• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BAHRI OMARI: EDHE NË VARR DO T’I SHËRBEJ ATDHEUT!

February 10, 2019 by dgreca

10 SHKURT- Kujtojmë Editorin e DIELLIT Bahri Omari me rastin e 110 Vjetorit të Diellit dhe 130 vjetorin e Lindjes/

1 Omari BahriNGA DALIP GRECA/1 Omari Familja

Në foto: Familja Omari me 1941 ne Bari te Italisë/Me 10 Shkurt 1889 lindi në Gjirokastër Bahri Omari, një ndër intelektualët idealist, që për fat, rrethanat jetësore do ta sillnin në moshën 26 vjecare në SHBA, për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli” në kohë kritike, kur fatet e Shqipërisë ishin në duart e Shqiptarëve të Amerikës, Kur VATRA vepronte në vend të shtetit të vdekur shqiptar. Në kohën e Bahri Omarit si editor i Diellit dhe Kol Tromarës si Kryetar i VATRËS, Perëndia kishte zgjedhur Shqiptarët e Amerikës që të shpëtonin Shqipërinë. Kështu shkruante Dielli i 3 Qershorit 1917, Ku dy “kokat” e Vatrës, udhëhiqnin fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, që i priu dhe siguroi mbrojtjen e Pavarësisë së humbur në Konferencën e Paqes në Paris. Por ndërsa Kol Tromarën e Bahri Omarin, Perëndia i vuri në krye të shqiptarëve të Amerikës për të shpëtuar Shqipërinë, e cila ua shpërbleu tragjikisht duke u dhënë plumbin për të vetmin faj se e deshën Atdheun, ndaj patën lënë Amerikën që të bënin Shqipërinë!

1 Bahri Andon FrasheriU kthyen, pa e ditur se po firmosnin aktin e fundit të tragjedisë së tyre. Dhe të dy, ashtu si dhe bashkëluftëtari i tyre Vatran Aqif Përmeti, u përballën me gjyqin absurd special, ku atdhetarët akuzoheshin për tradhëtarë dhe ata u dënuan me pushkatim. Bahri Omari në fjalën e fundit para Trupit Gjykues tha :”Unë nuk kërkoj mëshirë, kërkoj drejtësi(Sipas Testamentit të ish Kryeprokurorit Bedri Spahiu). Edhe në qeli në pritje të pushkatimit, Bahri Omari do të tregonte shpirtin fisnk. Kur i biri e vizitoi në qeli, i tregoi se po bënin përpjekje për t’ia shpëtuar jetën, ai edhe pse nuk besonte tek falja e komunistëve, e porositi të birin: Kini parasysh edhe Kolën(Tromarën) se ai nuk ka kënd…Natyrisht që vendimi nuk ndryshoi. Të 17-ët e dënuar nga gjyqi special u pushkatuan me 14 prill 1946. Sipas dëshmisë të Astrit Bishqemit, të birit të Tahsim Bishqemit(pushkatuar), i cili ndoqi i fshehur skenën e pushkatimit tek Kodra e Priftit dhe kishte dëgjuar zërin e fortë të Bahri Omarit, drejtuar Kryeprokurorit Bedri Spahiu, kur iu kërkuan të kthenin shpinën nga skuadra e pushkatimit:Dëgjo Bedri Spahiu, unë nuk jam tradhtar dhe nuk e kthej kurrizin. Ta dish se dhe nga varri, Bahri Omari, do të punojë për Shqipërinë!(referuar librit”Bahri Omari-Jeta dhe veprimtaria”, e autores Donika Omari.

… Por le të kthehemi pas në kohë.

***

BAHRI OMARI, NGA HIMARA NE SHBA

Bahri Omari ishte i biri i Iliaz Omarit, vëlla i vetëm i dy motrave nga një familje atdhetare gjirokastrite. U arsimua në Gjirokastër dhe Janinë, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll, në Mekteb-i Mylkije. U diplomua në shkencat administrative më 1910. Pat punuar nëpunës i administratës në Kurvelesh, ndërsa pragshpallja e pavarësisë e gjeti si nënprefekt në Himarë. Këtë post e mbajti edhe pas shpalljes së qeverisë së Vlorës,ku u shqua në përballjen me armë në dorë kundër andartëve grekë ”vorio-epiriotë.”

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të kohës së Luftës Ballkanike, Bahri Omari zgjodhi rrugën e emigrimit. Mbërriti në Amerikën e Veriut, fillimisht në Bufalo, dhe u vu në dispozicion të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës.

***

Bahri Omari erdhi në krye të Diellit në këto rrethana: Paqja mes Kostë Çekrezit, editorit që e bëri Diellin të përditshëm që me 8 nëntor 1915, dhe Komisionit të Vatrës, nuk qe e qëndrushme. Komisioni që u mblodh me 19 Dhjetor 1915, nuk e pranoi, por e hodhi poshtë kandidaturën e Kostë e Çekrezit me argumentin se ai kishte shkelë konditat me të cilat qe marrë vesh me Komisionin, të cilat ishin botuar edhe në numrin 528 të gazetës.

Detyra e Editorit të Diellit iu nga ngarkua përkohësisht kryetarit të asaj kohe, Fan S Nolit. Kështu vendosi Komisioni me shumicë votash dhe Noli nuk e refuzoi detyrën deri në Kuvendin e radhës. Për rreth 7 muaj gazeta Dielli u editua nga Imzot Fan S. Noli.

Kryetari i Vatres dhe editori Noli, nuk do të merrte rrogë të vecantë si editor, por iu gjet një ndihmës Editor, Andon Frashëri me një rrogë 40 dollarë në muaj.

BAHRI OMARI DHE RAUF FICO, DY KANDITATËT PËR EDITOR

Diskutimin për dy kandidatura për editor të Diellit gjenden në rekordin e Vatrës, mbajtur nga Komisioni që drejtonte VATRËN. Rekordi që ndodhet në arkivin e federatës mbanë datën 7 Maj 1916. U la që dy kanditë të rinj të parqiteshin para Komisionit për t’u intervistuar se çfarë platformash mendonin për ta bërë gazetën më të fuqishme. Një muaj më vonë, në një rekord tjetër të Federatës e Vatra, që mbanë datën 8 qershor 1916, informohemi se ishin paraqitur dy kandidatura për tu shqyrtuar; ajo e Bahri Omarit dhe e Rauf Ficos. Do të zgjidhej njëri prej tyre. U mor vendimi që Kuvendi vjetor të mblidhej sipas Kanunores me 2 deri 4 Korrik 1916 dhe aty të vendosej edhe për editorin e ri.

Në seancën e ditës së katër të Kuvendit, që i kishte nisë punimet të dielën me 2 Korrik, u shtrua para delegatëve kandidatura e Bahri Omarit si editor i Diellit. Ai u pranua njëzeri. Kandidatura e dytë, ajo e Rauf Ficos, që më vonë do të bëhej një nga diplomatët më të zëshëm të Shqipërisë, nuk u hodh në votë për dy arsye; së pari Omari mori shumicën e votave, së dyti, sepse miqtë e kandidaturës së dytë argumentuan se z. Fico ndodhej në Elbasan dhe nuk mund të vinte në këtë kohë trazirash nga Shqipëria në Amerikë. U vendos që rroga e editorit të ishte 70 dollar në muaj, ndërsa e menaxherit të Diellit 50 dollarë në muaj(Kuvendi zgjodhi Mahmud Përmetin menaxher) dhe ndihmës editor u rizgjodh Andon Frashëri, rroga e të cilit u caktua që të lihej aq si ishte edhe në kohën e Nolit, 40 dollar në muaj.

Edhe një vit më pas, në Kuvendin e 1-13 korrikut 1917, kur kandidatura  e Bahri Omarit kishte përballë kandidatin Kostë Çekrezi, Omari doli sërish fitues me 40 vota nga 32 që mori Çekrezi.

Nën drejtimin e Bahri Omarit Dielli vijoi të kryej misionin e tij informues dhe të rrisë patriotizmin në radhët e shqiptarëve të Amerikës, të përçjellë frymën vatrane në çdo koloni ku jetonin shqiptarët. Rritjes së frymës Kombëtare gazeta i jepte përparësi duke i parapërgatitë shqiptarët e Amerikës për sakrifica në emër të Atdheut që vuante nën pushtim dhe egërsinë e fqinjëve për ta ndarë copash Shqipërinë. Evokimi i figurave kombëtare ishte një formë që Dielli e përdori për të rritë shpirtin patriotik. Përmes gazetës mësojmë se shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës po përgatiteshin për të kryer detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë në mungesë të Shtetit.Për këtë qëllim Komisioni kishte shtruar detyrën që të dërgohej në Evropë Mehmet Konica me kredenciale për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Vatra kishte kohë që vepronte në vend të shtetit të munguar shqiptar.

Nën drejtimin e Bahri Omari Dielli përveçse vazhdoi të publikohej si gazetë e përditshme, u zmadhua edhe në format dhe doli me gjashtë shtylla(Kolona). Kjo ndodhi me 30 Dhjetor 1916.

Bahri Omari përcolli ngjarje dhe zhvillime të vrullshme që po ndodhnin përgjatë luftës botërore. Hyrja e Amerikës në luftë në prill të vitit 1917 e kishte bërë Vatrën të intensifikonte veprimtaritë për t’i paraprirë sigurimit të pavarësisë së humbur. Dielli dhe vatranët duartrokitën ngritjen e Flamurit shqiptar nga ushtria franceze në Korçë. Me këtë rast gazeta e Vatrës shkroi se Shoqëria korçare “Arsimi” organizoi një miting madhështor në Boston, duke pasur edhe mbështetjen e Vatrës, ku drejtues dhe  folës kryesor ishte Kristo Kirka, ndërsa Thoma Natsi drejtoi muzikën.

BAHRI OMARI NGJATJETON VATRANËT

Në numrin e parë të Diellit të drejtuar prej Bahri Omarit, 7 Korrik 1916, publikohet editoriali me titull  ”Mirë se ju gjeta”!. Mënyra e komunikimit të editorit me vatranët në vecanti dhe lexuesit në përgjithësi është i hapur dhe i sinqertë: “ Dëshira e madhe që kam patur kurdoherë se si t’i shërbej atdheut dhe Kombit m’u kurorëzua me redaksinë e Diellit, me shërbimin më të ëndërruar, e çila është arma më e madhe në botë. Shtypi është,siç duan ta thonë disa shkrimtarë të dëgjuar, e katërta fuqi përmi të tri fuqitë që janë në qeveritë konstitucionale. Me rëndësinë e madhe që ka shtypi, është i zoti të sjellë fitim a dëme të mëdha si pas qëllimit që ka përpara…”

Editorit zotohej para lexuesëve që në editorialin e parë: ”Do të derdhim të gjitha fuqinë për mbrojtjen e Atdheut dhe e vetmja politikë që do të ndjekë Dielli do të jetë përlindja shqiptare.

Editori Omari u jepte fjalën vatranëve se se do të ndiqte vetëm rrugën kombëtare dhe se Diellin do të përpiqej ta zmadhonte e ta zbukuronte me qëllim që të kishte një vend të ndritshëm midis gazetave më të mira të kohës. Ai ndjehej krenar për shqiptarët e Amerikës, të cilët meritojnë, siç shkruante ai, më të madhen lavdi për zhvillimet dhe përparimet që kanë rrëfyer e po rrëfejnë në fushën kombëtare ; cilësitë patriotike të shqiptarëve të Amerikës janë shumë më të larta se mburrjet tona:shpresa jonë është lidhur gjithë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e asaj patriotizme.

Editori i paralajmërontë shqiptarët e Amerikës se beteja për ta bërë Shqipërinë do të ishte e gjatë dhe e vështirë sepse: “Shqipëria është vendi ku përplasen valët e intrigave dhe lakmive të fqinjëve dhe është bërë një “Top” në duart e diplomacisë evropiane, prandaj ne shqiptarët, sipas vendit gjeografik që kemi(të lakmuar nga të tjerët)  duhet të punojmë më shumë se kombet e tjerë të Ballkanit… Për atdhetarët e vërtetë, dëshpërim nuk ka kurrë, mundimet tona do t’i përhapin ret’ e zeza që po mbulojnë horizontet e Atdheut.

NJË LEKSION EDHE PËR POLITIKANËT E SOTËM

Shumë nga editorialet e Bahri Omarit, edhe pse janë të shkruara një shekull më parë mbeten leksione për politikën dhe në ditët e sotme. Ndiqeni editorialin e 20 Korrikut 1916” Sëmundjet morale”. Nën këtë titull editori zbërthen atë që e quan sëmundje epidemike të shqiptarëve: Sëmundja e politikës. Ai konstatonte se çdo shqiptar sheh një farë autoriteti në veten e tij, duke e gjetur veten të aftë që të bisedojë nga çdo pikpamje mbi politikën e përgjithshme, dhe më shumë për politikën e vendit të tij. Editori e zbërthen dukurinë në kompleksitetin e saj dhe mbanë qëndrim kritik: Shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke e bazuar gjykimin tonë mbi ca fjalë të thata liksht dëgjuar andej- këtej, pa patur as të paktën ndonjë njohuri për biografinë e atij njeriu që dënohet ose cnderohet. Tjetri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh brockulla, dhe në daç t’i mbushësh mendjen, atë çast të merr nëpër këmbë dhe të shpall të paditur…

Leksioni i editorit ka vlera edhe sot: “Më e madhja çudi është kur përdorin fjalët e reja, pa i kuptuar i pëlçasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vendeve tona, e cila bren gjendjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani` në kombet e qytetëruar. Më të shumtët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë tërhequr vëmendjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre që e kanë për detyrë.

Editori B. Omari, gjykon se shqiptarët po trashëgonin një sëmundje greke, se më shumë ndër grekër ishte e përhapur kjo sëmundje. Ku është e keqja? Kjo sëmundje, shkruan Omari, ndalon njerinë të përparojë në punën e tij. Sëmundja politike të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin, të nervozohesh. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë, këshillonte editori Omari.

Editori përpiqet që përmes Diellit të edukojë shqiptarët. Për Bahri Omarin, padija ndahet në dy: Një është ai që s’di dhe e tregon padijen. Tjetri është ai që s’di dhe s’ia ka për pesë.

Editori e quan mjerim të madh për shqiptarët që shiten si  të ditur, kur nuk dinë asgjë. Ai godet veset e shqiptarëve, krekosjen, egoizmin, sharlatanizmin, dhe u kërkon shqiptarëve të përkrahin idealizmin sepse kështu i shërbejnë atdheut dhe Kombit.Ai kërkon një qeverisje shqiptare me themele e moral të fortë se morali i prishur kalbëzon rërnjët e qeverisë dhe e rrokullis në humnerë.

PENA E HIDHËT NDA ARMIQËVE DHE TRADHËTARËVE

Nën penën e Bahri Omari Dielli e solli në fokus shqetësimet e Shqipërisë për mbijetesë, i grisi maskën “qytetërimit” Europian, efektet e të cilit i provuan në kurriz shqiptarët: Kur u shkel Shqipëria prej fqinjëve të saj, sa i mori në sy Europa të drejtat e Shqipërisë që i ripej lëkura prej qeverive barbare nën maskën e qytetrimit? Më në fund Europa i gostiti dhe me nga një thelë nga trupi shqiptar. Pyesim: Ku është qytetërimi? Ku janë mbrojtësit e atyre principeve të nacionaliteteve, ku janë autorët italianë që i kanë kryer në shesh këto principe? Sa serbfolës ka në Kosovën Shqiptare?  Nuk mjaftoi ç’iu dha këtij barbari sllav po dhe ta madhojmë më? Neve bërtasim se e dimë që shpata do kërcasë në kokën tonë. Se Serbi s’e ka synë veçse në Adriatik, dhe ëndrron Durrësin. Përfundimi i analizës së Omarit është: Qytetërimi përdoret në duart e të mëdhenjëve si vegël për t’u edukuar të vegjëlve dëshirat e tyre me veshjen e drejtësisë Kurdoherë idealet dhe qëllimet janë bërë dëshmorë të padrejtësisë dhe t’interesit(Dielli  25 Korrik 1916.)

Bahri Omari është i ashpër jo vetëm me armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, por edhe me tradhëtarët shqiptarë. Ai e cilëson Esad Pashë Toptanin si Neronin e Shqipërisë. Në editorialin me titull ”Neroni i Shqipërisë”, botuar në Diellin e 1 gushtit 1916, ai shkruan:Esat Pashë Toptanit këtij gjakpirësi, s’i arritën të bënte sehir ngjarjet tragjike të mëmëdheut të tij, tani do dhe t’i verë zjarrin, si Neroni Romës. Ky gjeneral i famshëm! Ky mbrojtës i Shkodrës për të kurorëzuar veprat e tij  do dhe t’i verë flakën Atdheut! Ky faqezi, pasi vizitoi fortesën e Verdunit dhe dëftoi mendjet strategjike të tij, tani bredh oborreve të Evropës duke vënë Shqipërinë, këtë mëmëz të dashur të shqiptarëve, si plaçkë pazari që të mbushë qesen, të ngopet me napolona, me flori.

Pena e Omarit është e mbushur me idhnim: Më së fundi ky vagabond zuri të ngjyrosë ne ngjyrën e tij edhe shqiptartë e shkëlqyer të Amerikës, që ti bëjë vegla të tij. Ky tradhëtor i Kombit zuri të mburret se mund të sjellë nag Amerika më shumë se 15 mijë shpirtë dhe të lëftojë,të dëftojë trimërinë e tij! Por te shqiptarët e Amerikës s’arrijnë djallëzitë e tij. Shqiptarët amerikanë jan’ aq të lartë sa s’mund t’i arrijnë kurrë pabesia e një lajkamadhi e tradhëtori. ..(Të plotë e lexoni në gazetën Dielli ne Print)

Filed Under: Featured Tagged With: 130 Vjetori, Bahri Omari, dalip greca, i lindjes

DUKE KUJTUAR EDITORIN E DIELLIT BAHRI OMARI

February 10, 2018 by dgreca

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’/

4 Bahri Omari

Nga Luan Çipi, në përvjetorin e lindjes/

 Bahri Omari u lind në 10 Shkurt të vitit 1889 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.

U shkollua në vendlindje dhe më tej, në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” për Shkencat Politike-Administrative, në Stamboll.

Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion, në vitet 1913-14, pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në vitin 1915 Bahri Omari, emigroi në ShBA, ku shpejt doli në krye të djalërisë shqiptar përparimtar atje dhe shpejt u bë drejtor i gazetës “Dielli” të Federatës  Atdhetare Pan-Shqiptare “Vatra”.

Në vitin 1919 ai u kthye i ftuar në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë, në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës, duke i qëndruar përballë me sukses në prefekturën e Gjirokastrës, partisë së Myfit bej Libohovës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij të spikatura, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Gjakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues.”

Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari, si kundërshtar i tij, u detyrua të lëvizi me fanolistët nëpër Evropë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. U vendos në Bari të Italisë për një kohë të gjatë dhe qëndroi atje deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë dhe atje  i ndjekur dhe  i përgjuar nga italianët.

Me mjaft interes dhe kuriozitet kundrohen nga opinioni, marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar atij bursë studimi në Francë.

Në vitin 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha vazhdonte të strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve dhe punësimit të tij në perëndim.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, për periudhën shkurt – qershor 1944.

Ky ishte shkaku që në muajin prill të vitit 1945, Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik “se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere”, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) duke e quajtur këtë si më “të mirin” veprim për  vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre,  nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, dhe të ndërgjegjshëm e si antikomunist të vendosur, mendonin që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët, do rrezikonte copëtimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar.

Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh  në një hendek tek “Kodra e Priftit” në Tiranë.

Mendoj, veç të tjerave, se nuk duhet harruar një fakt historik, (që do më ngelej peng, po mos ta përmendja): Italia Fashiste e hoqi fare postin përfaqësues të Ministrit të Jashtëm Shqiptar. “Kuislingët” pro Gjerman, e krijuan atë. Kjo, është e vërteta, është një  shfaqje pavarësie e krenarie shqiptare. Nga ana tjetër, nuk u lidh asnjë pakt zyrtarisht me Gjermanët dhe, “Qeveritarët” Shqiptar, refuzuan dhe ndaluan të dërgonin në luftë forca ushtarake në ndihmë të frontit, me gjithë kërkesat e përsëritura  të gjermanëve.

Duhet të theksoheshin me rastin e gjykimit, virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Ne nuk jemi tradhtarë”.

Dhe në këto momente madhështie kulmore trimërie, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:

Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan S.Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjës, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjës” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.”  dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të njeriut të ditur e të deputetit, që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.

Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike me vendosmëri. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.

Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillim viteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në mëdyshje shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt, “aleatët”, pro grek e sllav, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ballas ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte, Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me Gjermanët, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi për keq dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!

Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim simbolik, si i përfshirë në disa pikëpamje me kundërshtarin politik po, por kurrsesi jo dënim kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si veprimtar i shquar te shoqëria VATRA e  shqiptarëve të Amerikës, si politikan i ndershëm e demokrat,  të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim vetjak dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e as i zgjedhur.

Kaluan mbi 73 vjet nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij prej trimi: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burrë i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatëran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga ish Presidenti i Republikës, (që ishte edhe jurist në arsimim dhe njëkohësisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) u shpall “Nderi i Kombit”,  çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, gëzoi dhe qetësoi shumë shqiptarë!

Tiranë, më 10 Shkurt 2018

Filed Under: Vatra Tagged With: 129 vjet, Bahri Omari, Luan Cipi, nga Dita e lindes

SËMUNDJET MORALE

July 12, 2017 by dgreca

4 Bahri Omari

NGA BAHRI OMARI/ Dielli-20 korrik 1916 *

Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.
Bahri Omari ka sherbyer 6 vjet Editor i Gazetes “DIELLI”, u pushkatua nga Enver Hoxha, si antikomunist.

Filed Under: Histori Tagged With: Bahri Omari, Semundjet morale

Ç’është “Vatra”?

January 30, 2017 by dgreca

Nga Bahri OMARI*/

Dielli- Dhjetor 1917/Shumë atdhetarë nga koha në kohë përpiqen t’i hedhin gurë Vatrës dhe kërkojnë të dinë se ç’ka bërë Vatra. Federata Vatra është e vetëmja shoqëri që ka përhapur arësimin midis shqiptarëve. Gjysmët e atyre që dinë të shkruajnë e të këndojnë këtu n’ Amerikë, pa dyshim janë mësuar nga pemët e propagandës kombëtare që ka përhapur shoqëria jonë më të katër anët e Amerikës.Instituta jonë u mësoi parimet konstitucionale gjithë shqiptarëve t’Amerikës. Sot më çdo kolloni që të vesh, gjen shqiptarë të stërvitur mirë, të cilët dinë të organizojnë një mbledhje, dhe dinë pak a shumë t’i mbajnë bisedimet pas parimeve të shoqërive.

Shqiptarët e Amerikës në kanë marë pjesë në jetën shoqërore, s’ka asnjë dyshim që e kanë fituar me anën e Vatrës. Edukatën që u mungonte nga Vatra e kanë marë. Njëherë e një kohë shumë pak do gjenje shqiptarë që të dinin të shkruanin e të këndonin, po sot ka me qindra, me mijëra.Nofta disa do duan ta xhveshin Vatrën nga këto shërbime që i ka bërë kombit duke thënë se lëvizjet nëpër kollonitë i bën njëri e tjetri. Dhe këtu është moskuptimi. Vatra është si një general që komandon një ushtëri, e cila, po të dalë fitimtare, nderin e math e merr generali dhe jo ushtarët, të cilët derdhin edhe gjak, se ay është timoni i punës, ay është që bën plane për të dërmuar armikun.

Pastaj Vatra është ajo e vetëmja shoqëri që e ka bërë të njohur në qarket dipllomatike të Evropës çështjen tonë dhe të drejtat me çdo farë mënyre. Për këtë qëllim ka derdhur mijëra dollarë. Me t’atilla veprime Vatra u bë shoqëria që simbolizon një politikë fjeshtë kombëtare, duke mos anuar as nga nonjë anë dhe duke mos u bërë vegël e asnjë propagande të huaj.

Cilado qeveri që ka pandehur ta bënte vegël për politikë të saj shoqërinë tonë, e mori vesh që i goditte sëpata më gur. Armiqtë tanë e kanë halë në sy se e çmojnë që, në ka një organizim që t’i japë jetë çështjes shqiptare, është Vatra. Sot çdo qeveri, si Amerika dhe të tjera, Vatrën pyesin për çështjen tonë, nga ajo shpresojnë që munt të marrin informata të plota dhe të sigurta.

Situata e Shqipërisë i rëndon barrën shoqërisë sonë që të bëjë detyrën e qeverisë dhe ta kapërcejë kufin’ e programit. Vatra shërben më tepër se ç’e detyron programi i saj. Prandaj meriton me të vërtetë të jetë Kruja e Shqiptarëve, se gjithë andej presim të dalë ëngjëlli i lirisë dhe t’i japë frymën shënjtërore Shqipërisë.

Shoqëria jonë e lavdëruar, e ka rrëfyer që është mpështetja jo vetëm e anëtarëve të saj, po e gjithë shqiptarëve, se ka ndihmuar me sa i është mundur çdo shqiptar me çdo rasje. Përveç shërbimeve të para, Vatra, në këto dy vjetët e fundit, u përpoq t’i mirëpriste dhe t’i lehtësonte gjithë shqiptarët që vinin n’ Amerikë, duke emëruar një përfaqësonjës të saj në zyrën e imigratës të New Yorkut. Pastaj që të muntte të kërkonte të drejtat e Shqipërisë për s’afërmi, bëri atë punën më të madhe duke emëruar tre delegatë n’ Evropë, dhe për këtë gjë mblodhi një fond që s’e ka mbledhur asnjë organizim tjatër i shqiptarëve.

Pra Vatra është e vetëmja shoqëri që e përfaqëson çështjen tonë në të huajtë. Ajo është që u interesua të çajë orizontet me qindra telegrame kur ka ardhur rasti. Dhe gjithë këto, Vatra i ka bërë midis shqotave dhe furtunave, se gjithënjë grindavecët kanë dashur ta luftojnë. Prandaj ndihmojeni shoqërinë tonë të madhe duke u bërë anëtarë të saj, që të mundë të vazhdonjë veprën e saj të shenjtë.

*Dielli, 7 dhjetor 1917. Bahri Omari ishte Editor i gazetes “Dielli” nga korriku 1916  deri në nëntor 1919,  kohë kur u largua me kërkesën e vet duke dhënë dorëheqjen. Ky shkrim eshte botuar si Editorial i gazetes”Dielli” ne numrin e 17 Dhjetorit 1917(Dielli-Arkiv/)

Filed Under: Opinion Tagged With: Bahri Omari, Ç’ËSHTË “VATRA”?, dielli, Editorial

Ç’ËSHTË “VATRA”?

February 3, 2016 by dgreca

NGA BAHRI OMARI*/
Shumë atdhetarë nga koha në kohë përpiqen t’i hedhin gurë Vatrës dhe kërkojnë të dinë se ç’ka bërë Vatra. Federata Vatra është e vetëmja shoqëri që ka përhapur arësimin midis shqiptarëve. Gjysmët e atyre që dinë të shkruajnë e të këndojnë këtu n’ Amerikë, pa dyshim janë mësuar nga pemët e propagandës kombëtare që ka përhapur shoqëria jonë më të katër anët e Amerikës.
Instituta jonë u mësoi parimet konstitucionale gjithë shqiptarëve t’Amerikës. Sot më çdo kolloni që të vesh, gjen shqiptarë të stërvitur mirë, të cilët dinë të organizojnë një mbledhje, dhe dinë pak a shumë t’i mbajnë bisedimet pas parimeve të shoqërive.
Shqiptarët e Amerikës në kanë marë pjesë në jetën shoqërore, s’ka asnjë dyshim që e kanë fituar me anën e Vatrës. Edukatën që u mungonte nga Vatra e kanë marë. Njëherë e një kohë shumë pak do gjenje shqiptarë që të dinin të shkruanin e të këndonin, po sot ka me qindra, me mijëra.
Nofta disa do duan ta xhveshin Vatrën nga këto shërbime që i ka bërë kombit duke thënë se lëvizjet nëpër kollonitë i bën njëri e tjetri. Dhe këtu është moskuptimi. Vatra është si një general që komandon një ushtëri, e cila, po të dalë fitimtare, nderin e math e merr generali dhe jo ushtarët, të cilët derdhin edhe gjak, se ay është timoni i punës, ay është që bën plane për të dërmuar armikun.
Pastaj Vatra është ajo e vetëmja shoqëri që e ka bërë të njohur në qarket dipllomatike të Evropës çështjen tonë dhe të drejtat me çdo farë mënyre. Për këtë qëllim ka derdhur mijëra dollarë. Me t’atilla veprime Vatra u bë shoqëria që simbolizon një politikë fjeshtë kombëtare, duke mos anuar as nga nonjë anë dhe duke mos u bërë vegël e asnjë propagande të huaj.
Cilado qeveri që ka pandehur ta bënte vegël për politikë të saj shoqërinë tonë, e mori vesh që i goditte sëpata më gur. Armiqtë tanë e kanë halë në sy se e çmojnë që, në ka një organizim që t’i japë jetë çështjes shqiptare, është Vatra. Sot çdo qeveri, si Amerika dhe të tjera, Vatrën pyesin për çështjen tonë, nga ajo shpresojnë që munt të marrin informata të plota dhe të sigurta.
Situata e Shqipërisë i rëndon barrën shoqërisë sonë që të bëjë detyrën e qeverisë dhe ta kapërcejë kufin’ e programit. Vatra shërben më tepër se ç’e detyron programi i saj. Prandaj meriton me të vërtetë të jetë Kruja e Shqiptarëve, se gjithë andej presim të dalë ëngjëlli i lirisë dhe t’i japë frymën shënjtërore Shqipërisë.
Shoqëria jonë e lavdëruar, e ka rrëfyer që është mpështetja jo vetëm e anëtarëve të saj, po e gjithë shqiptarëve, se ka ndihmuar me sa i është mundur çdo shqiptar me çdo rasje. Përveç shërbimeve të para, Vatra, në këto dy vjetët e fundit, u përpoq t’i mirëpriste dhe t’i lehtësonte gjithë shqiptarët që vinin n’ Amerikë, duke emëruar një përfaqësonjës të saj në zyrën e imigratës të New Yorkut. Pastaj që të muntte të kërkonte të drejtat e Shqipërisë për s’afërmi, bëri atë punën më të madhe duke emëruar tre delegatë n’ Evropë, dhe për këtë gjë mblodhi një fond që s’e ka mbledhur asnjë organizim tjatër i shqiptarëve.
Pra Vatra është e vetëmja shoqëri që e përfaqëson çështjen tonë në të huajtë. Ajo është që u interesua të çajë orizontet me qindra telegrame kur ka ardhur rasti. Dhe gjithë këto, Vatra i ka bërë midis shqotave dhe furtunave, se gjithënjë grindavecët kanë dashur ta luftojnë. Prandaj ndihmojeni shoqërinë tonë të madhe duke u bërë anëtarë të saj, që të mundë të vazhdonjë veprën e saj të shenjtë.
* Ish editor i Gazetes Dielli. Ky shkrim ishte editorial i Diellit te 19 dhjetorit 1917

Filed Under: Editorial Tagged With: Bahri Omari, Ç’ËSHTË “VATRA”?

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT