• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË DITË NË SHËNVASIL

November 17, 2021 by s p

Përshkrim udhëtimi në Rivierë

nga Luan Çipi/

Riviera Shqiptare, gjatë bregdetit Jon është vërtet një mrekulli e natyrës, dhuratë Zoti. Komuna e Lukovës, me 9 fshatrat e saj, njërin më të bukur se tjetrin, përfshin 60% të krejt Rivierës Joniane Shqiptare. Pamja mahnitëse që të shfaqet kur udhëton në rrugën automobilistike Vlorë-Sarandë tregon edhe Plazhin e Shpellës, si një nga plazhet më të bukura të zonës. Aty afër  mund të shikosh apo të zgjedhësh rrugicat gjarpërushe që të çojnë te ky plazh, apo në plazhin e Bunecit, Plakotos, Krorëzës, (ku ndodhet dhe Manastiri i Shën Mërisë, pjesë e Triadës së Shën Mërisë), plazhi Heremet, si dhe plazhi i Kakomesë. Jo pak, po 154 kilometra gjatësi detare. Këtu si në gjithë Rivierën Shqiptare ka hapësira përrallore e të virgjëra, që do ti lakmonte t’i posedonte edhe  miliarderi më i fuqishëm,  edhe pse mund të ketë plazhet më të bukura të botes.

Unë sa u ktheva nga Riviera Turke e Detit Mesdhe, ku pushova 11 ditë në një hotel luksoz të Kemerit. Edhe pse u çudita nga investimet e shumta hoteliere turistike bregdetare turke, duke krahasuar terrenin dhe klimën që na ka dhënë Zoti, them me bindje, se ne i kemi kushtet edhe më të mira. Nuk ka pse presim më: Qeveria, duke përfshirë interesat e pronarëve të ligjshëm, duhet të bëjë hapa të shpejta për nderimet e studiuara koncesionare, ose për të marrë kredi të buta në favor të pronarëve apo sipërmarrësve shqiptarë, pa pasur frikë se të huajtë do na përvetësojnë përjetësisht tokën tonë. Tokën ata nuk e marrin dot me vete dhe pas pak vjetësh do kemi tonat edhe kapitalet investuese, bashkë me përvojën e tyre. Boll që kushtet të “qepen” mirë dhe të garantohen ndërkombëtarisht në kontratat ligjore përkatëse midis palëve.

Ky është një problem tjetër, megjithëse më i rëndësishmi. Po unë jam duke vazhduar rrugën për Shën Vasil…dhe, më duhet të shkruaj për të.

Ky fshat nuk dihet se pse i mori emrin e Shën Vasilit, që katolikët e quanin Shën Vlashi dhe që, sipas historiografisë fetare, ka lindur në Qezarja, Kapodaqia në vitin 329 pas Krishtit në një familje të shquar ortodokse. Për të thonë se studimet i kreu shkëlqyeshëm për 15 vjet në Kostandinopojë dhe në Athinë, ku krijoi miqësi me Gregorin, i cili më pas u njoh si Shën Gregor Teologu.

Që herët Shën Vasili u shqua për përkrahjen e të varfërve. Ideali i tij ishte të ndjek shembullin e Krishtit. Pasurinë ia fali të varfërve dhe iu dedikua jetës asketike shpirtërore. Ndërmori shumë udhëtime në Egjipt, Palestinë, Siri, Mesopotami, ku u takua me murgj asketë e të moshuar prej të cilëve mori mësime shpirtërore. Rikthehet në vendlindje dhe vendoset në një vend të vetmuar asketik, ku studion Shkrimet e Shenjta dhe shkruan meditime e predikime asketike.

Më 370, pas vdekjes se peshkopit u zgjodh peshkop, detyre të cilën e kreu me shume përulje, varfëri dhe asketizëm për 8 vjet. Perandori Valens dhe guvernatori Modesti e kërcënuan shumë herë me përndjekje e tortura, pasi ortodoksia që Shën Vasili përhapte, binte ndesh me herezinë ariane, që ishte e fuqishme në atë kohë. Por trimëria dhe dëshira e Shën Vasilit për të dhënë jetën në emër të se vërtetës, i mahniti vetë perandorin dhe guvernatorin e tij.

Ndahet nga kjo botë, për t’iu bashkuar Zotit, me 1 Janar të vitit 379, në moshën 49 vjeçare. Shkrimet që la janë  shumë të vlefshme e të pasura në mençuri dhe eurudicion.

Qëndrova ca gjatë te emri i këtij fshati të bukur, për treguar se  sadopak dhe vetë emri në të ardhmen, ashtu si bukuritë dhe dhuntitë e tjera të kësaj zone, janë dhe do jenë faktorë dhe garanci për grishjen e turistëve të shumtë dhe për gjallërimin dhe begatinë e padiskutueshme të jetës në këtë trevë dhe në mbarë Shqipërinë bregdetare.

Ky fshat, me pasurinë dhe emrin e tij, historikisht është zhdukur dy herë: Në vitin 1878 Ali Pashai i Janinës e shkatërroi nga themelet, për të gjunjëzuar banoret e tij trima ortodoks, në detyrim të dështuar për t’i kthyer ata në fenë islame, ndërsa në vitin 1970, Qeveria Komuniste, i fshiu për t’u harruar gjatë 30 vjetëve edhe emrin tradicional, duke e quajtur për ironi të prapambetjes që mbolli, Përparim.

Një rrap 200 vjeçar në qendër të fshatit dhe një “vend i mirë” ku mund të ndezësh qirinj për të vdekurit dhe të gjallët, e dallojnë sot fshatin Shën Vasil të Komunës së Lukovës, nga të gjithë fshatrat e tjerë të Rivierës Joniane. Dikur këtu kalonte degëzimi i rrugës “Egnatia”, e cila lidhte Romën e lashtë me Ilirinë e jugut (Epirin) me tokat helene. 

Kambanat e një kishe në majën e kodrinës në të djathtë të rrugës, të cilat tunden herë pas here, janë thirrja e vetë fshatit, që sikur do të tregojë historinë e tij të  dhimbshme shumë vjeçare, djegur e ç’emruar dy herë.

Minella Gjoni, mësuesi i fshatit tregon se ka shkruar libra për historinë e vendlindjes së tij, që unë nuk munda t’i siguroj dot. Tradita e tij është transmetuar edhe tek e bija, e cila ka botuar një tjetër libër për mitet e zonës, të përbashkëtat dhe ndryshimet me mitet e vendeve fqinje.

 ” -Ky rrapi këtu, po i afrohet moshës 200-vjeçare. Është e vetmja dëshmi e gjallë e jetesës dhe historisë  së hershme të fshatit Shën Vasil”;

-“Historia e emrit të fshatit lidhet me atë kodrën atje lart”, vazhdon të thotë Minella, duke drejtuar gishtin te një kishë e vogël, që nga ndërtimi duket se është e viteve të postkomunizmit. Mësuesi tregon se ka gjurmë dhe dëshmi të jetesës në këtë fshat qysh në shekullin e II-të, ndërsa nga hulumtimet e kryera në arkivat e ish-Perandorisë Osmane, në shekullin e XIV fshati banohej nga banorë me mbiemra katolikë;

-“Kjo tregon dhe origjinën e banorëve, vazhdon të shpjegoj  historiani, të cilët janë shqiptarë autoktonë katolikë dhe në shekullin e XVI-XVII, kalimi nën Perandorinë Bizantine solli asimilimin dhe kthimin e banorëve në fenë e perandorisë ortodokse. Ishte kristianizmi feja e banorëve të Nivicës, Shën Vasilit e Himarës, në kohën kur Ali Pasha synonte konvertimin e tyre në myslimanë, pasi vetëm kështu mund të ishin më të bindur ndaj Portës së Lartë, së cilës i shërbente me devotshmëri në atë kohë. Pashai gjakatar tregoi dinakërinë e tij, kur në ditën e Pashkës së Madhe të vitit 1828, hyri nga Shpella, vendi ku ndodhet sot plazhi me të njëjtin emër, dhe dogji e shkatërroi fshatin.

 Ali Pasha dogji edhe manastirin në majë të kodrinës, i cili i kishte dhënë emrin fshatit. Me gurët e manastirit ndërtoi një kala të njëjtë me atë të Lëkursit në Sarandë. Të dy kalatë kishin pamje kundruall njëra-tjetrës dhe bashkonin forcat për të shtuar raprezialet. Banorët që shpëtuan, u dërguan si skllevër në tokat e Ali Pashës në Greqi, ku shumica vdiqën nga malaria dhe sëmundje të tjera.

 Zoti deshi që një pjesë e banorëve të ktheheshin sërish në fshat, dhe punën e parë që bënë, ngarkuan një grua të mbillte një rrap i cili sinjalizonte rilindjen. Rrapi është edhe sot, dhe është tregues i shpresës se edhe pas shkatërrimit ka ende jetë. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në vitin 1970 dikujt iu mbush mendja se me gurët e kalasë që ekzistonte ende, mund të bënte një shkollë 8-vjeçare. Dhe kështu ndodhi, ish-gurët e manastirit me të cilët ishte ndërtuar kalaja, u mbartën dhe me ta ndërtuan shkollën që ekziston sot, por që mori në muret e saj krejt historinë e fshatit…”, – përfundon tregimin e tij mësuesi.

Fshati Shën Vasil është vendosur në Qafën me të njëjtin emër (Qafa e Shën Vasilit). Siç e përshkruajnë me nostalgji banorë të moçëm të tij, ky fshat ka qenë historikisht pikë nevralgjike e kryqëzimit të rrugëve të rëndësishme. Në këtë qafë kalonte aksi rrugor shumë i rëndësishëm, ai që lidhte Janinën me Himarën. Fragmentet e rrugës me kalldrëm që diku dallohen ende në Jorgucat e ne Qafë të Muzinës dhe që vijonin për në Delvinë (në atë kohë qendër e rëndësishme tregtare e administrative) vazhdojnë drejt Rusanit, në Rrapin e Gjatë, në Bajkajin e sotëm, në fushë të Shën Vasilit ku ishin dy mullinj bluarjeje drithi, vazhdojnë në Cereta, bri përroit të Siodelit e në Qafë të Korës. Vazhdon me rrugën e sotme deri në Qafën e Hanit, ku kujtojmë që ishte Hani i Shën Vasilit që u shërbente karvanëve me kuaj si pikë qëndrimi e çlodhje. Vijonte pastaj sërish rruga me kalldrëm në ane të shtëpisë së Sokrat Qirjako Mekshit, në breg të Gurrëzës dhe zbriste në Va të Petës faqes, e dilte në Cakulez dhe pak a shumë ndiqte rrugën e sotme në Qafë të Pazarit e në Qafë të Shën Kostandinit, në Urë të Honit e në Lukovë, e kështu deri në Himarë.

 Duke përshkruar gjurmët e rrugëve të moçme me kalldrëm, ku zhurmonin për ditë karvanët me kuaj, shënvasiotët e moshuar e të rinj ëndërrojnë e shpresojnë rrugë dhe autostrada me disa krosi, me mbikalime e nënkalime dhe teleferik malor, që do përshkojnë fshatrat e shtrira buzë detit, ujësjellës e infrastrukturë moderne. Ata, me sytë e të ardhmes së shpejtë, i shohin kodrat të mbjella me pemë frutore dhe vreshta dhe në pllajat dhe luginat, krahas foragjereve dhe lopëve, me sera bashkëkohore për perime të freskëta bio… Krahas tyre me koncesion, apo kredi ata mendojnë të ndërtohen vila dhe hotele luksoze për turizëm elitar, me plazhe e mole për ankorim anijesh dhe jahtesh.

 Kështu e shikojnë ata të ardhmen e tyre për t’u kthyer nga mërgimi diskreditues dhe i mundimshëm shumë vjeçar. Ata, si mbarë shqiptarët bregdetar, aspirojnë një të ardhme të shpejtë, të lumtur e të begatshme, shoqëruar nga dyndja e mijëra turistëve, nga të gjitha anët e botës, që s’ka pse të mos vijnë për të shijuar mrekullitë dhe bukuritë mahnitëse, që natyra ju fali me bollëk, si pak vendeve të tjera të botës.

Te Libri im “NGA LLOGORAJA NË NIAGARË”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi

NAIM FRASHËRI, POETI  YNË I MADH

November 10, 2021 by s p

Esse nga Luan Çipi/

Naim Frashëri u lind në 25 Maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros, më 20 Tetor 1900. Ishte i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh e timarlinjësh me prejardhje nga Berati, që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pasardhës të Iljaz bej Mirahorit.

Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe në Teqenë Bektashiane të Frashërit, nisi të mësonte turqishten, arabishten dhe persishten.

Pas vdekjes së prindërve, duke pasur në krye vëllain e madh, Abdylin, që ishte bërë zot shtëpie, më 1865, familja u shpërngul në Janinë, ku së bashkë me vëllain më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike Greke e Romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me Iluminizmin Francez. Aty lexoi Homerin, Virxhilin, Danten e Petrarkën, si edhe iluministët frëngë: Volterin, Didroin, Rusoin etj.

Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet superior, por njohu edhe poezinë e Evropës dhe atë të Lindjes.

Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë.

Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhëmbjet në gjunjët nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj, në banjat e Badenit, në Perandorinë Austro-Hungareze.

Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat.

Më 1882 shkoi sërish në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit Arsimor të Inspektimit dhe Kontrollit.

Më 14 gusht 1882, arriti  të nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Pas arrestimit të vëllait Abdylit, në Janinë, në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri, braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë ishte “Shqipëria” (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin dhe disa përkthime të shkrimtarit. Ai vazhdoi të shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve, pranë Ministrisë së Arsimit dhe më vonë, si kryetarit i Këshillit të Lartë të Arsimit, pranë zëvendësministrit të Arsimit.

Në këtë periudhë Naim Frashëri, bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve, u dha pas vjershërimit persisht me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat” (Ëndërrimet, 1885).

Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë prej 13 vjetësh (1886-1899).

Më 1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësi”, atë greqisht, Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme me njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”. Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e Verës, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala Fluturake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare, Qerbelaja, etj.

Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887, etj.), ku u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e Bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema “Bukuria”, një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema “Historia e Skënderbeut” qe një kurorëzim i veprës së tij, “testamenti i tij politik e poetik”, me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia dhe që është shkruar sipas traditës së madhe barletiane.

Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre, me shqipen e kulluar apo me shkarkimin e dogmës fetare (në “Qerbelaja” dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).

Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha “Perëndia”, 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit.

Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizimin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso, etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizimin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t’u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri, u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, si mendimtar e si politikan.

E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një “demokraci prej pleqet”, pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pellazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjët në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër “Megali Idesë” e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).

Epoka e madhe e Rilindjes kërkonte njerëz me mendje të ndritur. Naimi si mendimtar dhe veprimtar, shquan me një botëkuptim të përparuar për kohën. Ai përkrah synimet e afirmimit të koncepteve dhe rrymave përparimtare të filozofisë, të shkencave të natyrës dhe të vështrimit kritik të paragjykimeve të dogmave dhe fesë. Naimi si iluminist që ishte, një vend të rëndësishëm në përparimin e kombit dhe të njerëzimit, i jep shkencës dhe diturisë. Ngrihet kundër errësirës fetare, që dominonte në shtetin osman të kohës.

Poeti sipas botëkuptimit të tij panteist (përkrahës i Perëndisë), Zotin do ta identifikoj me gjithësinë, “Gjithësia është vetë Perëndia”. Zoti, siç del nga vepra e Naimit, ai nga një qenie, a një fuqi e mbinatyrshme, shndërrohet në një fuqi apo koncept etik. Naimi nuk u çlirua asnjëherë nga ideja e Zotit dhe botëkuptimi i tij mbeti idealist.

Botëkuptimi shoqërorë i Naimit përkufizohet nga pikëpamjet e tij politike e shoqërore. Njeriu sipas tij lind i lirë dhe duhet të jetojë i lire. Shkalla e lirisë së tij përcaktohet nga shkalla e diturisë, që është nëna e përparimit. Sipas tij me anë të kulturës, do të arrihet mirëkuptimi shoqëror e njerëzor. Poetin e karakterizon edhe botëkuptimi demokratik, që është përcaktuar nga afërsia që pati ai me Lëvizjen Patriotike Popullore, dhe idetë e përparuara , që kishin nisur të depërtonin edhe në Turqi. Edhe pse Naimi ngrihet mbi baza idealiste, pikëpamjet e tij filozofike, në thelb ishin përparimtare. Ato përshkohen nga dashuria për atdheun e popullin, për lirinë e njerëzinë dhe nga besimi në të vërtetën e shkencës për udhën e së ardhmes.

Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe me kulturë.

Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjell nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit, u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës..

Gjuhët e huaja të përvetësuara nga mësimet private dhe më tej përgjatë shkollimit në Janinë, bënë që, sipas Robert Elsies, Naimi të ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX, që ndihej njëlloj i ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore.

Naimi është autor i gjithsej njëzetedy veprave: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe. Duke qenë se ishte në një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë, me mundësi në disa raste për t’i bërë bisht ndalimit të librave dhe botimeve në shqipe nga ana e Portës së Lartë, Naimi e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e mbiemrin, në shumë nga botimet e veta, por të shënonte vetëm ‘nga N.H.’, ‘nga N.H.F.’, ose ‘nga N.F.’.

Bashkë me të vëllain, Samiun, ishin tejet të interesuar për risitë filologjike. Vepra e parë e Naimit qe përpilimi i një gramatike të gjuhës perse: “Rregullat e persishtes sipas metodës së re” (osmanisht e shkruar, Kavâid-i farisiyye dar tarz-i nevîn) më 1871, nënshkruar Mehmet Naim, nëpunës i Drejtorisë së Shtypit. Duke pasur gjithsej ka 168 faqe, kjo vepër është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë ka 65 faqe dhe në atë jepen të dhëna rreth rregullave të gjuhës perse, sidomos për pjesën morfologjike të kësaj gjuhe, kurse pjesa e dytë e cila ka 83 faqe, përbëhet nga katër ushtrime dhe një fjalor në fund me disa fjalë persisht – osmanisht..

I përfshirë nga kultura perse dhe vargjet sufi të Saadiut, Hafezit,etj., shkroi dhe botoi qindra vargje në persisht, duke ndjekur traditën e letërsisë perse dhe modelet e poetëve të parapëlqyer: më 1884 vëllimin me poezi prozaike “Katër stinët” (osmanishte, Fusuli erbea). Më tej shkroi dhe botoi më 1885 vëllimin poetik “Ëndërrimet” (persisht, Tehajjulat). Sipas një studimi të Abdullah Rexhepit. Me shumë gjasë Naimi kishte kënduar edhe Rumiun, duke qenë se gjenden gjurmë të botëkuptimeve dhe ndikime të veprave të tij në opusin naimian..

Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha “Perëndia” 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit.

E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një “demokraci prej pleqtë”, pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pellazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjët në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).

Poema atdhetare ”Bagëti e Bujqësija”, që është botuar në Bukuresht më 1886, është vepra e pare poetike, kryevepra e Naimit dhe ja vlen të anlizohet:

Ajo ndahet në dy pjesë: Në pjesën e parë i këndohet bagëtisë, në të dytën bujqësisë. Poema i ngjan veprës së Virgjilit “Bukolika dhe Gjeorgjika”. Dy janë shkaqet që e kanë nxitur poetin të shkruaj këtë vepër,” Subjektive dhe Objektive”, dashuria dhe malli për atdhe dhe fati i bashkëkohëseve, që të mërguar në dhe të huaj, të shtyrë nga propaganda, kishin filluar ta harrojnë dhe ta mohojnë dheun e tyre.

Në këtë poemë, Naimi, si dhe romantikët evropianë, shpreh pakënaqësinë dhe shqetësimin shpirtëror të njeriut të mërzitur nga jeta rrëmujë e qytetit.

“Mendje merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,

Nga brengat, nga thash e themet, nga rrëmuja nga rrëmeti”

Në vepër përshkruhet plot harmoni natyra. Pamja dhe peizazhi idilik i atdheut. Jepet bukuria e saj parajsore, të cilën e mbush: bagëtia, bariu dhe baresha. Dëgjohet zëri i fyellit dhe xhurasë. Qengji me gas ndjek delen, mëmë e bir, simbolikisht dashuria ndaj mëmës, atdheut. Te kjo poemë, autori, në imagjinatë, krijon parajsën ku do të mblidheshin të gjithë shqiptarët. Përtej pamjeve idilike të kësaj natyre, përshkruhet ndonjë detaj, që s’ka të bëjë me subjektin e poemës, siç është: ”Lypsi i vetmuar” apo “Varri i një udhëtari”. Këtu autori prek dy çështje: Atë të mëshirës për të varfëritë dhe admirimin ndaj punës dhe çështjen e vdekjes, që e kishte trajtuar edhe te disa poezi te tjera të vepra “Endërrimet”.

Naimi, në këtë poemë, shpreh me mburrje identitetin e tij kombëtar, ngase kishte në kohën e tij të tillë, që e kishin mohuar atdheun dhe u vinte keq ta quanin veten shqiptarë.

“Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar,

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”

Malli i madh për viset e Shqipërisë e nxit poetin, që së paku në kujtime, të bredhë atje ku e ka kaluar dhe lënë fëmijërinë.

“Ashtu dhe zemra ime më lë këtu, tek jam mua

Vjen me vrap e më dëshirë aty në viset e tua…”

Poeti i strukur në migrim, vetëm në imagjinatë bredh nëpër atë natyrë të qeshur dhe të lulëzuar, ku lozin qengjat, kecërit, dhentë e dhitë, ku vasha bukuroshe përkujdeset për ta. Është një natyrë e tillë, ku poeti gjen gëzimin, që i ka munguar në jetë. Poeti, pastaj, i drejtohet edhe malit Tomor, që është si dëshmitar ngjarjesh të lashta, ngase është dëshira e tij që ta shoh gjithë Arbërinë.

Çështja e dytë, për të cilën do të këndojë Naimi, është bujqësia. Atdheu i tij nuk është vetëm i bukur, por edhe i pasur. Ai, me një angazhim të bashkëkombëseve, mund të marri fizionominë e vendit të zhvilluar dhe të lumtur. Poeti himnizon këtu punën e bujkut dhe fshatarit. Ajo e begaton jetën, prandaj njeriu vazhdimisht duhet të punojë, siç punon, vepron çdo qenie në natyrë. Poeti predikon kultin e punës.

Bujku i cili punon në verë, në dimër rri e prehet. Naimi prapë fut këtu një detaj (degresion), një udhëtar ka mbetur jashtë dhe ngrinë. I zoti i shtëpisë e merr dhe e fut Brenda. Trajtohet këtu mikpritja shqiptare si një veçori e lashtë kombëtare. Pastaj, kur në verë, vajzat lajnë rrobat te lumi, një prej tyre rri mënjanë dhe vajton motrën e vdekur. Edhe nëna plakë, diku në një skutë të jetës, e qan të bijën. Prapë çështja e vdekjes, e cila do të dali si një motiv më vete në disa poezi të tij të mëvonshme. Pjesa e dytë e poemës përfundon me disa mësime moralizuese të autorit. Mbyllet me dëshirat e shumta të poetit për ta pare vendin e lire, të pasur dhe të lumtur.

“Tregom’u dhe Shqipëtarët udhën’e punës së mbarë

Bashkom’i, e bëmi vëllëzër, edhe fjeshtë Shqipëtarë

Falmi Shqipërisë ditën’e bardh’e lirisë…”

Poema, “Bagëti e Bujqësija”, edhe përkundër të metave që ka, si nivelet e ndryshme artistike mes të pjesëve, digresionet, numracioni etj, ka një rendësi të madhe për kohën kur është shkruar, jo vetëm për ndërgjegjen kombëtare, apo dashurinë e thellë ndaj atdheut, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastër, për formën e lartë artistike.

Një tjetër vepër gjurmëlënëse është poema epike “Historia e Skënderbeut”, që u botua më 1898, dy vjet para vdekjes së Naimit. Kjo vepër e fundit, mbeti si testamenti i tij, sepse në të përmblodhi dhe shprehu me frymëzim të fuqishëm idealet për lirinë e Shqipërisë dhe për futjen e saj në rrugën e përparimit.

Vepra doli në një çast historik tepër të mprehtë: Perandoria Osmane po shkonte drejt fundit të saj dhe rreziku i copëtimit të vendit tonë nga shtetet shoviniste ishte shumë i madh. Kërkohej më shumë se kurrë që ndërgjegjja kombëtare të forcohej dhe, veç kësaj, te shqiptarët të krijohej mendësia se ishte e drejta e tyre të jetonin të lirë si komb më vete në trojet e lashta stërgjyshore. Vepra e Naimit bënte thirrje dhe nxiste shqiptarët t`i dilnin zot vendit të tyre në këto kushte, duke kryer me nder detyrën atdhetare.

Breza të tërë patriotësh kishin ëndërruar të kishin një vepër për heroin kombëtar, Skënderbeun. Këtë dëshirë e realizoi Naimi me poemën e vet madhore, e cila lëshoi hapur e me forcë kushtrimin për të rrokur armët, për të shkundur zgjedhën turke e për ta mbrojtur atdheun nga çdo rrezik. Ajo tingëlloi si kushtrim i bashkimit të shqiptarëve rreth flamurit të Skënderbeut.

Vepra “Historia e Skënderbeut” është një poemë epike e përbërë nga 22 këngë. Ngjarjet ndjekin rendin kohor: fillojnë me dërgimin e djemve të Gjon Kastriotit peng të sulltanit dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut dhe pasojat e rënda që ndoqën. Në përgjithësi vepra i përmbahet historisë, ndonëse ka personazhe të krijuara prej poetit.

Në qendër të poemës është figura e Skënderbeut. Këtë figurë Naimi e ka vizatuar në përputhje me idealin e tij romantik, në dritën e idealeve të humanizmit evropian e në frymën e Rilindjes. Pra e idealizon figurën e heroit tonë.

Për Naimin Skënderbeu është personifikim i të gjitha vlerave: i trimërisë, i urtësisë, i bukurisë fizike e morale.

Naimi e paraqet Skënderbeun me tiparet e një heroi legjendar, të luftëtarit kreshnik dhe të atdhetarit të flaktë, që mbi gjithçka vë atdheun, edhe mbi interesin e tij.

Në poemë e gjejmë Skënderbeun një udhëheqës me aftësi të rralla, që diti të bashkonte të gjithë shqiptarët rreth idealit të madh të lirisë. Ai është organizator dhe strateg i madh në luftë, po aq sa është edhe luftëtar që bie “si rrufe” mbi armiqtë dhe i shpartallon. Si prijës i urtë popullor ai është simbol i lirisë, i traditave heroike të popullit, i idealeve shoqërore e demokratike që i kishte vetë poeti. Skënderbeu paraqitet me një botë tepër humane. Është i dashur e i thjeshtë me njerëzit, ka një mall përvëlues për atdheun kur jeton larg tij, qan me lot të hidhur kur merr vesh vdekjen e njerëzve të afërt dhe të zezat që e gjetën Shqipërinë. Në çdo çast është njerëzor e fisnik.

“Perëndia”, spikat qartë një nga elementet bazë të botëkuptimit të Naimit,

Në panteizmin e Naimit depërton edhe humanizmi, besimi i madh i poetit te njeriu, që është qenia më e lartë e gjithësisë, sepse tek ai, sipas poetit, personifikohet vetë

Hyjnia:

Zemr` e njeriut në jetë

Është vend i perëndisë.

Poeti i këndoi bukurisë së vashës, para së cilës mrekullohet edhe në të zbulon një pjesë të bukurisë universale. Ai e koncepton atë si shfaqje të përsosmërisë njerëzore, të harmonisë dhe bukurisë hyjnore. Ndihet në to edhe ndikim i poezisë orientale. Heroi lirik të kujton bilbilin, kurse vajza e dashur trëndafilin, figura konvencionale të asaj poezie. Ndjenja e poetit është platonike, abstrakte, dhe nuk ka atë shfaqje konkrete si në lirikën popullore ose më vonë si në poezinë e Çajupit. Si romantik, Naimi këndoi më shumë vuajtjet që sjell dashuria, sesa gëzimet e saj. Në këto ndjenja, zbulohet një zemër shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha, shumë njerëzore. Dashuria për poetin është gjithmonë një ndjenjë e lartë, fisnike dhe e pastër.

Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture.

Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostullin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri,

mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai.

Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.

Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.

Në veprat e tjera te Naimit hasim edhe me motivet filozofike të tij. kështu te lirikat filozofike gjejmë përsiatjet e poetit për botën, për jetën dhe vdekjen, për njeriun, perëndinë, për kohën që shkon pa kthim. Për herë të parë në letërsinë shqiptare trajtohen kaq gjerë përfytyrime të tilla filozofike, një botë përjetimesh që kanë në qendër njeriun. Me sinqeritet e me gjuhë plot emocione, Naimi shpreh ide humane, në “Lulet e verës” e gjetiu dhe mund të themi se Naimi themeloi në letërsinë shqiptare traditën e poezisë së mendimit.

Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës.

Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por faktori kryesor ishte jeta e popullit të vet dhe lëvizja e tij për çlirim kombëtar.

Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e populli të vet. Traditat poetike popullore, që përbën një nga burimet e formimit të tij si poet, i dha shumë më tepër nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo vetëm në gjuhën e poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë të parë, në përmbajtje dhe në frymën e saj.

Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

Ndikimi i Naim Frashërit, gjatë jetës dhe pas vdekjes ishte i madh, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit.

Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për meritat kulturore në Shqipëri jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.

Shteti iranian në shenjë nderimi për kontributin e tij në gjuhën perse i kushtoi një emetim special pullash postare me imazhin e poetit Frashërlli.

Tituj të veprave:

Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885)

Shqipëria (1880, botuar më 1897)

Bagëti e Bujqësi, 1886

Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon)

Vjersha për mësonjtoret e para

E këndimit të çunavet këndonjët

oreja, (në dy vëllime, me poezi, lexime të

ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare)

Histori të përgjithshme

Lulet e verës, 1890

Mësimet, (proza patriotike dhe të moralit)

Fjala flutarake, (vjersha) 1894

Historia e Skënderbeut, (poemë epike) 1898

Qerbelaja (poemë fetare)

Perëndia, 1890

Fjalët e Qiririt (publikuar për herë të parë në numrin e parë të revistës “Drita”)

Për ndërtimin e kësaj eseje janë përdorur shkrime nga interneti, si: Wikipedia, Bezati, Elsie, Abdulla Rexhepi, Jahë Sadrija, etj.

Nga Libri im në Botim “ATDHETARË TË SHQUAR”

Filed Under: Kulture Tagged With: Luan Cipi

VAÇE ZELA, IKONA E KËNGËS SHQIPTARE

September 20, 2018 by dgreca

1342a596a2ddbdee63b141e0e33dbd01bb853e6e9ecVaçe-ZelaVace-Zela-IBNAngjarjet-1316vaczla0

ESSE NGA LUAN ÇIPI/

Vaçe Zela, u lind në qytetin e Lushnjës më 7 prill 1939, dhe vdiq më 6 shkurt 2014, në  Bazel të Zvicrës.“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë.Vaçe Zela është këngëtare shumë e njohur, ikona e paarritshme e skenës shqiptare, artiste popullore dhe këngëtare me famë  botërore. Ajo, si këngëtare  u zbulua rastësisht në moshë të re në qytetin e Lushnjë. Kishte një zë brilant, të ëmbël, tingëllues e me një timbër të veçantë kumbues, me diapazon të gjerë e intonacion perfekt. Këngët e saj popullore mbeten në vite, të kënduara dhe të preferuara nga publiku. Vaçe Zela mbetet Zëri i jashtëzakonshëm që mbushte me energji, shpresë dhe optimizëm skenat shqiptare edhe pse të pluhurosura e të grisura nga ngarkesat pushtuese e diktatoriale.Ajo, mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e përhershme shumë vjeçare  e çmimit të ekselencës.Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave.Në ka një artist, që emri i tij në dekada të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës. Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për më se dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo lajmëroj se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja, se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë.

Sot duket paradoksale, por Vaçen fillimisht kishte zëra që nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika se do bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, dhe se duke kënduar do t’i zhvleftësonte.

Festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë triumfuese me zërin e saj brilant, duke i spostuar me meritë të tjerët.

Këngët të bukura si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës dhe kanë hyrë në çdo familje shqiptare .

Fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, asaj iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe u nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit Shqiptar” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare të qytetit të Lushnjës. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte prirje edhe në pikturë e teatër.

Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin amatorë të muzikës qytetare popullore myzeqare.

Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do ti mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa ajo vetë, këndonte krejt e lirë dhe e shkujdesur. Tregojnë bashkëkohorët, se Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Duke e parë talentin e lindur, të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, dhe as prindërit e saj nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen për ta shkëputur nga pasioni i saj. Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën e saj të zjarrtë, po nuk qe e thënë. Ata, nuk ia dhanë të drejtën për t’u pranuar në atë shkollë. Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin dhe nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa”. Aty nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës dhe e suksesit të saj.

Një mikja e Vaçes, Violeta Librazhdi, shoqe e shkollës dhe e gjithë jetës së këngëtares së madhe, ka botuar një libër të posaçëm, kushtuar këngëtares, ku shkruan: “Kujtoj ditët kur për herë të parë pashë Vaçen me një kitarë në duar, me të cilën ajo këndoi gjatë në dhomën e saj, këngë që nuk mundej t’i këndonte dot në skenë. Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi” duke i dëgjuar me vëmendje në radiot. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët ishin ngulur pas dritares. Ne nisëm të qeshnim, ndërsa njerëzit duartrokisnin pa pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në skenat e Tiranës e jashtë saj”. Kjo kitarë, në momentin e duhur, ishte dhe një faktor suplementar, me të cilën ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, pa u larguar asnjëherë nga pasioni për këngën. Kitara e Vaçe Zelës zë një vend të veçantë edhe në studion e ish të përndjekurit politik  Gëzim Çelës. Kësaj vegle muzikore, dëshmi e peripecive të shumta të kaluara në jetë, por dhe shpirtmadhësisë së këngëtares sonë të famshme Vaçe Zela, ish-i burgosuri politik , që e përdori në burg si dhuratë nga ajo,i ka kushtuar një tregim të titulluar “Kitara”, Kitara e varur në mur merr sërish jetë e bëhet e gjallë në duart e ish të burgosurit politik, të cilit tingujt e muzikës, i rikthejnë në mendje qindra kujtime të gëzuara apo të hidhura nga vendet e vuajtjes së dënimit, shokët e tij të burgjeve, por, mbi të gjitha, i kujtojnë solidaritetin njerëzor, e cila është një ndër pasuritë më të çmuara për çdokënd.

Vaçe Zela, pasi kish kënduar si amatore në Lushnje e Tiranë, e nisi karrierën e saj si këngëtare profesioniste fillimisht në Estradën e Ushtrisë, më pas, arriti kulmet e lavdisë, në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe të veçantë e tepër melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë bilbili i kombit, i gjithë Shqipërisë dhe Kosovës, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.

Në çdo sukses të bujshëm e të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, nën drejtimin artistik të muzikantit e kompozitorit te madh, Tish Daija, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Kinë, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela ishte faktor i rëndësishëm që gjithnjë e më shumë, bëri për vete një publik mjaft të gjerë dhe sidomos specialistët më të shquar të kohës. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart, zërin e mrekullueshëm të këngëtares se madhe. Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm për Vaçen dhe i domosdoshëm për kohën.  Kjo, për zërin e saj  të ëmbël, me diapazon të gjerë e timbër të veçantë ishte fare e lehtë, ndërsa për kohën dhe zhvillimin, ishte nje domosdoshmëri. Kështu repertori i saj u bë shumë i pasur dhe u zgjerua dukshëm, duke përfshirë me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.

Kjo karrierë e lavdishme, u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. 

Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori qiellor i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm  varfëri ekstreme dhe prapambetje, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës dhe shpresës.

Ajo kishte repertor shumë të gjerë e të larmishëm si rrallë këngëtare të famshme në botë. Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave origjinale fine, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë.

Qenë këto vite kur njerëzit edhe pse në vështirësi ekonomike, nuk i diferenconin dot artistët e tyre, që ishin thuajse në një nivel jetese. Sipas rrëfimit të mikes së saj biografe: “këngëtaren, italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e trajtonte pa diferenca shpërblimi të theksuara e pa trajtimin special për një artiste të nivelit botëror. Po ajo,  nuk pranoj të shkonte me ta, po preferoj të rinte pa kushte speciale, në shpërblim për mirënjohje, te populli i saj, qoftë dhe në varfëri e mjerim.  Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin shpejt.. 

Është për t’u ndalur te viti 1993, kur këngëtari nga Kosova, Naim Krasniqi, do të këndonte në skenën e festivalit shqiptar të 32-të të këngës, një këngë kushtuar këngëtares së madhe. Kënga mbante titulli “Jetën ma dhurove” dhe vargjet e saj ishin vërtet emocionuese: Na fale shpirtin e njomë, këngën na fale/ Nga skena jehonte aj’ zá në fush’ e male/ Ooo Vaçe Zela k’saj toke të plaguar/Jetë i dhurove, e mbajte të zgjuar.” Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale. Dhe publiku kishte mall për të, për praninë e saj. E ja tani, ajo sërish, pas 3 vjetësh, ndodhej në një sallë festivali, vërtet si spektatore, por ishte aty. U mallëngjye, nuk e priste t’i bëhej një nder i tillë. Një këngë kushtuar asaj. U mallëngjye edhe krejt publiku në sallë. Ovacionet për këngëtaren nuk pushonin. Ndërkohë që dridhërima zemre përjetonin miliona shqiptarë nëpër botë që ndiqnin nga ekranet festivalin e këngës. Prania e Vaçe Zelës në një festival, qoftë edhe me një këngë kushtuar asaj, kur ajo prej vitesh, që nga festivali i parë kishte qenë zonjë e festivaleve dhe këngës shqiptare, mjaftonte si fakt që shqiptarët ta ndienin edhe një herë praninë e “mbretëreshës”.

Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e sa. Megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. 

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mori emrin e saj.

Vaçe Zela është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.

Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina.

Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.

Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte.

Artistja thoshte se ndihej mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Ishte e emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.

Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj.

I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.

Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave.

Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.

Që nga viti 2002 Vaçe Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Një histori e bukur në jetën e Vaçes së Madhe është dhe historia e dashurisë, fejesës dhe martesës së saj,  plot mirëkuptim e harmoni. Vaçe Zela u martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata lindën  vajzën  e tyre te dashur e të mbarë, Irma.  Lindja e vajzë e lumturoi edhe më shumë çiftin simpatik që pas këtaj e kaluan mbarë jetën mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes.

Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Ishte nisur për të vizituar vajzën e saj Irma që jetonte në Zvicër, kur nuk është ndjerë mirë dhe pikërisht në këtë kohë u nis kalvari i saj i dhembjes. Dy operacione të njëpasnjëshëm, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa. 

Atje në Zvicër ajo jetoi për një kohë. Historinë se si doli në Bazel të Zvicrës këngëtarja e tregon në një libër.

Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen. “Në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo luftoi sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli” shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë” – derisa kujton Vaçen në vitin 2012-të.

Pjetri dhe Irma, bashkëshorti dhe vajza e saj, ishin njerëzit që i qëndruan pranë këngëtares, në momentet kur shëndeti i saj ishte dobësuar.

Vaçe Zela ndahet nga jeta në moshën 74–vjeçare pas një sëmundje të gjatë në Basel të Zvicrës. Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela u mbart e prehet në Atdhe.

Qeveria Shqiptare ndërmori të gjitha masat dhe e solli trupit të pajetë nga Bazeli i Zvicrës. Ajo u kujdes të kapërcente një mori procedurash burokratike, me të cilat do të ishte përballur çdo qytetar i thjeshtë. Po kështu, mori përsipër edhe shpenzimet e gjithë këtij procesi.

Pritja e parë këngëtares iu bë në Aeroportin e Prishtinës nga Autoritete kosovare, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe familjarë të saj, për t’u shoqëruar më pas për në Tiranë, ku ajo kishte kërkuar që të prehej. 

Ministria e Kulturës, e cila organizoi ceremoninë mortore për nder të këngëtares Vaçe Zela, vendosi që homazhet për artisten të organizohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo ngriti karrierën e saj. Skena mori një pamje mortore, por ruajti skenografia e shfaqjes së momentit në baletin “Zhizel”.

Lamtumira  dhe homazhet e  fundit iu dha në varrezat e Sharrës, ku ajo prehet, përjetësisht me gjithë madhështinë e pavdekësisë së saj.

Kanë thënë për   VAÇE ZELËN:

Dritero Agolli, shkrimtar : “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha, këngëtare : “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela

.”Osman Mula, regjisor : ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare e fuqishme, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”

Prof. Tish Daija, kompozitor : “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera. .. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”

Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”

Avni Mula, kompozitor e këngëtar : “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”

Këngëtari Sherif Merdani Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjës, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte Mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti.

Kompozitori Robert Radoja: Është  humbje e madhe. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës është  humbje e madhe. Ajo dha shembullin e papërsëritshëm. “Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re.  Është ndarje e madhe por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda.

Agim Krajka kompozitor:  Vaçe Zela është e pazëvendësueshme. “Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij. Ajo, “ishte një vajzë jashtëzakonisht korrekte”.

Zijà Saraçi, kantautor : “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një reze e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”

Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”

Nora Çashku, pedagoge e pianos : “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”

Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe : “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”

Prof.Dr.Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”

Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”

Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë, ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”

Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”

Prof.Dr.Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”

Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”

Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”

Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”

Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”

Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”

Lirim Deda, poet: “Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”

Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”

Liliana Çavolli, këngëtare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”

Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”

Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite, vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice“.

Inva Mula, këngtare: Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty. Ti, Va e dashur, ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë. Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse, Diva jonë absolute.

Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”

Nirvana Pistulli, poete: “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”

Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë Tokës rreth vetes dhe Diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”

Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj. Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”

Hasan Huta, poet: “Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që oshtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qenit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi.”

Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e thjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë thjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen me mungesën e saj”

 

Për këtë jetëshkrim  janë marrë të dhëna nga interneti: Wikipedie, Nexhat Agolli, Violeta Librazhdi, Sanie Gushi, Gëzim Çela, etj.

 

Tiranë, më 20.08. 2018

 

Filed Under: Featured Tagged With: E KËNGËS SHQIPTARE, ikona, Luan Cipi, Vace Zela

DUKE KUJTUAR EDITORIN E DIELLIT BAHRI OMARI

February 10, 2018 by dgreca

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’/

4 Bahri Omari

Nga Luan Çipi, në përvjetorin e lindjes/

 Bahri Omari u lind në 10 Shkurt të vitit 1889 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.

U shkollua në vendlindje dhe më tej, në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” për Shkencat Politike-Administrative, në Stamboll.

Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion, në vitet 1913-14, pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në vitin 1915 Bahri Omari, emigroi në ShBA, ku shpejt doli në krye të djalërisë shqiptar përparimtar atje dhe shpejt u bë drejtor i gazetës “Dielli” të Federatës  Atdhetare Pan-Shqiptare “Vatra”.

Në vitin 1919 ai u kthye i ftuar në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë, në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës, duke i qëndruar përballë me sukses në prefekturën e Gjirokastrës, partisë së Myfit bej Libohovës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij të spikatura, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Gjakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues.”

Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari, si kundërshtar i tij, u detyrua të lëvizi me fanolistët nëpër Evropë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. U vendos në Bari të Italisë për një kohë të gjatë dhe qëndroi atje deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë dhe atje  i ndjekur dhe  i përgjuar nga italianët.

Me mjaft interes dhe kuriozitet kundrohen nga opinioni, marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar atij bursë studimi në Francë.

Në vitin 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha vazhdonte të strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve dhe punësimit të tij në perëndim.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, për periudhën shkurt – qershor 1944.

Ky ishte shkaku që në muajin prill të vitit 1945, Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik “se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere”, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) duke e quajtur këtë si më “të mirin” veprim për  vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre,  nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, dhe të ndërgjegjshëm e si antikomunist të vendosur, mendonin që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët, do rrezikonte copëtimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar.

Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh  në një hendek tek “Kodra e Priftit” në Tiranë.

Mendoj, veç të tjerave, se nuk duhet harruar një fakt historik, (që do më ngelej peng, po mos ta përmendja): Italia Fashiste e hoqi fare postin përfaqësues të Ministrit të Jashtëm Shqiptar. “Kuislingët” pro Gjerman, e krijuan atë. Kjo, është e vërteta, është një  shfaqje pavarësie e krenarie shqiptare. Nga ana tjetër, nuk u lidh asnjë pakt zyrtarisht me Gjermanët dhe, “Qeveritarët” Shqiptar, refuzuan dhe ndaluan të dërgonin në luftë forca ushtarake në ndihmë të frontit, me gjithë kërkesat e përsëritura  të gjermanëve.

Duhet të theksoheshin me rastin e gjykimit, virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Ne nuk jemi tradhtarë”.

Dhe në këto momente madhështie kulmore trimërie, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:

Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan S.Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjës, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjës” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.”  dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të njeriut të ditur e të deputetit, që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.

Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike me vendosmëri. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.

Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillim viteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në mëdyshje shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt, “aleatët”, pro grek e sllav, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ballas ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte, Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me Gjermanët, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi për keq dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!

Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim simbolik, si i përfshirë në disa pikëpamje me kundërshtarin politik po, por kurrsesi jo dënim kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si veprimtar i shquar te shoqëria VATRA e  shqiptarëve të Amerikës, si politikan i ndershëm e demokrat,  të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim vetjak dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e as i zgjedhur.

Kaluan mbi 73 vjet nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij prej trimi: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burrë i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatëran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga ish Presidenti i Republikës, (që ishte edhe jurist në arsimim dhe njëkohësisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) u shpall “Nderi i Kombit”,  çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, gëzoi dhe qetësoi shumë shqiptarë!

Tiranë, më 10 Shkurt 2018

Filed Under: Vatra Tagged With: 129 vjet, Bahri Omari, Luan Cipi, nga Dita e lindes

ABAZ KUPI, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

January 6, 2018 by dgreca

(në 42 vjetorin e vdekjes)/1-abaz-kupi-dhe-maclean

Nga Luan Çipi/Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim fillimisht do ta konsideroja më shumë vetjake dhe pa lidhjen dhe vartësinë direket, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Kjo nismë e guximshme vetjake, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e më pasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa theksuar përkatësitë e aderimit), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i pare komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canes”.Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939:. “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”.

 Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 gusht të vitit 1892 në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në nëntor-dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me  në krye Princ Vidin.Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun,  mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekje e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar.

Abaz Kupi merr pjesë në kryengritjet e Mustafa Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e gjeneralit.

Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, Abaz Kupi, me inisiativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi  atë në një ikonë.

 Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në qershor të vitit 1939 familja e tij, e  përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u internua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut  të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të  banuan pranë t’afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar  nga shokët e tij, kalon nga Turqiapër në Beograd,  kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga gjenerali Anglez Julian Amery nga Jugosllavia edhe pse Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër.

Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllain e tij Ibrahimin, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.

Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit të të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Ai, si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”, ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe u hodh poshtë si limon i shtrydhur.

Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direket të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar“. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.

Më 21 nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile, deri kur komunistët nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë. Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte  për operacionet kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit.

Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi heroin tonë. Më 24 tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).  Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze, që i çoi në Brindizi të Italisë.Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.   

Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.Vdiq në 6 Janar te vitit 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.

 Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vet Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin  (Bazin e Canit): “Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.

Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp nderi i Atdheut, u fut për të bashkuar forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin ngritur në këmbë.
Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.

Merlika, u lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për të ndjekur çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij për t’i vrarë e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Merlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë atdhetarët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.

Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u sulmua nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”..

Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!

Tiranë, më 01.04.2016

Nga Libri i Luan Çipit “LULISHTARËT E ATDHEUT”

Filed Under: Fejton Tagged With: abaz kupi, KULM TRIMËRIE, Luan Cipi, NJË TJETËR

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT