Pas një kohe vuajtjesh nga një sëmundje e rëndë, është ndarë nga jeta, kolegu ynë i dashur, një ndër modelet njerëzore të komunitetit tonë, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.
Ikja e tij nga jeta, në moshën 57 vjeç, ka pikëlluar rëndë familjarët e tij, miqtë, kolegët dhe krejt organizatën tonë, pjestar i së cilës ishte qysh në vitin e parë të themelimit të saj.
Gazetari Aristir Lumezi spikati si reporter i politikës në shtypin shqiptar përgjatë 20 viteve të fundit. Ai drejtoi me maturi dhe profesionalizëm disa redaksi të të përditshmeve kryesore në vend dhe për disa vite u dallua si zëvendës/ kryeredaktor dhe kryeredaktor i së përditshmes kryesore në vend, gazetës ” Panorama”.
Kolegu ynë i nderuar Lumezi ishte prind dhe familjar i shkëlqyer, një profesionist i karakterizuar në çdo moment nga përgjegjësia dhe ndërgjegjia e lartë morale dhe profesionale.
Ai ndau njohje të shumta profesionale e njerëzore dhe meritoi një simpati publike si gazetar dhe pjestar i editorit të Panoramës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh dhimbjen e anëtarëve për humbjen e parakohshme të kolegut dhe mikut tonë të respektuar dhe përcjell ngushëllimet pranë familjes Lumezi!
I paharruar do të mbetet mes nesh kolegu dhe miku ynë i urtësishëm!
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë