• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Senati shpall të pafajshëm ish-Presidentin Trump

February 13, 2021 by dgreca

Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm.

Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit.

TRUMP PËRSËRI I MBIJETON GJYQIT NË SENAT

Është hera e dytë në 12 muaj që zoti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat kundër tij. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik. 

Zoti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, prandaj ishte e qartë se ngritja e akuzës për nxitje rebelimi kundër tij nuk do të përdorej dot për heqjen e tij nga detyra.

Por demokratët kishin shpresuar që, duke e shpallur atë fajtor ta mbanin atë përgjegjës për sulmin në Kapitol që la pesë të vdekur, përfshirë një oficer policie dhe të përgatisnin terrenin për ta ndaluar atë që të shërbejë përsëri në një post publik. Duke pasur parasysh mundësinë që zoti Trump të vijë përsëri në një post publik në të ardhmen, argumentuan ata, ai nuk do të hezitonte të inkurajonte përsëri dhunën politike.

Republikanët e shpëtuan ish-presidentin Trump edhe në votimin e 5 shkurtit 2020, në gjyqin e mëparshëm për shpalljen e tij fajtor, kur vetëm një senator nga radhët e tyre – Mitt Romney – votoi për fajësmin dhe heqjen e tij nga posti.

Drama në Senat u zhvillua në sfondin e ndarjeve të thella në linja politike, në planin racor dhe socio-ekonomik, ndërkohë që vendi është goditur rëndë nga pandemia.

Gjyqi solli një luftë të mëtejshme partiake, edhe pse Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën në 20 janar ka premtuar shërim dhe unitet pas katër viteve të trazuara të paraardhësit të tij në pushtet dhe një fushate elektorale të tensionuar.

Zoti Trump, 74 vjeç, vazhdon të mbajë nën kontroll partinë e tij me kredon populiste të djathtë dhe mesazhin “Amerika e para”. Ai ka shqyrtuar mundësinë për të kandiduar përsëri për president në vitin 2024.

Trump është presidenti i tretë në histori ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për ta shpallur fajtor – një hap i ngjashëm me një aktakuzë penale – si dhe i pari ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza të tilla si dhe i pari që përballej me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra.

Deri më sot Senati ende nuk ka shpallur fajtor ndonjë president ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqëasuesve.

Demokratët vendosën të mos i ndryshojnë planet për ta vazhduar procesin, pavarësisht se e dinin se kjo mund të hedhë hije mbi javët e para yepër të rëndësishme të presidencës Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën kundër zotit Trump më 13 janar dhe 10 republikanë iu bashkuan shumicës demokrate të Dhomës. Votimi erdhi një javë pasi turma pro-Trump sulmoi Kapitolin, ndërpreu çertifikimin zyrtar në Kongres për fitoren e zotit Biden, u përlesh me policinë e vogël në numër, hyri në sallat solemne të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe bëri që ligjvënësit të largoheshin me shpejtësi për në një objekt të sigurt brenda perimetrit të Kongresit.

REAGON ISH PRESIDENTI TRUMP

Ish Presidenti Donald Trump tha të shtunën se gjyqi në Senat kundër tij ishte një fazë tjetër e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë”.

Zoti Trump e bëri komentin në një deklaratë, pasi Senati e shpalli atë të pafajshëm, në një gjyq ku republikanët e mbrojtën atë nga përgjegjësia për sulmin vdekjeprurës të 6 janarit nga mbështetësit e tij në Kapitol.

ARGUMENTET PËRMBYLLËSE

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe pala mbrojtëse paraqitën të shtunën pasdite argumentet e tyre përmbyllëse pro dhe kundër.

Në argumentet e tyre, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan senatorëve që ta shpallin zotin Trump përgjegjës lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit.

Prokurori kryesor demokrat, ligjvënësi Jamie Raskin, tha se turma e 6 janarit veproi sipas udhëzimeve të zoti Trump dhe me miratimin e tij, duke shtuar se ish-presidenti dështoi të mbrojë ligjvënësit apo ish-nënpresidentin e zgjedhur nga ai vetë. 

“Nëse kjo nuk përbën një bazë për fajësim, nëse ky nuk është një krim i rëndë dhe si dhe një akt i paligjshëm kundër republikës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë asgjë tjetër nuk mund të jetë. Presidenti Trump duhet të dënohet për të garantuar sigurinë e demokracisë dhe popullit tonë”, tha ai.

Avokatët e zotit Trump, kanë argumentuar se gjyqi nuk duhej të ishte mbajtur, sepse zoti Trump nuk ishte më në detyrë dhe thanë se komentet e tij në fjalimin që i parapriu trazirave ishin të mbrojtura nga amentamenti i parë i Kushtetutës.

Michael van der Veen, një nga avokatët e zotit Trump, tha se ndaj klientit të tij nuk po zhvillohej një proces i rregullt dhe se zoti Trump nuk kishte nxitur dhunë. 

“Pavarësisht se po shohim pamje me të vërtetë të tmerrshme lidhur me sjelljen e protestuesve kjo nuk ndryshon faktin që zoti Trump është i pafajshëm për akuzat kundër tij”, tha ai. “Akti i nxitjes nuk ka ndodhur kurrë”. 

Demokratët kanë hedhur poshtë ato argumente, duke përfshirë dhe pohimin se ndaj ish-presidenti nuk u zhvillua një proces i rregullt ligjor. 

ÇËSHTJA E DËSHMITARËVE

Përpara kësaj, Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse.

Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyq.

Përplasjet e minutës së fundit për dëshmitarët ishin pasojë e komenteve të bëra të premten në mbrëmje nga një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy, që demokratët thonë se është dëshmia e indiferencën së zotit Trump ndaj dhunës në Kapitol.

Fillimisht në Senat po diskutohej nëse duhej të thirrej për të dëshmuar ligjvënësja Jaime Herrera Beutler, një nga 10 republikanët që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë të premten vonë ajo tha se zoti Trump kishte kundërshtuar një lutje të zotit McCarthy për t’i ndalur protestuesit. Demokratët e konsiderojnë atë një provë kyçe që konfirmon se presidenti ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.

Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes dhe madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm.

Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.

Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë “guximi” menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.

Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.

“Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë”, u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e ti.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Pafajsi, Presidenti Trump, senati

Vota në Senat: Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump është kushtetues

February 9, 2021 by dgreca

Nga Ken Bredemeier-VOA/

 Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi.

Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. 

Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.

Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.

Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të “luftonin fort” për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.

Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.

Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.

100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i quajti akuzat kundër zotit Trump “më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane”. Ish-Presidenti republikan u akuzua më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët për nxitje të rebelimit, duke u bërë kështu i vetmi president që akuzohet dy herë dhe i vetmi ish-president që përballet me një gjyq në Senat.

Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, i cili drejton akuzën, tha se nëse senatorët nuk dënojnë ish-Presidentin Trump, atëherë presidentët do të krijonin një “përjashtim të janarit” që do t’u lejonte atyre të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar në muajin e fundit të mandatit.

“Përjashtimi i janarit është një ftesë për makthin më të keq të themeluesve tanë… Ne rrezikojmë që 6 janari të bëhet e ardhmja jonë”, i tha ai gjyqit, në të cilin senatorët shërbejnë si anëtarë të trupës gjykuese.

Avokatët e mbrojtjes planifikojnë të argumentojnë se vetëm një president në detyrë mund të gjykohet në Kongres.

Por shumica e ekspertëve ligjorë thonë se gjykimi është kushtetues, edhe pasi një zyrtar ka lënë detyrën, siç u shpreh profesori i drejtësisë i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Brian Kalt, një studiues kryesor i këtij procesi.

Demokratët e Senatit pritet të mbizotërojnë në votimin e së martës mbrëma mbi kushtetueshmërinë e gjyqit. Një përpjekje republikane për ta bllokuar gjyqin mbi një bazë të tillë u rrëzua muajin e kaluar në një votim që përfundoi 55-45.

Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t’u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor.

Në këto kushte, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Por pavarësisht rezultatit zoti Trump do të jetë i vetmi president në historinë më shumë se dy shekullore amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin nga Senati.

Një javë pas sulmit në Kapitol, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 232 vta pro dhe 197 kundër, për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zoti Trump. 10 republikanë iu bashkuan të 222 demokratëve, duke akuzuar zotin Trump për “nxitje rebelimi”.

Me përfundimin e mandatit të tij, më 20 janar, ditë kur u inaugurua Presidenti i ri i vendit Joe Biden, zoti Trump u nis drejt Floridës.

Ish-Presidenti ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin kundër tij në Senat dhe nuk pritet të marrë pjesë në të. Gjyqi mund të zgjasë një javë ose më shumë.

Nëntë ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët shërbejnë si prokurorë të çështjes, thonë se zoti Trump, falë nxitjes së mbështetësve për të msyrë drejt Kapitolit, për të përmbysur humbjen në zgjedhje, është “i vetmi përgjegjës” për trazirat që pasuan.

Zoti Trump u kërkoi mbështetësve të vinin në Uashington më 6 janar, duke folur rreth një zhvillimi që e përkufizoi si “të papranueshëm”. Në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë pak përpara se mbështetësit e tij të niseshin drejt Kapitolit, zoti Trump vazhdoi me breshërinë e pretendimeve të tij të pabazuara, të hedhura për javë të tëra për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, i kushtuan atij mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fjalimit të tij që zgjati më shumë se një orë, zoti Trump u tha mbështetësve “që në mënyrë paqësore e patriotike të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen” duke marshuar drejt Kapitolit.

Por ai gjithashtu i inkurajoi ata duke u thënë: “Vendi ynë ka duruar boll. Ne nuk do të durojmë më dhe e gjitha kjo është për këtë qëllim. Dhe, për të përdorur një term të preferuar nga të gjithë ju, ne do ta ndalim vjedhjen”.

“Ne do të luftojmë”, shtoi ai. “Ne do të luftojmë fort dhe nëse nuk luftojmë kështu, nuk do të kemi më shtet”, tha zoti Trump.

Në një argumentim ligjor të çështjes përpara gjyqit në Senat, prokurorët e çështjes thanë se: “Përgjegjësia e Presidentit Trump për ngjarjet e 6 janarit është e qartë” dhe se “sjellja e tij duhet të deklarohet e papranueshme në mënyrë të qartë e pa mëdyshje”, edhe pse ai nuk është më në detyrë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mundëson heqjen e zyrtarëve të gjetur fajtorë për “krime dhe shkelje të rënda”. David Schoen dhe Bruce Castor, dy avokatët me eksperiencë që do të përfaqësojnë zotin Trump, argumentojnë se duke qenë se ai nuk është më president, ai nuk mund të hiqet nga detyra dhe se gjyqi ndaj tij është anti-kushtetues.

Sidoqoftë, Senati ka zhvilluar në të kaluarën gjyqe për ish-zyrtarë, duke mos u lejuar të shmangin një gjyq për shkelje të mundshme nëpërmjet dorëheqjes, siç ndodhi në një rast të vitit 1876, ose në rastin e zotit Trump, që la detyrën sepse i kishte mbaruar mandati. Për më tepër, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve argumentojnë se zoti Trump nxiti trazirat dhe u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ishte ende në detyrë.

Senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, një mbështetës i vendosur i zotit Trump, u përpoq të bllokonte gjyqin për arsye të tilla kushtetuese, por pesë republikanë u bashkuan me të 50 senatorët demokratë në votimin 55 me 45 për ta vazhduar procesin. Por votimi gjithashtu sinjalizoi se mbështetja republikane për pafajësinë e zotit Trump mbetet e konsiderueshme, e mjaftueshme për të bllokuar shpalljen e tij fajtor.

Senatori Paul thotë se ekzistojnë “zero shanse për dënimin e tij”. Nëse zoti Trump do të shpallej fajtor, Senati, me një shumicë të thjeshtë votash, mund t’i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike në të ardhmen.

Të martën, avokatët e zotit Trump dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë sërish si prokurorë, debatuan për kushtetueshmërinë e zhvillimit të gjyqit.

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të fillojnë të paraqesin argumentet e tyre të mërkurën, ndoshta duke shfaqur disa nga xhirimet e marra gjatë orëve të trazirave.

Në vazhdim, avokatët e presidentit do të përgjigjen me mbrojtjen e tij. Sipas një marrëveshjeje të njoftuar të hënën nga udhëheqësit e kongresit, secila palë do të ketë 16 orë përgjatë dy ditëve për të paraqitur argumentet.

Avokatët e zotit Trump kanë ngritur një mbrojtje të fuqishme dhe pretendojnë se ish-presidenti nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi më 6 janar.

Në një material përmbledhës të paraqitur të hënën, ata pretenduan se çështja kundër tij është një “teatër politik” i demokratëve anti-Trump. Avokatët e zotit Trump sugjeruan se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij të garantuar në kushtetutë për fjalën e lirë, kur ai kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thanë se ai inkurajoi qartazi mbështetësit e tij për t’u angazhuar në një protestë paqësore.

“Përkundrazi, kjo ishte vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që përfshinë të gjithë amerikanët nga mbarë spektri politik, kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra persona”, shkruajnë avokatët. “Në vend që të veprojnë për të shëruar kombin, ose të paktën duke u përqëndruar në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kapitolin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve (Nancy Pelosi) dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitim politik”, shkruajnë ata.

Në përgjigje, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë thanë se, “Ne jetojmë në një vend të qeverisur nga shteti ligjor, dhe jo nga dhuna e turmës e nxitur nga presidentë që nuk pranojnë dot humbjen në zgjedhje”.

“Provat për sjelljen e Presidentit Trump janë të shumta”, shkruajnë ata. “Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme për veprimet e tij. Dhe përpjekjet e tij për t’i shpëtuar përgjegjësisë janë krejtësisht të kota. Siç thuhet në akuzë, Presidenti Trump shkeli betimin e detyrës së tij dhe tradhtoi popullin amerikan”, shkruajnë prokurorët.

Filed Under: Analiza Tagged With: gjyqi, Presidenti Trump, Vota ne Senat

Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë

January 20, 2021 by dgreca

Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida. 

Pas mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash. 

Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri. 

E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë. 

“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”. 

Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar. 

Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”. 

Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina. 

“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”. 

Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president. 

Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij. 

Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Largimi, Presidenti Trump, shtepia e bardhe

Presidenti Trump-Thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden…

January 19, 2021 by dgreca

Në fjalën e lamtumirës, Presidenti Trump uron administratën e re/

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë”, tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. “Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme.”

Presidenti Trump nuk e ka pranuar kurrë plotësisht humbjen ndaj demokratit Biden, i cili fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 votave të zotit Trump. Presidenti në largim nuk do të takohet me zotin Biden para inaugurimit të demokratit në mesditën e së mërkures. Në vend të takimit me zotin Biden, Donald Trump ka planifikuar udhëtimin për në Florida, ku ai pritet të banojë pas mbarimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump bëri fushatë me premtim për ta bërë “Amerikën të madhe përsëri”por largohet nga detyra në një kohë kur mbi 400,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi, rrezikun e të cilit ai e minimizoi, ekonomia vazhdon të vuajë pasojat e pandemisë dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkura me aleatët e saj kryesorë vazhdojnë të jenë të tensionuara.

“Rreziku më i madh me të cilin përballemi është humbja e besimit në veten tonë, humbja e besimit në madhështinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump. “Amerika nuk është një vend i ndrojtur i shpirtrave të dobët që duhet të ruhen dhe të mbrohen nga ata me të cilët ne nuk jemi dakord”.

Presidenti Trump është ngujuar në Shtëpinë e Bardhë në javët e fundit të mandatit të tij, i zemëruar pas protestës së dhunshme nga mbështetësit e tij në Kapitol që la pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.

Dhuna, e cila pasoi një tubim në të cilin Presidenti Trump përsëriti akuzat e rreme për manipulim të zgjedhjeve, ka lënë në hije çdo përpjekje për të nënvizuar trashëgiminë e presidentit në ditët e tij të fundit në detyrë.

Në fjalimin e regjistruar më parë, Presidenti Trump u përpoq të nxirrte në pah aspektet e presidencës së tij me të cilat ai ishte krenar.

“Ne bëmë atë për të cilën erdhëm këtu, dhe shumë më tepër”, tha ai. “Unë zgjodha betejat e vështira, çështjet më të vështira, zgjedhjet më të vështira, sepse ju më zgjodhët për ta bërë këtë”.

Presidenti Trump vuri në dukje marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme, të ndërmjetësuara nga administrata e tij dhe lavdëroi axhendën e tij të politikës së jashtme.

“Ne ringjallëm aleancat tona dhe bashkuam kombet e botës për t’i bërë ballë Kinës si kurrë më parë,” tha ai. “Unë jam veçanërisht krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re.”

Presidenti Trump, i cili largohet mes përçarjeve të thella në vend, përmendi protestën e dhunshme në Kapitol, të cilën ai nuk e dënoi menjëherë pasi ndodhi më 6 janar.

“Të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Kapitolit tonë. Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne si amerikanë e vlerësojmë. Nuk mund ta tolerojmë kurrë (dhunën)”, tha ai.

Dhe presidenti, ish-këshilltarët e të cilit parashikojnë se ka dëmtuar të ardhmen politike pas trazirave, sugjeroi se lëvizja e tij do të vazhdonte. “Tani, ndërsa jam duke u përgatitur t’ia dorëzoj pushtetin një administrate të re në mesditën e së mërkurës, dua që ju ta dini se lëvizja që kemi filluar vetëm sa ka filluar”,tha zoti Trump.

“Unë largohem nga ky vend madhështor me një zemër besnike, të gëzueshme, një frymë optimiste dhe një besim të fortë se për vendin tonë dhe për fëmijët tanë, do të vijnë ditë më të mira.”(kortezi-VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: per administration e re, Presidenti Trump, Thirrje per Lutje

Presidenti Trump nënshkroi paketën financiare

December 28, 2020 by dgreca

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të dielën një paketë financiare prej 2.3 trilionë dollarësh që përfshin 900 miliardë për lehtësimin e pasojave të koronavirusit dhe 1.4 trilionë për financimin e qeverisë deri në shtatorin e ardhshëm.

Ai e nënshkroi projektligjin ndërsa po afrohej afati për mbylljen e mundshme të qeverisë amerikane. Presidenti Trump e kishte quajtur projektligjin “të turpshëm”.

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati kishin dhënë miratimin e tyre pas shumë muaj negociatash, në të cilat presidenti Trump ishte i përfshirë shumë pak.

Kundërshtimet e tij habitën shumë zyrtarë të përfshirë në këtë proces, të cilët menduan se presidenti do të mbështeste masën e financimit. Pa nënshkrimin e presidentit Trump, një mbyllje e pjesshme e qeverisë do të kishte filluar të martën, ndërsa asistenca e rritur e papunësisë dhe mbrojtjet nga dëbimi për ata që nuk mund të paguajnë qeranë e banesave skaduan të dielën në mëngjes.

“Nënshkrimi i ligjit dypartiak, është një lajm i mirëpritur për katërmbëdhjetë milionë amerikanë që sapo humbën asistencën e papunësisë në fundjavën e Krishtlindjes dhe për miliona të tjerë që përpiqen të mbijetojnë gjatë kësaj krize historike pandemike dhe ekonomike”, tha në një deklaratë të dielën vonë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e vlerësoi veprimin e presidentit Trump për parandalimin e “një mbylljeje të qeverisë në një kohë kur vendi ynë nuk mund ta kishte përballuar një gjë të tillë”.

“Paketa dypalëshe e shpëtimit që Republikanët në Kongres dhe Administrata Trump negociuan me Demokratët do të ofrojë një mjet tjetër shpëtimi për punëtorët në bizneset e vogla të goditura rëndë, do të zgjasë masat lehtësuese për amerikanët e pushuar nga puna, do të investojë miliarda dollarë shtesë në shpërndarjen e vaksinave, do të dërgojë pagesa direkte për familjet amerikane dhe më shume. Projektligji i kompromisit nuk është i përsosur, por do të ofrojë një ndihmë të madhe për amerikanët n; mbarë vendin”, tha zoti McConnell.

Vërejtjet kryesore të presidenti Trump kishin të bënin me pagesat direkte prej 600 dollarësh për amerikanët, që ai i cilësoi të pamjaftueshme, si dhe me fondet për programe të shumta qeveritare si ndihma e huaj dhe kërkimet shkencore.

“Si president, unë i kam thënë Kongresit se dua shumë më pak shpenzime të kota dhe më shumë para për amerikanët në formën e çeqeve prej 2 mijë dollarësh për të rriturit dhe 600 dollarë për fëmijët”, tha presidenti Trump.

Kërkesa për rritjen e shumës së ndihmave u pa si një kritikë ndaj vetë anëtarëve të Partisë së tij Republikane, të cilët u kishin rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të negociuar pagesa më të mëdha.

Kongresi planifikon që të hënën të kthehet në punë, duke ndërprerë pushimin e zakonshëm të Krishtlindjes për të diskutuar rrëzimin e vetos së presidentit Trump ndaj një projektligji prej 740 miliardë dollarësh që autorizon programet e mbrojtjes së vendit. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e miraton, Senati mund të votojë mbi këtë masë që të martën. Procesi kërkon votat e dy të tretave në të dy dhomat në mënyrë që vetoja presidenciale të rrëzohet.

Presidenti Trump e ka kritikuar ligjin për mbrojtjen në disa aspekte, duke pretenduar pa dhënë shpjegime se ligji ndihmon Kinën, si dhe ka kërkuar heqjen e frazave që lejojnë ndryshimin e emrave të bazave ushtarake që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës. Ai gjithashtu ka kërkuar shtimin e një klauzole që e bën më të lehtë paditjen e kompanive të medieve sociale për materiale të publikuara nga përdoruesit e tyre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veton e Presidentit Trump “një gjest tronditës shpërfilljeje që dëmton trupat ushtarake të vendit”.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: Firmosi paketen financiare, Presidenti Trump

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Carol Laska, the Veteran of Albanian Worcester Festival recalls how it started and why it’s going on for 40 years
  • “Ismail Qemali”, ati themeltar i shtetit modern shqiptar nderohet në New York
  • 10 vjetori i Vatrës Queens, Editori i Diellit 2009-2021 Dalip Greca shpallet Kryetar Nderi i përjetshëm
  • KRYETARI I VATRES TE “ZERI I AMERIKES”: Vatra, thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë kërkesat e Uashingtonit  
  • MID’HAT FRASHËRI DHE PËRPJEKJET E TIJ PËR TË NDALUAR SPASTRIMIN ETNIK NË ÇAMËRI DHE TROJET E TJERA SHQIPTARE
  • Gjergj Fishta – Përsiatje pas rileximit
  • “AULONA FESTIVAL” DHE VLORA, SËRISH JA BËNË FORA
  • “Festivali Shqiptar” bashkoi mijëra shqiptarë në emërtimin e rrugës “Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” në Worcester, Massachusetts
  • “ISMAIL QEMALI” VJEN NESËR NË STATEN ISLAND, NEW YORK
  • ´´Këta janë Mjekët shqiptarë me Misionin e ngritjes së shëndetësisë shqiptare: Kontributi shkencor vullnetar i Federatës´´
  • Presidentja Osmani takoi Presidentin Macron, Kancelarin Scholz dhe përfaqësuesin e lartë Borrell
  • SINTAGMA “ZBRITJE NGA MALET”
  • Romanca e Aleksandrit
  • Milicia fashiste që sulmon Kosovën*…
  • MIDHAT FRASHËRI DHE ALBANOLOGJIA*

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT