Faton Bislimi/
Me 5 shkurt, në Parlamentin Evropian në Strasbourg, kisha nderin dhe përgjegjësinë e madhe që bashkë me Korab Kastratin, si bashkëkryesues të Këshillit Organizativ, të udhëheqë Akademinë Ndërkombëtare Përkujtimore për Presidentin Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Kryefjala e takimit ishte vlera e vizionit largpamës e demokratik të Dr. Rugoves, e potencuar me shumë emocione e elokuencë nga miq e personalitete ndërkombëtare prezentë në Akademi.
Kisha nderin e veçantë, po ashtu, që në Strasbourg nga Washington, DC (ku isha për takime para se të vija në Strasbourg) të sjellë edhe mesazhet më të ngrohta të Liderit të Shumicës së Senatit Amerikan, Senatorit Chuck Schumer; bashkëkryesuesit të Grupit për Çështje Shqiptare në Senat, Senatorit Gary Peters; si dhe bashkëkryesuesit të Grupit për Çështje Shqiptare në Kongres, Kongresistit Jim Himes.
Mesazh shumë të ngrohtë per këtë ngjarje, kam pranuar edhe nga Presidentja e Parlamentit Evropian, znj. Roberta Metsola.
Më lejoni të ndaj këtu me ju vetëm disa citate të këtyre personaliteteve të shquara nga letrat që kam pranuar nga ta si bashkëkryesues i këshillit organizativ të Akademisë Nderkombëtare Përkujtimore për Presidentin Historik të Kosovës:
Presidentja Metsola: “Parlamenti Evropian ju mirëpret sot për të nderuar jetën dhe veprën e Presidentit Rugova. Përkushtimi i palëkundur i Presidentit Rugova ndaj jodhunës e bëri atë shpresë për popullin e vet dhe arkitekt të Kosovës moderne…”
Senatori Schumer: “… për kohë të gjatë kam pëkrahur përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi… gjë që s’do ishte e mundur pa lidershipin e Presidentit Rugova…”
Senatori Peters: “Presidenti i Kosovës Rugova ishte lider i respektuar jo vetem nga populli i Kosovës, por edhe nga komunitetu shqiptaro-amerikan. Puna e tij është testament për paqe e demokraci, dhe ka formësuar të ardhmen e Kosovës si një shtet i lirë e i pavarur…”
Kongresisti Himes: “Aplaudoj lidershipin dhe përkushtimin e Dr. Rugovës që solli shtetin e pavarur e demokratik të Kosovës…”
Falëmnderime nga thellësia e zemrës Senatorëve Schumer e Peters, Kongresistit Himes, e Presidentes Metsola, për këto mesazhe kuptimplota përmes së cilave jo vetëm se më nderuan mua, por edhe ngjarjen e parë dhe historike të kësaj natyre për Presidentin Rugova.
Mirënjohës përjetësisht të gjithë pjesëmarrësve në këtë Akademi (nga krejt Evropa, por edhe nga Amerika, siç ishte atdhetari Ramiz Tafilaj), nikoqirëve në Parlamentin Evropian në krye me z. Mandl, të gjithë folësve, Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, dhe posaqërisht kolegëve të mi në Këshillin Organizativ sidomos Fatmir Kastratit dhe familjes së tij atdhetare!