• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNIZMI, SISTEM KANIBALESH

December 9, 2017 by dgreca

NGJARJE TRONDITËSE QË NDODHIN VETËM NË NJË SISTEM KANIBALËSH, SIÇ ISHTE KOMUNIZMI/

3Kostreci hasan

NGA HASAN KOSTRECI/ Lexova para disa ditësh deklarata dhe deponime për ngjarje të ndodhura gjatë diktaturës, qe rrëfen se komunizmi nuk ishte vetëm i egër dhe mizor, por edhe kafshëror. Ështe fjala për përdhunimet e kryera nga mjaft ish zyrtarë të asaj kohe si hetuesa, drejtora kampesh, drejtora burgjesh, kryetarë degash e deri përfaqësues të ministrisë së brëndëshme. Gjeste këto, të cilat të bëjnë të mendosh për nivelin e ulët dhe ordiner të atyre që na kanë drejtuar, por kur di që të njëjtën gjë bënë edhe “çlirimtarët” e ushtrisë së kuqe ruse me vajzat dhe gratë gjermane, kur hynë mbas kapitullimit të nazizmit në Berlin, nxjerr si konkluzion se kjo lloj fare është njësoj kudo që ndodhet dhe nuk ka moral, por kur t’i bën këto i huaji, është gjysma e keqes, por shqiptari shqiptarit, është shumë më e rëndë.

Ky fenomen, sepse më kujton diçka që më ka ndodhur kur isha i ri, i cili jo edhe aq prej tronditjes që pësova, se sa për një tjetër arësye, të cilën po e rrëfej; Po udhëtoja një mbrëmje në një zonë të thellë fshati, kur pa dashur u ndesha me një stan bagëtish. Një qen i madh sa një ujk më ndjeu dhe mbasi lehu vetëm njëherë, m’u versul, m’u hodh përsipër e më rrëzoi. U rrukullisa sëbashku me të dhe kur qëndrova, pashë që ai qe fare pranë meje, por nuk më preku dhe më mbajti ashtu pa lëvizur deri sa erdhi bariu.

“Po të ishte qen rrugësh, më tha një fshatar, do të kishte xhallavitur e shqyer nga rrobat, ndërsa qeni i stanit, është ndryshe, sepse ka një lloj fisnikërie”.

Edhe në botën shtazore, mendova, paska dallime dhe jo të gjitha kafshët qënkan njësoj. Por sa kohë i është dashur atij bariut për tä krijuar atë qen rracë, ndërsa komunizmi bëri të kundërtën, sepse dhe “njeriun e ri”, që krijoi, e bëri më të keq nga vetja.

Por e çutitëshme është, se si ka mundësi që ky lloj kontigjent të hipi një ditë aq lart sa të kapi edhe pushtetin? Për dikë që e ka provuar, përgjigja është e thjeshtë dhe nuk ka vështirësi për ta kuptur, ndërsa për një tjetër, i cili e njeh komunizmin vetëm në teori dhe për aq sa ka lexuar, është ndryshe, sepse kjo ideollogji është aq e maskuar dhe e sofistikuar, sa viktima nga ajo mund të ketë kurdoherë, bile edhe në kohën e sotme dhe jo vetëm në vënde të varfëra e të pa stabilizuara, siç është Shqipëria, por edhe në ato nga më të konsoliduarat dhe demokratiket në botë. Programet e saj janë tërheqëse dhe nuk gabojnë vetëm një naiv e i pa shkollë, por edhe një idealist, edhe një të pa suksesëshëm që ka dështuar në jetë, por kur në këto grupime heterogjene, hyn e penetron edhe mashtruesi, edhe gënjashtari, bile dhe terroristi, të cilët si të djallëzuar, pak e nga pakë arrijnë e dalin në krye, kjo turrmë atëhere merr drejtim tjetër dhe bëhet e rrezikëshme. Rast tipik është përsëri vëndi ynë. Komunizmin populli shqiptar nuk e njihte, por e përqafuan, sepse ai fillimisht u paraqit si baba e si nënë. Po dyshonin më vonë, kur nisi të tregohet me ta indiferent  dhe të sillej si njerkë, po kur nga fundi u egërsua dhe u transformua në kuçedër sa nisi  të hajë e të kollofitë edhe ata vetë, iu kundërvunë dhe në nëntëdhjetën kujtuan se e vranë. Por shtatë dekada e ca që ajo jetoi, kishte pjellë e përhapur në të gjithë vëndin aq shumë nga këlyshët e vet, sa edhe demokracinë nisën që ta shkatërrojnë, prandaj rreziku prej tyre është tepër serioz dhe neqoftëse edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët të alarmuar kanë ardhur dhe janë aktualishtsht prezent, s’do mundim dot që t’i zhdukim, kam frikë se përfundimin do kemi mjaft keq!

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, Komunizmi, SISTEM KANIBALESH

KOMUNIZMI VRET ELITËN, KEQTRAJTON MESATARËT DHE NGRE LART INFERIORËT

August 1, 2015 by dgreca

(Vlerësime për veprën PIKA LOTI të Sami Repishtit, ribotohet i ripunuar me rastin e 90-vjetorit të autorit të veprës)/
Shkruan: Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/
Sami Repishti, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi përbëjnë elitën letrare të mërguar të disidencës shkodrane antikomuniste. Ky bir i Shkodrës tremijë vjeçare, ish-antifashist e ish-antikomunist, ish i burgosur dhe i internuar, mbas arratisjes nga Shqipëria, gjeti veten në SHBA ku ariti të bëhet pedagog i letërsisë me titullin Assistent Profesor. Ai është personalitet i kompletuar i pedagogut, studjuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiprare dhe asaj amerikane. Kur të studjohet jeta dhe vepra e plotë e tij do të shihet se ai me shumë artikuj, esse e vepra letrare, për nga pëmbajtja disidente antikomuniste, pjekuria dhe humanizmi i lartë të kujtojnë Vaclav Havel-in (1936-2011) dhe Karl Popper-in (1902-1994).
Për fatin tonë të keq ky i përndjekur, ky personalitet i shquar, kur shkoi në atdhe mbas shkërmoqjes së diktaturës për të ndihmuar në ecurinë e proceseve, nuk u dëgjua sa dhe si duhej prej qeverisë “demokratike”, për dënimin e krimit komunist, për kthimin e pronës tek i zoti, për zhvillimin e lojës politike midis pozitës dhe opozitës si një lojë demokratike luajale pa e ndarë popullin në dy gjysma armiqësore, etj. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej planit të Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot…
Më vjen keq që dy veprat letrare PIKA LOTI (1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004) të profesor Repishtit i lexova vetëm këto javët e fundit, pra me vonesë nga botimi i tyre. Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh, sepse aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar keqas dhe mbajtur në fshehtësi. Letërsia realiste shqiptare e krijuar gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek XX-të prej Andon Zako Çajupit, Zef Skiroit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Faik Konicës, Migjenit, Mihal Gramenos, Nonda Bulkës, etj, etj, gjatë viteve të rënda të diktaturës komuniste (1944-1991) ra në fashë, por nuk u ndërpre. Ajo ra në fashë, sepse pushteti diktatorial stimuloi në ato vite letërsinë e quajtur “Letërsi e Realizmit Socialist”, veprat e së cilës hartoheshin sipas kërkesave të formuluara prej V. I. Leninit dhe regullave të sajuara prej teoricienit sovjetik A. Zhdanov. Kjo letërsi mori mbi vete detyrën për t’i shërbyer partive komuniste në pushtet për krijimin e rendit të ri, përmes sajimit të heroit pozitiv. Ky hero mishërohej me figurën e një komunisti, a njeriu të thjeshtë, ose të një sekretari partie. Kjo letërsi në Kinë krijoi një hero si Laj Feni, në Shqipëri krijoi heroin e Stavri Larës (romani Këneta i F. Gjatës) e plot të tjerë… Kjo lloj letërsie, e cila stimulohej aq shumë prej partisë shtet, solli vetëm dëme në art dhe në psikologjinë e shoqërisë së vendit ku u krijua. Për turpin e tyre, autorët e të tilla veprave nuk i kanë kërkuar falje popullit për dëmin që i shkaktuan, por vijojnë të mburren me to. Veprat e shkruara sipas parimeve të realizmit socialist sot nuk na tërheqin më, lexohen me vështirësi dhe me një ndjenjë neverie, sepse në to i thurren lavde politikës dhe moralit që i shërbente vetëm sundimit të partisë shtet.
Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin vetëm disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist, kurse Lazgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën dhe nuk krijuan më mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dha plejada e shkrimtarëve të rinj shqiptarë që u formua në Ish-Jugosllavi.
Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.
Letërsia realiste shqiptare e viteve 1945-1991 dallohet prej letërsisë së realizmit socialist së pari për nga metoda krijuese, sepse ajo nuk i zbatoi regullat e ngurta të saj dhe së dyti për nga përmbajtja, sepse me përmbajtjen e vet ideore, ajo nuk u vu në shërbim të së keqes, por e denoncoi atë. Letërsia realiste nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithëçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore para vitit 1944, rrugë në të cilën letërsia ecën edhe sot, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.
Krijimet poetike të Arshi Pipës (Libri i Burgut, 1959), potretet e Sami Repishtit (Pika Loti, hartuar në vitet 1960-1963), poezitë e shkruara nëpër burgje e kampe internimi prej poetëve të dënuar si Visar Zhiti, Lek Pervizi e shumë të tjerëve, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi qeveritë shqiptare të mbas vitit 1992 nuk kanë treguar asnjë interes për shpërndarjen e veprave letrare e shkencore, që botohen prej autorëve me sakrifica në tirazhe të vogla.
* * *
Vëllimi Pika Loti (botimi i dytë, PEGI, 2009, 155 f.) është një përmbledhje tregimesh të jetuara, të ndërtuara si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, por që i botoi vetëm më 1997, kur nuk druhej më se mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetusisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjera sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën, vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi dashakeq i Sigurimit shqiptar, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike tepër emocionuese e plot dhimbje.
Midis bashkëvuajtësve të ndryshëm që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet, ai ka zgjedhur disa prototipa me të cilët përfaqësoi fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të viteve 1946-1956.
Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar thjesht si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë konkretisht nga jeta ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tiapret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori.
Pasqyrimi i jetës shqiptare mbështetur mbi kujtimet e së kaluarës së afërt, duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës Antifashiste, ishte rruga që ndoqi ky autor në fillim të viteve 1960-të. Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shqua françeskani At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj.
Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide, që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, e pati formuluar shprehimisht në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., të cilin e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).
Vrasja e elitës shqiptare (inteligjencës dhe borgjezisë si klasë politike dhe ekonomike) e krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:
Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studjoi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet për ekzistencën e shoqërisë borgjeze. Me nota shumë të gjalla përshkruhet atmosfera e vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën Përtej horizontit, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin e saj aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miljona morrave.
Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë, i kushtohet luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naïve me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eleminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Eshtë ariu sovjetik.
I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, i cili përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin At Gjergj Fishta të Shkodrës, inteligjent i rallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Monpellie të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarësinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.
Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëhere je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.
Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vdekje nga uria në vorrezat e Tiranës më 1956.
Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet në Plaku i numërit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokë të tjerë, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…
Në Bir i dejë i Shen Françeskut autori portretizon klerikun At Çiprian Nikaj, bashkëvuajtës me autorin në qelinë e hetuesisë së Shkodrës. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët At Pal Dodaj, At Mati Prendushi dhe At Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Franceskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një reshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u paratha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, At Çipriani i rrëfen autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia lë si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Ky amanet përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.
Thjeshtësia e klerikut të përkushtuar jepet përmes lutjes së tij të përsëritur drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!
Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qindresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…

Keqtrajtimi që u bëri diktatura njerëzve mesatarë jepet me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertrë Mehmet Lumjani dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhërat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.
Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Sigurimsi i fshatit kishte shpifur sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa spiunëve, por të vetë pushteti komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si krijues i botës së re dhe i njeriut të ri, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.
Për të justifikuar përdhunën e vet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me përdhunë fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, padre, hoxhë, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale dhe u shpallën e u luftuan si amrmiq e tradhëtarë të gjithë ata që kishin qenë emëruar me të tillë emra. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft prej të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin armik të popullit, gjakpirës të popullit, kur ai dhe të parët e tij si bajraktar ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur regull në fshatin e vet.
Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të popullit shqiptar e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1959-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shkrimtarët dhe studjuesit tanë të ditëve tona nuk kanë arritur ende. Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundoi me uri punëtorin e që varfëroi katundarin deriku nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxënësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.
Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohëshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu. Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (Onufri, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij.
Ndërkohë theksojmë se ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë që i shërbenin me besnikëri të verbër pa asnjë vrarje ndërgjegjeje pushtetit në fuqi jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht të dënuarit pa faj. Këtyre njervzve të pashpirt auroti nuk u kushton asnjë portret a shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet të dënuar pa faj. Përjashtim bën autori vetëm për Xhevahirin, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë, ai ishte zgjuar nga poshtërsitë e partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve, herë duke u treguar se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, herë duke u treguar lajme nga jeta jashtë burgut…
Së fundi, nuk mund të lemë pa theksuar se në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës dhe të personave historikë, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë, vërtetësinë, humanizmin dhe njëherazi dhe nivelin artistik.
Kjo vepër, si dhe veprat e tjera të Sami Repishtit, shquhet dhe për gjuhën e pasur e të përpunuar, për dialektin shkodran letrar shumë të afërt me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin shumë nëndialektalizma të saj.
Si përfundim themi se përmbjedhja Pika loti bën pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare së burgut, se ajo paraprin veprën madhore Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit Rrugët e Ferrit dhe Ferri i Carë, kurse vepra autobiografike Nën hijen e Rozafës, është një simotër e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Komunizmi, Sami repishti, Thanas Gjika, vret Eliten

…MOS ARDHTE KURRE!

February 20, 2015 by dgreca

NJE BISEDË POLITIKE MIDIS SHOKËSH/
Nga Luan Çipi*/
Shoqëria jonë, e një grupi shokësh e miqsh që banojmë në Kryeqytet, në pikëpamje të pozicioneve politike, është heterogjene. Bashkohemi, se jemi me origjinë nga i njëjti qytet, megjithëse banojmë prej vitesh në Tiranë. Të gjithë jemi në pension dhe ka takuar që secili të jetë me arsim të lartë profilesh të ndryshme: inxhinier gjeolog, ndërtimi, elektrik, mjek, ekonomist, financier, gazetar, etj. Jemi 15 shokë dhe disa prej nesh edhe vazhdojnë të shkruajnë, mandej që dhe kanë botuar libra në prozë e poezi.
Ne, në disa tavolina të bashkuara, takohemi tri herë në jave, pimë kafe apo çaj, bisedojmë e kujtojmë vitet e rinisë, vite kur disa herë kemi jetuar bashkë, në shkollë, në punë a në veprimtari rinore. Pse mos ta themi, ka midis nesh që kanë qenë në punë deri pushtetar e partiak, po dhe të munduar e të vuajtur e deri të burgosur e të përndjekur politik. Shumica tani nuk aderon në partitë politike të kohës dhe ndonjë as është përfshirë kurrë në jetën politike.
Le ta konsiderojmë këtë shkrim modest, një reportazh midis të moshuarve të moshës së tretë dhe të vazhdojmë: Bisedat e përditshme midis nesh janë miqësore dhe të ngrohta, po gjithnjë të sinqerta dhe të ndryshme në idetë social ekonomike e politike. Asnjëherë, asnjë nga bashkëbiseduesit nuk ka arritur në teprime e fyerje personale, po secili jep argumentet e veta krejt të lira e demokratike. Aq bukur merremi vesh me njeri tjetrin, po të përjashtohen ndonjëherë këmbënguljet ekstreme politike dhe këto duke arsyetuar dhe me zë të ulët, sa shpesh themi: a sikur të ishte kështu dhe në Parlamentin tonë, të pushtuar nga grindavecë dhe inatçinj!?
Ne e kemi bërë traditë që për variacion e freskim, në kujtim të viteve të bukura të rinisë, festojmë çdo vit edhe ditëlindjet e secilit, duke organizuar me këto raste edhe ndonjë drekë modeste. Në këto ditë, që i kthejmë si festa të gëzuara, këndojmë këngë rinore e atdhetare, si dhe me radhë secili nga poetët pjesëmarrës, deklamon për protagonistin e radhës, vargje përkujtimore dhe gazmore.
Një nga bisedat që do mbahet mend, për kundërshti politike të theksuar, (në përpjekje si gjithnjë për të paraqitur teza, antiteza, fakte dhe argumente), ishte dreka për nder të ditëlindjes të një ish “komunisti të vendosur”. Mandej, që vazhdon të ruaj e të deklamoj ende krenarinë si komunist. Duket se ka ngelur i pandryshuar në naivitetin dhe besnikërinë “marksiste leniniste”, saqë dështimin e njohur botërisht të komunizmit, pas “rënies se Murit të Berlinit”, e konsideron fatalitet, rastësi dhe shkak gabimesh e dështimesh të personave të paaftë. Ngul këmbë se komunizmi vazhdon të jetë doktrina ekonomike më superiore dhe që do t’i vijë sërish dita për lulëzim e triumf. Ai përsërit shpesh se komunistët ishin djemtë me ide pararojë, idealistët që luftuan për një jetë më të mirë, kundër kapitalistëve, “grabitqarë të djersës së papaguar të punëtorëve e fshatarëve të varfër”; për një drejtësi e barazi midis njerëzve; për një jetë mesatarisht në nivel më të lartë begatie e mirëqenie. Duke shkuar më tej, për periudhën e Enver Hoxhës në Shqipëri, ai shpesh mrekullohet me qetësinë e vendosur në rend e shoqëri nga regjimi; për luftën kundër analfabetizmit dhe për arsimim deri universitar; për zhvillimin e shëndetësisë me rrjetin e spitaleve dhe ambulancave deri në çdo fshat; për zhvillimin “superior” të artit dhe kulturës, me teatro dhe estrada, kinematografi dhe festivale folklorike, si ai i Gjirokastrës dhe me Ansamblin e Këngëve e të Valleve, që fitoi çmim botëror; për elektrifikimin dhe hidrocentralet nga “më të fuqishmit në Evropë”; për rrjetin e gjerë hekurudhor; për bonifikimin e tokës dhe rrjetet vaditëse e kullues; për minierat dhe kombinatet; për mbrojtjen që garantonte pavarësinë kombëtare, që s’guxonte kush ta prekte se kishte ushtrinë me armatim modern, tunelet e bunkerët e famshëm, pajisur deri me aviacion e flotë nëndetësesh, etj.
Edhe unë them, se në ato faktet e mësipërme, ka edhe shumë të vërteta, po që në balancë me të këqijat e komunizmit, ato thuajse nulifikohen.
Lidhur me sa thamë më lart, njeri nga poetët pjesëmarrës, nisi t’i numëronte në vjershërimin e tij, të dhjetë cilësitë e protagonistit. Ato ishin vërtet karakteristika e tij, si një njeri i përsosur, i drejtë dhe i ndershëm.
Protagonisti, në këtë rast, po dëgjonte si i hipnotizuar, aqsa nisi të falënderojë autorin e ta përshëndes me kënaqësi e mirënjohje, derisa filloi të evokonte e hyjnizonte si dikur, sistemin komunist të përmbysur…
Ishte ky moment, që midis shokësh, në këtë mjedis heterogjen politik, të dëgjohet si britmë, një zë i lart protestues:
-Ajo ditë, mos ardhtë kurrë!
-Po pse flet ashtu prerazi, si e argumenton, ndërhyri një tjetër bashkëbisedues asnjanës.
-Argumentet janë të shumta dhe tashmë të njohura e të vërtetuara historikisht. Nuk mund të them se kapitalizmi është sistemi më i mirë. Edhe ai ka të metat e tij, që diku po përpiqen për t’i zbutur, korrigjuar e përmirësuar, si p.sh. në vendet nordike, po dhe unë them me plot gojën: komunizmi mos ardhtë kurrë. Ai ishte grabitqar, vandal e tepër i dhunshëm, i paligjshëm dhe antinjerëzor dhe veçmas komunizmi që u aplikua në vendin tonë.
-Pse, sipas teje, ku ndryshon dhe pse është më i keq komunizmi shqiptar?- desh të dinte njeri nga shokët.
– Komunizmi specifik shqiptar, ose më saktë “enverizmi” është edhe më i keq, për disa arsye:
1) Ai, në kuadrin e internacionalizmit proletar, lindi ashtu si kudo, si antinacionalizëm, po te ne ky fakt, sakrifikoi Kosovën në favor të Jugosllavisë së Titos, se pushteti ishte ndenë ndikimin dhe i varur komplet nga sllavo-sovjetikët, veçanërisht pas dështimit të Konferencës së Mukjes dhe tolerimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit. Në një plenum të posaçëm partie u pranua aneksimin kolonial i Shqipërisë dhe për pak kohë u pranua pa luftë deri pushtimi i Korçës nga Ushtria Jugosllave, u realizua unifikimi i monedhës dhe u krye eksporti pa reciprocitet i mallrave dhe pasurisë së tregtarëve shqiptar në Jugosllavi, etj.
2)Komunizmi shqiptar ishte tepër gjakatar, se (duke tradhtuar deri Vendimet e Konferencës së Pezës: (“pa dallim feje, krahine dhe ideje”) e nisi me vrasjet pa gjyq të kundërshtarëve politik: vrasjet me lista gjatë luftës; në prag të çlirimit të simpatizantëve të pafajshëm përkrahës të aleatëve anglo-amerikanë; të “sabotatorëve të Maliqit”; të intelektualëve “bombë hedhës” në Ambasadën Sovjetike; të “prelatëve fetarë Katolik të Shkodrës; të “grupit të deputetëve” të zgjedhur nga populli thjesht se ishin pluralistë dhe properëndimor; “të sabotatorëve në naftë dhe ekonomi e ushtri”, etj.; vrasjet për mos akordim idesh e veprimesh e thuajse të gjithë komandantëve të brigadave partizane, si dhe një nga një e kohë pas kohe, të shumë ish bashkëpunëtorëve të vet aktiv, besnik e shumë të afërt, ndofta për mosmarrëveshje të vogla, apo xhelozi.
3)Komunizmi shqiptar grabiti dhe u mori floririn, bëri shtetëzime ndërtesash e ngrehinash dhe deri pasuritë e rëndomta, pa asnjë të drejtë juridike e njerëzore, të mijëra qytetarëve të pasur e të mesëm, në veri e në jug të Shqipërisë.
4)Komunizmi shqiptar ishte i vetmi, si askund në botë dhe pa asnjë të drejtë njerëzore e humane, që luftoi deri në asgjësim kishat, teqet dhe xhamit dhe zhduku me rrënjë institucionet e ligjshme fetare, me pretekstin “feja opium për popullin”.
5)Komunizmi shqiptar bëri kolektivizimin ekstrem dhe kooperimin e shpejt deri me dhunë të fermerëve privat deri në tufëzat dhe arëzat, nisur nga teoria e rrezikut të pronës private, si burim prodhuese për çdo të keqe mbi tokë.
6)Në vendin tonë çdo qytetar u bë ushtar dhe u përfshi dhunshëm në zboret periodike, ku mësohej e mbahej i freskët arti ushtarak, me shpenzime kolosale, me ndjenjën e frikës së përditshme të një agresioni të beftë ushtarak nga deti dhe ajri. Në qendrat e punës dhe në shtëpi, pa asnjë respekt për fëmijët dhe gratë, mbaheshin pajisjet e gatshme të rrezikshme luftarake dhe hera herës bëheshin prova alarmi me kambana e sirena dhe njerëzit eksperimentonin të futeshin në strehimet e bunkerët e shumtë të përgatitura aty afër gjithandej, për t’u mbrojtur gjoja deri nga rreziku atomik.
7) Në Ushtrinë e vendit tonë u hoqën gradat, duke e zbehur shumë autoritetin drejtues e qendërzues dhe u sollën në drejtimin ushtarak dhe në aparatin shtetëror qendror, komisarë të pashkolluar nga klasa punëtore, ndërsa për administratën shtetërore u bë normë e detyruar “edukimi” në prodhim dhe qarkullimi në bazë, duke sakrifikuar kështu deri në asgjësim, vite shkollimi dhe përgatitje shkencore dhe intelektuale.
8)Në vendin tonë u propaganduan dhe u aplikuan teoritë: t’u ngjitemi maleve dhe t’i bëjmë malet si fushat, të mbështetemi te blegtoria e imtë, si dhe te transporti me karro e qere (në vend të automjeteve), të prodhojmë çdo gjë në vend e me mjete rrethanore, të mbështetemi me prioritet te minierat, etj., teori këto që nuk duhet të ishin kurdoherë parësore, por duhet të aplikoheshin vetëm pas studimesh për efektivitetin e secilës dhe në kushte e vende të caktuara.
Kemi trajtuar herë pas here, në formë reportazhesh, biseda të larmishme të tavolinës së pensionistëve, me të drejtën tonë të një shumice pleqsh gjithnjë në shtim, si: për emancipimin e gruas; ndikimet e celularit në jete, shoqëri e shëndet; për sjellje të ndjera e të bukura njerëzore; për aksidentet e sëmundje dhe deri për ngjarje të bujshme, shere e vjedhje, por me “bisedën e sotme politike”, bëmë një përjashtim dhe kjo kryesisht, për të zgjeruar njohurit e të rinjve, që them se kanë nevojë, ngaqë nuk kanë asnjë ide për këtë tematikë.
Tiranë, më 20.02.2015
* Në vend të një reportazhi, nga tavolina e pensionistëve

Filed Under: Opinion Tagged With: Bisede, Komunizmi, Luan Cipi, MOS ARDHTE KURRE!

25-VJETË MË PARË, RA MURI I BERLINIT DHE U SHEMBË KOMUNIZMI

October 23, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Në Vjeshten e Vitit 1989, u rrëxua Muri i Berlinit dhe me shëmbjen e tij, popujt liridashës të Europës Lindore dhe Qëndrore, njëherazi shëmbën edhe sistemin e tyre komunist që i kishte nënshtruar ata fizikisht dhe shpirtërisht, për pothuaj një gjysëm shekulli. Ky përvjetor shënon mbarimin e një sistemi të korruptuar, të një ideologjie vrasëse dhe skllavëruese dhe shënon gjtihashtu edhe rivendosjen e lirisë dhe të dinjitetit njerëzorpër miliona veta anë e mbanë Europës Lindore dhe Qëndrore, të cilët deri atëherë kishin jetuar me frikë, në varfëri dhe nën shtypjen e regjimeve të diktaturës komuniste.
Ishte 9 Nëntori i vitit 1989, kur mijëra gjermanë shëmben simbolin kryesor të ndarjes në Europë, simbolin ndarës e përçarës të komunizmit ndërkombëtar: Murin e Berlinit. Për pothuaj dekada, Muri i Berlinit përfaqësonte si asgjë tjetër, atë që Winston Çurçili e kishte pagëzuar si, “Perdja e Hekurt” që kishte rënë nga Baltiku deri në Adriatik. Por ashtu siç përfaqësonte ai mur për pothuaj dy brezni ndarjen e Europës, shëmbja e Murit të Berlinit më në fund shënoi rënjen e komunizmit, mbarimin e luftës së ftohët dhe fillimin e një Europe, që presidenti amerikan Xhorxh Bush do ta quante, “të tërë, të bashkuar dhe në paqe”.
Dy vjetë më pare së të shëmbej Muri i Berlinit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij historik më 1987 në Berlinin e ndarë, i bëri thirrje udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ta shëmbte Murin e Berlinit. Aty para portës Brandenburg, Presidenti Reagan pat deklaruar se “Për derisa kjo portë mbetet e mbyllur, nuk është vetëm çështja e Gjermanisë që mbetet një çështje e pazgjidhur, por është edhe liria në mbarë botën që mbetet një çështje e pazgjidhur”, për qindra miliona njerëz që dëshirojnë lirinë.
Kur mendoj tani — megjithëse fjalimi i Presidentit Reagan ishte një fjalim me plot bindje, guxim dhe vendosmëri — ishte e vështirë të merrej me mendë se dy vjetë më vonë, në vjeshtën e vitit 1989, regjimet komuniste anë e mbanë Europës do të përmbyseshin njëri pas tjetrit si gur dominoje. Komunizmi dukej se kishte krijuar një situatë të pa korrektueshme dhe e pa këthyeshme. Ish-udhëheqsi komunist gjermano-lindor kishte shpallur se Muri i Berlinit do të qendronte aty edhe për 50 deri 100 vjetë të tjera. Por,megjithëse si të thuash i ishim dorëzuar fatit se asgjë nuk do të ndryshonte në botën komuniste, të pakën në jetën tonë, në vitin 1990 siç dihet, regjimet komuniste dhe diktatorët e atij sistemi që skllavëroi një pjesë të madhe të Europës për pothuaj një shekull, u shëmbën, gjë që çoi në mbajtën e zgjedhjeve të lira anë e mbanë ish-vendeve komuniste në Europë dhe Gjermania u ribashkua me rënjen e Murit të Berlinit. Ishte e qartë se me shembjen e simbolit më të mbrapsht të komunizmit në Europë, gjërat më në fund, do të ndryshonin për më mirë.
Në Gjermani dhe anë e mbanë Europës do të shënohet 25-vjetori i shëmbjes së Murit të Berlinit — sipas një njoftimi nga zëdhënsi i Kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert — duke festuar dhe duke njohur rolin që kanë luajtur njerëzit e thjeshtë në shëmbjen e komunizmit anë e mbanë Europës Lindore e Qëndrore. Duke njoftuar planet për festimet e 25 vjetorit të shëmbjes së Murit në fillim të nëntorit, zëdhënsi i Kancelares gjermane, tha se në këtë përvjetor, “Ne duam të festojmë dhe të theksojmë rolin që kanë luajtur qytetarët e thjeshtë në realizimin e ndryshimeve”, si rrjedhim i shëmbjes së Murit të Berlinit, jo vetëm në Gjermani, por edhe në mbarë Europën Lindore.
Të mërkurën Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ishte Berlin për bisedime dy-palëshe me Kancelaren Angela Merkel dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank -Walter Steinmeier.Ata folën gjërë e gjatë për këtë përvjetor, për simbolin e këtij përvjetori dhe për përgjegjsitë që ka brezi i sotëm për të edukuar brezat e rinjë mbi historinë e Murit të Berlinit, si një simbol i së keqës.
Në një konferencë të përbashkët për median, Ministri i Jashtëm gjerman u kujtoi gazetarëve se John Kerri, në moshë të re kishte jetuar në Berlin, ku i ati i tij shërbente si diplomat amerikan shumë vite më parë, në fillim të luftës së ftohtë, në një zonë që ai e cilësoi si mahallë të “Perdesë së Hekurt”, që për dekada, tha ai, ishte si pikë-qendër e Luftës së Ftohtë. Krye-diplomati gjerman u tha gazetarve se gjatë vizitës që i bënë një pjese të Murit të Berlinit që ka mbetur aty si simbol, me krye-diplomatin amerikan John Kerry, ata kujtuan segjatë luftës së Ftohtë, sipas Ministrit të Jashtëm gjerman, “100,000 veta u arratisën përball rreziqesh të mëdha për jetën; 138 veta kanë vdekur tek Muri i Berlinit duke u përpjekur të arratiseshin nga regjimi komunist”.Ai shtoi se “Është tragjik fakti se sot e kësaj dite nuk dihet numri i saktë i atyre që kanë vdekur ose që janë vrarë dhe ekzekutuar, ndërsa përpiqeshin të arratiseshin matanë kufirit, për në Perëndim”. Ai tha se po bëhën hulumtime për të vërtetuar se cili në të vërtetë ishte numri i sakt ipersonave që u vranë gjatë asaj periudhe në përpjekjet e tyre për tu arratisur për në Gjermaninë Perëndimore. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank -Walter Steinmeier tha gjatë konferencës me shtypin, përkrah kryediplomatit amerikan John Kerry se, “Është përgjegjësia jonë e përbashkët që për këtë histori të informojmë brezin e ri, të cilët kanë lindurpas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe pikërisht kjo është arsyeja që jam tepër i kënaqur për faktin sepatëm rastin të flisnim me studentët nga Berlini dhe nga Brandeburgu– një gjeneratë kjo të rinjsh që as nuk mund të imagjinojnë se 25 vite më parë, ky mur jo vetëm që ndante qytetin e Berlinit, por ndante miqët dhe të afërmit dhe i cili kishte ndarë nga njëra tjetra dhe përçarë edhe familjet me dekada.” Zyrtari i lartë gjerman tha se sot Gjermania nuk është më e ndarë, por as Europa nuk është e ndarë si gjatë luftës së ftohtë dhe për këtë ai iu drejtua Sekretarit Amerikan të Shtetit për të falenderuar aleatën e Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë – Amerikën, duke thënë: “Dua të them në mënyrën më të qartë që është e mundur se e gjithë kjo nuk do të mund të arrihej pa mbështetjen — pa asnjë kusht — që na kanë dhënë Shtetet e Bashkuaratë Amerikës në realizimin e gjëndjes në të cilën jetojmë sot. Kjo situatë e sotëme as nuk mund të mirrej me mendë dhe as të parashikohej pa mbështetjen pa kondita të Shteteve të Bashkuara. Ne këtë nuk do ta harrojmë kurrë, çfarë bënë Amerikanët për ne”, tha Ministri gjerman iPunëve të Jashtme. Duke përmendur konfliktin në Ukrainë, i takon kësaj gjenerate, tha Ministri i Jashtëm gjerman që të mos lejojë një ndarje të re mu në zemër të Europës. Ai së bashku me krye-diplomatin amerikan John Kerry bënë thirrje kundër një ndarjeje të re midis lindjes e perëndimit si rezultat i krizës së tanishme në Ukrainë.
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, duke falenderuar fillimisht homologun e tij gjerman dhe Gjermaninë për rolin që luajnë sot në punët ndërkombëtare, tha se “Amerika dhe Gjermania kanë një histori të gjatë bashkpunimi dhe përpjekjesh për liri, për paqë dhe begati në botë”. Duke folur me emocion për kohën që kishte kaluar si fëmij i një diplomati amerikan në Berlinin e ndarë, ai tha se ato vite i kishin lënë atij mbresa të paharrueshme në jetën e tij. Ai tha se kur jetonte në sektorin amerikan të Berlinit si fëmij i një diplomati amerikan, me një rast tha ai, pati mundësinë të futej afër kufirit me Berlinin lindor dhe madje edhe si fëmij kishte venë re ndryshimet, ishte frikësuar nga ato që kishte parë në anën tjetër të kufirit dhe se ishte këthyer shpejt mbrapa i frikësuar, në sektorin amerikan të qytetit të ndarë të Berlinit. Krye-diploamti amerikan e përshkroi ato që kishte parë si fëmij,si “një ndryshim i madh midis shpresës dhe dëshpërimit, si një ndryshim midis dritës dhe territ.E dalloje ndryshimin në ngjyrat e rrobave, në mungesën e njerëzve duke shetitur, në atmosferën e përgjithshme” që mbizotronte në Berlinin Lindor komunist.Por mbi të gjitha, shtoi Zoti Kerry, dallohej ndryshimi midis lirisë dhe shyptjes, midis njerzve të cilët kishin mundësinë të bënin diçka me jetën e tyre, që të realizonin diçka, në krahasim me njerëzit në anën tjetër të Murit të Berlinit të cilëve u mohohej kjo e drejtë dhe mundësi për të jetuar të lirë.”John Kerry u tha gazetarve se copa të Murit të Berlinit mund të gjënden në shumë vende anë e mbanë si shënja frymëzimi për njerzit që duan lirinë, pjesë të këtij muri dhe çfarë simbolizonte ai mur, por edhe për atë që simbolizon shëmbja e tij. Ky mur është këtu tha zyrtari i lartë amerikan, “Për të na kujtuar luftën dhe përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë në këtë vend për dekada për të na kujtuar se liria që gëzojnë sot popujt siç është populli gjerman dhe ai amerikan — për të na kujtuar mundësinë dhe lirinë për të zgjedhur udhëheqsit tonë politikë, na rithekson lirinë dhe të drejtën për të kundërshtuar dhe për të protestuar, për të kritikuar, për të thënë atë që mendojmë, lirinë e fjalës dhe për të ndjekur çdo mundësi për të cilën na e merr mendja se mund të dalim me sukses. Këto liri po kërcënohen gjithnjë në shumë pjesë të botës. Dhe bile këto liri po kërcnohen pikërisht edhe këtu mu në zemër të kontinentiteuropian”, tha John Kerry gjatë konferencës së përbashkët për shtypin me Ministrin e Jashtëm gjerman të Punëve të Jashtme,Frank -Walter Steinmeier. John Kerry përfundoi duke shprehur mirënjohjen e tij për falënderimet që zyrtari gjerman u bëri Shteteve të Bashkuara për mbeshtjetjen amerikane gjatë dekadave, me rastin e 25 vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit, duke iu drejtuar brezit të ri duke thënë se ky përvjetor, mbi të gjitha, na kujton gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur veprohet dhe punohet së bashku — jo se ç’mund të bëjë qeveria — por na kujton ato se çka mund të bëjnë vetë njerëzit, secili individ, kur ata kanë kurajon dhe vendosmërinë për t’u angazhuar” për të mirën e përbashkët, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.
Nuk ka dyshim se shëmbja e Murit të Berlinit – simbolit të tiranisë komuniste në Europë dhe në botë — 25 vjetë më parë, ka ndryshuar botën. Ai mur ishte një pengesë fizike dhe psikologjike për ata që kërkonin lirinë. Ishte si një mur simbol që dukej sikurëpërjetësontepraninë sovjetike dhe regjimet komuniste anë e mbanë Europës. Për derisa qëndronet Muri i Berlinit nuk kishte liri.Edhe bota mbarë sikurë e kishte pranuar ndarjen midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik si diçka të pakëthyeshme, si të përhershme.Madje edhe presidentët amerikanë gjatë dekadave të luftës së ftohtë nuk sfidonin seriozisht dominimin e komunizmit mbi vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore.Por më në fund më 1980, Shtetet e Bashkuara zgjedhin për president, kandidatin e Partisë Republikane, Ronald Reagan, i cili nuk hesitoi ta quante Bashkimin Sovjetik si perandorinë e së keqës.Qershorin e vitit 1987 ai mbajti fjalimin tanimë të famshëm në Berlin, me të cilin i bëri thirrje udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçov – madje kundër këshillave të ndihmësve të tij të ngushtë — se nëqoftse me të vërtetë dëshironte paqën, atëherë të urdhëronte shëmbjen e Murit të Berlinit dhe të lejonte ribashkimin e Gjermanisë.Në luftën kundër komunizmit, që 25-vjetë më parë çoi në shëmbjen e Murit të Berlinit dhe në rrëximin e regjimeve komuniste anë e mbanë Europës, presidenti Ronald Reagan nuk ishte një kalorës i vetëm. Kishte përkrahjen e udhëheqsve botërorë siç ishte Kryeministrja britanike Margareth Thacher, Lech Walesa me Lëvizjen e puntorëve polakë Solidarnost, lëvizjet e disidentëve anti-komunistë anë e mbanë Europës, Papa Gjon Palin e II, i cili u ofroi këtyre përpjekjeve anti-komuniste forcën e tij morale dhe më në fund nuk duhet t’i mohohet kontributi as udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçov, i cili duket se kishte vendosur për të mos përdorur tankset kundër lëvizjeve historike anti-komuniste anë e mbanë Europës Lindore dhe Qëndrore. Si përfundim, më datën 9 të nëntorit të vitit 1989 u shëmb Muri i Berlinit, u ribashkua Gjermania dhe ra komunizmi anë e mbanë Europës Lindore dhe Qëndrore, duke ndryshuar kështu përgjithmonë Europën dhe botën.

Filed Under: Histori Tagged With: 25-VJETË MË PARË, DHE U SHEMBË, Frank shkreli, Komunizmi, RA MURI I BERLINIT

KOMUNIZMI VRET ELITËN, KEQTRAJTON MESATARËT DHE NGRE LART INFERIORËT

March 21, 2013 by dgreca

(Vlerësime për veprën PIKA LOTI të S. Repishtit)/

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA/

 Sami Repishti bashkë me Martin Camajn dhe Arshi Pipën bën pjesë në treshen e desidentëve të mëdhenj shkodranë. Ky bir i Shkodrës tremijë vjeçare, ish-antifashist e ish-antikomunist, ish i burgosur dhe i internuar, mbas arratisjes nga Shqipëria, gjeti veten në SHBA ku ariti të bëhet pedagog i letërsisë me titullin Assistent Profesor. Ai është personalitet i kompletuar i pedagogut, studjuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiprare dhe asaj amerikane. Kur të studjohet jeta dhe vepra e plotë e tij do të shihet se ai me shumë artikuj, esse e vepra letrare, për nga pëmbajtja desidente antikomuniste, pjekuria dhe humanizmi i lartë të kujtojnë Vaclav Havel-in (1936-2011) dhe Karl Popper-in (1902-1994).

          Për fatin tonë të keq ky i përndjekur, ky personalitet i shquar, kur shkoi në atdhe mbas shkërmoqjes së diktaturës për të ndihmuar në ecurinë e proceseve, nuk u dëgjua sa dhe si duhej prej qeverisë “demokratike”, për dënimin e krimit komunist, për kthimin e pronës tek i zoti, për zhvillimin e lojës politike midis pozitës dhe opozitës si një lojë demokratike luajale pa e ndarë popullin në dy gjysma armiqësore, etj. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej planit të Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot…

Më vjen keq që dy veprat letrare PIKA LOTI (1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004) të z. Repishti i lexova vetëm këto javët e fundit, pra me vonesë nga botimi i tyre. Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh, sepse aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar keqas dhe mbajtur në fshehtësi.

Letërsia realiste shqiptare e krijuar në dhjetëvjeçarët e parë të shek XX-të prej Andon Z. Çajupit, Zef Skiroit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Faik Konicës, Migjenit, Nonda Bulkës, etj, etj, gjatë viteve të rënda të diktaturës komuniste (1944-1991) ra në fashë, por nuk u ndërpre. Ajo ra në fashë, sepse pushteti diktatorial stimuloi në ato vite letërsinë e quajtur “Letërsi e Realizmit Socialist”, veprat e së cilës hartoheshin sipas kërkesave të formuluara prej V. I. Leninit dhe regullave të sajuara prej teoricienit sovjetik A. Zhdanov. Kjo letërsi mori mbi vete detyrën për t’i shërbyer partive komuniste në pushtet për krijimin e rendit të ri, përmes sajimit të heroit pozitiv. Ky hero mishërohej me figurën e një komunisti, a njeriu të thjeshtë, ose të një sekretari partie. Kjo letërsi në Kinë krijoi një hero si Laj Feni, në Shqipëri krijoi heroin e Stavri Larës (romani Këneta e F. Gjatës) e plot të tjerë… Kjo lloj letërsie, e cila stimulohej aq shumë prej partisë shtet, solli vetëm dëme në art dhe në psikologjinë e shoqërisë së vendit ku u krijua. Për turpin e tyre, autorët e të tilla veprave nuk i kanë kërkuar falje popullit për dëmin që i shkaktuan, por vijojnë të mburren me to. Veprat e shkruara sipas parimeve të realizmit socialist sot nuk na tërheqin më, lexohen me vështirësi dhe me një ndjenjë neverie, sepse në to i thurren lavde politikës dhe moralit që i shërbente vetëm sundimit të partisë shtet.

Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin vetëm disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist, kurse Lazgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën dhe nuk krijuan më mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dha plejada e shkrimtarëve të rinj shqiptarë që u formua në Ish-Jugosllavi.

Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.

Letërsia realiste shqiptare e viteve 1945-1991 dallohet prej letërsisë së realizmit socialist së pari për nga metoda krijuese, sepse ajo nuk i zbatoi regullat e ngurta të saj dhe së dyti për nga përmbajtja, sepse me përmbajtjen e vet ideore, ajo nuk u vu në shërbim të së keqes, por e denoncoi atë. Letërsia realiste nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithëçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore para vitit 1944, rrugë në të cilën letërsia ecën edhe sot, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.

Krijimet poetike të Arshi Pipës (Libri i Burgut, 1959), potretet e Sami Repishtit (Pika Loti, hartuar në vitet 1960-1963), poezitë e Lek Pervizit dhe të disa rapsodëve popullorë të mbledhura në vëllimin Lahutari Shqiptar, krijuar nëpër burgjet e kampet e internimit në vitet 1944-1991, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi qeveritë shqiptare të mbas vitit 1992 nuk kanë treguar asnjë interes për shpërndarjen e veprave letrare e shkencore, që botohen prej autorëve me sakrifica në tirazhe të vogla.

          * * *

Vëllimi Pika Loti (botimi i dytë, PEGI, 2009, 155 f.) është një përmbledhje tregimesh të jetuara, të ndërtuara si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, por që i botoi vetëm më 1997, sepse ndruhej mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetusisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjera sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën, vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi dashakeq i Sigurimit shqiptar, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike tepër emocionuese e plot dhimbje.

          Midis bashkëvuajtësve të ndryshëm që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet, ai ka zgjedhur disa prototipa me të cilët përfaqësoi fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të viteve 1946-1956.

Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar thjesht si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë konkretisht nga jeta ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tiapret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori.

Pasqyrimi i jetës shqiptare mbështetur mbi kujtimet e së kaluarës së afërt, duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës Antifashiste, ishte rruga që ndoqi ky autor në fillim të viteve 1960-të. Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shqua françeskani At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj.

Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide,që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, ai e formuloi dhe shprehimisht në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., të cilin e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).

Vrasja e elitës shqiptare (inteligjencës dhe borgjezisë si klasë politike dhe ekonomike) e krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:

Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studjoi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet për ekzistencën e shoqërisë borgjeze. Me nota shumë të gjalla përshkruhet atmosfera e vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën Përtej horizontit, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin e saj aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miljona morrave.

Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë, i kushtohet luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naïve me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eleminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Eshtë ariu sovjetik.  I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, që përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin At Gjergj Fishta të Shkodrës, inteligjent i rallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Monpellie të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarësinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.

Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëhere je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.

Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vdekje nga uria në vorrezat e Tiranës më 1956.

Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet në Plaku i numërit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokë të tjerë, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…

Në Bir i dejë i Shen Françeskut portretizohet bashkëvuajtsi i torturave në qelinë e hetuesisë, kleriku At Çiprian Nikaj. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët At Pal Dodaj, At Mati Prendushi dhe At Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Franceskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një reshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u tha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, At Çipriani i rrëfen autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia lë si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Ky amanet përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.

Thjeshtësia e klerikut të përkushtuar jepet përmes lutjes së tij të përsëritur drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!

Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qindresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…

Keqtrajtimi që u bëri diktatura njerëzve mesatarë jepet po ashtu me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertrë Mehmet Lumjani dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhërat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.

Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Sigurimsi i fshatit kishte shpifur sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa spiunëve, por të vetë pushteti komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si krijues i botës së re dhe i njeriut të ri, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.

Për të justifikuar përdhunën e vet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me përdhunë fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale dhe u shpallën e u luftuan si amrmiq e tradhëtarë të gjithë ballistët, bajraktarët, xhandarët, avokat-mbrojtësit, priftërinjtë, etj. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin armik të popullit, gjakpirës të popullit, kur ai dhe të parët e tij si bajraktar ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur regull në fshatin e vet.

Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të elitës intelktuale shqiptare e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1959-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shkrimtarët dhe studjuesit tanë të ditëve tona nuk kanë arritur ende.

Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundoi me uri punëtorin e që varfëroi katundarin deriku nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxënësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.

Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohëshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu. Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (Onufri, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij. Ndërkohë theksojmë se ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë që i shërbenin me besnikëri të verbër pa asnjë vrarje ndërgjegjeje pushtetit në fuqi jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht të dënuarit pa faj. Këtyre njervzve të pashpirt auroti nuk u kushton asnjë portret a shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet, njerëzve të dënuar pa faj. Përjashtim bën autori vetëm për Xhevahirin, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë, ai ishte zgjuar nga poshtërsitë e partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve, herë duke u treguar se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, herë duke u treguar lajme nga jeta jashtë burgut…

Së fundi, nuk mund të lemë pa theksuar se në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti  ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë e vërtetësinë dhe sidomos nivelin artistik.

Kjo vepër, si dhe veprat e tjera të tij, shquhen dhe për gjuhën e pasur e të përpunuar, për dialektin shkodran letrar shumë të afërt me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin shumë nëndialektalizma të saj.

Si përfundim themi se vepra Pika loti bën pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare së burgut, se ajo paraprin veprën madhore Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit, kurse vepra autobiografike Nën hijen e Rozafës, është një simotër e tyre.

Filed Under: Kulture Tagged With: Eami Repishta, Komunizmi, Pika loti, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm
  • “50 VJETORI I REVOLTËS SË SPAÇIT”, HOMAZH DHE NDERIM TE VATRA
  • JU MIRËPRESIM NESËR TE VATRA
  • Shoqatat Shqiptare organizojnë “Piknikun shqiptar” në Staten Island, New York më 28 Maj
  • PAQEJA DHE MBROJTJA, NDESHJA DYFISHE N’EVROPË
  • ME VISARIN…
  • Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së
  • Misioni fisnik i AFC ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj
  • Kryeministri Kurti mirëpriti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi
  • SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT