• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË

May 24, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

–Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  

–Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. 

Në trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy anët e oqeanit. 

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.  

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.  Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës. 

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial, ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo-stalinist — historik dhe kulturor — mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.  Çfarë tragji-komedi!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane — në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.  Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post-komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë — një parti-shtet me një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.  Rroftë demokracia alla-shqiptarçe! 

E buono per Albania! 

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Komunizmi, NATO

NJË MUZE I RI NË WASHINGTON KUSHTUAR 100-MILIONË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË BOTË

December 19, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, votuar unanimisht, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”.  Ky është misioni i këtij fondacioni me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën – Për të kërkuar Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.

Për pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara — krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të bëra në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur nga komunizmi.  

“Nëqoftëse ne nuk u mësojmë brezave të rinjë të vërtetën historike të 100-milionë viktimave të vrara nga regjimet komuniste gjatë shekullit të kaluar, atëherë ne nuk duhet të habitemi ndaj gatishmërisë së tyre për të përqafuar idetë marksiste”, pasi nuk e njohin, shprehet Marion Smith, Drejtori i Përgjithëshëm i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.

pastedGraphic.png

           Memoriali në Washington, kushtuar Viktimave të Komunizmit botëror 

Në vitin 2007, Fondacioni ngriti statujën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit në cep të rrugëve të New Jersey dhe Massachusetts Avenues, pranë selisë së Fondacionit Përkujtimor në Washington, jo larg nga ndërtesa e Kongresit amerikan dhe afër stacionit kryesor të trenave në kryeqytetin amerikan, si një kujtesë e përhershme për viktimat e komunizmit botëror, për të gjithë vizitorët dhe ata që kalojnë asajt çdo ditë.  

Mirëpo, Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, në frymën e misionit që i ka caktuar vetes ç’prej themelimit të tij — “Për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”, por edhe për të promovuar lirinë për ata popuj që ende jetojnë nën regjime komuniste — ka vendosur që në vitin 2021 të hedhë një hap tjetër edhe më të rëndësishëm, për të hapë Muzeun e Viktimave të Komunizmit mu në qendër të Washingtonit, në rrugën 15-të në veri-perendim të Sheshit të njohur McPherson.  “Washington Business Journal” njofton në një artikull të gjatë botuar javën që kaloi — hapjen e muzeut më të ri privat në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, atë kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë, dhe botoi edhe fotografinë e ndërtesës (më poshtë ku do të vendoset muzeu.

pastedGraphic_1.png

Muzeu i ardhëshëm në Washington kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë do të hapet vitin që vjen në këtë adresë: 900 15th St. NW, karshi Sheshit të njohur McPherson.

Z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, u shpreh për “Washington Business Journal” se hapja e një Muzeu në Kujtim të Viktimave të Komunizmit botëror në Washington DC ka qenë një objektiv për një kohë të gjatë i fondacionit që ai drejton.  Muzeu, sipas tij, do jetë i pasuruar me ekspozita të përhershme dhe të përkohëshme dhe do të tregojë shumë histori tragjike nga nja 40-vende që janë sunduar nga diktatura komuniste një-partiake, gjatë 100-viteve të kaluar.   

Ndërkaq, Fondacioni i Kujtesës organizon programe, takime eduktaive dhe fushata mediatike që kanë të bëjnë me pasojat e komunizmit në botë dhe çdo vit shpërndanë çmime dhe dekoratën e prestigjoze të “Lirisë Truman-Reagan”, atyre që, “kanë vu në dukje due që kanë punuar dhe që kanë treguar një angazhim të gjatë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë duke kundërshtuar ideolgjinë komuniste”, ndërkohë që fondacioni gjithnjë mbështet aktivitetet anti-komuniste në Kinë dhe në Amerikën Latine.  Siç thashë edhe më lartë, misioni i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit në botë është themeluar për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit dhe për të promovuar lirinë për ata popuj të cilët ende jetojnë nën regjime komuniste. Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të komunizmit shprehet se këtë detyrë e konsideron si një detyrim solemn të vetin për t’i ekspozuar gënjeshtrat e komunizmit, të gjithë atyre që thonë se janë të gatëshëm që, pse jo, kolektivizimit dhe komunizmit si ideologji, t’i jepet edhe një mundësi tjetër veprimi, që të provohet edhe njëherë.

Brezat e rinj, sipas Fondacionit amerikan të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit duhet të ballafaqohen me realitetin e marksizmit, në praktikë. Thekësohet se  socializmi nuk është një filozofi e mirë njerëzore due se socializmi marksist është ideologjia më vdekjeprurëse në histori. Në shekullin e 21-të, ne kemi një mundësi të mësojmë nga krimet e komunizmit gjatë shekullit 20-të dhe të ri-dedikojmë shoqërinë tonë të lirë, të bazuar në lirinë individuale, në tregëtinë e lirë, në shtetin e së drejtës, në vetëqeverisjen demokratike dhe në mbrojtje dhe respektin e të drejtave të njeriut.  Në çfarë lloj bote duam të jetojmë, në shekullin 21 — një botë e përcaktuar nga kolektivizmi e komunizmi, apo nga liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut?  

Siç duket, me ndërtimin e një muzeu të ri — në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe të botës së lirë në përgjithësi, në kujtesë të përherëshme të viktimave të komunizmit në botë — Fondacioni (Amerikan) i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, po përpiqet që të pakën, pjesërisht, t’i përgjigjet pyetjes se në çfarë bote duam të jetojmë në këtë shekull – nën komunizëm apo në liri.

                  pastedGraphic_2.pngPresidenti George W.Bush duke folur me rastin e dedikimit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit me 12 Qershor, 2007, në Washington

Me atë rast, Presidenti Bush ka thenë se viktimat e komunizmit do t’i kujtojmë përgjithmonë në histori:  “Ne kurrë nuk do t’i dimë emrat e të gjithë atyre që u vranë nga (komunizmi), por në këtë vend të shenjtë, viktimat e panjohura të komunizmit do të shenjtërohen në histori dhe do të kujtohen përgjithmonë.  Ne e përkushtojmë këtë memorial sepse kemi një detyrim ndaj atyre që vdiqën — të kujtojmë jetën e tyre dhe të nderojmë kujtesën e tyre”.  

Rrezikun nga komunizmi, ish-presidenti George W. Bush e ka krahasuar me kërcënimin e terrorizmit në fillim të këtij shekulli, ndërsa është shprehur se: “Ashtu si komunistët, edhe terroristët dhe radikalët që kanë sulmuar kombin tonë janë pasues të një ideologjie vrasëse që përçmon lirinë, shtyp të gjitha disidencat, ka ambicie ekspansioniste dhe ndjek qëllime totalitare”.

Filed Under: Politike Tagged With: 100 milione viktima, Frank shkreli, Komunizmi, Muze i Washingtonit

Gjergj Fishta dhe komunizmi

July 30, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli*-

At Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, politikani, rilindësi, përkthyesi dhe shkrimtari i Kombit Shqiptar ka lindur, më 23 Tetor, 1871 dhe ka vdekur në moshën 69-vjeçare, më 30 Dhjetor, 1940. Ata që e admirojnë, e konsiderojnë Fishtën si Poeti i Kombit dhe njëri prej shkrimtarëve shqiptarë më me influencë i të gjitha kohërave. Në këtë përvjetor të lindjes dhe pothuaj 80-vjet pas vdekjes, detyrohem të pyes veten, se pse Fishta edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, mbetet ende i padëshiruar dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare nga kultura, shkenca dhe akademia – mbetet armik dhe reaksionar, ashtu siç konsiderohej nga komunizmi, megjithëse ai nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim. Duke lexuar disa gazeta të vjetra të komunitetit shqiptaro-amerikan ditë më parë, ndesha në një shkrim të Profesorit Arshi Pipa, titulluar pikërisht, “Fishta dhe Komunizmi”, botuar në gazetën “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, më 31 janar, 1961 në Nju Jork. Në atë artikull, Profesor Pipa e shpjegon shumë mirë politikën komuniste ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, gjurmët e së cilës trashëgimi politike anti-kombëtare, fatkeqësisht, i shohim edhe sot në fushën e letërsisë dhe në lëmin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Ishte një freski pjesëmarrja e Presidentit Ilir Meta në Kuvendin Folklorik Kombëtar, organizuar ditët e fundit në Lezhë, në nder të kolosit të letrave shqipe, At Gjergj Fishtës. “Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, misioni i tij fisnik, që na la trashëgimi dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot, ishte Shqiptaria, heroi dhe misionari i kombit, që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete” është shprehur Presidenti i Shqipërisë. Shpresojmë që fjalët e Z. Meta të jenë një frymë e re e kohës, një hap “zyrtar” simbolik ky sado i vogël, drejt rivendosjes së këtij burri të madh të Kombit në vendin që i takon në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve – një vend që i është mohuar atij me pa të drejtë.

Por le t’i kthehemi artikullit të ndjerit Profesor Arshi Pipa, “Fishta dhe Komunizmi”. Në artikullin e tij të gjatë mbi këtë çështje, Profesor Pipa, edhe vetë ai një ndër autorët shqiptarë të ndaluar nga regjimi komunist dhe që ka kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar – shkruan se dy tre vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”. Por, megjithëkëtë shkruan ai, qysh në fillim, shihej se nga frynte era. Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosish, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës, por edhe të Faik Konicës. Kështu filloi dalëngadalë  të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Fishtës dhe të veprave të tij.

Arshi Pipa shkruan nga përvoja personale, bazuar në ato që kishte parë e dëgjuar, mbi përpjekjet fillestare të regjimit komunist për të eliminuar Fishtën nga letërsia dhe historia e Shqipërisë, pasi ai thotë se në, atë kohë, ishte vetë mësues i letërsisë në “Institutin Femnuer të Tiranës” dhe pjesëmarrës në mbledhjen e arsimtarëve të shkollave të mesme të Tiranës, mbledhje e thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit të asaj kohe, Shemsi Totozani. Kjo mbledhje që kishte një karakter krejtësisht politik, ka shkruar Arshi Pipa, ishte thirrur me qëllim për t’u imponuar mësuesve dhe arsimtarëve pikëpamjet marksiste leniniste të pedagogjisë sovjetike, sidomos për lëndët si letërsia, filozofia dhe historia. Ishte kjo mbledhje, shton ai, ku u bë thirrje haptas që Gjergj Fishta dhe Faik Konica të shpalleshin “reaksionarë” dhe të hiqeshin nga mësimi në shkollat shqiptare. Në mbështetje të Totozanit doli Qibrie Ciu, në atë kohë Drejtoreshë e “Institutit Femnuer”, kujton Profesor Pipa, e cila “u vërsul ashpër kundër Fishtës, duke e quajtur atë; oportunist, reaksionar me damkë e deri tradhtar.”

Është interesant fakti se, sipas Profesor Pipës, kundër pikëpamjeve ekstreme të Totozanit dhe shokëve të tij kundër Fishtës, doli Ministri i atëhershëm i Kulturës, Sejfullah Malëshova. Sa ishte Malëshova në atë detyrë, thotë autori, Fishta dhe Konica u kursyen, por shton se me rrëzimin e Malëshovës pak më vonë, “Fishta u fshi nga defteri”.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.” Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, në vitin 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.

Ai shton se “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi i madhor i vlerave kombëtare”.

Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Sipas tij, është e vërtetë se Fishta ishte më i ashpër me sllavët, por kjo duhet të gjykohet bazuar në rrethanat nën të cilat ka jetuar dhe vepruar Fishta. “Fishta nga një katund i Fushës së Shkodrës, u bë meshtar katolik dhe kishte ra në dashuri me malet e Mbishkodrës. Kur të jenë peshuar mirë këto tre elemente”, shkruan Pipa, “do të matet vlera e shoqërore e veprës së Fishtës. “Lënda e “Lahutës së Malëcis”, vepra madhore e Fishtës, është një himn i gjatë i jetës së malësorëve të Veriut. Jeta e këtyre fiseve malësore, kufitare me sllavët”, ka theksuar Profesor Pipa në artikullin e tij, “ka qenë një luftë e pandërprerë për ruajtjen e tyre etnike nga presioni sllav. Përfundimi është një epikë dramatike, një furi që shpërthen mbi armikun dhe armiku qëllon të jetë sllavi, armik tradicional i malësorit të Veriut”, thotë Pipa.

Pipa shkruan se komunizmi e ka paraqitur Fishtën si një fanatik fetar, si shovinist të tërbuar antisllav që urren kombet e tjera, si reaksionar i tipit kleriko-borgjez. Por a “Është Fishta shovinist, sepse mbron tokën shqiptare dhe sulmon ata që e sulmojnë Shqipërinë?” pyet Pipa. Profesor Pipa e cilëson interpretimin komunist të Fishtës si një qëndrim “arbitrar që nuk i qëndron kritikës objektive” dhe thekson: “At Gjergj Fishta u rrëzua nga piedestali ku e kishte vendosur populli shqiptar, në kohën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës varej nga jugosllavët” dhe ka vazhduar ashtu, bazuar në “logjikën revolucionare”, sipas Profesorit.

-Fishta i përkiste urdhrit françeskan, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë, shkruan Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, thekson ai.

-Sipas tij, një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe. “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, ka arsyetuar Arshi Pipa.

-Dhe arsyeja e tretë, sipas Profesor Pipës, ishte thjesht çështje inati. “Fishta nuk e ka pasur veç me sllavët e jugut, kufitarë me Shqipërinë, por me vetë Rusinë”, nënën e sllavëve të jugut. Për Fishtën, “shkjetë e Ballkanit” janë klyshtë e Rusisë”. Rusia atëherë dhe sot mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit në dëm të shqiptarëve, por për komunistët shqiptarë, mjafton që Fishta e kishte futur Rusinë në një thes me fuqitë e tjera “imperialiste” dhe kjo sipas Profesor Pipës, mjaftonte që regjimi komunist i Enver Hoxhës ta fuste At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij në listën e zezë. Pipa kujton se në fakt, Fishta nuk ka kursyer as fuqitë e tjera të mëdha të kohës, që vepronin kundër interesave të Kombit shqiptar, përfshirë Italinë, të cilën e sulmon keq në “Anzat e Parnasit”. Ai e quan Evropën, “kurva e motit”, shënon Pipa dhe shton se këto janë fakte historike që dihen botërisht. Fliste mirë për Austrinë, se në atë kohë Vjena ka mbështetur Shqipërinë, shton Arshi Pipa.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e artikullit të shkruar nga Profesor Arshi Pipa në gazetën shqiptaro-amerikane “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar. Ishte një shkrim retrospektiv mbi fatin e keq të Fishtës nën regjimin komunist të Shqipërisë, ndërsa autori e përfundon artikullin me pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehet optimist duke thënë: “jo përgjithmonë”. Ai shpreson një ndryshimi zyrtar ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, që sipas Arshi Pipës, do të ndodhë kur “komunizmi të ndërroj qime”. Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” me shembjen e Murit të Berlinit, Fishta mbetet ende, me shumë autorë të tjerë shqiptarë të ndaluar nga komunizmi, i pa pranuar zyrtarisht. Ndonëse shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në Atdheun e të parëve tonë në periudhën “post-komuniste”, pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Fishtën. Natyrisht, se veprat e tij botohen dhe lexohen, por At Gjergj Fishta, zyrtarisht, edhe sot ,30-vjet post-komunizëm – “mbetet i zhdukur nga pasuria kulturore” dhe nga historia e Kombit shqiptar. Udhëheqja shqiptare komuniste nuk mund t’ia falte Fishtës shprehjet kundër sllavëve të jugut dhe Rusisë.

  • Po çfarë mund të themi për neo-jugosllavët e Tiranës sot?!
  • A vazhdojnë të besojnë ata në “logjikën revolucionare”, në mënyrën se si trajtohet sot zyrtarisht At Gjergj Fishta në Shqipëri?

“Ujku qimen e ndërron, por vesin jo”, thotë populli! Fishta ishte i neverituri i stalinizmit shqiptar. Zyrtarisht, At Gjergj Fishta mbetet ende “reaksionar” dhe “armik i popullit”. Deri kur? STOP URREJTJES! Bëjuni mjet i paqes dhe i pajtimit!

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Filed Under: Featured Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, Komunizmi

NJERIUT TË ARDHUR NGA FERRI I KUQ – SHQIPTARËT PO I DREJTOHEN:IK!

March 11, 2019 by dgreca

NGA AGUSTIN M. MIRAKAJ

Thirrjet poshtë komunizmi, në protestën para Konsullatës Shqiptare në New York, tregojnë qartë se nomeklatura e vjetër drejton me bijtë e saj qeverinë shqiptare, e cila po zhyt vendin në një kaos total.Nga njëra anë tregojnë se Shqipëria është baçe me lule dhe nga ana tjetër baçja po thahet se nuk ka ujë.Tashmë sovrani është çuar në këmbë me protesta të përmasave të pa imagjinuara si kurrë më parë.Kryeministri Rama del ne media si dikur faqeziu Ramiz Alia. Bën të pafajshmin “SI NJË KUKULL CIRKU”, sulmon, ofendon, trillon, shantazhon shqiptarët, por harron një thënie te vjetër popullore që thot “fshati digjet e k… krihet”.Edi Rama s’tregon mungesë shqetësimi apo interes për dëshirat apo mendimet e Shqiptarëve.Sot ti tiran sundues absolut i pakufizuar nga ligj dhe kushtetuta, një uzurpator i sovranitetit. Sundimtar që ushtron pushtet absolut. Tashmë i ngjan E.H., “largqoftit” me autoritet dhe pushtet. I portretizuar si mizor e sundues, i pakufizuar ke rrëmbyer pushtetin legjitim.Portretizim i LargqoftitTirani mund të mbrojë qëndrimin e tij me mjete shtypëse.Në 28 vite tranzicion Shqipëria po rrëshket në një humnerë të pa fund. Sinjali telefonik “ZËRI i LIRË” ndërpritet.Sot bandat dhe krimi i organizuar drejtojnë shtetin shqiptar.Të ashtuquajturit analistë, analizojnë dhe ç’analizojnë kryeministrin për bëmat e tij.Sa të mira dhe sa të keqija ka, sa i gjatë sa i shkurtër, kollare të kuqe apo kollare të bardhë, thanë të huajt kështu apo ashtu, e mbështesin apo e shfajësoin si njeriun e rënë nga qielli.Kryeministri Rama, politikanët, analistët apo kukullat e cirkut, të kësaj kategorie shkatërrojnë çdo sekond Shqipërinë.E vetmja shpresë për Shqipërinë e për shqiptarët kudo që ata ndodhen i ka ngelur një betejë e pa mbaruar.Të çohen dhe ta rrëzojnë këtë sistem të marrë nga bandat me dhunë, me vota të blera të marrë padrejtesisht.“Edi Rama ik”. Politikanë keqbërës dhe keqdashës ikni.Koha tashmë është e shqiptarëve, e atyre që e duan Atdheun si një vend Perëndimor.

Filed Under: Politike Tagged With: Ferri i Kuq, Komunizmi

PUTINI KRAHASON LENININ E KOMUNIZMIN ME KRISHTENIMIN

January 16, 2018 by dgreca

Shkruan Donuen Sharkov/

1-kadeli

Perktheu per Diellin Gjon Kadeli/Presidenti i Rusis e krahasoi Leninin me nji Shejt dhe deklaroi se idete komuniste Sovjetike e kane burimin ne Ungjil(Librin e Shejt) Presidenti Putin ishte tuej folun lidhun me nji film dokumentar ne Manastirin Valaam, ne te cilin vihet ne dukje historia e asaj ndertese qe gjindet afer kufinit te Finlandes.
Nji nga pikat kryesore te diskutimit ishte Revolucioni Rus i Tetorit 1917-te, gjate te cilit u ekzekutue familja mbretnore e cila ishte shume besimtare. Kjo gja perfundoi ne formimin e Bashkimit Sovjetik dhe ne nji kapitull te ri te politikes se Kremlinit kunder besimit fetar.
Putini tha se atij  i kane  pelqye gjithmone idete komuniste, por se ekziston dicka qe ka nji te mete…..
Qe nga ajo kohe, e ne menyre te vecant, mbasi u bane ndryshimet ne Bashkimin Sovjetik, gjate kohes se Gorbacovit me 1990-tat, rrolli i kishes ne shoqnin Ruse, ka qene nji ceshtje qe ka shkatue grindje. Por Putini, i cili shpesh here ka perkrah kishen u tha atyne qe kishin ba filmin se ai nuk beson se idealet e Komunizmit dhe te Krishtenimit jane te paperpuethshme. Putini shtoi “Ndoshta jam tuej thane dicka, qe disa njerezve nuk u pelqen, megjithe kete,une po them ate qe mendoi.”
Putini vazhdoi “E para, besimi ka qene gjithmone pjese e jetes,kjo gja na forcoi kur rrethanat ishin te veshtira per popullin e vendit tone.Gjate shume vjeteve asht luftue feja, jane persekutue kleriket dhe jane shkatrrue kishat.Por ne te njejten kohe Sovietet krijuen nji fe te re.Ne te vertete,ideologjia komuniste asht shume e ngjashme me
ate te Krishtenimit.”
Lenini,nji atizot,i cili perqafoi pikpamjen Marksiste tha se feja ishte”Helm per njerzit.”frymzoi nji fushate se hoveshme per te konfiskue pronat e kishes,nderkohe qe mbasardhesi i tij Stalini me 1931 dha urdhen per shkatrrimin e katedrales ma te madhe te Moskes. Ne trollin e katedrales u planifikue ndertimi i nji pishine publike, me nji shtatore shume te madhe te Leninit prane tij.Tuej qene se gjate asaj kohe mungoshin fondet, projekti  u ndertue nga paasardhsi i tij
Hrushovi. Por Putini argumenton se si Krishtenimi edhe komunizmi predikon”liri,vllaznim e barabarsi.”Ai e karakterizoi Kodin Moral te krijuesit te Komunizmit Leninit.si nji broshure qe permban udhzimet parimore per te gjithe antaret e partis domethane, pake a shume si nji pjese permitive e Ungjillit.” Putini thote gjithashtu, se edhe ne menyren e adhurimit(riteve), Lenini dhe bashkpuntoret e tij huazuen disa menyra veprimi nga kisha; megjithse nuk asht e qarte, nese ai mendoi, nese kjo gja  ishte e bazueme ne ndergjegjejen e tij, apo ishte nji perpjekje intiutive.
“Putini ia rikujtoi atij qe e mori ne pyetje se Lenini u vorros ne nji Mausoleum.Cfar ndryshimi ka kjo me menyren e vorrimit e Shejtenve, si per Ortodoksit si edhe per te Krishtenet ne Pergjithsi?
Ironikisht, ceshtja e mauseoleumit, asht nji nga arsyet kryesore te grindjes ndermjet Kishes Ortodokse Ruse dhe Partis Komuniste, te cilat kane numrin e dyte ma te madh ne parlament. Zyrtaret e kishes kane kerkue per nji kohe te gjate qe mauseoleumi i Leninit qe asht i vendosun jasht Kremlinit qe nga 1924-ta,tuej thane se kjo gja nuk asht e drejte,kurse komunistet thone se arka e te dekunit asht e vueme nen siperfaqen e tokes, tuej respektue keshtu rregullat fetare te
vorrosjes.
Putini per nji kohe te gjate,nuk ka prenue  anime rreth ceshtjes se mausoleumit, por i tha stacionit televiziv Rusia 1 se mausoleumet ishin te ngjashme me ato te Shejtenve,simbas tradites ortodokse.Putini shtoi”Si ka mundesi nji gja e till? Shko te vendi iquejtun Athos e shiko se si jane vorrosun Shejtnit.Atje jane vorrosun gjithashtu Shejtnit Serguisi e Hemani.”Prandej duket se autoritetet e asaj kohe nuk shpiken dicka te re,por vetem simbas ideologjis se tyne,nji gja qe
njerzimi shpiku shume kohe me pare.

SHTESE NGA PERKTHYESI

Me duket se me te vertete, krahasimi qe ban Putini asht i cuditshem.Ka disa kohe qe Putini ka ba vili-vili me autoritet kishtare ruse,sigurisht per arsye politike personale,tuej i afrue ato,dhe tuej nxit nacionalizmin vendas,keshtu qe te kete
perkrahjen e autyoriteteve kishtare,per t’u zgjedhun perseri president dhe per synimet e tij per te krijue perseri ish Perandorine Ruse, sic ishte gjate kohes se Bashkimit Sovjetik.Permysjen e kesaj perandorie ai e ka cilsue,si katastrofen ma te madhe te qindvjetshit njizet.,Pervec kesaj, sic e vejne ne dukje fjalet e Putinit,Lenini, Stalini,Ceduni,Poti, Caucesku e Baca Enver,me kohe mund te shendrrohen ne Shejten edhe pse rregjimet e tyne dhe te disa te tjereve shkatuen vdekjen e njiqind milione njerezve Natyrisht mbrekullina  kane ngja edhe ma pare, pradej radhet e Shejtenve mund te shtohen nga te naltpermendunit

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Komunizmi, Krishti, Lenini, Putini

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT