• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, investim strategjik

January 24, 2019 by dgreca

Presidenti Meta priti Komandantin amerikan të Forcave Ajrore të NATO-s, Gjeneralin Tod Wolters/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Komandantin amerikan të Forcave Ajrore të NATO-s, Gjeneralin Tod Wolters.

Presidenti Meta theksoi se në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 20 vite pas ndërhyrjes ushtarake të Aleancës që i dha fund genocidit në Kosovë dhe rajon, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë dhe do të mbeten gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë e veçantë për përzgjedhjen e Kuçovës si vendndodhje e bazës moderne ajrore të NATO-s, shenjë e besimit dhe vlerësimit që Aleanca ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit.

“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një investim strategjik si për sigurinë tonë kombëtare, ashtu edhe për atë rajonale”, – theksoi Presidenti Meta.

Gjithashtu Kreu i Shtetit tha se Shqipëria është e interesuar që NATO të forcohet më tej si në aspektin politik, ashtu edhe atë ushtarak dhe siguroi për gadishmërinë për të plotësuar jo vetëm të gjitha detyrimet, por edhe për të marrë përgjegjësi të reja.

Presidenti Meta vuri në dukje se pas anëtarësimit të Malit të Zi, anëtarësimi i shumëpritur i Maqedonisë në NATO, do të jenë garanci të shtuara për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjenerali Tod Wolters, Komandanti amerikan, NATO, Presidenti Meta

KONGRESI AMERIKAN, MBESHTETJE TE FORTE NATO_s

January 23, 2019 by dgreca

MBËSHTETJE E FORTË NGA KONGRESI AMERIKAN PËR ALEANCËN E NATO-s/

1-Frank-shkreli-

Nga Frank Shkreli/

Në vigjiljen e 70-vjetorit të themelimit të Aleancës së NATO-s, në Washington u njoftua një mbështetje e fortë për këtë aleancë të njohur ushtarake. Pardje, të martën, Dhoma e Përfaqsuesëve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi me vota dërmuese masa të reja mbështetjeje, të cilat sigurojnë që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO.  Kjo masë erdhi në përgjigje të lajmeve në disa media amerikane se Presidenti Donald Trump mund të ketë biseduar me këshilltarët e tij mbi mundësinë e largimit të Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja.  Kjo votë në Dhomën e Përfaqsuesve dhe vota që pritet për një projekt-legjislacion të ngjashëm edhe në Senatin amerikan, do ta bënte të pamundur largimin e Shteteve të Bashkuara nga Aleanca perëndimore, pa marrë parasyshë se ç’mendon Presidenti Trump për këtë çështje.

Kongresisti Xhimi Panetta, demokrat nga Kalifornia, i bëri thirrje Senatit që ashtu siç bëri edhe Dhoma e Përfaqsuesve, e Kongresit, të miratojë këtë projekt-ligj, duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin dhe të mbrojnë vendosmërisht aleatët tanë, anë e mbanë botës.  “Sot, Dhoma e Përfaqsuesve rithekësoi përsëri angazhimin dhe mbështetjen e plotë ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), si dhe përgjegjësinë tonë për të investuar në këtë shtyllë të paqës, të stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare”, është shprehur Kongresisti Pannetta në njoftimin për media, autori kryesor i këtij legjislacioni dhe djali i ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ish-Drejtorit të CIA-s dhe ish Shefit të Perosnelit në Shtëpinë Bardhë, Z. Leon Panetta.  “Të jesh anëtar i NATO-s nuk është sikur të jesh anëtar i një klubi pasanikësh.  Ne i vlerësojmë aleatët tanë në NATO.  NATO është organizata që na dallon ne nga Rusia.  Ne kemi aleatë që qëndrojnë pranë nesh dhe me ne, Rusia nuk i ka”, ka thënë me këte rast kongresisti demokrat i Kalifornisë për gazetën e forcave ushtarake amerikane, “Stars and Stripes”.Vota në Dhomën e Përfaqsuesve ishte dërmuese: 357 në favor të legjislacionit dhe 22 kundër.  Sponsorizuesi kryesor i këtij legjislacioni, në mbështetje të NATO-s që u përkrah nga dy partitë kryesore në Kongres — demokratët dhe republikanët — ishte Kongresisti demokrat nga Kalifornia, Xhimi Panetta, por u sponsorizua gjithashtu nga disa anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqsuesve, republikanë dhe demokratë.  Njëri prej bashk-sponsorizuesve ishte edhe miku i shqiptarëve, Kongresisti Elliot Engel, njëherazi edhe Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme të kongresit amerikan.  Z. Engel është shprehur me këtë rast se, “NATO-ja luan një rol kritik në sigurimin e paqës, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.  Nëqoftse ne largohemi nga aleatët tanë evropianë, siç duket se ka sugjeruar Presidenti Trump, ne jemi duke minuar vet interesat tona kombëtare.  Ky projektligj demonstron se Kongresi do të kundërshtojë përpjekjet e cilësdo qoftë Administratë që mund të zhdukë rolin që luan Aleanca NATO”.

Kjo votë e Kongresit është një provë e gjallë se si duhet të funksionojë e ashtuquajtura, “Checks and Balances” në sistemin kushtetutor amerikan, kur njëra prej tri degëve të qeverisë, kontrollon tjetrën, kur secila prej tri degëve të qeverisë mund të kufizojë pushtetin e dy të tjerave. Qëllimi i baballarëve të këtij kombi ka qenë që asnjëra prej këtyre tri degëve të qeverisë të mos bëhet tepër e fuqishme, por të balancojnë pushtetin e njëra tjetrës

Nimsëtari i këtij projektligji, Kongresisti Panetta e cilësoi Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, si aleancën ushtarake më të vjetër dhe më të suksesëshme në botë.  Legjislacioni i Kongresit i quajtur, “Akti Mbështetës për NATO-n”, hedh poshtë çdo përpjekje të Presidentit Trump për t’u tërhequr nga NATO-ja”, thuhet në njoftimin për media të Kongresistit Panetta, ndërkohë që projektligji mbështet përpjekjet e vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë të pakën 2% të ardhurave të përgjithëshme kombëtare për mbrojtjen e përbashkët, ndërkohë që promovon gjithashtu edhe fondet për Nismën Evropiane (European Deterrence Initiative) kundër agresionit rus.

Ndërsa njëri prej bashkautorve të këtij legjislacioni, Kongresisti i Partisë Republikane, Don Baker i shtetit Nebraska, sipas njoftimit të Kongresit për media me këtë rast, është shprehur se, “Aleancat e Amerikës janë një burim fuqie dhe sigurimi për vendin tonë.  Si një student i historisë, mund të them se aleancat tona ushtarake kanë ruajtur paqën dhe kanë promovuar begatinë ekonomike ç’prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.  Dhe si officer ushtarak i karjerës dhe si ish-komandant i një baze ushtarake në Evropë, jam i bindur se aleancat mbeten edhe sot tepër kritike për operacionet ushtarake amerikane.  Në krahasim me traktate të tjera ushtarake, Traktati i Organizatës së Atlantikut Verior qendron si e vetme dhe më e suksesëshmja aleancë ushtarake në histori.”  Kongresisti Baker, shtoi se, “Në 70-vjetorin e themelimit të këtij traktati ushtarak historik, është e domosdoshme që Kongresi të shpreh mbështetjen e tij për Aleancën e NATO-s dhe t’ua bëjë të qartë, si aleatëve ashtu edhe kundërshtarëve tanë, se populli amerikan është absolutisht i vendosur të qëndrojë në NATO.”

Largimi nga aleanca do të ishte një “gabim tragjik” ka thënë kongresistja Chrissy Houlahan nga shteti Pensilvania, duke shtuar se nga një gjë e tillë vetëm “do të përfitonin Kina dhe Rusia, të cilat dëshirojnë të shohin një erozion të rolit të Shteteve të Bashksuara në botë.”

Ndërsa kongresisti demokrat nga shteti Nju Xhersi, Tom Malinowski, u shpreh se ishin, “Shtetet e Bashkuara ato që themeluan NATO-n.  Madje edhe nëqoftse se është vetëm një sugjerim që Shtetet e Bashkuara të largohen nga NATO-ja, kjo në vetvete, do të ishte një dhuratë e pa përgjegjëshme që u jepet armiqëve tanë.  Me miratimin e këtij legjislacioni, Kongresi u thotë aleatëve tanë se, në emër të një shumice dërmuese të amerikanëve – një gjë e tillë nuk do të ndodhë.”Një tjetër bashkautor i këtij legjislacioni, kongresisti republikan nga shteti Illionois, Adam Kinzinger tha se, “Mbrojta e demokracive të NATO-s, ashtu si edhe mbrojtja e sistemit tonë elektoral, është tepër me rëndësi për sigurimin tonë kombëtar si dhe për interesat tona globale.   Legjislacioni, Akti për Mbështetjen e NATO-s”, nënvijon edhe njëherë misionin dhe angazhimin tonë ndaj këtij partneriteti të çmueshëm, ndërkohë që njokohësisht na ndihmon ne dhe aleatët tanë që të marrim masa kundër agresionit dhe provokimeve të Rusisë”, është shprehur republikani Kinzinger.

Ky është zëri i vendosur dhe i patjetërsueshëm i përfaqsuesve të dy partive politike — demokratë dhe republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara — ky është zëri i pa mposhtur i popullit amerikan.  Gazeta e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, Stars and Stripes shkruan se Aleanca e NATO-s gëzon një mbështetje të fortë në radhët e amerikanëve, ku 62% e tyre kanë një qëndrim të favorshëm ndaj aleancës perëndimore, megjithse ç’prej shëmbjes së komunizmit, shpesh janë dëgjuar zëra këtu në Shtetet e Bashkuara që kanë venë në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e NATO-s.  Por, fatbardhësisht, duket se këta zëra janë shuar, kryesisht, falë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014 dhe përpjekjeve ruse për të futur hundët në sistemet elektorale në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të kontinetit evropian. Megjithëkëtë, planet janë në zhvillim e sipër për një takim të nivelit të lartë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Washington — për të shënuar 70-vjetorin e saj aty ku edhe u themelua kjo aleancë më 4 prill, 1949, ndërkohë që parashikohet edhe një mbledhje e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s, nga fundi i këtij viti, për të shënuar këtë përvjetor të themelimit të organizatës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota.

1 Harry Truman

© NATO- Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Harry Truman duke folur me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior nga përfaqsues të 12 vendeve themeluese të NATO-s, Washington, DC, me 4 Prill, 1949

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Kongress, Mbeshtetje e forte, NATO

Telefonata: Haradinaj & Stoltenberg: Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n

December 19, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj  në bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg: Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes/

1 a hardinaj

PRISHTINË, 19 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një bisedë miqësore telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg.

Përmes kësaj bisede, kryeministri Haradinaj ka thënë se është i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi dhe se e ka informuar Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.

“Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetin Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj e ka garantuar Sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të transicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin e tij dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi se Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: NATO, Telefonata: Haradinaj & Stoltenberg: Kosova

NATO: Krijimi i ushtrisë çështje e Kosovës

September 14, 2018 by dgreca

NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandatin aktual, por nëse FSK duhet të zhvillohet, atëherë Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë.1 Ushtria Kos

Nga Numan Numanoviç/

Këshilli i ministrave të BE-së dhe përfaqëesuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord në Vjenë (13.09) për zgjerimin e marrëveshjes së Prüm-it. Në këtë marrëveshje bëhet fjalër për automatizimin e shkëmbimit të të dhënave mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Konkretisht kjo ka të bëjë me gjurmët e gishtrinjve dhe të dhënat për ADN-në, si dhe të dhënat për regjistrimin e automjeteve, vuri në dukje ministri Brendshëm austriak Herbert Kickl (FPÖ) në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun shqiptar Fatmir Xhafaj. Ky do të ishte një “impuls i vërtetë cilësie” në bashkëpunimin policor dhe sigurinë në të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Marrëveshja e Prüm-it u nënshkrua në vitin 2005 nga Austria, vendet e Belenux-it, Gjermania, Franca dhe Spanja. Që nga vera 2007 kjo marrëveshje është integruar si kuadër ligjor në BE. Ajo rregullon bashkëpunimin ndërkufitar midis shteteve nënshkruese me qëllim luftimin e terrorizmit dhe kriminalitetin ndërkufitar.

Ministrat e brendshëm të BE-së u takuan në Vjenë në kuadër të presidencës së radhës në BE që e mbulon Austria këtë gjashtëmujor. Gjatë ditës së parë të konferencës ishin pjesëmarrës edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor,  ndër të premten (14.09) marrin pjesë përfaqësues nga vendet afrikano-veriore. Fokusi është përqendruar në bashkëpunimin e policisë, azili, migracioni dhe mbrojtja e kufijve.
Aspak temë rrugët legale për migracionin

Në fillim të konferencës ministri Brendshëm i Austrisë reagoi ndaj fjalimit vjetor të presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker lidhur me gjendjen në BE. Ky i fundit i bëri thirrje presidencës austriake në BE, që të përpunojë zgjidhje me qendrueshmëri për të ardhmen dhe politika për rrugë legale të migracionit. „Ne mund të flasim për këtë, pasi përpjekjet për luftimin e migracionit ilegal të kenë sukses”, tha ministri austriak. Një herë ka ndodhur me programin e BE-së për shpërndarjen e emigrantëve, kur BE-ja u përpoq “të udhëzojë diçka, që askush nuk e donte”, tha Kickl.

Kontrollet kufitare mbeten

Kickl hodhi poshtë edhe kërkesën e komisarit të BE-së për Migracionin Dimitris Avramopoulos, i cili në një intervistë u drejtohej atyre vendeve, që ndërkohë aplikojnë sërish kontrollet kufitare në hapësirën Shengen, për t’i shfuqizuar këto rregulla sa më shpejt. Austria do t’i vazhdojë kontrollet në kufi për aq kohë, sa një mbrojtje e kufijve të jashtëm “të mos jetë vetëm në letër, por faktike”. Shfuqizimi i kontrolleve kufitare të vendosura në vitin 2015 do të bëhet vetëm pasi të funksionojë vërtetë mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së. Ai nuk mund t’i injorojë nevojat e popullsisë për siguri dhe kontrolle, tha Kickl.

Ministri i Brendshëm austriak ishte i të njëjtit mendim me Komisionin e BE-së lidhur me planet për përfrocimin e agjencisë së mbrojtjes kufitare Frontex dhe rritjen e numrit të nëpunësve kufitarë. Edhe agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve duhet të zgjerohet, për të mbështetur vendet e BE-së në procesin e azilit. Emigrantët ilegalë duhet të mund të dëbohen më shpejt.

Qendra për pranimin e të kthyerve në Shqipëri?

Në Vjenë të enjten, sipas Kickl, ka pasur edhe bisedime diskrete me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e qendrave të pranimit të refugjatëve të kthyer refuzuar nga vendet e BE-së. Që Shqipëria është në fokus, këtë Kickl nuk donte ta konfirmonte. „Ne nuk duam debate në opinionin publik, përpara se të jenë pjekur kushtet”, deklaroi i rezervuar dhe pa të dhëna konkrete ministri austriak. Edhe homologu i tij shqiptar Fatmir ishte i kursyer në informacion. „Shqipëria aktualisht është e konfrontuar me një numër gjithnjë e më të lartë migrantësh dhe ne me kënaqësi e pranojmë mbështetjen e BE-së, në mënyrë që Shqipëria të mund ta menaxhoj më mirë situatën”, u shpreh Xhafaj në Vjenë. Me “qendra të pranimit të të kthyerve” jashtë BE-së synohet, që të arratisurit, të cilët kanë një përgjigje përfundimtare për azilin e refuzuar në BE, të kthehen në një vend të tretë përpara se të dërgohen në vendin e origjinës. Shtetet që janë të gatshme për këto “qendra të pranimit të të kthyerve” mund të marrin ndihma si edhe mbështetje nga punonjësit e truprojës kufitare të BE-së.

Ministri i Brendshëm austriak e theksoi disa herë, që vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëshmuar shumë herë kontributin e tyre efikas në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kufijve, azilit dhe migracionit dhe se marrëveshja e nënshkruar tani do të shërbejë për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ministri shqiptar e cilësoi gjithashtu Austrinë si një partnere të rëndësishëme, që jep një kontribut të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor për përhapjen e normave demokratike.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, NATO, Ushtria

A KA TË DREJTË PRESIDENTI TRUMP?

July 12, 2018 by dgreca

A KA TË DREJTË TRUMP-I KUR THOTË SE VENDET E NATO-S NUK PAGUAJNË SA DUHET PËR MBROJTJEN E PËRBASHKËT?/

Nga Frank Shkreli/

Aleanca e NATO-s po zhvillon punimet e nivelit të lartë në Bruksel. Si zakonisht, në një takim të tillë, diskutohen çështje dhe sfida me të cilat përballet Aleanca e Atlantikut Verior, sidomos në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda aleancës si dhe me operacionet e saj në përgjithësi.  Mirëpo, duket se mbledhja e nivelit të lartë e NATO-s në Bruksel dje dhe sot, po dominohet nga ankesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se vendet anëtare të Aleancës Perëndimore nuk po shpenzojnë sa duhet për sigurinë e përbashkët dhe u ka kërkuar atyre që të rrisin kontributet e tyre ndaj aleancës.

Në takimin fillestar të mërkurën me Presidentin Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjenerali Jens Stoltenberg i shprehi mirëseardhjen udhëheqsit amerikan në kryeqendrën e NATO-s duke thënë se në takimin e nivelit të lartë në Bruksel do të preken shumë çështje me rëndësi, ndër to edhe shpenzimet për mbrojtje.  Uhdëheqsi i NATO-s shtoi se, “Të gjithë ne jemi dakort se duhet të bëjmë më shumë në këtë fushë”, duke i thënë presidentit Trump se, “Jam dakort me ju se duhet të sigurojmë që aleatët të investojnë më shumë në këtë fushë”, është shprehur Stoltenberg.  Ai deklaroi gjithashtu se lajmi i mirë është se të gjithë aleatët kanë filluar të investojnë më shumë për mbrojtje.  Z. Stoltenberg iu drejtua Presidentit Trump duke thënë se, “Mesazhi juaj ka pasur ndikimin e duhur dhe se do të bëjmë ç’është e mundur që të shënohen rritje të mëtejshme të buxhetit të mbrojtjes”, ka theksuar kryetari i NATO-s, në takimin që zhvilloi fillimisht me Presidentin Trump.  Ai shtoi se “Një NATO e fortë është e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Stoltenberg.

Edhe presidentë të tjerë amerikanë si dhe Kongresi, nga hera në herë në të kaluarën, kanë venë në dukje kontributin më të madh të Shteteve të Bashkuara ndaj buxhetit të NATO-s, në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Madje edhe paraadhësi i z. Trump, presidenti Barak Obama e kishte ngritur çështjen e mungesës së kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.  Por, presidenti Trump është treguar më këmbëngulës në këtë pikëpamje duke kërkuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje nga ana e vendeve anëtare të NATO-s duke përdorur një gjuhë direkte dhe të hapët, ndërsa disa do të thonin, aspak diplomatike, duke nervozuar aleatët me qëndrimet e tija ndaj NATO-s, një gjuhë kjo që nuk përdorej më përpara nga udhëheqsit ameriknaë.  Ai është shprehur se çdo vend anëtar i NATO-s që nuk kontribon atë që i takon për mbrojtje të përbashkët – e këta janë shumica, sipas tij – është duke përfituar në kurriz të taksa paguesve amerikanë.

Po, a ka të drejtë Presidenti Trump kur akuzon se shumica e vendeve të Aleancës nuk japin kontributin e nevojshëm për mbrojtje të përbashkët, madje as kontributin prej 2% të buxhetit të përgjithshëm kombëtar të vendeve anëtare, për të cilin kanë rënë dakort të gjithë, që në vitin 2006? Është vështirë të thuhet dhe varet se statistikat e kujt duhet të besohen. Për më tepër, nuk është sigurt, sipas disa ekspertëve, se kur ankohet Z. Trump për mungesën e kontributeve evropiane ndaj NATO-s, nëse ai flet për fondet direkte ose indirekte të vendeve anëtare për mbrojtje të përbashkët të NATO-s.  Disa ekspertë, me të drejtë mbajnë qëndrimin se – nëqoftse ai flet për kontributet e drejtë për drejta ndaj aleancës nga vendet anëtare,  presidenti Trump po e ekzagjeron këtë çështje, por nga ana tjetër nëqoftse udhëheqsi i Shtëpisë së Bardhë flet për shpenzimet indirekte – të cilat janë shumë më të mëdha se sa fondet direkte të Shteteve të Bashkuara për NATO-n, atëherë ai mund të ketë të drejtë për pretendimet e tija se aleatët amerikanë në NATO nuk po konribojnë fondet që u takojnë, siç kanë pretenduar edhe para-ardhësit e Z. Trump, përfshirë, Presidentin Barak Obama. Problemi mund të jetë mënyra se si e paraqet këtë problem presidenti Trump, në krahasim me para-ardhësit e vet.

Gazeta Washington Post, në një artikull mbi këtë çështje, shkruan se dokumentat e NATO-s tregojnë se shumica e vendeve anëtare nuk plotësojnë angazhimet e tyre dhe as udhëzimet e NATO-s, të pranuara nga të gjithë në vitin 2006, për kontributin prej 2% për mbrojtjen e përbashkët. Sot, më shumë se një dekadë më vonë, vetëm një numër i vogël aleatësh evropianë në NATO, kanë realizuar këtë objektiv.

Gazeta citon një dokument të NATO-s në të cilin thuhet se, “Shpenzimet e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara efektivisht përbëjnë 73% të shpenzimeve të përgjithshme të Aleancës, por kjo”, sipas NATO-s, “Nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara mbulojnë73% të kostos së përgjithëshme për operacionet e NATO-s si organizatë, përfshirë kryeqendrën në Bruksel dhe komandat ushtarake varëse të saj, por do të thotë se ekziston një varësi e madhe e Aleancës, në përgjithësi, në kontributin që japin Shtetet e Bashkuara, në fusha të tjera të operacioneve. Si për shembull në fushën e inteligjencës, mbrojtjen e raketave balistike e shumë fusha të tjera, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një epërsi në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Duket që, varësisht, se cilat shifra përdoren në lidhje me konributet, aq të ndryshme do të jenë edhe përfundimet në të cilat arrihet, gjë që mund të shkaktojë edhe keqkuptime.  Thuhet se statistikat, cilat do qofshin ato, gënjejnë. Edhe ky problemi i kontributeve në NATO duket se është produkt statistikash që gënjejnë.

E kuptoj nëqoftse lexuesi është i konfuzuar me këto të dhëna, pasi as unë nuk e kuptoj se ku qëndron problemi i vërtetë dhe se cilat statistika duhen besuar, ose cilat të dhëna ka përpara presidenti Trump kur ankohet për mos kontributin e nevojshëm të aleatëve.  A flet ai për shpenzimet direkte apo ato indirekte, a po për dyja? Por, sidoqoftë, ndonëse diskutimi është aktual mbi mosbalancimin në shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s, ai nuk është i ri, pasi vet NATO-ja ka thënë se ky problem ka ekzistuar ç’prej fillimit të aleancës.  Ndryshimi është se kur u themelua NATO, Evropa ishte ende e shkatërruar nga lufta dhe e dobët ekonomikisht dhe nuk mund të flitej për një kontribut më tëmadh për aleancën, ndërsa sot, Evropa e Bashkuar është shumë më e fortë, qoftë ekonomikisht, qoftë ushtarakisht dhe ndoshta me të drejtë ose jo, Shtetet e Bashkuara, pikërisht Presidenti Trump, ashtu si edhe paraardhsit e tij, presin më shumë kontribute nga aleatët e tyre evropianë për mbrojtjen e përbashkët – pasi shumica kanë mundësi ta japin ndihmesën fhe fondet.

Është e vështirë të thuhet nëse tensionet e fundit transatlantike, si përfundim i kritikave të presidentit Trump ndaj vendeve anëtare të NATO-s, do të prekin ose jo marrëdhëniet midis aleatëve, por është e qartë se kritikat, me vend ose pa vend të presidentit Trump, duket se kanë pasur ndikimin e tyre tanimë, pasi ka shënja se vendet anëtare të NATO-s kanë hedhur hapat e para dhe kanë marrë masa për rritjen e investimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e vet, përfshirë kontributin e 2% për operacionet e NATO-s.  Megjithëkëtë, ndonëse NATO duket se është e angazhuar për realizimin e këtij objektivi prej 2%, disa ekspertë ushtarakë janë të mendimit se disa vende evropiane anëtare të aleancës nuk mund të arrijnë këtë objektiv pa ndërmarrë reformat ë dukëshme në strukturat e tyre ushtarake.

Ndërkaq, ata që — si përfundim i kritikave, me vend e pa vend, të Presidentit Trump ndaj NATO-s — mezi presin prishjen midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në NATO, qetësohuni se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë, madje edhe po të dëshironte kështu edhe Presidenti Trump, gjë që nuk e besoj.  Si mbështetës i fortë i NATO-s, ashtu si edhe shumë të tjerë, jam i bindur se është vet sistemi amerikan, përfshirë edhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai që nuk do të lejonte tensionet transatlantike. Lidhjet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara janë tepër të forta dhe të rëndësishme që të afektohen madje edhe nga disa deklarata të një presidenti amerikan. Përball kritikave të presidentit Trump ndaj NATO-s në të kaluarën, por edhe para se të nisej për Bruksel, ishin përfaqsuesit e vërtetë të popullit amerikan  — Kongresi i Shteteve të Bashkuara — ata të cilët i dërguan një mesazh jo vetëm presidentit Trump dhe NATO-s, por edhe botës, për lidhjet e patundura të Amerikës me aleatët e saj në NATO, duke votuar një rezolutë në mbështetje të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s.  Në rezolutën e Senatit të Shteteve të Bashkuara prej 100-antarësh republikanë e demokratë – e miratuar me 92 vota në favor dhe 2 kundër — ligjëvensit amerikanë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për NATO-n, ndërkohë që u bënë thirrje negociatorëve amerikanë të ritheksojnë angazhimin dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Aleancën Veriore të Atlantikut, NATO.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, kontributi, NATO, Presidenti Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Censura studimore dhe politika në një kontent historik
  • VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama
  • Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
  • SOT NË ORËN 12.30 PM, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT