


Julika Prifti/
Në përjetimet e mia personale muaji i letërsisë zë vend të veçantë me shumë kujtime të bisedave letrare me autorë e krijues në Shqipëri. Për babanë tim, ftesat për takime e tetorit në shkolla anë e mbanë vendit ishin të mirëpritura dhe ai shkonte me dëshirë në çdo bashkëbisedim me lexuesit kudo që të ishin ata. Aktiviteti për veprën e Naum Priftit nga gjimnazi Petro Nini Luarasi në Ersekë më solli përjetimet e traditës letrare të tetorit, por, për shkak se mbahej pranë vendlindjes së tij, ishte edhe më prekës për mua.
Në njoftimin e postuar shkruhej se gjimnazi PNL, Qendra Kulturore Fan Noli dhe Bashkia Kolonjë me pjesëmarrjen e mësuesve dhe të ftuar të tjerë kujtuan shkrimtarin Naum Prifti (1932-2023), një ndër figurat më të ndritura të letërsisë dhe kulturës shqiptare, si “prozator, dramaturg, skenarist, mësues dhe redaktor letrar, por mbi të gjitha një njeri që e deshi me shpirt njeriun e zakonshëm, gjuhën shqipe dhe jetën. Në çdo tregim të tij gjen dashuri, ndershmëri, humor dhe reflektim. Ai dinte të fliste me thjeshtësi për gjëra të mëdha.” “Sot, “udhëtuam” përmes fjalëve të tij, përmes personazheve dhe ideve që i dhanë frymë brezave të tërë. Kujtuam së bashku se fjala është forcë, dhe se njeriu që qëndron për të vërtetën, “vdes në këmbë” – por nuk përkulet kurrë,” theksuan organizatorët në aktivitetin e mbajtur në sallën e gjimnazit në kuadrin e muajit të letërsisë.
Fragmente nga filmi artistik “Kush vdes në këmbë” me skenar të shkrimtarit Naum Prifti u përcollën me emocione të veçanta duke qenë se i kushtohet personalitetit të njohur të kombit dhe mendimtarit martir, Petro Nini Luarasit, (1865-1911) emrin e të cilit mban me krenari gjimnazi i Ersekës. “Kujtimet, interpretimet dhe esetë e reflektimet e nxënësve mbi veprën e mesazhet e shkrimtarit kolonjar Naum Prifti përcollën jehonën që fjala artistike e tij gjen edhe te brezi i sotëm,” thanë folësit.
Ju shpreh falënderime të përzemërta organizatorëve nga gjimnazi Petro Nini Luarasi Ersekë dhe znj. Anila Cucllari, znj. Vinjola Rota, drejtoreshë e DRAP Korçë, Qendrës Kulturore Fan Noli, Bashkisë Kolonjë, gjithë të ftuarve e pjesëmarrësve, mësuesve dhe nxënësve të klasave të 10-ta për këtë takim të bukur letrar.