• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI META DEKORON ANSAMBLIN”DIBRA”, PARLAMENTI I RAMES E SHKARKON…

June 9, 2021 by dgreca

Presidenti Meta dekoron Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu” me Titullin “Naim Frashëri”: Rol të pazëvendësueshëm për transmetimin e vlerave dhe traditave kulturore kombëtare tek brezat e rinj/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri” Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”, me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”.

Po ashtu, Kreu i Shtetit dekoroi presidentin e Ansamblit dibran me Titullin “Mjeshtër i Madh”, zotin Muharrem Gjoka, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë dhe mbështetjes së shumanshme në lartësimin kulturës kombëtare, vlerave atdhetare, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare, veçanërisht asaj dibrane, si dhe të kontributit të veçantë në zhvillimin dhe përparimin e vendit.”;

si dhe koreografin e shquar Avni Ndreu “Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh:

“Po bëhet gati një vit, që nga festa e bukur e Kuvendit në Zall-Dardhë të Dibrës, në atë atmosferë të jashtëzakonshme që përjetuam, ku pata kënaqësinë të shikoja më nga afër, talentin e jashtëzakonshëm, por edhe masivitetin e pabesueshëm të gjithë atyre vajzave dhe djemve, burrave dhe grave të talentuar, në atë amfiteatër natyror, buzë lumit Drin.

Edhe pse vlerësuam shumë figura dhe personalitete të shquara të artit dibran, ende i mbetemi shumë borxh kësaj treve që prodhon art të jashtëzakonshëm dhe e promovon atë me shumë pasion kudo, në skenat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Të nderosh artin dhe njerëzit, që e krijojnë atë, që kontribuojnë kaq shumë, është jo vetëm një detyrë, por edhe një kënaqësi e veçantë. Folklorin, këngën dhe vallen, Dibra i ka në genet e saj, siç ka patriotizmin dhe besnikërinë ndaj Atdheut.

I ka ato si një pasuri të patundshme, ku dallon tradita e një vendi, djep të artit, siç është Zall-Dardha, që ka nxjerrë plejada të shumta artistësh.

Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu.

Avni Ndreu është nderi i kulturës dibrane dhe qytetar nderi i Dibrës prej shumë dekadash në krye të këtij ansambli, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta.

Talenti i tij si koreograf, valltar e poet si dhe aftësitë e tij artistike organizuese i kanë dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë.

Të nderuar miq, prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, është një tjetër emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot është president i këtij ansambli, ish-valltari virtuoz, një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar edhe me Titullin ‘Nderi i Qarkut Dibër’, zoti Muharrem Gjoka.

Roli i tij është i padiskutueshëm si artist dhe si njeri me zemër të madhe, me një kontribut më shumë se 50-vjeçar, duke gëzuar respektin e merituar në shoqëri, edhe si një humanist.

Sot ne dekorojmë edhe vetë ansamblin me emrin e pavdekshëm ‘Hazis Ndreu’, këtë grupim artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.

Më lejoni t’ju uroj për këtë ditë të veçantë në jetën tuaj, por edhe t’ju përgëzoj për atë rol të pazëvendësueshëm që keni luajtur dhe vazhdoni ta bëni, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë!

Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin ju e keni kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri!

Ju uroj krijimtari të pafundme dhe përfaqësim sa më dinjitoz, kudo si gjithmonë!”

***

Dekorimi ndodhi sot, e Merkure 9 qershor 2021, kur Parlamenti me opozite te emeruar nga mazhoranca e shkarkoi Presidentin me 104 vota pro, 7 kunder, 3 abstenime.

Reagimi I Presidentit ishte me nje vidio ironizuese, ku deputeti i pensionisteve.

Teksti shoqerues per vidion nga presidenti ishte i shkurter :Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur duke ju përshëndetur të gjithëve me këtë thënie frymëzuese!

VIDEO/ U shpreh pro shkarkimit të Presidentit, gafa e deputetit të opozitës, Jenishehri: Do i dalim zot nipërve dhe mbesave tonë pensionistëShpesh herë deputeti i opozitës, Selami Jenishehri është komentuar për deklaratat e tij, të cilat kanë bërë xhiro në rrjetin social. I tillë është dhe fjalimi i sotëm që deputeti ka bërë në foltoren e Kuvendit, ku po votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Jenishehri teksa…

Filed Under: Featured Tagged With: ansambli Dibra, dekorimi, Presidenti Meta

NJË NDERIM I MERITUAR

May 28, 2017 by dgreca

NJË NDERIM I MERITUAR: PRESIDENTI NISHANI DEKORON ISH-SENATORIN BOB DOLE/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë ish-senatorin republikan  të Shteteve të Bashkuara dhe mikun e madh të kombit shqiptar, Z. Robert Dole.

auto_unnamed_114959784001495984599Senatori Dole, një burrë shteti amerikan me një përvojë të gjatë në politikën e mbrendshme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe me vonë një mik i madh i shqiptarëve, ishte zgjedhur në Kongresin amerikan në vitin 1960 nga shteti Kansas dhe më pastaj në vitin 1968 u zgjodh senator nga i njëjti shtet.  Fillimisht, ai fitoi nam në politikën amerikane si Kryetar i Komisionit Kombëtar të Partisë Republikane, nga viti 1971-1972.   Në vitin 1976, Presidenti Xherald Ford e zgjedhë për nën-president të tij dhe në vitin 1984 Senatori Dole zgjidhet Udhëheqës i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar kështu mandatin më të gjatë në këtë detyrë, në historinë e kombit si udhëheqës republikan.  Ai dha dorëheqjen nga Senati duke iu përveshur fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Pas humbjes ndaj kandidatit demokrat Bill Clinton ai tërhiqet nga politika, por fati e deshti që megjithse ishin kundërshtarë politikë, Bob Dole dhe Bill Clinton punuan së bashku në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Në mirënjohje për veprimtarinë e tij në mbështetje të shqiptarëve, sidomos Kosovës, në një ceremoni të veçantë të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi ish-Senatorin Dole me dekoratën më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahsin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.  Në portalin e Presidentit Nishani thuhet se kryetari I shtetoit shqiptar, gjëndej në Uashington në kuadër të një vizite pune, gjatë së cilës, “Në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, Kreu i Shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin:“Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, që përmbledhë shumë mirë veprimtarinë e Senatorit Dole, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve, Presidenti Nishani shprehu, kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës së (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “Për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”

Në vijim Kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.”

“Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës”, i ka thënë Presidenti Nishani, Z. Dole.

“Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!”, ka deklaruar udhëheqsi shqiptar duke spikatur meritat e këtij burri të madh amerikan dhe mik i shqiptarëve.

Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

Shumë i emocionuar, Senatori Dole – i cili kishte shërbyer  me vite edhe si Ambasador nderi i Presidentit historik të Kosovës në Uashington, Dr. Ibrahim Rugova dhe si përfaqsues i interesave të Kosovës në kryeqytetin amerikan — e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se, “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetdijshëm se në rolin e tij si ambasador nderi i Presidentit Rugova në Uashington, Senatori Dole,  ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratat amerikane, republikane dhe demokrate, në favor të Kosovës. Zoti Dole  citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë gjatë ceremonisë se “Ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë”.

Pas largimit nga Senati, Z. Bob Dole ka shërbyer në detyra të larta në jetën private dhe është nderuar me një numër dekoratash kombëtare dhe ndërkombëtare.  Në vitin 2005, kur shërbeja si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,(KKSHA) vendosëm që Senatorin Dole ta dekoronim me çmimin e rëndësishëm, “Hands of Hope”, “Duartë e Shpresës”, së bashku me Dr. Elez Biberaj, të cilit iu dorëzua dekorata për “Arritje Jetësore”.  Dekoratën e KKSHA-së ia dorëzoi Senatorit Dole, aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mbështetës i fortë i Senatorit Dole për dekada, Z. Xhim Xhema, për angazhimin e tij ndaj idealeve që rrjedhin nga të drejtat e pandryshueshme dhe sovrane të individit dhe të cilat duhet të jenë pjesë e njl shoqërie që qeveriset dhe drejtohet nga idealet e një demorkacie të stilit amerikan.

Me këtë rast të dekorimit të tij nga udhëheqsi më i lartë i shtetit shqiptar, falendëroj Senatorin Dole edhe për ndihmën dhe këshillat që ai dhe bashkpuntorët e tij më kanë dhënë mua personalisht dhe KKSHA-së gjatë periudhës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Zyra e tij ishte gjithmonë e hapur për ne.  Për këtë i jam shumë mirënjohës Senatorit Dole dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Njëkohsisht i shprehi edhe falënderimet edhe Presidentit Bujar Nishani për dekorimin e këtij miku të madh të kombit shqiptar, shumë të merituar, si mbështetës dhe luftëtar për të drejtat e shqiptarëve kudo.

auto_s1495984594

Me Senatorin Robert Dole në darkën me rastin e dekorimit të Senatorit nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, 2005/

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dekorimi, Frank shkreli, ish Senatori Bob Dole, presidenti Nishani

Mos ia prisni krahun Osman Haxhiut!

July 8, 2015 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/
Në median elektronike lexoj njoftimin e mëposhtëm:
“Kreu i Shtetit shqiptar në vlerësim të shembullit të tyre frymëzues në organizimin, drejtimin e luftës si dhe në mbrojtjen të lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, vlerësoi institucionalisht me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës 1920, anëtarë të së cilit ishin: Osman Haxhiu, Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo Agalliu, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzarai, Murat Miftari, Sali Bedini, Hazbi Cano.
Në këtë ceremoni solemne Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), edhe Osman Haxhiun, Selam Musain, Zigur Lelon, Sali Muratin, Sado Koshenën, Kanan Mazen dhe Ahmet Cane (Lepenicën) me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin në organizimin e luftës epope të Vlorës të vitit 1920”.
Ky dekorim u krye ne bazë të propozimit të dy shoqatave patriotike “Labëria” dhe “Ismail Qemali”. Të them të vërtetën një njoftim i tillë, mua si vlonjat, më gëzoi pa masë pasi, megjithëse me shume vonesë, u arrit vlerësimi i duhur për shumë figura të shquara që historia komuniste i kishte lënë në heshtje, madje i kishte vlerësuar me atribute fyese si gjoja “tradhëtarë”, “Kolaboracionistë” e të tjera.
Por shpejt ky entusiazëm m’u shua pasi konstatova se drejtuesit të Luftës së Vlorës, të paharruarit Osman Haxhiu, ia kishin prerë njerin krah. Nuk ka në Vlorë qytetar që nuk e di se Osman Haxhiu kishte dy krahë të fuqishëm në këtë luftë të madhe, dy Qazimët, Qazim Kokoshin dhe Qazim Koculin. Ndërsa i pari ekzistonte në listën e të dekoruarve, i dyti ishte fshirë krejt. Përse? e tij në fletet e medias elektronike lexoj:
Kush ishte Qazim Koculi? Nuk jam historian por duke shfletuar Wikipedian e tij lexoj:
Lindi më 22 gusht 1887 në fshatin Kocul të Vlorës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Lartë Ushtarake të Stambollit pas të cilës fitoi gradën/Nëntoger. U emërua më pas në Marinën Ushtarake të Perandorisë Osmane, ku fitoi gradën e Togerit. Më 1909 nuk i bindet një urdhri ushtarak të një eprori të tij gjatë një beteje detare në Prevezë, për t`iu dorëzuar flotës italiane, ku luftoi heroikisht me torpendierën e tij të vjetër.
Pas nxjerrjes së urdhër-arrestit nga komanda perandorake, Koculi arratiset për në Argjentinë, ku qëndron deri në vitin 1912. Kthehet këtë vit në Vlorë, pasi iu përgjigj një thirrjeje të Ismail Qemalit. Ky i fundit e cakton drejtor të portit të Vlorës, detyrë të cilën e kreu deri në çastin që porti u mor në administrim nga italianët në tetor të vitit 1914. Deri në vitin 1917 ishte kryekatundar në Brataj të Vlorës. Nga ky vit e deri më 1919 ishte nënprefekt i Tepelenës. Më 21-31 janar 1920 merr pjesë si delegat i Vlorës në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, nga i cili u emërua edhe senator.
Është aktiv në Luftën e Vlorës të vitit 1920 dhe njihet si një ndër organizatorët e Kuvendit të Barçallasë. Meqë Gjenerali Piacentini i cili i komandonte ato nuk denjoi t’i përgjigjej ultimatumit të drejtuar atij nga komisioni i dalë nga Kuvendi i Barçallasë që brënda 48 orëve të largoheshin trupat italiane nga Vlora, më 29 maj 1920 në Beun u zgjodh Komiteti i Luftës së Vlorës me Komandant të Përgjithshëm Qazim Koculin. Hyri në Vlorë në krye të trupave shqiptare, pas një beteje të zhvilluar më parë, më 3 shtator 1920. Pas kësaj lufte kreu detyrën e prefektit të Vlorës.
Zgjidhet deputet i Vlorës në zgjedhjet e para të 5 prillit 1921. Ishte mbikqyrës i qeverisë së Pandeli Evangjelit së bashku me Bajram Currin dhe Avni Rustemin në periudhën tetor-nëntor 1921. Kriza e dhjetorit 1921 e gjeti në krahun e forcave që ishin për rrëzimin e qeverisë së Evangjelit. Nga kjo krizë ai u bë protagonist jo me ndonjë dëshirë të madhe, duke hyrë në histori edhe si kryeministri njëditor i Shqipërisë. Ai më 6 dhjetor u ngarkua nga Këshilli i Naltë për një kabinet prej 8 anëtarësh. Paraqiti dorëheqjen me argumentimin se nuk ia thoshte administrimit si i ndershëm që ishte. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, Qazim Koculi u zgjodh sërish deputet i Vlorës në Kuvendin Kushtetues. Gjatë kësaj kohe vazhdoi të përkrahte po atë linjë politike që ishte për rrëzimin e qeverisë.
Koculi ishte ndër pjesëmarrësit dhe përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit 1924. Në qeverinë e dalë nga kjo kryengritje, Koculi ishte ministër i Punëve Botore. Me dështimin e kësaj qeverie dhe me Triumfin e Legalitetit, Qazim Koculi emigroi jashtë Shqipërisë bashkë me politikanët e tjerë.
Emigracionin politik Koculi e kaloi në Vienë dhe Paris. Gjatë kësaj kohe ai pajtohet me Mbretin Zog dhe pranoi që të ishte kryetar i Komitetit të Kosovës në mërgim. Ishte për kthimin në atdhe para 7 prillit 1939, por një gjë e tillë u kundërshtua nga shokët e tij. Pas pushtimit fashist, Koculi u kthye në Shqipëri, dhe në dhjetor 1939 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Në qeverinë e Mustafa Krujës ishte Ministër Shteti dhe në çastet e fundit të kësaj qeverie u emërua Komisar i Lartë në Vlorë, në kohën kur qe rritur lëvizja komuniste atje. Më 2 janar 1943 Qazim Koculi vritet në Vlorë nga batalioni mercenar dibran i Halil Alisë si hakmarrje për 1920-ën. Mustafa Kruja në shënjë proteste si edhe indinjate ndaj italianëve si edhe personalisht ndaj Mëkëmbësit të Mbretit Jacomoni që nuk pranoi që të arrestoheshin e të çoheshin në gjyq vrasësit e Qazim Koculit, paraqiti menjëherë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Përshkrimi ishte i plotë. Një jetë e tërë e vënë në shërbim të atdheut. Por nuk u mjaftova me kaq. Vazhdova shfletimin e fleteve te medias. U ndala në një studim kushtuar kësaj ngjarje historike nga studiuesi i njohur vlonjat Profesor Albert Habazaj:
Teksti i Historisë së Shqipërisë, vëll. 2; 1965 na informon me gjuhën e kohës, se disa rrethe politike të vendit të bindura se bisedimet shqiptaro – italiane nuk po jepnin ndonjë rezultat, kërkonin të organizohej një veprim energjik, që mund të arrinte deri në luftë të armatosur kundër ushrive italiane në Shqipëri. Zëdhënësit më aktiv të kësaj rryme ishin Qazim Koculi dhe Spiro G. Koleka, deputet të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre, një veprim i tillë jo vetëm do t’i tregonte opinionit publik botëror vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të atdheut të tyre, por, po të realizohej me sukses, do t’u jepte shqiptarëve një armë më të fortë për të kundërshtuar pretendimet tokësore jugosllave e greke në kurriz të Shqipërisë.
Emrat e tyre janë “emblema e Luftës së Vlorës” dhe përderisa Lufta e Vlorës është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e Luftës së Vlorës major Ahmet Lepenica që dha dorëheqjen pas gjashtë ditëve e kapiten Qazim Koculi që e kreu këtë detyrë deri në fund të luftës, si dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së Popullit Shqiptar, sepse qenë pikërisht ata që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Nuk i përmend Historia e Shqipërisë, 2 – këta emra që i ngritën Shqipërisë Pavarësinë e ulur, që ia grisën “esnafët e mëdhenj të mëmës plakë”. Duheshin përmendur, të paktën emrat dhe gjykojmë kështu se historia është histori, nuk është ideologji, sepse na kujton një shprehje të prof. Luan Malltezit: “Politikanët kanë të drejtë të japin mendime, por jo të ndikojnë mbi historianët”.
Lerxoj këto shkrime dhe, me të drejtë pyes:
– Përse e sakatosët Osman Haxhiun? Përse ia pret njërin krah? Përse duhej të
mungonte Qazik Koculi në këtë ceremoni?
Dhe mua më dukej sikur Osman Haxhiu ngrihej nga varri dhe ua kthente dekoratën inspiruesve të saj, pasi ai nuk mund të jetonte me një krah të prerë. Kishte lindur i lirë dhe duhej të jetonte i tillë. Deri kur do të vazhdonte mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike? Harrojeni, o nostalgjikë të sistemit të përmbysur, të grumbulluar në lloj lloj “shoqatash patriotike”, harrojeni kohën e perënduar përgjithmonë. Qytetarët i njohin bijtë e tyre të vërtetë dhe ata nuk mund t’i shuani dot nga kujtesa e tyre. Këtë mos e harroni.
Çuditërisht para syve më dalin vargjet e bashkëluftëtarit të Qazim Koculit, të pavdekshmit Fan Noli që shkruante:
Allallah, o rezil e katil Allallah,
Shtroni udhën me hithër e shtok turfanda,
Gumëzhit o zinxhir e kamzhik batërma
Lehni, laro kaba:
Hosana Baraba!

Filed Under: Analiza Tagged With: dekorimi, Lufta e Vlores, Osman Haxhiu, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!
  • Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja
  • FRANCE-SOIR (1949) / “NJË PLEBISHIT DUHET TË VENDOSË PËR FATIN E SHQIPËRISË…”— DEKLARATA E MBRETIT ZOG NË KAJRO

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT