“Amerikanët duhet ta ndalin degradimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës nga europianët”/
Nga Jusuf Buxhovi*/
Të marrësh pjesë në një manifestim të “Vatrës” është nder i madh. Ndërsa të jesh mysafir i veçantë si ky, me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është privilegj i madh.
Por, të jesh mysafir në një manifestim të tillë, ku duhet të thuhet diçka, njëherësh do të thotë edhe përgjegjësi tepër e madhe, ngaqë kjo, krahas falënderimit gjithë atyre që i ndihmuan procesit historik të jetësimit të shtetit të Kosovës, e ku roli i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte i madh,nënkupton edhe një qasje kritike ndaj një zhvillimi në të cilin ndodhet shteti i Kosovës nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, qasje kjo që ka për qëllim që atij t’i ndihmohet në mënyrë që ai të përmbyllet në përputhje me idealin e atyre që e projektuan dhe punuan që ai të vihet në binarët historik.
Shikuar nga ky këndvështrim, mund të thuhet se shteti i Kosovës, në këtë gjashtë vjetor gjendet para sfidës të përmbush premtimin e ideatorëve të saj, pra që të bëhet i pavarur dhe të mbetet në kursin perëndimor, apo, si një projekt ndërkombëtar, me konceptin e qytetarisë dhe në emër të integrimeve evropiane, të rrëshqasë në një të ardhme sa të paqartë e të pasigurt?
Edhe pse sekush e di se Kosova jashtë tutelës së Beogradit nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e ndërkombëtarëve, veçmas të SHBA-ve, që ishin promotor i procesit të nxjerrjes së saj nga pushtimi serb, megjithatë jetësimi i pavarësisë, si një proces që duhet të përfshijë pa përjashtim që të gjithë qytetarët e saj në përputhje me kriteret e të drejtave elementare qytetare, ka rrezik që atë ta dëmtojë, ose ta degradojë deri te përmasat e humbjes së sovraniteti të saj politik dhe shtetëror madje, po qe se sendërtimi i të drejtave të pakicës serbe lidhen me pranimin e rolit politik të Serbisë në këtë çështje, prapa të cilit shfaqen ambiciet e hapura të Beogradit që me anën e instrumentalizimit të mëtutjeshëm të kësaj çështje, të arrihet ndarja e brendshme e Kosovës, sipas kutit të saj, që pastaj, mund të çojë edhe të ndonjë ndarje tjetër faktike, destabilizuese për gjithë rajonin dhe më gjerë.
Nëse shihet planimetria dhe kahu i bisedimeve të deritanishme midis Prishtinës dhe Beogradit, që po drejtohen nga përfaqësuesja e Bashkimit Europian zonja Eshton, fitohet përshtypja se këto bisedime më pak kanë si qëllim që Kosova të zgjidh problemet e saj të brendshme (përfshirë këtu atë të integrimit të pakicave që shfaqet si parakusht për normalizimin marrëdhënieve me Serbinë), e më shumë atë të krijimit të një raporti partneriteti midis BE-së dhe Serbisë, ku mimikria e bisedimeve me Kosovën dhe gjoja gatishmëria e normalizimit të marrëdhënieve me të, të shërbejë si një alibi që asaj t’i plotësohen kushtet që ajo të përfshihet në procesin e pranimit në Bashkimit Europian.
Andaj, ky zhvillim dhe kjo ecuri, që gjithnjë e më shumë po i nxjerr në pah skenarët jo vetëm për ndarjen e brendshme të Kosovës, por edhe për ndarjen e saj faktike, ka zgjuar shqetësim dhe frikë, gjë që nxjerr në pah nevojën që kjo të thuhet haptas e madje edhe të veprohet që kjo të mos ndodhë, nga rreziku që klasa e tanishme politike e përfshirë në këto bisedime, pa kredibilitet intelektual dhe e shantazhuar nga aferat e ndryshme korruptive dhe me keqpërdorime ndër më të rëndat, që t’i shpëtojë drejtësisë para së cilës herdo-kudro duhet të dalë, është në gjendje që të pranojë edhe aso zgjidhje që degradojnë shtetësinë e Kosovës dhe interesat e saj pa të cilat ajo nuk mund të funksionojë si shtet. Protestat aktuale të studentëve dhe lëvizjet tjera që po shfaqen nuk mund të shikohen jashtë këtij shqetësimi të madh. Përhapja e tyre e mëtutjeshme nuk mund të lërë të qetë intelektualët e devotshëm, të cilët nuk mund të heshtin apo të rrinë anash karshi zhvillimeve që lidhen me mbrojtjen e shtetit të Kosovës para rreziqeve që po i vinë nga klasa e papërgjegjshme politike, por edhe nga politika evropiane që në vend se ta pranojë dhe ta ndërtojë si shtet të pavarur e demokratik, po i vë fusnota. Elita e ndërgjegjshme intelektuale nuk mund të pranojë retorikën rreth gjoja integrimeve dhe ardhmërisë së përbashkët evropiane, kur realitet politike, ekonomike dhe shoqërore, atë po e degradojnë, duke e kthyer në një geto evropiane, ardhmëria evropiane së cilës kalon nëpër “vullnetin” politik të Beogradit! Shqiptarët e Kosovës nuk mund të pranojnë që lufta e tyre e gjatë për liri dhe pavarësi të kalojë në një pazarllëk të hapur të politikave europiane me Beogradin.
Natyrisht se për t’u shprehur ky shqetësim dhe kjo pakënaqësi, e cila po vazhdoi kështu mund të kthehet në një revoltë të hapur, për adresë të vetme ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, nga fundi i viteve të tetëdhjeta, kur lëvizja jonë kombëtare e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton për liri, demokraci dhe barazi nisi procesin e pandalshëm historik të shkëputjes nga pushtimi serb dhe të rrënimit të ideologjisë komuniste, ishin jo vetëm frymëzues të këtij procesi historik, por u vunë në mbrojtje të tij, duke garantuar edhe suksesin e tij, po qe se shqiptarët do të silleshin në përputhje me parimet e qytetërimit perëndimor dhe të përkatësisë ndaj tij.
Koha tregoi se Shtet e Bashkuara të Amerikës mbajtën premtimin, gjë që për ta nxjerrë Kosovën nga pushtimi i gjatë serb, krahas diplomacisë, e cila nganjëherë dukej se lëshonte pe ndaj Beogradit, përdorën edhe ultima ration, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të mars-qershorit të vitit 1999. Shtet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, ishin ato që i dhanë fund gjendjes së protektoratit ndërkombëtar, duke u vu në anën e pavarësisë së Kosovës, e cila do të shpallet më 17 shkurt të viti 2008.
Por, siç po shihet, në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të aleatit të madh, për të parandaluar procesin e degradimit të sovraniteti të saj shtetëror, që ka filluar nën trysninë e vendeve evropiane, të cilat, në emër të gjoja parimeve europiane të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në Kosovë,, gjithnjë e më shumë po e involvojnë interesin e Serbisë! Ky zhvillim i dëmshëm, që si po shihet, mund të prodhojë realitete të tilla politike, që mund të çojnë te ndarja e Kosovës sipas kutit serb, jo vetëm që nuk do të jetë në përputhje me të ashtuquajturën politikë të integrimeve evropiane, por për të kundërtën, ngaqë degradimi i mëtutjeshëm i sovranitetit shtetëror të Kosovës, do të çojë te kthimi i Serbisë në një faktor rajonal, pa marrë parasysh se ajo, deri më dje prodhoi luftëra dhe gjenocide.
Po ashtu, degradimi i sovranitet shtetëror të Kosovës në dobi të Serbisë, nuk mund të jetë as në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,të cilat, janë angazhuar aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Andaj, është koha e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë që të mos lejojnë të përsëritet historia tragjike, të cilës shqiptarët u kanë paguar çmim të madh.( Shkëputje nga fjala përshëndetëse në manifestimin e shoqatës “Vatra” në Nju Jork me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës) )
…