinqertë dhe pata nderin të punoja me një ekip të jashtëzakonshëm.  

Drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade Jörg Rüter, ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse në Forcat e Armatosura Gjermane qysh nga viti 1985 atëherë kur edhe u bë pjesë e saj. Së fundi, ai shërbeu si Udhëheqës i Zyrës së Drejtorisë së Politikës së Forcave të Përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes në Berlin. 

Që nga gushti 2016, misioni i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s është të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të organizatave të sigurisë në Kosovë me mandatin e tyre origjinal, përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe koordinimit të edukimit dhe stërvitjes, njoftoi Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT). 

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka dërguar njoftimin për ceremoninë: 

Komunikatë për media  

U mbajtë ceremonia e transferimit të autoritetit të drejtorit të NALT-it 

Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes,  sot u mbajtë ceremonia e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NATO Advisory and Liaison Team –NALT). Në këtë ceremoni, tashmë tradicionale, nën kufizimin e masave anti-covid,  drejtori i deritashëm i NALT-it, gjeneral brigade Frank T. Best, i transferoi autoritetin e tij zyrtar, drejtorit të ri, gjeneral brigade Jorg Rüter. Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, si dhe zyrtarë e oficerë të lartë të NALT-it, Ministrisë  së Mbrojtjes dhe FSK-së. Gjatë ceremonisë, me fjalimet e tyre u paraqitën  gjeneral Best, pastaj  ministri Mehaj, gjeneral Rama, duke përfunduar me fjalimin e gjeneral Rüter. 

Në fjalimin e tij, gjeneral Best, vlerësoi angazhimin e madh të stafit të tij si dhe bashkëpunimin dhe koordinimin e duhur me stafin vendor të Ministrisë dhe FSK-së. Ai evokoi nga periudha e qëndrimit në Kosovë  me mesazhin për të bërë ndryshimin për të mirën e gjeneratave të reja. 

Në fjalimin e tij, ministri Mehaj, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e NALT-it nën udhëheqjen dhe drejtimin e gjeneral Best, të cilin, me vlerësimin më të lartë, e nderoi me medaljen  “Shërbim i shquar”.  Në fjalimin e tij, gjeneral Rama theksoi se mbështetja e NALT-it nën drejtimin e gjeneral Best ka qenë shumë e rëndësishme në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe për motivacionin e njëjtë e nderoi me medaljen “Shërbim vetëmohues”. 

Duke i dëshiruar mirëseardhje gjeneralit Rüter, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama, shprehën besimin e plotë se përvoja e tij e gjatë profesionale do të mundësoj vazhdimin e realizimit të suksesshëm të misionit dhe detyrave të NALT-it edhe në të ardhmen. Pas aktit zyrtar të transferit të autoritetit, me fjalimin e tij u paraqitë, gjeneral Rüter i cili shprehu falenderimin e tij për paraardhësin, vlerësimin për lidershipin e ministrit Mehaj dhe gjeneral Ramës, si dhe vullnetin e tij të lartë për të filluar punën në bashkëpunim të shkëlqyer me ta. Programi i ceremonisë u shoqërua edhe me pika të zgjedhura muzikore për tu përmbyllur solemnisht me Himnin e NATO-s. 

***.

Kryeministri Kurti u prit nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Franco Federici

Prishtinë, 21 prill 2021                      

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj, janë pritur sot në takim nga komandanti i Forcave paqeruajtëse në Kosovë (KFOR)  Gjeneralmajori Franco Federici, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Takimi është zhvilluar në formë të drekës së punës me qëllim të njohjes dhe prezentimit me njëri-tjetrin. Në takim u bisedua rreth bashkëpunimit midis Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, situatën aktuale të sigurisë dhe stabilitetin institucional.

Filed Under: Opinion Tagged With: KryeministriKurti, NATO, Trasferimi

NATO njofton hapjen e linjave të reja në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës

February 11, 2021 by dgreca

NATO-ja ka njoftuar për hapjen e linjave të reja në hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën. Në një njoftim të Aleancës Veri-Atlantike thuhet se kjo është një arritje e rëndësishme për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovën.

Kjo masë, sipas njoftimit, do të përmirësojë trafikun ajror civil nga dhe në aeroportin e Prishtinës.

“Përfitimet do të vërehen në udhëtime më të shpejta, më pak shpenzim i karburanteve dhe ulje të ndotjes së ajrit”, thuhet në njoftim. Që nga viti 1999 procesi i normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës është mbështetur në vazhdimësi nga NATO-ja.

Kjo është bërë në kuadër të takimeve për Normalizimin e Aviacionit në Ballkan, në kuadër të të cilave kanë marrë pjesë përfaqësues të vendeve Aleate, autoritetet e aviacionit, ato ushtarake dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit.

Në vitet e fundit, NATO përmes Takimeve të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan ka lehtësuar zyrtarizimin e një Marrëveshje Kuadër midis KFOR dhe Islandës. Agjencia e Sigurisë së Transportit të Islandës (ICETRA) tani po vepron si një Funksion i Mbikëqyrjes së Sigurisë dhe ofron mbështetje për Komandantin e KFOR-it.

Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: hapsirat e ulta ajrore, NATO

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT