• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI META DEKORON ANSAMBLIN”DIBRA”, PARLAMENTI I RAMES E SHKARKON…

June 9, 2021 by dgreca

Presidenti Meta dekoron Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu” me Titullin “Naim Frashëri”: Rol të pazëvendësueshëm për transmetimin e vlerave dhe traditave kulturore kombëtare tek brezat e rinj/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri” Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”, me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”.

Po ashtu, Kreu i Shtetit dekoroi presidentin e Ansamblit dibran me Titullin “Mjeshtër i Madh”, zotin Muharrem Gjoka, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë dhe mbështetjes së shumanshme në lartësimin kulturës kombëtare, vlerave atdhetare, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare, veçanërisht asaj dibrane, si dhe të kontributit të veçantë në zhvillimin dhe përparimin e vendit.”;

si dhe koreografin e shquar Avni Ndreu “Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh:

“Po bëhet gati një vit, që nga festa e bukur e Kuvendit në Zall-Dardhë të Dibrës, në atë atmosferë të jashtëzakonshme që përjetuam, ku pata kënaqësinë të shikoja më nga afër, talentin e jashtëzakonshëm, por edhe masivitetin e pabesueshëm të gjithë atyre vajzave dhe djemve, burrave dhe grave të talentuar, në atë amfiteatër natyror, buzë lumit Drin.

Edhe pse vlerësuam shumë figura dhe personalitete të shquara të artit dibran, ende i mbetemi shumë borxh kësaj treve që prodhon art të jashtëzakonshëm dhe e promovon atë me shumë pasion kudo, në skenat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të nderosh artin dhe njerëzit, që e krijojnë atë, që kontribuojnë kaq shumë, është jo vetëm një detyrë, por edhe një kënaqësi e veçantë. Folklorin, këngën dhe vallen, Dibra i ka në genet e saj, siç ka patriotizmin dhe besnikërinë ndaj Atdheut.

I ka ato si një pasuri të patundshme, ku dallon tradita e një vendi, djep të artit, siç është Zall-Dardha, që ka nxjerrë plejada të shumta artistësh.

Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu.

Avni Ndreu është nderi i kulturës dibrane dhe qytetar nderi i Dibrës prej shumë dekadash në krye të këtij ansambli, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta.

Talenti i tij si koreograf, valltar e poet si dhe aftësitë e tij artistike organizuese i kanë dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë.

Të nderuar miq, prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, është një tjetër emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot është president i këtij ansambli, ish-valltari virtuoz, një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar edhe me Titullin ‘Nderi i Qarkut Dibër’, zoti Muharrem Gjoka.

Roli i tij është i padiskutueshëm si artist dhe si njeri me zemër të madhe, me një kontribut më shumë se 50-vjeçar, duke gëzuar respektin e merituar në shoqëri, edhe si një humanist.

Sot ne dekorojmë edhe vetë ansamblin me emrin e pavdekshëm ‘Hazis Ndreu’, këtë grupim artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.

Më lejoni t’ju uroj për këtë ditë të veçantë në jetën tuaj, por edhe t’ju përgëzoj për atë rol të pazëvendësueshëm që keni luajtur dhe vazhdoni ta bëni, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë!

Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin ju e keni kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri!

Ju uroj krijimtari të pafundme dhe përfaqësim sa më dinjitoz, kudo si gjithmonë!”

***

Dekorimi ndodhi sot, e Merkure 9 qershor 2021, kur Parlamenti me opozite te emeruar nga mazhoranca e shkarkoi Presidentin me 104 vota pro, 7 kunder, 3 abstenime.

Reagimi I Presidentit ishte me nje vidio ironizuese, ku deputeti i pensionisteve.

Teksti shoqerues per vidion nga presidenti ishte i shkurter :Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur duke ju përshëndetur të gjithëve me këtë thënie frymëzuese!

VIDEO/ U shpreh pro shkarkimit të Presidentit, gafa e deputetit të opozitës, Jenishehri: Do i dalim zot nipërve dhe mbesave tonë pensionistëShpesh herë deputeti i opozitës, Selami Jenishehri është komentuar për deklaratat e tij, të cilat kanë bërë xhiro në rrjetin social. I tillë është dhe fjalimi i sotëm që deputeti ka bërë në foltoren e Kuvendit, ku po votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Jenishehri teksa…

Filed Under: Featured Tagged With: ansambli Dibra, dekorimi, Presidenti Meta

Presidenti Meta përfshihet në përplasjet me Policinë Bashkiake

March 12, 2021 by dgreca

Nga Armand Mero*/

Tirane, 12 Mars 2021-Në Shqipëri përplasjet sot mes policisë Bashkiake dhe përfaqësuesve të Frymës së Re Demokratike për lirimin e zyrave të kësaj force politike, përfshinë dhe presidentin Ilir Meta. Kreu i Shtetit ndërhyri duke urdhëruar punonjësit e Bashkisë që të dalin jashtë, ndërsa foli për një përpjekje nga ana e pushtetit, për të dhunuar forcat opozitare që synojnë të konkurrojnë në zgjedhje . Fryma e Re Demokratike, e cila ka qenë në aleancë me socialistët në pushtet, konkurron tani në zgjedhjet e 25 Prillit në koalicion me Partinë Demokratike.

Punonjësit e Policisë Bashkiake u shfaqën sot në zyrat e Frymës së Re Demokratike (FRD), për të marrë në zotërim mjediset që i janë dhënë me qera kësaj force politike e që sipas Bashkisë, tanimë duhet të liroheshin.

Pasi ka debatuar me punonjësit e Policisë Bashkiake, kryetari i FRD, Sali Shehu, i ka telefonuar Presidentit Ilir Meta, i cili ka mbërritur brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë që të dy kanë hyrë brenda, aty ka nisur përplasja mes palëve, në të cilën është përfshirë dhe vetë kreu i Shtetit, duke urdhëruar me zë të lartë që punonjësit e Bashkisë të dilnin menjëherë jashtë e duke i kërcënuar se “do t’ju çoj në burg me duart e mija”. 

Një situatë e tensionuar mbizotëroi për disa minuta me rradhë. Më pas presidenti Meta duke komunikuar më gazetarët tha se veprimet e Bashkisë, kishin sipas tij synim “për të dhunuar fizikisht, por për të dhunuar dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare e cila synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhje, duke keqpërdorur Bashkinë “bandë”. Kjo është padyshim tepër irrituese dhe është një paralajmërim për të gjithë qytetarët shqiptarë, për përpjekjet mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë, mi një proces zgjedhor me garanci dhe integritet”

Presidenti Meta përdori sërish tone të forta ndaj punonjësve të policisë: “Po i paralajmëroj dhe një herë të gjithë policët, Bashkiakë dhe të Policisë së shtetit, që të mos përfundoni si policët e Mubarakut, nën këpucët e popullit shqiptar”, u shpreh ai.

Fryma e Re Demokratike ka qenë në aleancë me socialistët në pushtet. Një prej nënkryetarëve aktualë të Bashkisë është përfaqësues i kësaj force politike. Por FRD së fundmi ju bashkua koalicionit opozitar për zgjedhjet e 25 Prillit. Një vendim që duket se ka krijuar përpasje të brendshme dhe që çoi në dorëheqjen e kryetarit të saj, ish presidentit Bamir Topi.

Bashkia pretendon se Fryma e Re Demokratike, qëndronte në zyra, përtej afatit, që prej tre vitesh dhe se kërkesën për lirimin e mjediseve të dhëna me qera prej saj, ja ka dërguar dhe shumë forcave të tjera politike. Përfaqësuesit e FRD treguan sot se shkresa dërguar atyre ishte pa vulë, pa numër protokolli dhe pa emrin e titullarit që kishte lëshuar urdhërin.

Duke folur për disa media vendase kryebashkiaku Erion Veliaj, përdori tone denigruese ndaj Kreut të Shtetit, ndërsa tha se rruga normale nuk është ajo e dhunës, por e ankimit në institucione, përfshirë dhe gjykatat.

Për situatën e krijuar reaguan dhe forcat e tjera opozitare. “Hakmarrja është tipari më dallues I Edi Ramës në këto 8 vite. Pa diskutim që kjo është dhunë ndaj opozitës dhe mendimit të lirë. Por kjo nuk na tremb e as na shkurajon se dhuna ka qenë e vetmja alternativë që ajo ka patur për shqiptarët, ndërsa alternative jonë është ajo e ndryshimit”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha, pasi vizitoi zyrat e FRD, I shoqëruar dhe nga përfaqësues të partive të tjera aleate të opozitës.

*Kortezi- Zeri i Amerikes

Filed Under: Kronike Tagged With: Armand Mero, Perplasja c, Policia Bashkiake, Presidenti Meta

PRESIDENTI META DEKORON AT GJERGJ FISHTEN

December 30, 2020 by dgreca

PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, Z. ILIR META VLERËSOI ME   DEKORATËN MË TË LARTË AT GJERGJ FISHTËN NË 80-VJETORIN E VDEKJES  /Nga Frank Shkreli/

Sot, vërtetë, e ndjejë veten krenar që jam shqiptar!  Presidenti Ilir Meta nderon me Dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, me rastin e 80-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.  Kjo është dhurata më e bukur që Z. Meta mund t’i jepte Kombit në prak të Vitit të Ri.Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta thekson se nëpërmjet veprave të tij të çmuara artistike, Gjergj Fishta ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit, njofton gazeta e Tiranës, Telegraf.

“Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese”, thekëson i pari i shtetit shqiptar, “kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste”, shkruan në postin e tij Presidenti Ilir Meta.

Duke shtuar se, “Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.  Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe të ardhmes europiane”, nënvijon Z. Meta.

Postimi i Presidentit Meta:

“Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.

Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.

Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane.”

                              Image may contain: 1 personDomosdoshmërisht, se është një vlerësim shumë me vend dhe tepër i merituar. Uroj që ky vendim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë të hapë rrugën dhe dyertë e institucioneve akademike të Kombit shqiptar dhe të ndriçojë, njëkohësisht,  edhe mendjet e disa përfaqësuesëve të mbetur të “realizmit socialist”, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, për një vlerësim mbarë kombëtar akademik, ashtu siç meriton, vërtetë, Poeti i Kombit, siç thotë edhe Presidenti Meta në vlerësimin e tij për Fishtën – për skalitjen në përjetësi të vlerave dhe virtyteve të veçanta autoktone. 

Uroj që ky akt patriotik i Presidentit të Republikës të zgjojë nga letargjia 80-vjeçare, akademikët e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë dhe le të marrin shembëll nga i madhi Dr. Eqerem Çabej dhe vlerësimin që ai i ka bërë dikur Fishtës.  Dy tre vite më parë kisha shkruar se ndoshta pak njerëz e dinë, por Dr. Eqerem Çabej ka pasur konsideratë të lartë për At Gjergj Fishtën – i cili për arsye që dihen ai nuk mund të shprehte admirimin e tij për Fishtën gjatë regjimit komunist, pasi Fishta ishte shpallur “armik i popullit dhe tradhëtar i Kombit”, nga regjimi enverist. Si i tillë, Fishta dhe vepra e tij ishin të ndaluara rreptësisht nga komunistët shqiptarë, me porosi të komunistëve jugosllavë.  Por, Çabej ka vlerësuar lartë At Gjergj Fishtën — para sundimit komunist, kur ai mund të shprehej lirisht– duke e cilësuar Fishtën, ndër të tjera, edhe si “Poeti kombëtar i Shqiptarëve”.  Duke shkruar për vlerësimet edhe konsideratat e E. Çabej për Fishtën, akademiku nga Kosova, i ndjeri Prof. Dr. Engjëll Sedaj është shprehur se –vlerësimet e Çabejt për Gjergj Fishtën — si “Poet Kombëtar i Shqipërisë”, si “Përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare” dhe sidomos si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, (Çabej) i mbështet kryesisht në Lahutën e Malcis”, veprën kryesore të At Gjergj Fishtës.

Në një prej vlerësimeve të tija për Lahutën e Malcis dhe për Fishtën, Dr. Eqerem Çabej është shprehur: “…Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…duke qenë, njëkohësisht, në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik.  Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës…”, ka shkruar Çabej.  Ndërsa katër vjet para se të vdiste Fishta, Prof. Çabej jep këtë gjykim për At Gjergj Fishtën: “Gjergj Fishta është bërë, sidomos në Lahutën e Malcis, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare”.  Dhe më tej Çabej është shprehur se, “Në fakt, në poezinë epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit”.  

Ndërkaq, për kontributin e Fishtës në zhvillimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, albanologu austriak, i ndjeri Prof. Dr. Norbert Jokl ka shkruar se, “Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë.  Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen.  Me At Gjergjin zuni fill shkolla, me shqipen gjuhë mësimi…” është shprehur albanologu i njohur austriak.

Nëqoftse dikush i ka ndjekur shkrimet e mia modeste për Fishtën gjatë viteve, unë kam qenë kritik ndaj mënyrës së si — politika shqiptare si dhe entet akademike të Shqipërisë dhe të Kosovës — e kanë trajtuar ose keq-trajtuar dhe harruar dhe përjashtuar Gjergj Fishtën, këto 30-vjet post-komunizëm, por pa humbur shpresën se

Një bashkohas i Fishtës, At Benedikt Dema është shprehur – në librin përkujtimor “At Gjergj Fishta 1871 – 1940”, botuar pas vdekjes se “Shqypnia do të nisë me e çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”. 

Ndër kritikat e mia kisha shënuar se, fatkeqsisht, Atdheu i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishte program i jetës së tij, “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për të prirë në luftime në mbrojtje të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit”, siç ka shkruar dikur bashkoasi i Fishtës,  At Benedikt Dema, duke shpresuar, njëkohësisht, se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar atij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshëme e të denjë, për një komb të përparuem”.  

Vlerësimi dhe nderimi që Presidenti i Shqipërisë, Z. Ilir Meta i akordoi sot Poetit të Madh Kombëtar At Gjergj Fishtës me rastin e 80-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim, erdhi pikërisht në një moment të historisë së shqiptarëve, kur “Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.  

Urojmë që kjo njohje due nderim nga zyra më e lartë e shtetit shqiptar – një njohje e denjë për një Komb të përparuar ndaj jetës dhe veprimtarisë së At Gjergj Fishtës, të bejë që, më në fund, At Gjergj Fishta të zejë vendin që ai meriton dhe që i takon atij në historinë e vërtetë dhe në kulturën dhe letërsinë mbarëkombëtare të fisit shqiptar. Kjo është Shqipëria që duam – me At Gjergj Fishtën.  “Merre Kacel edhe njëherë Lahutën e na këndo nji kangë shqiptare….”, ndërkohë që “Arbnori i Fushës e i Malit njomë syshë me lotët e përmallit të Malcisë, këndon lahutën i lum ti, sod e për amshim…”

Falënderime Presidentit Ilir Meta për nderimin dhe vlerësimin e jetës dhe të veprës së madhe të At Gjegj Fishtës!  Gëzuar Vitin e Ri!

Filed Under: Featured Tagged With: Dekoron Ate Gjergj Fishten, Presidenti Meta

Dr. Vjosa Osmani u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta

December 16, 2020 by dgreca

Zonja Osmani u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ata shprehën në një konferencë shtypi gadishmërinë e të dy vendeve për bashkëpunim më të ngushtë në fushat e ekonomisë, diplomacisë dhe të shëndetësisë.

Zonja Osmani kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë, që dënon genocidin serb në Kosovë.

Ajo i kërkoi Presidentit Meta që bashkërisht të kundërshtojnë idetë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse për momentin mund të duket një ide e vdekur.

Të dy krerët e shteteve diskutuan për kujdesin më të madh ndaj Luginës së Preshevës, për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, si dhe liberalizimin e vizave.

Zonja Osmani tha se shumë marrëveshje janë nënshkruar ndër vite, por se duhet parë zbatimi i tyre, ndërkohë që hapësira për bashkëpunim mes dy vendeve është mjaft e gjerë.

Gjatë tre ditëve zonja Osmani do të ketë një seri takimesh me përfaqësuesit më lartë të shtetit dhe politikës shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, Presidenti Meta, pritje zyrtare

Presidenti dekoroi Abdurrahman Roza Haxhiun, legjenda e fushës së blertë Shqiptare

October 27, 2020 by dgreca

Roza Haxhiu 16 tetor 1930-16 tetor 2020.

Me rastin e 90 vjetorit te Lindjes, Presidenti Meta dekoroi futbollistin e shquar të Lushnjës dhe Ekipit Kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: ‘Dëshmor’ i fushës së blertë, i cili u bë shembull frymëzimi për brezat e rinj! 

NGA Kevin HAXHIU-

Abdurrahman Roza Haxhiu i njohur si Roza Haxhiu lindi në qytetin e Lushnjës më 16 tetor 1930.Djali i patriotit të shquar Shqiptarë Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga Anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare Shqiptare në Diasporën e Shqiptarëve të Egjiptit Qerim Haxhiu.Futbolli për Rozën ishte një ëndërr që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vëndlindjes.Haxhiu ishte një futbollist dhe trajner i shquar shqiptar në vitet “40-50-60”.Ai luajti si futbollist me “Traktorin” e Lushnjes,“Besën” e Kavajës,Partizanin,Dinamon dhe Kombëtaren Shqiptare.Gjithashtu ishte edhe Trajner i shquar me Traktorin e Lushnjes.Në vitet “1945-1947” Roza u aktivizua me ekipin e të rinjëve të “Traktorit” të Lushnjes ku u dallua si titullar.Dilaver Toptani i cili ishte inspektorë i fizkulturës,mësues,trajner dhe futbollist në Lushnje në vitet “1947-1949” kur pa cilësitë e mëdha të Haxhiu-t do ta dërgonte për specializim si trajner në Tiranë në një kurs që drejtohej nga kuadro sovjetik (rusë).Gjatë kampionatit të vitit “1948-1949” emri i Rozës i kalon kufijtë e Lushnjes.Ai në vitin 1950 shkëlqeu si mesfushor tek “Besa” e Kavajës.Në vitin 1951 Haxhiu do të luante për herë të parë në ekipin e Partizanit.Në vitin 1953 trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Loro Boriçi e futi Haxhiu-n në formacionin e ekipit që merrte pjesë në Bukuresht në Festivalin Botërorë të Rinisë dhe Studentëve.Në vitin 1955 Roza luante ne ekipin e Dinamos dhe në fund të ndeshjes Dozha e Budapestit-Dinamo futbollisti i shquar hungarez Suza ka thënë për Rozën:-“Ai është një futbollist i kalibrit europian”.Futbollisti i talentuar Roza Haxhiu ka dhënë një kontribut të madh edhe në kombëtaren Shqiptare dhe veçanërisht në fitoret ndaj Çekosllovakisë dhe Polonisë.Në vitin 1957 në finalen e kampionatit të 20-të kombëtar që zhvillohej midis dy ekipeve kryeqytetase (derbi) Partizani-Dinamo Haxhiu bëri golin e tretë.Tifozët e Partizanit e festuan në mënyrë madhështore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” fitoren e kampionatit gjithashtu ata ngritën në krah futbollistin e talentuar dhe golashënuesin e ndeshjes A.Roza Haxhiu.Ky moment tepër i veçantë është fiksuar edhe në një fotografi.Në Leipzig të Gjermanisë Haxhiu me ekipin e Partizanit në vitin 1958 dha maksimumin e tij në fitimin e medaljeve të argjendta.Viti “1958” për Rozën ishte vit i suksesit të madh por gjithashtu do të ishte dhe tepër i rëndë pasi ai gjatë një ndeshje miqësore që zhvillonte me ekipin e Partizanit në Bullgari gjatë lojës u godit me takë futbolli në kokë.Goditja me takë do ti shkaktonte një sëmundje të pashërushme por Haxhiu nuk u largua nga futbolli por me zemër,dëshirë dhe pasion vazhdoi të ishte në fushën e lojës edhe si trajner edhe si futbollist deri sa ndërroi jetë.Në vitin 1959 luajti përsëri me “Dinamon” e më pas kthehet atje ku e nisi ëndrrën e tij në fushën e blertë të vëndlindjes.Këtë herë Roza do të ishte Trajner dhe Futbollist njëkohësisht në ekipin e Traktorit të Lushnjes.Në vitin 1960 ekipi i futbollit lushnjar “Traktori” i drejtuar nga Trajneri Roza Haxhiu shpallet kampionë në Kampionatin e Kategorisë së Dytë.Emri A.Roza Haxhiu është shënuar me “shkronja të arta” në historinë e futbollit lushnjarë si i pari Trajner që e futi ekipin e qytetit të Lushnjes në Kampionatin e Kategorisë së Parë.Në Maj-Korrik 1963 Haxhiu caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” në Durrës.Në periudhën Shkurt-Mars 1964 ai punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”.Goditja me takë futbolli që mori në kokë gjatë lojes i shkaktoi sëmundjen e rëndë e të pashërushme e cila do ta ndante nga jeta më 19 maj 1964 në moshë tepër të re 34 vjeç.Abdurrahman Roza Haxhiu u nda nga jeta ashtu siç ai e meritonte me nderime,respekte dhe vlerësime.Mijëra sportdashës Lushnjarë e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin.Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mizeri njerzish.Përkulet tek koka e arkivolit:-“Ah mor bir…Nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë…”.Abdurrahman Roza Haxhiu përveç se një futbollist i talentuar ai ishte dhe tepër simpatik.Ai teksa vizitohej nga doktori Italian dhe infermieret e spitalit në vitin 1947 do të thirrej ”che bella rosa”-“cfarë trëndafili i bukur”.Emri Roza do të përforcohej më tej edhe nga doktori Ihsan Çabej pas vitit 1950, për t’u përhapur më pas jashtë ambieneteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mëndjen e qindra mijërave sportdashësve e më gjerë.Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht sepse emri dhe karriera futbollistike që ai la pas do të jenë të pavdekshme në historinë e futbollit shqiptarë.Haxhiu u nderua pas vdekjes në vitin 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm Pluralist Lushnje me Vendim Nr.124,datë 16 gusht 1991 në pikën 1 të vendimit vendosi që Stadiumit të futbollit të qytetit të Lushnjes të emërohet stadiumi Abdurraman (Roza) Haxhiu.Këshilli i Bashkisë së Qytetit Lushnje me Vendim Nr.30,datë 20 maj 1994 me votim të plotë vendosi që Zoti Abdurrahman Roza Haxhiu ti jepet titulli “Qytetar Nderi”.Në vitin 1999 nga Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve u nderua me titullin “Nderi i Sportit Shqiptarë”.Në vitin 2016 nga FSHF Federata Shqiptare e Futbollit u nderua me titullin “Pllakatë”.Në 30 vjetorin e vdekjes 21 Maj 1994 u përkujtua në qytetin e Lushnjes legjenda e futbollit shqiptarë Abdurrahman Roza Haxhiu.Ceremonitë e organizuara nga Bashkia Lushnje në nderim të futbollistit Haxhiu,nisën me një ndeshje që u zhvillua në stadiumin “A.Roza Haxhiu”.Gjithashtu u zhvillua edhe një aktivitet në sallën e kinoteatrit ku folën miqë e shokë mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit legjendar Abdurrahman Roza Haxhiu.Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë futbollistë,këngëtarë e aktorë si:Vaçe Zela (këngëtare),Margarita Xhepa (aktore),Ilia Shyti (aktor),Hysni Zela (këngëtare),Kolec Kraja (futbollist),Robert Jashari (futbollist),Ismet Bellova (komentator sportiv),Ali Kastrati (boksier,fizioterapist),etj.Në maj të vitit 2007 është realizuar një dokumentarë për A.Roza Haxhiu i titulluar “Trëndafili i fushës së blertë” në Televizionin Shqiptar  “TVSH” me skenar dhe regji nga Engjëll Ndocaj.Në 11 maj 2016 është realizuar emisioni “Panteon” nga moderatore Nisida Tufa,në Televizionin “News 24”,me temë “Abdurrahman Roza Haxhiu,dëshmori i fushës së blertë”.Së fundi,Presidenti i Republikës së Shqipërisë SHTZ.Ilir Meta e vlerësoi futbollistin dhe trajnerin e shquar shqiptarë Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Presidenti Meta dekoron futbollistin e shquar të Lushnjës dhe Ekipit Kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: ‘Dëshmor’ i fushës së blertë, i cili u bë shembull frymëzimi për brezat e rinj!

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi në një ceremoni solemne futbollistin e shquar të Lushnjës dhe të Ekipit tonë Kombëtar, Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Kreu i Shtetit nderoi futbollistin lushnjar, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e jashtëzakonshme në zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjës dhe lojën e tij të paharruar si lojtar i Ekipit Kombëtar. Një futbollist me aftësi të shkëlqyera, ‘dëshmor’ i fushës së blertë, një sportist model, i cili u bë shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.

Në fjalën e Tij, drejtuar familjarëve, ish-kolegëve, futbollistëve dhe personaliteteve të sportit, Presidenti Meta u shpreh:

“Është një privilegj dhe kënaqësi e veçantë të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët e mëdhenj dhe të paharruar, për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në sport.

Aq më tepër është kënaqësi, që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë.

Roza Haxhiu, ka qenë pa diskutim një autoritet i futbollit shqiptar dhe mbetet i tillë, shumë i njohur dhe i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Është një prej legjendave të historisë së sportit tonë.

Roza Haxhiu, djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtarët e Komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës, që në fëmijërinë e tij, ëndërronte të bëhej yll i fushës së blertë. Talenti i tij u duk që në moshë të re, me ekipin e të rinjve të Lushnjës.

Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin Kombëtar, me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe Partizanin.

Roza Haxhiu, jetoi shumë pak, rreth tre dekada e gjysëm, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij, ja kushtoi tërësisht futbollit, sportit të zemrës dhe pasionit.

Madje mund të themi se, nëse sporti ka martirët e tij, Roza, është një nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë e cila i mori edhe jetën, që ai aq bukur dinte ta jetonte.

Roza Haxhiu u dallua si një mesfushor me vizion të gjerë. I papërtuar, i shkathët, teknik, me një diapazion të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh.

Roza Haxhiu, luajti edhe për skuadrën kombëtare të Shqipërisë, ku dallohej për teknikën dhe cilësitë e tij, duke u kthyer në një simbol të futbollit Shqiptar.

Për të plotësuar figurën e tij komplekse si futbollist, nuk mund të mos përmend takimet e paharruara të Partizanit në Leipzig të Gjermanisë, në shtator të vitit 1958, ku Roza Haxhiu pati, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjenda.

Goditja në Plovdiv të Bullgarisë, në vitin 1958, ku Roza mori pjesë si titullar në ekipin e Partizanit në një turne miqësor, ku ai pësoi dëmtimin e rëndë, padyshim u shndërrua më pas në një sëmundje të përditshme që i kërcënoi jetën.

Pas shumë përpjekjesh dhe vonesash burokratike, arrin të sigurojë një lejekalimi për t’u operuar në Itali, por ishte tepër vonë. 19 Maji i vitit 1964, rrëmbeu Rozën jo vetëm nga gjiri i familjes dhe njerëzve më të afërt, por edhe i shokëve, i miqve, i të afërmëve, bashkëlojtarëve dhe sportdashësve të shumtë.

Abdurrahman Roza Haxhiu, iku si rrallëkush. Ai u nda nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Shembulli dhe virtuoziteti i tij, kanë mbetur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e sportit tonë.

Më lejoni me këtë rast t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time të sinqertë, familjes së dashur të Rozës së madh, futbollistëve, miqve e kolegëve të tij, që e kujtojnë gjithmonë me respektin që ai meritonte, si futbollist i madh dhe si një njeri i mrekullueshëm.

Mirënjohje dhe respekt për atë ç’ka i keni dhënë sportit lushnjar dhe atij kombëtar, si një legjendë e paharruar, që ishte pikërisht Roza Haxhiu.

Stadiumi i Lushnjës, ‘Roza Haxhiu’, mban sot emrin e tij, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner për futbollin lushnjar por edhe për atë Kombëtar.

Është kënaqësi për mua që të akordoj sot vlerësimin e lartë, ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’, për Roza Haxhiun, këtë legjendë të futbollit dhe të sportit tonë.

I përjetshëm kujtimi i tij!”

Filed Under: Sport Tagged With: Kevin Haxhiu, Presidenti Meta, Roza Haxhiun

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT