Nga Albert HABAZAJ/*
Selim Beqiri është një figurë e njohur në botën e shkrimit. Mendimin e tij të shkruar bujarisht dhe me dinjitet shkencor e ka blatuar në Tempullin e Shenjtëruar të Fjalës, ku është pranuar me fisnikëri, sepse e ka merituar. Studiues, doktor i shkencave albanologjike, tash’ e 40 vjet më parë, pjesëmarrës me ligjërata e kumtesa në veprimtari shkencore kombëtare e rajonale, me objekt kryesisht vlerat etnokulturore e atdhetare të Labërisë; me kontribute të vyera për njohjen e vendlindjes, të personaliteteve të ndryshme historikë e socialë, për vlerat morale, vetitë e virtytet e bashkëkrahinorëve të tij; veprimtar i njohur shoqëror, i cili, shfrytëzimin e dobishëm të kohës e ka një nga gjërat më të çmuara – ky telegrafisht ëshët portreti i studiuesit skrupuloz Selim Beqir Beqiri 77 vjeçar, me banim në Tiranë dhe me origjinë nga Tërbaçi i Vlorës, i lindur më 15 maj 1936. Kontributi i tij letraro – historik ravijëzohet në faktin se, me botimet e realizuara është shfaqur si një studiues konsekuent në dy plane: në zbatimin e parimeve të historizmit dhe në respektim të parimeve estetike të letërsisë, duke e gjetur çelësin e suksesit tek ura harmonike që i lidh tezat e tij themelore historike – etnologjike dhe letrare. Paradigma e veprës së tij të botuar është vërtetësia logjike në funksion të qartësisë kombëtare, në trajtë të lokalizuar, si studiues i mirë, si mësues model, si frymëdhënës i arkivave, si atdhetar i vlefshëm.
Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike / 28 – 30 qershor 1976, organizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Sektori i Etnografisë ishte kuvendi i mendimtarëve të etnokulturës shqiptare. U ligjëruan 53 referate dhe 10 diskutime për kulturën shoqërore dhe kulturën materiale dhe artistike. Krahas korifejve shqiptarë të mendimit me përmasa europiane Aleks Buda e Eqrem Çabej, krahas Mark Krasniqit e Hivzi Islamit nga Prishtina, krahas kualiteteve shkencore shqiptare Stefanaq Pollo, Zija Xholi, Alfred Uçi, Jup Kastrati, Rrok Zojzi, Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, Ismet Elezi, Kristo Frashëri, Aleks Luarasi, Spiro Shkurti, Mark Tirtja, Skënder Anamali, Ramazan Bogdani, Viron Koka, Abaz Dojaka, Gjovalin Shkurtaj, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Yllka Selimaj, Ikbal Bihiku, Llambrini Mitrushi, Beniamin Kruta, Emin Riza, Liviu P. Marcu nga Rumania, Ligor Mile, Jorgji Gjinari, Selami Pulaha, Agron Fico, Koço Nova, Pandi Geço, Fiqiri Haxhiu, Bajram Mejdiaj, Shyqyri Ballvora, Nexhmedin Luari, Hulusi Hako, Zija Shkodra, Riza Drishti, Piro Thomo, Koço Zheku, Vasilika Cicko, Kristaq Angjeli, Edmond Luçi, Naum Guxho, Nimete Qarri, Dhorka Dhamo, Andon Kuqali, Tefik Caushi, Aleksandër Dhima, Nikollë Gjoni, Sami Ferizi, Haxhi Goci, Kahreman Ulqini, Iljaz Kaçaj, Fadil Mehmeti, Henrik Mikopli, Riza Drishti e Dilaver Kurti, tërhoqi vëmendjen e studiesve shqiptarë dhe të huaj dhe referati shkencor i Dr. Selim Beqiri për BESËN, i cili është botuar në vëllimin me materialet nga Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike, Tiranë, 1977, f.275 – 280.
Për kontributet atdhetare e shkencore dhe për virtytet shembullore si njeri, që edukon me veprim e me shembull vetiak në jetë, Selim Beqiri u vlerësua nga Shoqata Atdhetare Mbarëkombëtare “Labëria” me dekoratën më të lartë që kjo shoqatë jep “Personalitet i shquar i Labërisë”. Mësuesi veteran dhe studiuesi koherent S. Beqiri, ashtu i thjeshtë, si e vërteta, shumë korrekt, i pashfaqshëm, i pabujshëm, larg mburrklave e tullumbaceve të fryra me lavdi inekzistente, me një disiplinë shembullore në punën e tij kërkimore – shkencore po i bën një shërbim të madh kulturës së vendlindjes, të Lumit të Vlorës e Labërisë dhe mbarë etnokulturës shqiptare. Selim Beqiri: me librin më të ri “Humor dhe mençuri, Legjenda e Simbole Trimërie Tërbaçiote”- pjesa mbi ujë e ajsbergut: “Krijimtaria popullore tërbaçiote” fantazi, humor, fragmente simbolesh nga këngë epiko – historike po nxjerr në dritë thesare nga miniera e pasur e krijimtarisë dhe trashëgimisë shpirtërore të popullit tone në rrjedhat e kohës. Nuk kam ndërmend të shkruaj për monografitë e tij aq të mirëpritura: për “Gjeneralin fisnik”, as për atë në nderim të bujarit – Resul Veliu,- që ka përmasat e një heroi vërtet vigan të Lirisë, as për “Banën” – kushtuar njërës nga trimëreshat e Tërbaçit, nënë Rabihanës së bardhë e të rrallë, as edhe për të veçantin libër – “Trashëgimia”, ku përfshihen dy pjesë: “Besa dhe besëlidhjet” dhe “Tërbaçi – Fjalorth historiko-gjeografik”, as për traktatin historik, edhe pse vetëm me 113 faqe kërkimore – shkencore-“Si u krijua e si mbijetoi Tërbaçi”, as për monografinë “Luftëtar brez pas brezi – Merkoselimajt”, të cilat autori i quan punime modeste edhe pse ato kanë sinqerisht vlera të çmuara kulturore e në respekt të zakoneve më të mira e të traditës së vyer që kemi trashëguar deri më sot. Është një botim i ri dhe pikërisht libri: “Humor dhe mençuri, Fantazi e Simbole Trimërie tërbaçiote” që të thotë: NDERO VETEN! Sipas Fjalorit Enciklopedik Letrar me krijimtari popullore ose folklor kuptojmë veprat poetike e tregimtare të krijuara nga autorë popullor anonimë, që kanë kaluar gojë më gojë. Mund të përkufizohet shkurtazi letërsi gojore e popullit…Të krijuara që në kohërat e lashta, ato kalojnë me anë të rapsodëve, bardëve dhe secili prej tyre i plotëson ose i ndryshon. Vetvetiu buron një krijimtari e motivuar tek autori, sepse gjeografia e krijimtarisë është pikërisht treva jonë e dashur tërbaçiote, libri është një “dritësi flake”, në qoftë se mundem të përdor një shprehje nderimi burimore të poetit të njohur lab Agim Shehu.Do të mjaftonte ky libër që Selim Beqiri të quhet një gjurmues, vjelës e studiues cilësor i kësaj veprimtarie krijuese, që e ka mbajtur të gjallë, të freskët e të shëndetshme shpirti i artë popullor.Jam munduar të jem sa më pak, mundësisht, por e pamundur aspak subjektiv, në vlerësimin tim për profilin e autorit. Ky botim është një gur qosheli në ndërtesën e historiografisë shkencore, gjuhësore, letrare e historike të Tërbaçit, sepse plotëson një zbrazëtirë të ndjeshme në kulturën e shkruar. Autori nuk është një regjistrues emocional i materialit argumentiv kulturor, por edhe vlerësues objektiv e kritik i tyre dhe model për t’u ndjekur nga disa shkrues hapaçelë, që edhe në malore i fusin të pestin me botimet e tyre. Me botimin e dhjetë legjendave të dëgjuara e me jehonë, me ato relikte të çmuara mbijetese, shpalosen vlera me interes për fushën etnofolklorike-tërbaçiote…Humori miqësor që ka përzgjedhur autori në këtë libër është si sherbet për bakllava, ndërsa ato pakëz këngë të zgjedhura popullore, me motive trimërie, janë tamam si ato hojet e mjaltit nga kosherja e gurrës popullore, aq gjëmimtare sa vetë emrat lavdimëdhej të bijve viganë të Tërbaçit tonë me nderim sa dielli. Punimet dhe botimet e Selim Beqirit pasurojnë antologjinë e poezisë gojore shqiptare; kopështit të lulëzuar të prozës popullore i shtojnë fidanë të gjelbër dhe të shëndetshëm dhe i ndrisin si gjerdan I bukur për gushe Etnologjisë së Vendit të Shqipeve.
*) Ne Foto: Albert Habazaj. Drejtor i Bibliotekës “ Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA