-Ambasadori i SHBA, Greg Delawie: NATO nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO nuk mund të tërhiqet përderisa Kosova nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse/
-Sesionin e tretë të seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar, Pandeli Majko/
PRISHTINË, 23 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë, sot, në sesionin e tretë të Seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilin e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Pandeli Majko, panelistët diskutuan për të ardhmen e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e NATO-s si një ofrues i sigurisë. U analizuan, gjithashtu, kontributet e NATO-s për stabilizimin e rajonit dhe partneritetet e saj.
Sesioni u hap me diskutimin e komandantit të KFOR-it, Giovanni Fungo, i cili foli për rolin e kësaj force ushtarake në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai tha se KFOR-i kontribuon në krijimin e kapaciteteve vendore, përfshirë edhe mbështetjen e veprimeve të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë. Gjendja e sigurisë në Kosovë, shtoi gjenerali Fungo, është përmirësuar dukshëm që nga viti 1999, kur KFOR-i ka luajtur rol kryesor në krijimin e stabilitetit. Megjithatë, sipas, tij, ende mbeten shumë sfida.
“Kam besim në këtë aspekt se ky proces do të vazhdojë edhe më tej me mbështetjen e plotë të të gjithë akterëve të rëndësishëm, qoftë në nivel lokal apo në arenën ndërkombëtare, duke ndarë të njëjta objektivat, siç janë: paqja, stabiliteti, prosperiteti, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji”, theksoi komandanti i 21-të i KFOR-it në Kosovë.
Gjeneral Dietmar Mosmann, drejtor, Këshilltar i NATO-s dhe Ekipit Ndërlidhës (NALT), tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, duke mirëpritur aspiratën e Kosovës që të përmirësojë aftësinë e saj për të garantuar siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Në vazhdim, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, foli për rolin e NATO-s në Ballkan, nga pikëpamja e SHBA-ve. Ai tha se për rreth 25 vjet rresht NATO-ja ka qenë garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan dhe KFOR-i si shprehje e këtij përkushtimi. Delawie tha se KFOR-i ka qenë destimulues i dhunës dhe i jostabiletit. Sipas tij, ky mision është treguar i suksesshëm dhe roli i tij nuk ka përfunduar ende.
“NATO-ja nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO-ja nuk mund të tërhiqet përderisa vendi nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse”, theksoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke shtuar se mbështet transformimin gradual të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Ambasadori amerikan Delawie tha se tre vende të rajonit, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria, tashmë janë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, ndërsa së shpejti kjo do të ndodhë edhe me Malin e Zi. Këtë hap, ambasadori i SHBA-ve e konsideroi të arritur të madhe dhe sinjal të fuqishëm për të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.
Duke u ndalur në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ambasadori amerikan theksoi se Kosova është lider në këtë aspekt.
Për rolin e NATO-s në rajon dhe perspektivën e Kosovës, foli edhe ambasadori Istvan Gyarmati, kryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Tranzicion Demokratik në Hungari. Ai tha se edhe pse Kosova është një prej vendeve të rajonit në binarët e duhur drejt Evropës, ky progres, sipas tij, mund të rrezikohet nga zhvillimet në rajon. Ai tha se rajoni po përballet me kërcënime të vjetra, por në forma të reja.
“Kemi deklarime se nuk rrezikohemi nga terrorizmi. Kjo është edhe e vërtetë edhe e pavërtetë. E vërtetë ngase në këtë moment s’po shohim shumë rrezik. Por e pavërtetë ngase kemi përpjekje në tentativë”, tha Gyarmati, duke shtuar se konfliktet e vogla nuk mund të përjashtohen as këtu e as larg prej këtu.
Në sesionin e katërt të seminarit, të cilin e udhëhoqi Antje Fritz, zëvendësshefe e Operacioneve në Evropën Juglindore, Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u diskutua për progresin në reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave të llogaridhënies, në funksion të transferimit të ardhshëm të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë tradicionale ushtarake.
Duke folur rreth mundësisë së këtij transformimi, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se kjo çështje ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të deputetëve nga komuniteti serb, ndërkohë që ka konsensus midis pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera joserbe. Ai foli për angazhimet e ministrisë dhe të FSK-së në këtë proces, duke shtuar janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se pritet vetëm vendimi politik.
“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, theksoi ministri Demolli.
Ai përmendi edhe Medaljen e artë që Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e FSK-së, ka fituar ditë më parë në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë, “Cambrian Patrol’’. Demolli e konsideroi këtë dëshmi të përgatitjes së lartë të pjesëtarëve të kësaj Force.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së të Kuvendit të Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, foli për integrimin gjinor në sektorin e sigurisë së Kosovës dhe rolin e komisionit parlamentar në mbikëqyrjen e mekanizmave të sigurisë.
“14 % e gjithë strukturës së Policisë së Kosovës përbëhet nga femrat, e ku më shumë e ku më pak edhe në strukturën komanduese është afërsisht kështu. Ndërsa, uniformën e FSK-së e kanë të veshur 8,52% femra. Më mirë në përfaqësimin gjinor femra është në Doganat e Kosovës, ku rreth 30 % e stafit përbëhet nga gjinia femërore”, theksoi deputetja Musliu.
Mbi perspektivat për reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të orientimit të Kosovës drejt NATO-s, foli Besfort Rrecaj, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai tha se NATO-ja ende e sheh Kosovën në prizmin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, ndërsa shtroi nevojën që NATO-ja të gjejë një zgjidhje për këtë, duke tejkaluar këtë rezolutë dhe duke i ofruar Kosovës perspektivë të qartë.
Panelistët u përgjigjën edhe në pyetje të të pranishmëve.