Aleanca e Atlantikut Verior, NATO njoftoi të premtën se Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jens Stoltenberg komunikoi me telefon me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Në njoftim thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e uroi Zotin Trump për fitoren dhe se pret me padurim që të punojë me ‘të dhe me grupin e tij të sigurimit kombëtar.
Në njoftimin e Aleancës Perëndimore thuhet gjithashtu se zotërinjtë Trump dhe Stoltenberg theksuan rëndësinë e vazhdueshme të NATO-s dhe biseduan mbi mënyrat se si organizata NATO po i adaptohet atomosferës së së re të sigurisë, përfshirë edhe masat kundër terrorizmit. Njoftohet se në bisedën telefonike me presidentin e zgjedhur amerikan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, falënderoi Z. Trump për ngritjen, gjatë fushatës elektorale, të çështjes së shpenzimeve më të barabarta nga vendet anëtare të NATO-s, çështje kjo që sipas njoftimit, ka qenë një ndër prioritetet më me rëndësi të mandatit të Z. Stoltenberg. Dy udhëheqsit e lartë ranë dakort se është shënuar përparim në këtë fushë por mbetet ende shumë për t’u bërë, thuhet në njoftimin e NATO-s, mbi bisedën telelefonike Trump-Stoltenberg të javës që kaloi.
Gjithashtu të premtën e kaluar, shefi i NATO-s Stoltenberg, në konferencën e organizuar nga Fondi Gjerman Marshall i Shteteve të Bashkuara në Bruksel, foli për këtë çështje si dhe për sigurinë transatlantike, mbrojtjen europiane dhe për bashkpunimin midis NATO-s dhe Bashkimit Europian, marrëdhënie këto që ai i cilësoi si lidhje të forta transatlantike, në kohë të pasigurta. Ai e filloi fjalimin e tij duke deklaruar se “Europa ka nevojë për Amerikën dhe Amerika ka nevojë për Europën”. Fjala e Shefit të NATO-s Stoltenberg në Bruksel javën që kaloi ishte një deklaratë e fuqishme për lidhjet e forta historike dhe të marrëdhënieve aktuale politike dhe ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, për të gjithë ata që mund të dëshirojnë ftohjen e këtyre marrëdhënieve.
Udhëheqsi i NATO-s u tha të pranishëmve se, “Dy Luftërat Botërore dhe Lufta e Ftohtë na kanë mësuar se sigurimi i Europës varet nga Shtetet e Bashkuara dhe se si rrjedhim edhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të madh strategjik, në një Europë të sigurt.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara edhe sot e kësasj dite demonstrojnë angazhimin e tyre të thellë ndaj sigurisë në Europë, por në të njëjtën kohë, theksoi ai, edhe vendet europiane u janë gjëndur pranë amerikanëve në kohë të vështira dhe kur e ka kërkuar nevoja, duke përmendur sulmet terroriste të 11 shtatorit në New York. “Ç’prej themelimit të NATO-s në vitin 1949, Amerika nuk ka patur ortak më të besueshëm dhe më të vendosur se Europë”, theksoi shefi i Aleancës së Atlantikut Verior. Europa, është miku më i ngushtë i Amerikës, nënvijoi shefi i NATO-s. Përveç lidhjeve politiko-ushtarake, Stoltenberg tha se Europa dhe Shtetet e Bashkuara gëzojnë lidhje të ngushta ekonomike dhe tregtare. “Një Europë më e fuqishme, më e fortë dhe më e begatë, do të thotë gjithashtu edhe një Amerikë më e fuqishme, më e sigurt dhe më e begatë, tha ai. Stoltenberg u përpoq të përq[ëndronte vëmendjen e të pranishëmve se, “Ky është mësimi që na ofron historia e shekullit të 20-të dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, veçanërisht në kohë të pasigurta, si sot”, nënvijoi ai në fjalën e tij në konferencën e Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara mbajtur në Bruksel të premtën që kaloi.
Shefi i NATO-s përmendi, si çështje që e bëjnë botën e sotëme të pasigurt: në rend të parë shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusisë, trazirat dhe luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore, kriza e refugjatëve, terrorizmi ndërkombëtar dhe sulmet hibernetike, ndër të tjera. Këto janë sfida urgjente të cilat nevojitin bashkim dhe vendosmëri por edhe lidhje të forta transatlantike. Ai tha se, “Ne europianët jemi të vetdijshëm se duhet të bëjmë më shumë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe se një pjesë e rëndësishme e këtij objektivi është bashkpunimi më i ngushtë midis NATO-s dhe Bashkimit Europian”, dhe jo krijimi i një force të re ushtarake europiane, e cila po diskutohet tani në disa qarqe të Europës. Z. Stoltendberg, tha në lidhje me këtë se në bisedimet që ka patur me ministrat e mbrojtjes të Bashkimit Europian në Bratisllavë dhe Bruksel, ata nuk kanë në plan të krijojnë një ushtri europiane, ose themelimin e një kryeqendre ushtarake si ajo e NATO-s. Por sidoqoftë, në fjalimin e tij në Bruksel, Z. Stoltenberg paralajmëroi se në këto diskutime duhet të ketë transparencë dhe pjesëmarrjen e plotë të vendeve që janë anëtare të NATO-s por jo anëtare të Bashkimit Europian, siç janë Shtetet e Baskuara dhe Kandaja në perëndim, Islanda dhe Norvegjia në veri dhe Turqia e Shqipëria në jug-lindje – vende të cilat së bashku me vendet e Bashkimit Europian, janë jetike për sigurinë në kontinentin europian dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, ka thënë Shefi i Alencës së NATO-s. Thjeshtë, Shtetet anëtare të NATO-s dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk mund të përballojnë, shtoi Z. Stoltenberg, shpenzimet e pasjes së dy forcave të armatosura: NATO dhe forca europiane.
Siç duket, në reagim të shqetsimeve që disa kanë venë në dukje, sidomos në Europë, por edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, në lidhje me thirrjet e kandidatit Trump gjatë fushatës, që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, Z. Stoltenberg u shpreh se kjo nuk është as e re dhe as një gjë sekrete. Z. Trump, tha ai, nuk është i vetmi që ka bërë thirrje për shpenzime më të mëdha ushtarake nga europianët, për mbrojtjen e përbashkët. Këtë kërkesë, shtoi ai, e kemi dëgjuar shpesh edhe nga një numër udhëheqsish të tjerë amerikanë dhe antarë të Kongresit. Në lidhje me këtë, Shefi i NATO-s tha se përveç Shteteve të Bashkuara, vetëm katër vende të tjera të NATO-s shpenzojnë 2% të buxhetit për mbrojtje, ashtu siç parashikohet nga rregulloret e NATO-s. Nëqoftse të gjitha vendet aleate të NATO-s do të shpenzonin 2 për qindshin detyrues për mbrojtje, kjo do të thotë një buxhet prej 100-miliardë dollarësh ekstra për forcimin e aleancës ushtarake perëndimore, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.
Përballë kësaj shifre, duhet të kuptohet edhe shqetësimi që ka shprehur presidenti i zgjedhur amerikan, Z. Trump si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë para tij, në lidhje me kontributin që vendet anëtare të NATO-s duhet të japin për mbrojtjen e përbashkët. Në këtë frymë duhet të kuptohet edhe shqetsimi i Z. Trump dhe i shumë amerikanëve në lidhje me kontributet e detyrueshme që kanë marrë përsipër anëtarët e NATO-s për mbrojtjen e përbashkët.
Në fjalimin që mbajti natën e zgjedhjeve, duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, Presidenti i zgjedhur Donald Trump u shpreh se për të interesi i Amerikës është në rend të parë — për ta baërë Amerikësn të fortë mbrenda dhe jashtë vendit – por njëkohsisht u angazhua se do të punojë ndershmërisht dhe me pa-anshmëri me të gjithë popujt dhe me të gjitha kombet. “Ne kërkojmë të punojmë me të gjithë, bazuar në gjërat që na bashkojnë dhe jo bazuar në armiqësi – duam të veprojmë në partneritet dhe jo në konflikt me vendet e tjera.”
Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës së NATO-s, Z Jens Stoltenberg në fjalimin e tij të premtën q kaloi në Bruksel theksoi se në “Këto kohëra të pasigurta kemi nevojë për udhëheqjen e fortë amerikane, por mbi të gjitha duhet të njohim vlerat e partneritetit midis Europës dhe Amerikës.” Presidenti i zgjedhur Donald Trump është angazhuar se administrata e tij e ardhëshme do të punojë në partneritet me të gjitha vendet, përfshirë Europën, dhe jo në konflikt me botën. Donald Trump i ka të metat e veta, disa prej të cilave do të vihen në dukje edhe gjatë mandatit të tij si president, siç ka qenë rasti edhe me presidentë të tjerë të Amerikës.
Por dashakeqsit e Z. Donald Trump të cilët e kanë shpallur atë si të rrezikshëm për Amerikën dhe për botën – madje edhe pa filluar ende nga detyra – bëjnë mirë të ndjekin këshillën e njërit prej kritikëve më të fortë të Z. Trump — Presidentit të tanishëm të Amerikës, Z. Barak Obama, i cili gjatë vizitës së tij në Europë javën që kaloi – ndërkohë që i siguroi aleatët se Z. Trump do të mbështesë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s – Z. Obama, njëkohsisht i këshilloi kritikët europianë të presidentit të ardhëshëm amerikan, Z. Trump: “Mos u nxitoni të dilni në përfundime. Bëni pak durim”. Dhe në një takim me udhëheqsit latino-amerikanë në Lima të Perusë në fund të javës, Presidenti Obama përsëriti të njëjtën këshillë, “Mos mendoni që në fillim më të keqen. Pritni derisa administrata e re të zërë vendin e të fillojë nga detyra dhe të parashtrojë politikat e saja, pastaj të nxirni perfundimet e tuaja.”
Këshillë e mirë kjo nga Presidenti Obama për të gjithë ata udhëheqës të cilët jo vetëm dëshirojnë marrëdhënie të ngushta transatlantike ushtarako- ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, por edhe për ata udhëheqës që duhet të punojnë për marrëdhënie miqësore e të ngushta midis vendeve të tyre individuale dhe Shteteve të Bashkuara, pa marrë parasyshë se cili president ose cila parti politike amerikane udhëheq vendin.