• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A KA TË DREJTË PRESIDENTI TRUMP?

July 12, 2018 by dgreca

A KA TË DREJTË TRUMP-I KUR THOTË SE VENDET E NATO-S NUK PAGUAJNË SA DUHET PËR MBROJTJEN E PËRBASHKËT?/

Nga Frank Shkreli/

Aleanca e NATO-s po zhvillon punimet e nivelit të lartë në Bruksel. Si zakonisht, në një takim të tillë, diskutohen çështje dhe sfida me të cilat përballet Aleanca e Atlantikut Verior, sidomos në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda aleancës si dhe me operacionet e saj në përgjithësi.  Mirëpo, duket se mbledhja e nivelit të lartë e NATO-s në Bruksel dje dhe sot, po dominohet nga ankesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump se vendet anëtare të Aleancës Perëndimore nuk po shpenzojnë sa duhet për sigurinë e përbashkët dhe u ka kërkuar atyre që të rrisin kontributet e tyre ndaj aleancës.

Në takimin fillestar të mërkurën me Presidentin Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjenerali Jens Stoltenberg i shprehi mirëseardhjen udhëheqsit amerikan në kryeqendrën e NATO-s duke thënë se në takimin e nivelit të lartë në Bruksel do të preken shumë çështje me rëndësi, ndër to edhe shpenzimet për mbrojtje.  Uhdëheqsi i NATO-s shtoi se, “Të gjithë ne jemi dakort se duhet të bëjmë më shumë në këtë fushë”, duke i thënë presidentit Trump se, “Jam dakort me ju se duhet të sigurojmë që aleatët të investojnë më shumë në këtë fushë”, është shprehur Stoltenberg.  Ai deklaroi gjithashtu se lajmi i mirë është se të gjithë aleatët kanë filluar të investojnë më shumë për mbrojtje.  Z. Stoltenberg iu drejtua Presidentit Trump duke thënë se, “Mesazhi juaj ka pasur ndikimin e duhur dhe se do të bëjmë ç’është e mundur që të shënohen rritje të mëtejshme të buxhetit të mbrojtjes”, ka theksuar kryetari i NATO-s, në takimin që zhvilloi fillimisht me Presidentin Trump.  Ai shtoi se “Një NATO e fortë është e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Stoltenberg.

Edhe presidentë të tjerë amerikanë si dhe Kongresi, nga hera në herë në të kaluarën, kanë venë në dukje kontributin më të madh të Shteteve të Bashkuara ndaj buxhetit të NATO-s, në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Madje edhe paraadhësi i z. Trump, presidenti Barak Obama e kishte ngritur çështjen e mungesës së kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.  Por, presidenti Trump është treguar më këmbëngulës në këtë pikëpamje duke kërkuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje nga ana e vendeve anëtare të NATO-s duke përdorur një gjuhë direkte dhe të hapët, ndërsa disa do të thonin, aspak diplomatike, duke nervozuar aleatët me qëndrimet e tija ndaj NATO-s, një gjuhë kjo që nuk përdorej më përpara nga udhëheqsit ameriknaë.  Ai është shprehur se çdo vend anëtar i NATO-s që nuk kontribon atë që i takon për mbrojtje të përbashkët – e këta janë shumica, sipas tij – është duke përfituar në kurriz të taksa paguesve amerikanë.

Po, a ka të drejtë Presidenti Trump kur akuzon se shumica e vendeve të Aleancës nuk japin kontributin e nevojshëm për mbrojtje të përbashkët, madje as kontributin prej 2% të buxhetit të përgjithshëm kombëtar të vendeve anëtare, për të cilin kanë rënë dakort të gjithë, që në vitin 2006? Është vështirë të thuhet dhe varet se statistikat e kujt duhet të besohen. Për më tepër, nuk është sigurt, sipas disa ekspertëve, se kur ankohet Z. Trump për mungesën e kontributeve evropiane ndaj NATO-s, nëse ai flet për fondet direkte ose indirekte të vendeve anëtare për mbrojtje të përbashkët të NATO-s.  Disa ekspertë, me të drejtë mbajnë qëndrimin se – nëqoftse ai flet për kontributet e drejtë për drejta ndaj aleancës nga vendet anëtare,  presidenti Trump po e ekzagjeron këtë çështje, por nga ana tjetër nëqoftse udhëheqsi i Shtëpisë së Bardhë flet për shpenzimet indirekte – të cilat janë shumë më të mëdha se sa fondet direkte të Shteteve të Bashkuara për NATO-n, atëherë ai mund të ketë të drejtë për pretendimet e tija se aleatët amerikanë në NATO nuk po konribojnë fondet që u takojnë, siç kanë pretenduar edhe para-ardhësit e Z. Trump, përfshirë, Presidentin Barak Obama. Problemi mund të jetë mënyra se si e paraqet këtë problem presidenti Trump, në krahasim me para-ardhësit e vet.

Gazeta Washington Post, në një artikull mbi këtë çështje, shkruan se dokumentat e NATO-s tregojnë se shumica e vendeve anëtare nuk plotësojnë angazhimet e tyre dhe as udhëzimet e NATO-s, të pranuara nga të gjithë në vitin 2006, për kontributin prej 2% për mbrojtjen e përbashkët. Sot, më shumë se një dekadë më vonë, vetëm një numër i vogël aleatësh evropianë në NATO, kanë realizuar këtë objektiv.

Gazeta citon një dokument të NATO-s në të cilin thuhet se, “Shpenzimet e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara efektivisht përbëjnë 73% të shpenzimeve të përgjithshme të Aleancës, por kjo”, sipas NATO-s, “Nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara mbulojnë73% të kostos së përgjithëshme për operacionet e NATO-s si organizatë, përfshirë kryeqendrën në Bruksel dhe komandat ushtarake varëse të saj, por do të thotë se ekziston një varësi e madhe e Aleancës, në përgjithësi, në kontributin që japin Shtetet e Bashkuara, në fusha të tjera të operacioneve. Si për shembull në fushën e inteligjencës, mbrojtjen e raketave balistike e shumë fusha të tjera, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë një epërsi në krahasim me vendet e tjera anëtare.  Duket që, varësisht, se cilat shifra përdoren në lidhje me konributet, aq të ndryshme do të jenë edhe përfundimet në të cilat arrihet, gjë që mund të shkaktojë edhe keqkuptime.  Thuhet se statistikat, cilat do qofshin ato, gënjejnë. Edhe ky problemi i kontributeve në NATO duket se është produkt statistikash që gënjejnë.

E kuptoj nëqoftse lexuesi është i konfuzuar me këto të dhëna, pasi as unë nuk e kuptoj se ku qëndron problemi i vërtetë dhe se cilat statistika duhen besuar, ose cilat të dhëna ka përpara presidenti Trump kur ankohet për mos kontributin e nevojshëm të aleatëve.  A flet ai për shpenzimet direkte apo ato indirekte, a po për dyja? Por, sidoqoftë, ndonëse diskutimi është aktual mbi mosbalancimin në shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s, ai nuk është i ri, pasi vet NATO-ja ka thënë se ky problem ka ekzistuar ç’prej fillimit të aleancës.  Ndryshimi është se kur u themelua NATO, Evropa ishte ende e shkatërruar nga lufta dhe e dobët ekonomikisht dhe nuk mund të flitej për një kontribut më tëmadh për aleancën, ndërsa sot, Evropa e Bashkuar është shumë më e fortë, qoftë ekonomikisht, qoftë ushtarakisht dhe ndoshta me të drejtë ose jo, Shtetet e Bashkuara, pikërisht Presidenti Trump, ashtu si edhe paraardhsit e tij, presin më shumë kontribute nga aleatët e tyre evropianë për mbrojtjen e përbashkët – pasi shumica kanë mundësi ta japin ndihmesën fhe fondet.

Është e vështirë të thuhet nëse tensionet e fundit transatlantike, si përfundim i kritikave të presidentit Trump ndaj vendeve anëtare të NATO-s, do të prekin ose jo marrëdhëniet midis aleatëve, por është e qartë se kritikat, me vend ose pa vend të presidentit Trump, duket se kanë pasur ndikimin e tyre tanimë, pasi ka shënja se vendet anëtare të NATO-s kanë hedhur hapat e para dhe kanë marrë masa për rritjen e investimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e vet, përfshirë kontributin e 2% për operacionet e NATO-s.  Megjithëkëtë, ndonëse NATO duket se është e angazhuar për realizimin e këtij objektivi prej 2%, disa ekspertë ushtarakë janë të mendimit se disa vende evropiane anëtare të aleancës nuk mund të arrijnë këtë objektiv pa ndërmarrë reformat ë dukëshme në strukturat e tyre ushtarake.

Ndërkaq, ata që — si përfundim i kritikave, me vend e pa vend, të Presidentit Trump ndaj NATO-s — mezi presin prishjen midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në NATO, qetësohuni se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë, madje edhe po të dëshironte kështu edhe Presidenti Trump, gjë që nuk e besoj.  Si mbështetës i fortë i NATO-s, ashtu si edhe shumë të tjerë, jam i bindur se është vet sistemi amerikan, përfshirë edhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai që nuk do të lejonte tensionet transatlantike. Lidhjet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara janë tepër të forta dhe të rëndësishme që të afektohen madje edhe nga disa deklarata të një presidenti amerikan. Përball kritikave të presidentit Trump ndaj NATO-s në të kaluarën, por edhe para se të nisej për Bruksel, ishin përfaqsuesit e vërtetë të popullit amerikan  — Kongresi i Shteteve të Bashkuara — ata të cilët i dërguan një mesazh jo vetëm presidentit Trump dhe NATO-s, por edhe botës, për lidhjet e patundura të Amerikës me aleatët e saj në NATO, duke votuar një rezolutë në mbështetje të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s.  Në rezolutën e Senatit të Shteteve të Bashkuara prej 100-antarësh republikanë e demokratë – e miratuar me 92 vota në favor dhe 2 kundër — ligjëvensit amerikanë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për NATO-n, ndërkohë që u bënë thirrje negociatorëve amerikanë të ritheksojnë angazhimin dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Aleancën Veriore të Atlantikut, NATO.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, kontributi, NATO, Presidenti Trump

Sotir Peci, kontributi i patriotit, gazetarit dhe politikanit

February 3, 2014 by dgreca

Ne Foto:Sotir Peci ne krah te djathte te Nolit ne Boston/

Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Pecin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peci

Kush është Sotir Peci

Sotir Peci (1873-1932) lindi në Dardhë të Korçës, në një fshat që e meriton të jetë një kapitull më vete, për hir të zhvillimit të tij social, arsimor e kulturor jashtëzakonisht të rrallë në Shqipërinë e shekujve 19-20. Ishte i biri i Jovan Pecit, një tregtar i pasur druri që si edhe dardharë të tjerë bënte prerjen e tregtinë e lëndës së drurit nga Greqia e Veriut deri në Anadoll. (Prej këtij profesioni ka mbetur edhe shprehja: “Ta pret me sopatën e dardharit”) Nga nëna, rridhte prej familjes së famshme të Themelinjve. Dy vëllezërit Themeliu, Jovani e Athanasi, gjatë një lëvizjeje greke për të shkëputur troje të tjera nga perandoria otomane rreth viteve 1850, që njihet si lëvizja e Limbozit, kishin armatosur 400 burra që i mbanin me pagë. Lëvizja dështoi dhe ata u gjendën të rrënuar. Për kompensim, mbreti Othon iu fali një çiflig në Gavrolimbi, të cilin Sotir Peci, si trashëgimtar i vetëm nuk e mori kurrë. Pas studimeve të larta në Athinë, më 1905 Pecin e gjejmë në SHBA. Ishte nga të rrallët, në mos i vetmi mërgimtar me Universitet, i bashkohej turmës së hallexhinjve, prandaj u prit krahëhapur prej atdhetarëve.

Shkruar nga Teodor Laço/

Disa njerëz, hyjnë në kujtesën e historisë si për inerci të një posti të lartë që kanë pasur dikur dhe pastaj, si pa kuptuar fillojnë të dalin prej saj, të shtyrë nga brrylat e padukshëm të figurave të tjera, lavdiveshura me hak apo të vëna më kot, mbi piedestale prej rëre. I tillë është edhe rasti i Sotir Pecit. Emrin e tij e mban ndonjë rrugë, nga ndonjë stendë muzeu të ndjek prapa syzeve optike shikimi i tij i qetë, paksa ironik, por veprimtaria e tij është thuajse e pazbuluar. Në 70-vjetorin e vdekjes së tij, më vuri në ngasje për të zgjedhur si kryetitull të këtij shkrimi, vlerësimi i Mitrush Kutelit të ri, njërit prej emrave më të mëdhenj të letrave shqipe, bërë në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Kuteli e përcjell vdekjen e Pecit me këto fjalë: “Tani trupi i tij i rraskapitur prej dyzet vjet veteranërie, shlodhet në tokën e zhuritur të Atdheut, të cilin e pat dashuruar aq bujarisht… se virtytet e tij patën qenë regëtimat e mëse kthjelltës shqiptarizme. Ky apostull i shndërritshëm që shqipëzoi shqipen dhe kombësoj kombin, kalon që nga jeta në jetë…”

Nga “Kombi” tek alfabeti i Manastirit 

Më 1906 Peci boton gazetën “Kombi”. Kjo nuk ishte gazeta e parë e mërgatës shqiptare. Para saj dy nga gazetat më të njohura ishin “Albania” e Faik Konicës dhe “Drita” e Shahin Kolonjës, por pa dyshim “Kombi” ka qenë gazeta me më shumë lexues, pikërisht sepse delte në Boston, ku po dyndej një turmë e madhe mërgimtarësh. Ishte meritë e veçantë e Pecit tërheqja në gazetë dhe përfshirja në lëvizjen kombëtare e Fan Nolit dhe pavarësisht marrëdhënieve të tyre të mëtejshme që shumicën e kohës mbeten të acaruara për shkak të pikëpamjeve të ndryshme (thelbi i tyre mund të përmblidhet ndoshta në fjalët evolucion apo revolucion) dyshja Peci-Noli, “Kombi” dhe shoqatat e shumta të shqiptarëve të Amerikës, patën një rol të dorës së parë në përgatitjen e ditës së Pavarësisë. Nga gazetaria e Pecit, zgjodha një fragment nga artikulli “Vetëm bashkimi mund të na shpëtojë” (“Kombi” Nr.5, 15/7/1906).

“Nuk është nevoja, sic thonë ca, për një njeri me rëndësi, i cili të na bashkojë se ky bashkim nuk është bashkim me rrënjë, duhet të na bashkojë dashuria e Atdheut, duhet të na bashkojë gardhi i interesave të kombit, duhet të na lidhin qëllimet dhe dëshirat për lirinë dhe qytetërimin e Shqipërisë, vetëm kjo lidhje është e shëndoshë, vetëm këtë nuk mund ta këputin armiqtë tanë”. Le të vihet re se edhe para një shekulli, Peci është kundër kultit të individit, të liderit të vetëm e të pakundërshtueshëm, psikozë nga e cila shqiptarët vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite, duke dëshmuar prapambetjen e tyre në mendësitë demokratike.

Në Kongresin e Manastirit që njihet si Kongresi i Shkronjave, Peci ishte delegat i shqiptarëve të Amerikës dhe i kolonisë së Bukureshtit. Duke u nisur drejt Manastirit, as vetë nuk e priste që kjo të qe ndarja e fundit me Amerikën. Rrjedhat e patriotizmit do ta rrëmbenin për ta lënë përfundimisht brenda mëmëdheut.

Debati për shkronjat latine të shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës apo alfabetit të Stambollit, ishte ndezur tek “Kombi” dy vjet para Kongresit. Që në numrin e parë, “Kombi” kishte dalë me shkronja latine duke marrë mbi vete akuzat si “përçarës” nga shumica e mërgimtarëve jugorë, të cilët ishin mësuar me alfabetin e Stambollit. Peci mundohej qetësisht t’i bindte se formimi i një alfabeti është problem i vështirë dhe punë shkencëtarësh. Noli u binte druve më shkurt. Ai thoshte se në SHBA nuk gjendeshin gërmat e alfabetit të Stambollit, midis të cilave kishte cirilike e greke. Në Manastir, Fishta, Gurakuqi, Peci, etj., ia dolën të vendoset për alfabetin që kemi edhe sot, duke dëshmuar një prirje të dukshme pro perëndimore.

Nëpër shkolla, tekste, fjalorë

Veprimtaria pedagogjike e Pecit zë fill në shtator 1909 në trupën mësimore të shkollës së parë Normale në Elbasan, ku jepte lëndët e Shkencave të Natyrës dhe mbaron me detyrën e Ministrit të Arsimit, në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Normalja e parë, vazhdoi aq sa një flakë që shkrepet e fiket, me shpresë për t’u rindezur, por pas mbylljes së saj të parë, skeptik siç qe për shumë gjëra, Peci nuk iu rikthye më aty dhe drejtoi për një vit “Mësonjëtoren e Parë” në Korçë. Përvoja e parë si pedagog si dhe kultura e gjerë, i ngjallën zellin për të hartuar tekste mësimore. Bënte projekte për 24 tekste të fushës së shkencave, por… si çdo ëndërrim i pambështetur prej forcës së parasë, projektet u rudhën vetëm tek një “Viti premtar i gramatikës” për klasat 3-4. Ndërkohë, për 20 vjet, me atë durimin e thneglës që rrokullis barrë të rënda, ai skedoi një leksikon apo fjalor të gjuhës shqipe me rreth 25.000 fjalë e me trajta krahasuese në 4 gjuhë të huaja që ai i njihte mirë. Fjalor që ndodhet në Arkivin e Shtetit, duke pritur ndonjë studim serioz. Siç do të duket edhe në dokumenta të mëvonshme kur ishte ministër, ky jugor i thekur parapëlqen shumë trajta eleksikografi të veriut, duke dëshmuar një vizion krejt modern për mënyrat e formësimit të një gjuhe të përbashkët shkollore. Ai nuk ngutet në parapëlqimet vetjake dhe ngulmon që gjuha letrare të mos formësohet me urdhëra administrativë, por të lihet një kohë e mjaftueshme konkurimi midis dy dialekteve.

Peci në fushën e politikës 

Mbi të gjitha, Peci shkëlqen në fushën e politikës. Qëkurse themeloi “Kombin” dhe derisa mbylli sytë, kudo ku ngjyen penda e gazetarit dhe pasioni i mësuesit, kudo ku ndërhyn humanizmi dhe filantropia e tij, intelekti dhe guximi qytetar, ai shfaqet jo thjesht si një pasues i Rilindasve, por më gjerë, më lart, si një vizionar i drejtimit perëndimor e demokratik të vendit. Në ditët e luftës ballkanike, i ndodhur në Korçën e pushtuar nga grekët, që në rrethana të tilla (kujtojmë edhe vitin 1941) nuk mënonin të rishpallnin “Koricën” helene, Peci gjendet nën një trysni të fortë. Guvernatori ushtarak Kondulis, me gjak fshatari nga arvanitasit që asokohe thirreshin edhe “barbaçe”, u mundua ta joshte me premtime për pronat e Gavrolimnit dhe me para, por kjo “shpirtmadhësi” nuk pinte ujë tek Peci. Nën kërcënime të përditshme, i maskuar si fshatar i rëndomtë mysliman, Peci ikën drejt Vlorës ku magneti i lirisë po thithte cdo ditë grupe patriotësh. Vëzhgues kritik siç qe “i hidhur” e quan Noli, ai dhe të tjerët vënë re se në qeverinë e Ismail Qemalit, shumë gjëra nuk vinin siç duhej. Nëpër zyrat e administratës, flitej e shkruhej ende turqisht, kishte poste parazitare të paguara me rroga të majme… Por ajo që nuk ia falnin plakut të Vlorës, ishte projekti i tij për ndarjen e Shqipërisë në tre kantone, sepse edhe duke qenë e bashkuar ajo rrezikonte copëtimin e jo më e ndarë në kantone. U mendua formimi i një partie opozitare që duhej t’i jepte shtytje qeverisë për reforma të guximshme. Nëpër kujtimet e bashkëkohësve, kjo parti herë quhet Kombëtare e herë Nacional-Liberale. Por projekti mbeti vetëm një ide propagandistike edhe partia nuk u formua. Qeveria e Ismail Qemalit u ndodh nën kërcënimin e një kryengritjeje xhonturke dhe pastaj të Esat Toptanit. Inisiatorët e një opozite politike, midis të cilëve edhe Peci, nuk mund të viheshin në një front me antikombëtarët. Të njëjtin qëndrim mbajti ky grup (Hil Mosi, Dervish Hima, S. Peci, Sabri Qyteza etj) edhe ndaj qeverisë së Princ Vidit, kur ky u kërcënua nga Esat Pasha. Në vitet ’14-’18, me refugjatë të tjerë të mbledhur pas ikjes së Vidit si I.Buletini, S.Nivica, Ç.Topulli, B.Curri, I.Kosturi etj., Peci strehohet në Shkodër, ku bashkë me patriotë vendas të prirë nga Nikollë Ivanaj, krijojnë organizatën “Krahu Kombëtar” që në ato vite, pati një rol tepër të madh. Veprimi politik më i spikatur i Pecit në atë kohë, mbetet të nënvizohet reagimi i tij ndaj konsullit italian De Faccenti, i cili u mundua ta bindte se ishte në dobi të interesit kombëtar shqiptar, që Italia të pushtonte Vlorën e Sazanin, çka duhej përkrahur nga patriotët e “Krahut Kombëtar”. Ai premtoi një ndihmë prej 2000 lirash për “Refugjatët” që vuanin për bukën e gojës. Peci i refuzoi të dyja.

Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Pecin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peci. Ky ngulmoi fort që Haveni ta kuptonte se qeveria e Durrësit dhe delegacioni i saj në Paris ishin lart aspiratave të vërteta të popullit shqiptar. Dokumenti më domethënës për këtë është përgjigja me shkrim që Peci i jep zv/ministrit P.Poga, i cili e pat urdhëruar që, si nënpunës i qeverisë, të mos merrej me veprimtari politike. Ja ç’shkruan Peci, ndër të tjera: Qeveria e dalë nga Kongresi historik i Lushnjes, duke njohur vlerat e Pecit, e futi në kabinetin qeveritar si Ministër të Arsimit. Ishte 47 vjeç dhe mbarte mbi supe jo vetëm përvojë, por mbi të gjitha një figurë të pastër morale. Sipas “Gazeta e Korçës” 12.4.1932, Peci ishte në Lushnje një nga hartuesit kryesorë të Statusit të parë themeltar të shtetit shqiptar. Shumë nene, sidomos ato që flasin për të drejtat e njeriut, u hartuan e u vunë me propozimin e tij. Në vitet që pasuan, Pecin e gjejmë deputet, ministër dhe njërin nga 4 anëtarët e Këshillit të Lartë, apo regjentë siç quheshin.

 

Viti 1924, qëndresa dhe arratija 

Në historinë e Shqipërisë, viti 1924 është nga më të turbulltit e më vendimtarët. Në qershor, erdhi në pushtet qeveria e Fan Nolit. Ndërkohë, Peci mbeti i vetmi nga katër regjentët që nuk u largua. Noli iu bëri kërkesë gjithë vendeve të mëdha ta njihnin qeverinë e tij, mirëpo qeveritë perëndimore, besnike të parimit të tyre për ardhjen në pushtet vetëm me rrugë legale, pra me zgjedhje të lira, nuk mund të pranonin një qeveri të dalë nga një lëvizje e armatosur, aq më shumë kur këtu mpleksej edhe ngutja e qeverisë ruse për ta njohur. Tipik është deklarimi anglez. Meqenëse qeveria e tanishme shqiptare kishte ardhur me forcë, Forign Office nuk ka ndërmend të largohet nga qëndrimi tradicional në raste të këtij lloji. “Në këto rrethana, Peci, që në fillim ishte një nga përkrahësit e lëvizjes, pati një rol kyç si asnjëherë në jetën e vet. Më 1 korrik sipas statutit të Këshillit të Lartë, ia ngarkon Nolit formimin e qeverisë dhe vetë largohet “për arsye shëndetësore”. Vetëm më 3 tetor, pasi pa rrjedhat që po merrte qeverisja, rikthehet nga Dardha në Tiranë. Përderisa qeveria nuk po njihej, me largpamësi Peci ia njeh vetes të drejtën për t’u paraqitur si i vetmi përfaqësues i shtetit legal. Mosmarrëveshjet e Pecit me Nolin, të vjetra dhe pa këtë situatë, kthehen në konflikte të përditshme. Kontradikta kryesore lidhej me legalizimin e qeverisë. Peci mendonte se përderisa njohja e saj po mohohej nga Fuqitë e Mëdha, përderisa Lidhja e Kombeve ia mohoi Shqipërisë një hua të kërkuar prej saj, përderisa vendimi i 28 qershorit për të hyrë në marrëdhënie diplomatike me qeverinë bolshevike shkaktoi një reaksion zinxhir kundërshtimesh në botën tjetër dhe në opinionin publik europian, qeveria u cilësua si “komuniste”, mbetej vetëm një rrugë: legalizimi i qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare. Peci e paralajmëroi Nolin se nuk do t’i nënshkruante asnjë dekret, përveç atij për zgjedhjet parlamentare. Sipas Nolit, ky ishte një qëndrim i hapur pengues që i bëhej revolucionit, i cili gjithë sipas Nolit, dhunës feudale duhej t’i përgjigjej me dhunën e masave kryengritëse. Peci, si liberaldemokrat, ishte kundër çdo dhune. Ai mendonte se si regjent, duhej të qëndronte përmbi klasat e luftrat klasore, me “pa anësinë e lypun” siç shprehej dhe të ruante në çdo rrethanë funksionin e ligjit. Në akuzat e tij, Noli arrin ta quajë Pecin si mik të klasit të bejlerëve dhe të Zogut, por ky është një vlerësim emocional dhe i pabazuar. Me të vërtetë, gjatë Kongresit të Lushnjes, Peci dhe mjaft politikanë të vjetër, e përkrahën Zogun duke parë tek ai një djalosh me të ardhme, por fill pasi ky hyri në Shqipëri me trupat e tij dhe të huaja për ta përmbysur qeverinë e Qershorit me po ato metoda që kishte përdorur edhe ajo, Peci, si besnik i parimit të tij të shenjtë të ligjshmërisë, u largua nga vendi dhe nuk u pajtua deri në fund të jetës me këtë akt të Zogut.

Në vitet 25-32, i dënuar fillimisht si edhe të tjerë me vdekje në mungesë dhe i falur më pas, Peci mbeti një emigrant politik, fillimisht në Itali dhe më pas në Greqi! Megjithëse iu bënë oferta për ofiqe e shpërblime, ai mbeti kokëfortë siç qe në bindjet e veta. I sëmurë e pa mjete financiare për t’u kuruar, i varfër, pa mbushur të 60-të vitet, mbylli sytë në Follorinë më 10 prill 1932. U varros në Korçë, me nderime të mëdha zyrtare, mbi shtratin e një topi. Nuk mund të mohohet, Zogu dinte si të sillej edhe me kundërshtarët e tij…(Dielli Vol. 93,N 2)

 

Filed Under: Featured Tagged With: gazetari, kontributi, patriot, Sotir peci

KONTRIBUTI LETRARO – HISTORIK I DR. SELIM BEQIRIT

April 16, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ/*

Selim Beqiri është një figurë e njohur në botën e shkrimit. Mendimin e tij të shkruar bujarisht dhe me dinjitet shkencor e ka blatuar në Tempullin e Shenjtëruar të Fjalës, ku është pranuar me fisnikëri, sepse e ka merituar. Studiues, doktor i shkencave albanologjike, tash’ e 40 vjet më parë, pjesëmarrës me ligjërata e kumtesa në veprimtari shkencore kombëtare e rajonale, me objekt kryesisht vlerat etnokulturore e atdhetare të Labërisë; me kontribute të vyera për njohjen e vendlindjes, të personaliteteve të ndryshme historikë e socialë, për vlerat morale, vetitë e virtytet e bashkëkrahinorëve të tij; veprimtar i njohur shoqëror, i cili, shfrytëzimin e dobishëm të kohës e ka një nga gjërat më të çmuara – ky telegrafisht ëshët portreti i studiuesit skrupuloz Selim Beqir Beqiri 77 vjeçar, me banim në Tiranë dhe me origjinë nga Tërbaçi i Vlorës, i lindur më 15 maj 1936.               Kontributi i tij letraro – historik ravijëzohet në faktin se, me botimet e realizuara është shfaqur si një studiues konsekuent në dy plane: në zbatimin e parimeve të historizmit dhe në respektim të parimeve estetike të letërsisë, duke e gjetur çelësin e suksesit tek ura harmonike që i lidh tezat e tij themelore historike – etnologjike dhe letrare. Paradigma e veprës së tij të botuar është vërtetësia logjike në funksion të qartësisë kombëtare, në trajtë të lokalizuar, si studiues i mirë, si mësues model, si frymëdhënës i arkivave, si atdhetar i vlefshëm.

Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike / 28 – 30 qershor 1976, organizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Sektori i Etnografisë ishte kuvendi i mendimtarëve të etnokulturës shqiptare. U ligjëruan 53 referate dhe 10 diskutime për kulturën shoqërore dhe kulturën materiale dhe artistike. Krahas korifejve shqiptarë të mendimit me përmasa europiane Aleks Buda e Eqrem Çabej, krahas Mark Krasniqit e Hivzi Islamit nga Prishtina, krahas kualiteteve shkencore shqiptare Stefanaq Pollo, Zija Xholi, Alfred Uçi, Jup Kastrati, Rrok Zojzi, Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, Ismet Elezi, Kristo Frashëri, Aleks Luarasi, Spiro Shkurti, Mark Tirtja, Skënder Anamali, Ramazan Bogdani, Viron Koka, Abaz Dojaka, Gjovalin Shkurtaj, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Yllka Selimaj, Ikbal Bihiku, Llambrini Mitrushi, Beniamin Kruta, Emin Riza, Liviu P. Marcu nga Rumania, Ligor Mile, Jorgji Gjinari, Selami Pulaha, Agron Fico, Koço Nova, Pandi Geço, Fiqiri Haxhiu, Bajram Mejdiaj, Shyqyri Ballvora, Nexhmedin Luari, Hulusi Hako, Zija Shkodra, Riza Drishti, Piro Thomo, Koço Zheku, Vasilika Cicko, Kristaq Angjeli, Edmond Luçi, Naum Guxho, Nimete Qarri, Dhorka Dhamo, Andon Kuqali, Tefik Caushi, Aleksandër Dhima, Nikollë Gjoni, Sami Ferizi, Haxhi Goci, Kahreman Ulqini, Iljaz Kaçaj, Fadil Mehmeti, Henrik Mikopli, Riza Drishti e Dilaver Kurti, tërhoqi vëmendjen e studiesve shqiptarë dhe të huaj dhe referati shkencor i Dr. Selim Beqiri për BESËN, i cili është  botuar në vëllimin me materialet nga Konferenca  Kombëtare e Studimeve Etnografike, Tiranë, 1977, f.275 – 280.

Për kontributet atdhetare e shkencore dhe për virtytet shembullore si njeri, që edukon me veprim e me shembull vetiak në jetë, Selim Beqiri u vlerësua nga Shoqata Atdhetare Mbarëkombëtare “Labëria” me dekoratën më të lartë që kjo shoqatë jep “Personalitet i shquar i Labërisë”. Mësuesi veteran dhe studiuesi koherent S. Beqiri, ashtu i thjeshtë, si e vërteta, shumë korrekt, i pashfaqshëm, i pabujshëm, larg mburrklave e tullumbaceve të fryra me lavdi inekzistente, me një disiplinë shembullore në punën e tij kërkimore – shkencore po i bën një shërbim të madh kulturës së vendlindjes, të Lumit të Vlorës e Labërisë dhe mbarë etnokulturës shqiptare.  Selim Beqiri: me librin më të ri “Humor dhe mençuri, Legjenda e Simbole Trimërie Tërbaçiote”- pjesa mbi ujë e ajsbergut: “Krijimtaria popullore tërbaçiote” fantazi, humor, fragmente simbolesh nga këngë epiko – historike po nxjerr në dritë thesare nga miniera e pasur e krijimtarisë dhe trashëgimisë shpirtërore të popullit tone në rrjedhat e kohës.  Nuk kam ndërmend të shkruaj për monografitë e tij aq të mirëpritura: për “Gjeneralin fisnik”, as për atë në nderim të bujarit – Resul Veliu,- që ka përmasat e një heroi vërtet vigan të Lirisë, as për “Banën” – kushtuar njërës nga trimëreshat e Tërbaçit, nënë Rabihanës së bardhë e të rrallë, as edhe për të veçantin libër – “Trashëgimia”, ku përfshihen dy pjesë: “Besa dhe besëlidhjet” dhe “Tërbaçi – Fjalorth historiko-gjeografik”, as për traktatin historik, edhe pse vetëm me 113 faqe kërkimore – shkencore-“Si u krijua e si mbijetoi Tërbaçi”, as për monografinë “Luftëtar brez pas brezi – Merkoselimajt”, të cilat autori i quan punime modeste edhe pse ato kanë sinqerisht vlera të çmuara kulturore e në respekt të zakoneve më të mira e të traditës së vyer që kemi trashëguar deri më sot.  Është një botim i ri dhe pikërisht libri: “Humor dhe mençuri, Fantazi e Simbole Trimërie tërbaçiote” që të thotë: NDERO VETEN! Sipas Fjalorit Enciklopedik Letrar me krijimtari popullore ose folklor kuptojmë veprat poetike e tregimtare të krijuara nga autorë popullor anonimë, që kanë kaluar gojë më gojë. Mund të përkufizohet shkurtazi letërsi gojore e popullit…Të krijuara që në kohërat e lashta, ato kalojnë me anë të rapsodëve, bardëve dhe secili prej tyre i plotëson ose i ndryshon. Vetvetiu buron një krijimtari e motivuar tek autori, sepse gjeografia e krijimtarisë është pikërisht treva jonë e dashur tërbaçiote, libri është një “dritësi flake”, në qoftë se mundem të përdor një shprehje nderimi burimore të poetit të njohur lab Agim Shehu.Do të mjaftonte ky libër që Selim Beqiri të quhet një gjurmues, vjelës e studiues cilësor i kësaj veprimtarie krijuese, që e ka mbajtur të gjallë, të freskët e të shëndetshme shpirti i artë popullor.Jam munduar të jem sa më pak, mundësisht, por e pamundur aspak subjektiv, në vlerësimin tim për profilin e autorit. Ky botim është një gur qosheli në ndërtesën e historiografisë shkencore, gjuhësore, letrare e historike të Tërbaçit, sepse plotëson një zbrazëtirë të ndjeshme në kulturën e shkruar. Autori nuk është një regjistrues emocional i materialit argumentiv kulturor, por edhe vlerësues objektiv e kritik i tyre dhe model për t’u ndjekur nga disa shkrues hapaçelë, që edhe në malore i fusin të pestin me botimet e tyre. Me botimin e dhjetë legjendave të dëgjuara e me jehonë, me ato relikte të çmuara mbijetese, shpalosen vlera me interes për fushën etnofolklorike-tërbaçiote…Humori miqësor që ka përzgjedhur autori në këtë libër është si sherbet për bakllava, ndërsa ato pakëz këngë të zgjedhura popullore, me motive trimërie, janë tamam si ato hojet e mjaltit nga kosherja e gurrës popullore, aq gjëmimtare sa vetë emrat lavdimëdhej të bijve viganë të Tërbaçit tonë me nderim sa dielli. Punimet dhe botimet e Selim Beqirit pasurojnë antologjinë e poezisë gojore shqiptare; kopështit të lulëzuar të prozës popullore i shtojnë fidanë të gjelbër dhe të shëndetshëm dhe i ndrisin si gjerdan I bukur për gushe Etnologjisë së Vendit të Shqipeve.

*) Ne Foto: Albert Habazaj. Drejtor i Bibliotekës “ Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, i Seqlim Beqirit, kontributi, Letrar e Muzikor

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT