• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERATA E TRETË

February 19, 2019 by dgreca

3Kostreci hasan

NGA HASAN KOSTRECI /DIELLI

Berta është një vajzë rreth njëzet e tetë, nëntë vjeçe, simpatike, me trup mezatar, por pak e shëndoshë. Flokët e zinj dhe të lidhur gërshet i shkojnë mjaft fytyrës së saj të mbushur dhe bardhoshe. Punon për një kompani të madhe në New York dhe jeton uptown sëbashku me një shoqe nga Amerika Latine. Ka ardhur në Amerikë qysh në nëntëdhjet e shtatën dhe fillimisht jetoi  tek i vëllaji i gjyshit të saj, xha Safeti, të cilin kur i ati i saj e mori atë në telefon nga Shqipëria dhe i tha, se dëshirëronte që ta binte vajzën për t’u shkolluar aty, ai u tregua jo vetëm i gatshëm, por i doli e priti, bile edhe në Itali dhe tek ai ajo qëndroi deri para pak vitesh, kur mbas një sëmundje të rëndë e të gjatë, ndërroi jetë.

Por historia e xha Safetit, të cilën më saktë e mori vesh mbas disa vitesh të ardhjes së saj këtu, pati qëne pak e çuditëshme ; Gjatë Revolucionit në Hungari në pesëdhjet e gjashtën ai u ndodh atje si student dhe në atë rrëmujë e sipër arratiset e shkon në Gjermaninë Perëndimore dhe pastaj prej andej në Amerikë. Dha disa provime plotësuese të lëna përgjysëm në Europë dhe pranohet më mbas si pedagog në La Guardia University, ku qëndroi atje deri sa doli në pension. Gruan, e cila i kish vdekur një vit para ardhjes së saj  këtu, kishte me origjine irlandeze dhe  me të pati vetëm një djalë, por që jetonte në Kaliforni.

– Kam dhënë shkenca politike – i thoshte ai kur Berta e pyeste për jetën që ai kish bërë këtu, por amerikanët në përgjithësi dhe sidomos rinia, s’e njohin edhe aq mire komunizmin.

– Kurse ti xha Safet, po, sepse siç më ke thënë, e gjithë familja e juaj, komunistë keni qënë.

– Vëllaji ynë i madh, kryesisht, Rakipi, pra gjyshi yt, meqënëse pati dalë gjatë luftës ca kohë partizan dhe punonte në Ministrinë e Brendëshme dhe prej tij tij, sigurisht, u infektua edhe babaji yt.

– Po ti pse jo ?

–  Isha ende i ri në atë kohë dhe vazhdoja vitin e të fundit të gjimnazit. Po atje u dashurova me një vajzë, por nga që prejardhjen e kishte nga një familje tregtarësh dhe prej regjimit nuk shihej me sy të mirë, të dy vëllezërit, po më shumë i madhi, u alarmuan, sa e morën vesh dhe nisën të më bënin presion që të ndahesha, por unë e doja dhe fshehurazi jo vetëm që takoheshim, por i pata shkuar disa herë, bile edhe në shtëpi dhe të them të drejtën, kur krahasoja nivelin e prindërve të saj me të mitë, më bënte mjaft përshtypje.

– Pse, ishin të ngritur ?

– Po, mjaft të ngritur dhe të edukuar gjithashtu, por me ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, asaj i arrestojnë të atin dhe meqënëse im vëlla, siç të thashë, qe me pozitë, iu luta që ta shpëtonte, të paktën, nga pushkatimi, por ai nuk pranoi dhe qysh nga ai moment, m’u krijua një urrejtje e madhe për atë regjim, për diktatorin, por dhe për klasën tonë dhe kur mbas një viti shkova për studime në Budapest, vendosa që të mos kthehesha më në Shqipëri.

– Por ata a patën ndonjë pasojë nga veprimi yt?

–  Ndonjë gjë të madhe, jo, sepse më mohuan dhe lëshuan deklaratë që nuk isha më vëllaji i tyre.

– Po mbas nëntëdhjetës ?

– Si dhe shumë të tjerë nga sëra jonë, u bënë demokratë dhe yt vëlla arriti të bëhet, bile edhe deputet.

– Ua…si ka mundësi? – e pyeti Berta, por xha Safeti u ngrit të ndezi një cigare dhe nuk i ktheu pëegjigje.

– Dua një djalë, shqiptar nga Vlora – i tha ajo një ditë, kur i vajti për ta takuar në spital, sepse qe i sëmurë –  punojmë sëbashku në « Goldman Sachs », por… na ndan një mur i madh, që është biografia. Ç’mund të më thuash?

– Kjo është një plagë e madhe për shoqërinë tonë dhe nëqoftëse ende nuk është kuruar, fajin e ka përsëri politika – iu përgjigj ai – sepse vetëm me disa deklarata që të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës, ky problem nuk zgjidhej. Ndërsa sa për  rastin tënd – vazhdoi ai, kur pa që Berta po priste – varet nga ju të dy.

Këto pikërisht ajo ishte duke menduar edhe këtë mbrëmje, kur sëbashku me shokun e vet, Edin hynë që të hanin darkë në një lokal në Tre Avenu, por si e djelë, kishte mjaft njerëz, prandaj ata vajtën e u ulën në një tavolinë andej nga fundi dhe pranë pianistit me syze të errta, që në atë moment po luante një tango të bukur spanjolle.

–Duhet të kishte ardhur, po pse u vonua? – pyeti ajo, që fjalën e kishte për të vëllanë, i cili si pjesë e një ekipi parlamentar, pati ardhur fillimisht në Washington dhe sot e priste që të vinte këtu.

– Ndofta nuk e di mirë lokalin ku ne jemi ulur? – iu përgjigj djali, por ajo në atë moment e pa që ai hyri tek dera, prandaj u ngrit, i doli përpara dhe mbasi u përqafuan, erdhën sëbashku me të në tavolinë.

– Ky është një shoku im, Edi – ia prezantoi ajo të vëllajit, dhe ndërsa ata i dhanë dorën njëri tjetrit, ajo e pyeti – si i kalove këto ditë në Washington?

– Është fat për ne shqiptarët që na u dha mundësia të lidhemi me një mik të madh siç është Amerika. Po juve djalë nga jeni? – iu drejtua ai Edit.

– Me origjinë jam nga Vlora, por kam pesëmbëdhjet vjet që sëbashku me nënën, jetojmë  këtu në Queens  – iu përgjegj ai dhe nga vera e kuqe “Kalifornia” që ua pruri kamarjeri, e zbrazi nëpër gota.

– Mirsejugjeta dhe gëzohem, që u njohëm! – i tha atij deputeti dhe për një moment vështrimin e hodhi nga pianisti që kishte në krah.

– Ju pëlqen interpretimi i tij? – u bë kurioz Edi.

– Artist me talent duket, por ja që ndonjëherë fati apo rrethanat të pengojnë dhe jo të gjitha dëshirat që mund të kesh, realizohen.

–  Dhe sidomos, kur ato dëshira të pengohen nga shteti dhe qeveria – e plotësoi thënien e tij, Berta, e cila deri në atë moment kishte qëndruar në heshtje, por Ruzhdiu vetëm e vështroi dhe nga që kamarjeri u pruri në atë moment gjellët që ata kishin porositur, s’e pa të arësyeshme që ta pyeste me shumë.

– Enjoy! – u tha djali me përparse të bardhë dhe u largua.

Berta, duke ngrënë, hidhte herë pas here vështrimin edhe nga i vëllaji, i cili kish filluar jo vetëm të shëndoshej, por marë gjithashtu edhe pamjen e një zyrtari të lartë.

– Sikur deshët të thoshit diçka në lidhje me qeverinë dhe unë si deputet, ndjej, sigurisht, detyrën që t’u përgjigjem – u drejtua ai nga e motra.

– E kisha fjalën për shokun tim, Edin, i cili nga ai regjim ka qënë i diskriminuar dhe mohuar gjithashtu gjithçka.

– Po më vjen keq, që si dhe shumë familje të tjera të persekutuara, e paskeni ndjerë egërsinë e atij sistemi – u kthye ai nga i riu dhe deshi të vazhdonte akoma, por Edi e ndërpreu.

– Por as dënimi i krimeve të komunizmit nuk është bërë, as dosjet s’janë hapur dhe as pronarëve s’u është dhënë akoma prona e tyre dhe për të gjitha këto, juve politikanët u akuzojnë që pengoni, bile edhe futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si i shpjegoni ju këto?

– Sot – iu përgjigj ai mbas një heshtje dhe fshiu njëkohësisht buzët me pecetë –  gazetat,  televizioni dhe mediat janë të lira që mund të denoncojnë gjithçka dhe qeveria jonë është e detyruar që jo vetëm t’i marë ato denoncime parasysh, por dhe t’u përgjigjet. por kjo temë do kohë që të shtjellohet,  prandaj e lemë për në një rast tjetër.

– Dhe këtë rastin tjetër shqiptarët kanë njëzet e ca vjet që po e presin – ndërhyri Berta – por një denoncim është bërë edhe për gjyshin tonë, Rakipni, i cili në kohën që ka qënë në  ministrinë e brendëshme, ka torturuar një person aq shumë, sa ai ka pësuar demtime të rënda psiqike dhe në këtë gjëndje, vazhdon që të jetë akoma edhe sot. Besoj që këtë informacion duhet që ta kesh parë apo lexuar edhe ti në internet – u drejtua ajo nga i vëllaji, i cili kish mbaruar së ngrëni dhe po bëhej gati që të ngrihej.

– Gjyshi ynë, sipas teje, paska bërë krim !? – e pyeti ai dhe vetulla e djathtë nisi që t’i lëvizë.

–  Për fat të keq, po! – I tha Berta e vendosur.

Ambienti në tavolinë u tensionua dhe dora e djathtë e Ruzhdiut, nisi që t’i dridhej aq shumë, sa edhe gotën e verës, mezi po e mbante.

– Edhe mundet, edhe mundet – bëlbëzoi ai mbas një heshtje – po tani gjyshi ynë ka kohë që ka vdekur dhe ç’interes do kishte që të hapeshin edhe njëherë ato plagë.

– Më falni, po pikërisht për këto plagë folëm edhe pak më parë – I tha Edi, i cili ishte në dijeni që familja e Bertës patën qënë komunistë, por jo të përlyer edhe në krime.

-Meqënëse nesër kam një takim me komunitetin shqiptar në Bronx, dhe më duhet që të pergatitem pak, më falni, por duhet të ngrihem – u tha atyre Ruzhdiu dhe mbasi vajti e mori pallton që e kishte lënë në garderobë, u drejtua nga dera.

– Ndofta shihemi përsëri – i tha ai Edit dhe i zgjati dorën.

– Mundet – iu përgjigj djali dhe u largua, , ndërsa ata motër e vëlla nisën të ngjiten në tre Avenu, por nga që qe prag Viti i Ri dhe kishte mjaft lëvizje, mezi po çanin. Vitrinat e dyqaneve e sidomos ato të  ‘Bloomingdales’, në krahun tjetër shëndrisnin nga dritat shumngjyrësh të neonëve, por ata po ecnin në heshtje dhe asnjëri s’po fliste.

“Edhe dikush tjetër e pati ngacmuar atë për të kaluarën familjes së tij, por sot qe e motra, që po e akuzonte”, po mendonte Ruzhdiu me vete.

– Vëlla i dashur! – e prishi atë heshtje, së fundi, Berta dhe i futi atij krahun – mendon që ti, apo dikush tjetër si ti, nuk jeni të denjë, për të përfaqësuar vullnetin e shqiptarëve në atë parlament? Dhe nëqoftëse jo, merre të lutem i pari ti këtë inisiativë dhe largohu. Më beso që kam për të dashur akoma edhe më shumë.

– Ç’farë? – e pyeti ai dhe zëri që i doli, nuk iu duk si i tija – po më kërkon që të largohem nga politika? Jemi në demokraci, motër e dashur, dhe unë nuk mbaj përgjigjësi për çka mund të ketë bërë gjyshi ynë para një gjysëm shekulli, sepse në këtë mënyrë veprohej vetëm në komunizëm.

– Po moralisht a mban? – e pyeti përsëri Berta – sepse ashtu siç trashëgohen veset, edukata e mirë apo e keqe, trashëgohen edhe bindjet politike dhe lindur e rritur në një familje komunistësh fanatikë, siç kanë qënë prindërit tanë dhe i gjithë rrethi ynë familjar, mendon se ti pasardhës i tyre, je demokrat?

Kishin mbërritur në 70 St, ku Ruzhdiu do merrte autobuzin për tek hoteli, ku ai sëbashku me ekipin e tij patën zënë dhe duke pritur për dritën jeshile që të kalonin në krahun tjetër, ai me bisht të syrit vështroi nga e motra, e cila këtë herë iu duk jo vetëm më ndryshe nga herët e tjera, por edhe sikur po i ndruhej vështrimit të saj.

– A do takohemi nesër përsëri? – e pyeti ajo, por ftohtë dhe jo me atë ngrohtësinë, që ajo shprehte ndaj tij zakonisht.

– Patjetër – iu përgjigj i vëllaji, por me ç’kuptoi ajo kishte akoma të tjera gjëra për t’i thënë……!

Hipi në autobuzin e linjës që erdhi mbas pak, por mendja i rrinte akoma tek diskutimi që bënë në tavolinë. Nxorri nga xhepi celularin dhe i ra numurit të saj, por nga që nuk mori përgjigje, i la mesazh; “Berta, dua që nesër të takohemi medoemos”. Zbriti në ndalesën e fundit dhe i qetë për vendimin që mori, për ç’ka do t’i thoshte të motrës nesër, fut në hollin e hotelit, përshëndeti djalin që rrinte në desk dhe u drejtua për nga ashensori….

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gjenerata e Trete, Hasan Kostreci

EDHE MBAS DYZET VJETËSH

March 19, 2018 by dgreca

3Kostreci hasan

                         1 Lake George

Nga Hasan KOSTRECI/“Lake George” është një qytet i vogël turistik në pjesën më veriore të shtetit të New Yorkut, i cili gjatë verës, sidomos, ka mjaft gjallëri prej vizitorëve të shumtë që vijnë, jo vetëm nga zona përreth, por edhe nga Quebec-u i Kanadasë. Liqeni i madh me të njëjtin emër, si dhe kodrat përreth që zbresin ëmbël deri në breg, krijojnë një pamje të bukur dhe mjaft piktoreske, ndërsa bulevardi kryesor me dy trotuaret anash, lulishtja, ku më së shumti rrinë e ulen të moshuarit, si edhe amfiteatri antik në dalje të qytetit, e bëjnë atë qytet akoma edhe më tërheqës, Pikërisht këtu disa vite më parë pronotuam për të kaluar një pushim dy javorsh edhe unë sëbashku me t’ime shoqe, Fluturën, si dhe dy vajzat, Ermirën dhe Nurianën, në atë kohë të dyja studente në universitet.

– Përballë kemi një familje shqiptare nga Tirana, që banon në Montreal – i thashë Fluturës gjatë kohës që ishim ulur në tavolinë të katër dhe po hanim mëngjesin – Qe nje grua rreth të dyzetave sëbashku me të bijën afërsisht në një moshë me vajzat tona – e plotësova informacionin dhe mbasi mbarova së ngrëni, me filxhanin e qumështit në dorë u ula në kulltukun përballë.

– Qenë ndonjë familje e njohur? – më pyeti ajo.

– Ne vetëm sa u prezantuam, por nuk folëm më gjatë – iu përgjigja.

– Po fillimisht si e morët vesh që ishin shqiptarë.

– I foli shqip një qeni të vogel që e ndiqte nga pas – ia shoi kureshtjen vajza e dytë Ana, e cila megjithëse s’e kishte marë ende patentën për të drejtuar makinë, na pyeti;

– A ta marr unë deri  tek liqeni?

Heshtjen tonë ajo e mori për miratim, prandaj, mori çelësat, doli para nesh jashtë dhe u ul në sediljen e shoferit.

– Ja tani do vijmë edhe neve – na foli nga dritarja e vilës përballë, vajza shqiptare me banim në Kanada – po marr edhe topin që të luajmë buzë liqenit – shtoi ajo.

– Mos u vono! – ia ktheu Ana, e cila mbasi ndezi makinën, nxorri pak kokën nga dritarja, që ta shihte ajo.

Moti atë mëngjes dukej i mirë dhe shënjat rrëfenin, se nga mesdita do bënte vapë, megjithëse pozicioni në lartësi i qytetit, si dhe era e freskët që vinte nga liqeni, krijonin një freski të këndëshme.

Parkuan makinën dhe mbasi morëm çadrën dhe karriket, u drejtuam për nga plazhi, por pamja nga afër e bukurisë së liqenit, na befasoi.

– Edhe Pogradecin tonë të bukur e kemi – u thashë dhe mbasi u xhvesha, vura rrobat poshtë çadrës dhe u ula.

– Mirëmëngjesi! – erdhi dhe na përshëndeti mbas pak shqiptarja me banim në Montreal – besoj se nuk iu bezdisim që ta ngrejmë çadrën pranë jush? – na pyeti ajo.

– Të lutem! – iu përgjigj ime shoqe dhe u ngritëm i dhamë dorën.

– Më quajnë Zamira. Kam banuar në Tiranë, por me origjine jemi nga Berati – u prezantua ajo – por përveç vajzës, me vete kam edhe babin, por sot ai nuk ndjehej mirë dhe e lamë që të pushonte– shtoi dhe mbasi u xhveshën, e bija u drejtua nga liqeni, ndërsa ajo u ul –  im atë ka patur probleme me një dhimbje të vazhdueshme koke, për të cilën  doktorët  thonë se e ka nervore, por shpresojmë që ajri dhe klima e këtueshme mund t’i bëjë, sadopak, mirë e të qetësohet.

– Ja edhe vajzat i paskemi afërsisht të një moshe dhe do kënaqen këto ditë me njëra tjetrën – i tha Flutura, kur pa që ato u miqësuan menjëherë dhe filluan të lozin.

– I kishit thënë sime bije, se jeni marë dikur me sport. Apo jo? – e pyeta unë.

– Eh,…njëherë e një kohë. Kam luajtur voley boll me ekipin e Dinamos  – m’u përgjigj Zamira dhe nxorri nga çanta syzet e diellit, vuri kapelen e kashtës në kokë dhe u shtri.

– Po Shqiprinë në ç’vit e keni lënë? – e pyeti përsëri ime shoqe.

– Ne si familje sëbashku me babanë, sepse im shoq më ka vdekur, jemi larguar në nëntëdhjet e treshin – u përgjigj ajo – Po ju?

– Në nëntëdhjetën, por na ardhka keq për bashkëshortin, që u paska lënë – e ngushëlloi Flutura.

– Më falni një minutë! – na mori pas pak ajo leje, sepse dëgjoi zilen e celularit të saj dhe u ngrit –  siç u thashë, babanë nuk e lashë mirë, por tani e kishte marë veten dhe po lexonte – na tha kur u kthye – Ai ndjen kënaqësi, kur ka ndonjë libër të bukur në dorë dhe sidomos me tema historike,  ndërsa unë e kundëta, e pasionuar jam vetëm mbas sportit dhe asgjë tjetër.

–  Babaji, ndofta ka qënë mësues apo pedagog  dhe e ka lidhur puna që të merret me libra  – i sugjeroi Flutura.

.- Përkundrazi, ai ka punuar në një dikaster, ku mendohet se njerëzit atje janë të ngurtë dhe nuk bëhet fjalë fare për ndjenja.

– Atëhere me siguri do ketë qënë ndonjë llogaritar –  qesha unë.

– Jo, ka qënë operativ dege –na kundërshtoi ajo, por nuk vuri re që unë me time shoqe në atë moment vështruam njëri tjetrin në sy – Fillimisht ka punuar në Çorovodë të Skraparit, ku qëndroi atje deri në shtatëdhjetën, më mbas në Berat dhe së fundi u transferua në ministrinë e brendëshme në Tiranë, ku përfundimisht atje mbylli edhe karierën e tij.

Për disa sekonda të tre qëndruam në heshtje dhe asnjëri s’po fliste. Dëgjoheshin vetëm llapuçitja e dallgëve, si dhë zërat e vajzave pak më tutje që vazhdonin të luanin.

– Ç’farë ke, nuk je mirë – më pyeti ime shoqe, kur pa që unë u ngrita, nxorra nga xhepi i pantallonave paketën e cigareve dhe e ndeza.

– Ndofta nga që u fute në ujë dhe do ketë qënë, me siguri i ftohtë – sugjeroi Zamira, e cila ende s’po kuptonte asgjë.

– Do kalojë dhe mos u shqetësoni – u thashë dhe mbasi bëra disa hapa në drejtim të bregut, u ktheva përsëri.

– Paskeni ardhur, si duket, me llotari – vazhdoi të shuajë kuriozitetin gruaja ime.

– Jo, kemi fituar azil politik– u përgjigj ajo dhe vuri buzën n gas.

– E si ka mundësi – nuk m’u durua mua – Një komunist siç ka qënë babaji yt dhe punojës sigurimi gjithashtu, të fitojë në Kanada statusin e azilantit politik!

– E, sa ka të tjerë si puna jonë – u përgjigj ajo dhe nisi që të lyejë fytyrën me krem.

– E shkatërruat atë vënd dhe tani erdhët në kapitalizëm, që babaji yt dhe shokët e tij e kanë sharë dhe nuk ka lënë gjë pa thënë.

– Jemi këtu për të pushuar dhe nuk kemi ndërmënd që të diskutojmë tema të tilla

– ndërhyri ime shoqe, kur pa që biseda s’po shkonte edhe aq mirë.

–  Pse e latë Shqipërinë – vazhdova unë  – Yt atë, zoti Nako u ka bërë, me siguri, propogandë që ta urreni kapitalizmin.

– E si e ditkeni ju emrin  e tim eti? –  u prish ajo në fytyrë.

– Dyshova kur e pashë para dy ditësh në verandën e vilës tuaj, por prezantimi që ju sot i bëtë, më bindi që është pikërisht ai.

– Kush ai? – ngulmoi Zamira.

– Ushtrinë, si e persekutuar, zonjë, e kam kryer në N.B U-në e Kakrukës në Skrapar, ku atje u njoha edhe me një djalë mjaft të mirë nga Himara, K. Konomi, quhej me të cilin u miqësova shumë dhe rrinim bashkë shpesh. Por një ditë prej ditësh atë e arrestuan dhe babaji yt, si hetues në atë periudhë, sëbashku me operativin e repartit, më thirrën, më bënë presion dhe bile më kërcënuan, se do më fusnin sëbashku me të në burg, kur unë u thashë se tema politike me Kostën, asnjëherë nuk pata bërë.

– Në realitet i gënjyet? – më provokoi ajo.

– Po. I gënjeva. Ashtu si dhe ju zyrën e emigracionit në Kanadaa – iu përgjigja – por me ndryshim, sepse jo vetëm që nuk pranova të bëhem spiun, por edhe atë nuk e rëndova akoma më tepër.

– Në atë kohë ajo ka qënë detyra e një operativi  – u mundua ajo të justifikohet.

–  Nuk jeni interesuar të dinit – vazhdova unë – se ajo shtëpi në Berat dhe me atë oborr aq të madh, ku ju keni kaluar fëmijërinë dhe keni bërë, me siguri, edhe mjaft fotografi, s’ka qënë e juaja, por e një ish të pushkatuari nga regjimi komunist. Atë komoditet që zoti Nako u kishte krijuar, mbante erë krim, sepse…

– Oh, mjaft të lutem! – më ndërpreu Zamira dhe nxorri nga xhepi shaminë të fshinte lotët.

– Ku po shkoni? – më pyeti ime shoqe, kur unë s’e vazhdova më atë bisedë, por u ngrita, mora teshat dhe fillova të vishem – vajza jonë nuk besoj që të vijë qysh tani me neve – më kundërshtoi ajo.

– Nëqoftëse më lejoni, do kujdesem unë për to – tha Zamira dhe me sy të përlotur u drejtua për nga bregu.

– Nuk është mirë që të sillemi kaq ashpër me një grua, të cilën u takuam vetëm  rastësisht – vazhdoi të më kundërshtojë Flutura, kur me makinë arritëm tek vila dhe ndërsa ajo ngjiti shkallët dhe u fut brënda, unë u ndala, u ula në një nga stolat aty pranë dhe  ndeza një cigare, por u habita kur mbas pak tek vila përballë, u hap dera dhe përpara më doli pikërisht ai, që dyzet e ca vjet më parë u suall aq ashpër me mua dhe më krijoi atë situatë aq të vështirë. Dukej i dobësuar, i plakur, ndërsa ngjyra  e lëkurës, dikur ezmere, i qe transformuar dhe kthyer në të zezë.

.- Edhe unë të njoha, sapo të pashë – më tha dhe duke u mbajtur tek parmakët e shkallëve, zbriti dhe qëndroi disa hapa larg meje – nuk besoj që edhe mbas katër dekada, të jemi ende fanatikë në disa pikpamje të ndryshme që dikur bashkë kemi patur?

E vështrova dhe megjithëse nuk desha që t’i ktheja përgjigje, demagogjia e fjalëve të tij, më ngacmuan dhe nuk munda dot ta duroj.

– Ju, Nako dhe shokët e tu, akoma u thotë mëndja, se krimet që keni bërë, i justifikoni me një farë ideali, që në realitet tek ju nuk ka ekzistuar kurrë. Mashtruat atëhere dhe doni të na mashtroni akoma edhe sot? Kërkojuni falje këtij populli, për gjithë ato mizori që keni bërë – i thashë dhe ndjeva që u kuqa në fytyrë dhe gjaku më hipi në kokë.

Këtë ballafaqim, ish oficeri i ministrisë së brendshme, si duket, nuk e priti, prandaj u orvat që të ngrefosej e të mbante një farë autoriteti, por muskujt e nofullave, të vrenjturit e vetullave, damarët, që dikur i kërcenin për t’u kallur tmerrin viktimave të tij, tani ishin squllur dhe nuk po i bindeshin më. Pamja e tij, për momentin u transformua në një fantazmë, sa trëmbi edhe të bijën e tij, Zamirën, që sapo u kthye nga plazhi dhe po e shikonte.

– Baba, nuk je mirë ? – e pyeti ajo, ndërsa ai nuk iu përgjigj, por duke u mbështetur tek supi i saj, ngjiti përsëri shkallët dhe e u fut brënda, ndërsa unë qëndrova akoma aty  dhe po vështroja vajzat e reja, që po luanin sëbashku me top……..

Filed Under: LETERSI Tagged With: EDHE MBAS DYZET, Hasan Kostreci, VJETËSH

MË MIRË VONË SE KURRË

January 15, 2018 by dgreca

1-hasan-kostreci

NGA HASAN KOSTRECI/

Po vihet re shqiptarët më së fundi kanë filluar të kthjellohen e të kuptojnë manipulimin që atyre u është bërë nga politika dhe jo vetëm në këto dy dekada e gjysëm të fundit, por qysh nga dyzet e katra e këtej, d.m.thënë me ardhjen e komunistëve në pushtet, të cilët metodën e përçarjes së shoqërisë, e zbatuan me mjaft dinakëri dhe meqënëse ky fenomen gjatë atyre viteve, pati rezultat dhe ia arriti qëllimit, u aplikua, pavarësisht se tashmë Shqipëria kishte kaluar në demokraci, edhe mbas nëntëdhjetës. Por nëqoftëse kjo lojë dhe ky mashtrim shqiptarët do e kishin kuptuar me kohë dhe qysh në fillim, ngjarjet do kishin patur rrjedhje tjetër dhe as braktisja ndaj kosovës s’do kishte ndodhur, as shkëputja me perëndimin dhe lidhja me sllavët gjithashtu dhe as atë varfëri ekstreme që pësuam nuk do e kishim patur. Por ndryshe gjithashtu do ishim, sikur edhe mbas rënies së komunizmit dhe gjatë transformimit të sistemeve të qemë më të kujdesëshëm e të mos lejonim që në pushtet të vinte përsëri po ajo klasë apo trashëgimtarët e tyre. Një gabim i rëndë ky dhe i përsëritur, që na kushtoi dhe vazhdon akoma të na kushtojë.

Më pëlqeu një artikull që e lexova para disa ditësh me autor M. Nanon, i cili edhe pse është me pikpamje socialiste, jepte mendime dhe mesazhe të sakta si për aktualitetin, ashtu edhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe aprovimi nga shumë komentues, më la të kuptoj se shqiptarët po bëhen gjithmonë e më shumë të vetëdijshëm dhe dinë të analizojnë jo vetëm difektet e politikës, por dhe të një pjese të popullit, që për interesa të vogla, si atëhere ashtu edhe tani, o i kanë mbështetur ose dhe kanë bashkëpunuar me ta.

Protestat gjatë diktaturës, siç dihet, s’kanë qënë të lejuara dhe nëqoftëse për dyzet e pesë vjet s’ka patur reagim, nuk mund të fajsohemi, por e çuditëshme ishte, se edhe kur ndonjë individ apo dhe grup, vinin jetën e tyre në rrezik dhe e kundërshtonin atë regjim, shumica e popullit o s’ishin dakord ose me shprehjen; “që s’i bihet murit me kokë”, bënim të njëjtën gjë dhe i injoronim!

Mbas viteve shtatëdhjetë kam shkuar shpesh në Fierzë dhe kushtet e atjeshme, duke filluar nga rruga, fjetja, ushqimi, i ftohti e çdo gjë, qenë tepër të vështira, por edhe më të vështira qenë për puntorët vëndas që punonin në ndërtimin e hidrocentralit, por kur vinte ndonjë i deleguar nga Tirana dhe i takonte, në vënd që të ankoheshin, përkundrazi e prisnin me duartrokitje dhe mesazhi që i jepnin për komandantin qe, se donin vetëm bukë, gjroshë (fasule) dhe dinamit. Pra, shikoni se si qe tjetërsuar njeriu ynë gjatë diktaturës. Deformuar nga karakteri,  nga morali dhe humbur dinjitetin, por megjithatë, individë, siç thamë, që e kanë kundërshtuar atë regjim dhe ndeshur me të, ka patur, pavarësisht se përfundimi i tyre ka qënë tepër tragjik. Për ata martirë, të cilët simbolizojnë rezistencën ndaj diktaturës komuniste, është bërë shumë pakë dhe gjeneratat e reja, nuk dinë, pothuajse, asgjë.

Në demokraci është ndryshe dhe liria e fjalës është e mbrojtur me ligj. Raste dhe arësye, gjatë këtyre njëzet e shtatë viteve, për të protestuar, ka patur, si bije fjala për problemin e pronave, për dekriminalizimin, për ligjin 7105, për vonesën që s’po antarësohemi në Bashkimin Europian e të tjera, të cilat duke patur si motiv hallet dhe problemet e popullit, përkrahja dhe masiviteti do qe shumë më i madh nga ajo e 21 Janarit të vitit 2o11, të Çadrës vitin e kaluar apo me atë që mund të bëhet më 27 Janar të këtij viti, qëllimi i të cilave, është vetëm përmbysja e një partie që ta zëvëndësojë një tjetër, por ky fenomen që është kthyer tashmë në një lojë të përsëritur, është provuar disa herë dhe shqiptarët përfundimisht s’kanë përfituar asgje. Kështu që problemi është më i thellë dhe do gjetur tamam shkaku, se pse Shqipëria dhe shqiptarët kanë shtatëdhjet e ca vjet që vuajnë dhe vazhdojnë ende që të jenë në të njëjtën gjëndje.

Më kujtohet një thënie e R. Alisë; “E fituam me gjak dhe do e mbrojmë me gjak”, që fjalën e ka, sigurisht për pushtetin, të cilin realisht me vrasje dhe pushkatime “e fituan”  dhe po ashtu kishin ndërmënd që edhe në nëntëdhjetën “ta mbronin”, por sot situata është ndryshe dhe nëqoftëse politika apo politikanët nuk duan që të bëjnë reforma dhe ndryshine dhe duan që ta mbajnë Shqipërinë, siç e kanë lënë në këto njëzet e shtatë vjet, i bije atëhere detyra popullit që të veprojë dhe rasti aktualisht është, ku o përfundimisht do shpëtojnë, o do fundosen dhe s’dihet se si do u vejë filli. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian,  më tepër se kurrë janë me shqiptarët, por duhet që edhe këta të qëndrojnë krah tyre dhe t’i mbështesin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, MË MIRË VONË, se kurre

KOMUNIZMI, SISTEM KANIBALESH

December 9, 2017 by dgreca

NGJARJE TRONDITËSE QË NDODHIN VETËM NË NJË SISTEM KANIBALËSH, SIÇ ISHTE KOMUNIZMI/

3Kostreci hasan

NGA HASAN KOSTRECI/ Lexova para disa ditësh deklarata dhe deponime për ngjarje të ndodhura gjatë diktaturës, qe rrëfen se komunizmi nuk ishte vetëm i egër dhe mizor, por edhe kafshëror. Ështe fjala për përdhunimet e kryera nga mjaft ish zyrtarë të asaj kohe si hetuesa, drejtora kampesh, drejtora burgjesh, kryetarë degash e deri përfaqësues të ministrisë së brëndëshme. Gjeste këto, të cilat të bëjnë të mendosh për nivelin e ulët dhe ordiner të atyre që na kanë drejtuar, por kur di që të njëjtën gjë bënë edhe “çlirimtarët” e ushtrisë së kuqe ruse me vajzat dhe gratë gjermane, kur hynë mbas kapitullimit të nazizmit në Berlin, nxjerr si konkluzion se kjo lloj fare është njësoj kudo që ndodhet dhe nuk ka moral, por kur t’i bën këto i huaji, është gjysma e keqes, por shqiptari shqiptarit, është shumë më e rëndë.

Ky fenomen, sepse më kujton diçka që më ka ndodhur kur isha i ri, i cili jo edhe aq prej tronditjes që pësova, se sa për një tjetër arësye, të cilën po e rrëfej; Po udhëtoja një mbrëmje në një zonë të thellë fshati, kur pa dashur u ndesha me një stan bagëtish. Një qen i madh sa një ujk më ndjeu dhe mbasi lehu vetëm njëherë, m’u versul, m’u hodh përsipër e më rrëzoi. U rrukullisa sëbashku me të dhe kur qëndrova, pashë që ai qe fare pranë meje, por nuk më preku dhe më mbajti ashtu pa lëvizur deri sa erdhi bariu.

“Po të ishte qen rrugësh, më tha një fshatar, do të kishte xhallavitur e shqyer nga rrobat, ndërsa qeni i stanit, është ndryshe, sepse ka një lloj fisnikërie”.

Edhe në botën shtazore, mendova, paska dallime dhe jo të gjitha kafshët qënkan njësoj. Por sa kohë i është dashur atij bariut për tä krijuar atë qen rracë, ndërsa komunizmi bëri të kundërtën, sepse dhe “njeriun e ri”, që krijoi, e bëri më të keq nga vetja.

Por e çutitëshme është, se si ka mundësi që ky lloj kontigjent të hipi një ditë aq lart sa të kapi edhe pushtetin? Për dikë që e ka provuar, përgjigja është e thjeshtë dhe nuk ka vështirësi për ta kuptur, ndërsa për një tjetër, i cili e njeh komunizmin vetëm në teori dhe për aq sa ka lexuar, është ndryshe, sepse kjo ideollogji është aq e maskuar dhe e sofistikuar, sa viktima nga ajo mund të ketë kurdoherë, bile edhe në kohën e sotme dhe jo vetëm në vënde të varfëra e të pa stabilizuara, siç është Shqipëria, por edhe në ato nga më të konsoliduarat dhe demokratiket në botë. Programet e saj janë tërheqëse dhe nuk gabojnë vetëm një naiv e i pa shkollë, por edhe një idealist, edhe një të pa suksesëshëm që ka dështuar në jetë, por kur në këto grupime heterogjene, hyn e penetron edhe mashtruesi, edhe gënjashtari, bile dhe terroristi, të cilët si të djallëzuar, pak e nga pakë arrijnë e dalin në krye, kjo turrmë atëhere merr drejtim tjetër dhe bëhet e rrezikëshme. Rast tipik është përsëri vëndi ynë. Komunizmin populli shqiptar nuk e njihte, por e përqafuan, sepse ai fillimisht u paraqit si baba e si nënë. Po dyshonin më vonë, kur nisi të tregohet me ta indiferent  dhe të sillej si njerkë, po kur nga fundi u egërsua dhe u transformua në kuçedër sa nisi  të hajë e të kollofitë edhe ata vetë, iu kundërvunë dhe në nëntëdhjetën kujtuan se e vranë. Por shtatë dekada e ca që ajo jetoi, kishte pjellë e përhapur në të gjithë vëndin aq shumë nga këlyshët e vet, sa edhe demokracinë nisën që ta shkatërrojnë, prandaj rreziku prej tyre është tepër serioz dhe neqoftëse edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët të alarmuar kanë ardhur dhe janë aktualishtsht prezent, s’do mundim dot që t’i zhdukim, kam frikë se përfundimin do kemi mjaft keq!

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, Komunizmi, SISTEM KANIBALESH

NENTORI SHQIPTAR DHE KOLERA E KUQE RUSE

December 1, 2017 by dgreca

1-hasan-kostreci

NGA HASAN KOSTRECI/Është realisht me ngjarje Nëntori, por ndërsa 28 – ta e vitit 1912-të dhe në këtë muaj është për ne shqiptarët një datë e shënuar, sepse pas një pushtimi të gjatë otoman, ngritëm për herë të parë flamurin tonë kombëtar dhe shpallëm pavarësinë, 8 Nëntori i 1941- shit, shënoi mbërritjen e kolerës së kuqe nga Rusia edhe tek ne, e cila në vitet në vazhdim u përhap aq shumë, sa më 29 dhe po në këtë muaj të vitit 44, ajo kish infektuar, tashmë masën më të madhe të shoqërisë dhe u kthye në një epidemi të rrezikshme. Por kur mbas një periudhe prej dyzet vjetësh, kombet e tjerë që patën kaluar të njëjtën sëmundje, nisën pak e nga pak të shërohen, tek ne, nga që kishte hyrë, siç duket, thellë, vazhdon që të jetë  prezente dhe ende nuk jemi shëruar.

Por megjithatë nuk mund të themi që në vartësi të ngjarjeve që përmëndëm, ta përcaktojmë këtë muaj si të mirë apo ters, sepse fati si të një individi, të një shoqërie apo dhe të një kombi, varet nga shumë faktorë, por jo ama, siç thuhet, që shumë nga gjërat, që në jetë ndodhin, janë të destinuara dhe nuk ke si u shpëton. Për realitetin aktual të Shqipërisë dhe të ne shqiptarëve, në mjaft raste, fajtorë jemi edhe ne, sepse nuk mund të quhet destino dhe fati ynë i keq, kur në vënd që, mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të lidheshim me perëndimin, kaluam nga lindja dhe u molepsëm me sllavët që historikisht s’na e kanë dashur kurrë të mirën, bile na kanë dhe dëmtuar. Aq më tepër, kur jo ndofta të gjithë, por pjesa intelektuale dhe më të shkolluarit e shoqërisë, kishin, sadopak informacion dhe e dinin se ç’po ndodhte në atë periudhë në Rusi.

Pastaj në një vënd aq të vogël siç kemi qënë neve, a nuk shihej se shumica e elementit që përfaqësonte atë ideal, përbëhej nga fshatarë dhe njerëz pa asnjë klasë shkollë, të cilët të gënjyer dhe të mashtruar nga një grup mafiozësh, besuan se do ndërtonin një shtet të së drejtës dhe demokratik.

Dhe tani të vijmë në një periudhë më të afërt dhe pikërisht në vitin nëntëdhjetë kur ai regjim së fundi ra dhe shqiptarët që e kishin pësuar njëherë, duhej që gabimin e bërë në atë kohë, ta korigjonin e të mos e përsëritnin më. Por ç’ndodhi? Protestat dhe sakrificat e studentëve për ta përmbysur atë sistem dhe të ndërtonin një shtet perëndimor, dështuan, sepse elementët që u paraqitën si demokratë dhe morën drejtimin e asaj lëvizje në dorë, me prejardhjen nga vinin, linte për të dëshëruar. Dhe fakti që pjemarrja nga ish shtresa e të persekutuarëve, të cilët realisht përfaqësonin edhe të djathtën e vërtetë shqiptare, jo vetëm që qenë fare të pakët, por adhe ata që u angazhuan, në vënd që të nderoheshin e të respektoheshin, u lanë në hije, deri sa ata u detyruan o të largohen vetë, ose pritën deri sa i larguan. Pra, mendoj, se ishte një skenar i pergatitur që më parë dhe pothuajse indetik si ai i para dyzet e pesë vjetëve dhe udhëzimet e R. Alisë, i cili e ndiqte me vëmëndje atë proces, ishin që sa më pak të afronin intelektualë dhe pothuajse aspak nga ish shtresa e të persekutuarve. U stimulua, pra përsëri pjesmarrja, këtë herë e “Njeriut të Ri’, model i krijuar nga ata vetë, i cili zuri të gjitha pozicionet kryesore duke filluar nga noteritë, mediat, prokurorinë, gjykatat ( me kurse të shpejta gjashtë mujore) e deri karriken e deputetit në parlament. Demokracia me këtë lloj elementi, sigurisht që nuk besohej, por shqiptarët të ardhur nga një diktaturë aq e egër, u mjaftuan vetëm duke sharë sa mundnin komunizmin, ndërsa kriminelët dhe ata që e patën katandisur atë shoqëri në atë farë feje, edhe pse disa vite formalisht u burgosën, duke e quajtur edhe këtë veprim të gabuar, jo vetëm që u liruan, por edhe u dëmshpërblyen.

Ligji 7501, ishte një tjetër mashtrim i radhës dhe ashtu si Reforma Agrare dikur, i la pronarët e vërtetë të tokave me gisht në gojë, ndërsa hapja apo mbyllja e dosjeve, dekomunizimi e të tjera si këto, të cilat u kthyen në legjendë, mbetën vetëm në letër, por konkretisht asgjë. Atëhere dyzet e pesë vjet në komunizëm, a nuk ishin të mjaftueshëm, për të dalluar mashtruesin nga i ndershmi dhe hipokritin nga ai me karakter? A duhej që në këto pozicione që përmëndëm, të vihej përsëri po ky lloj elementi, kur familja e tij apo e asaj, kishin aq mëkata dhe shqiptarët këto gjëra i dinin. Ja, pra që problemet që kemi nuk janë edhe aq nga fati  i yni i keq, por nga ne vetë që gënjehemi, manipulohemi dhe kompromentohemi kollaj dhe teoria që më mirë një vezë sot, se sa një pulë mot, në rastin konkret, duke shitur për një shumë të vogël parash votën, është një veprim sa i turpshëm, aq dhe i gabuar dhe  kjo rrëfen se procesin demokratik, e kemi kthyer në biznes, nga i cili veçse dëmtohemi dhe kurrë nuk kemi për t’u rregulluar.

Vetingu dhe Reforma në Drejtësi, që këtë herë në dorë e kanë marë ndërkombëtarët dhe jo ne, është për t’u besuar, por si shpresa, ndofta e fundit, duhet që edhe ne si shoqëri të angazhohemi, ta përkrahim dhe të mos rrimë indiferentë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, KOLERA E KUQE RUSE, NENTORI SHQIPTAR DHE

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pika e Ujit
  • DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS
  • VATRA NDEROI LEGJENDËN E BOKSIT SHQIPTAR XHEVDET PECI
  • MARK MRNAÇAJ: DALIP GRECA, LAMTUMIRË NJERI MODEL
  • TRASHËGIMI NGA DIASPORA KRAJANE
  • Xhaketa e Xhaferit
  • NEW YORK HERALD TRIBUNE (1939) / RRËFIMI I MBRETËRESHËS GERALDINË NË VERSAJË : EDUKIMI I DJALIT, SIMBOLIKA E KURORËS MBRETËRORE, SKËNDERBEU, DHOMA E PREFERUAR NË KËSHTJELLË…
  • Historia e Urës së Matit, një ndër më të bukurat në Ballkan
  • Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino
  • Congratulations Albania. Congratulations Roma
  • Urdhëri i Lirisë për patriotin e palodhur Jim Xhema
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York
  • Kundër simboleve të diktaturës komuniste
  • Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur
  • Haris Vongli dhe Stela Bermema i bashkohen Vatrës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT