
Prof. Dr. Fejzulla Berisha/
1.Zgjedhjet si akt i sovranitetit dhe legjitimitetit shtetëror
Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të mbajtura në pajtim me Kushtetutën përbëjnë manifestimin më të lartë të sovranitetit popullor dhe bazën themelore të rendit demokratik të çdo shteti. Në Republikën e Kosovës, ky parim është i sanksionuar qartë në nenin 2 të Kushtetutës, i cili përcakton se sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet në përputhje me këtë Kushtetutë.
Në këtë kontekst, proceset zgjedhore në komunat veriore nuk janë vetëm ngjarje politike, por akte konfirmimi të sovranitetit kushtetues të shtetit të Kosovës mbi tërë territorin e saj. Prandaj, çdo ndërhyrje e jashtme – veçanërisht ajo e organizuar nga Serbia – përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit kushtetues të Republikës së Kosovës, duke shkelur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare publike dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
2. Ndërhyrja e Serbisë – veprim i qëllimshëm dhe i organizuar shtetëror
Në zgjedhjet lokale të mbajtura në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Serbia ka ushtruar një sërë ndërhyrjesh të drejtpërdrejta dhe të ndërmjetme, të cilat dëshmojnë për një strategji shtetërore të planifikuar për të sabotuar procesin demokratik të Kosovës. Këto ndërhyrje përfshijnë:
-Thirrjet publike të zyrtarëve më të lartë shtetërorë serbë, përfshirë Presidentin e Serbisë, për bojkot të zgjedhjeve të organizuara nga institucionet legjitime të Kosovës;
-Përdorimin e strukturave paralele ilegale, të financuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, që veprojnë jashtë juridiksionit të Kosovës;
-Presione sistematike ndaj qytetarëve serbë, përmes kërcënimeve për vendet e punës, ndëshkimeve ekonomike dhe frikësimeve të drejtpërdrejta për pjesëmarrje në votim;
-Fushata propagandistike të mediave shtetërore serbe, të cilat e paraqesin procesin zgjedhor në Kosovë si “ilegjitim” apo “të imponuar nga Prishtina”.
Këto veprime, të sinkronizuara në nivel politik, ekonomik dhe informativ, përbëjnë një ndërhyrje hibride të mirëstrukturuar kundër integritetit të brendshëm të Republikës së Kosovës, me synim final delegjitimimin e institucioneve kushtetuese në veri.
3. Dimensioni kushtetues – shkelje e parimeve të sovranitetit dhe rendit publik
Sipas nenit 16 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rendi juridik i Republikës është suprem dhe sovraniteti i saj shtrihet në tërë territorin e vendit. Po ashtu, Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale përcaktojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kompetencë ekskluzive për organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve në çdo komunë pa përjashtim.
Në këtë kuptim, ndërhyrja e Serbisë në procesin zgjedhor paraqet:
-Cenim të drejtpërdrejtë të autoritetit të institucioneve të Republikës së Kosovës;
-Ndërhyrje në ushtrimin e sovranitetit popullor (neni 2);
-Shkelje të parimit të barazisë qytetare dhe vetëqeverisjes lokale (neni 123);
-Rrezikim të rendi publik dhe paqes kushtetuese.
Në thelb, ndërhyrja serbe është përpjekje për të ruajtur një kontroll paralel dhe antikushtetues në territorin verior të Kosovës – duke e paraqitur si “çështje etnike”, por në fakt duke synuar cenimin e rendit juridik dhe sovranitetit shtetëror.
4. Aspekti i së drejtës ndërkombëtare – shkelje e parimit të mosndërhyrjes
Në planin ndërkombëtar, parimi i mosndërhyrjes përbën një nga themelet e së drejtës ndërkombëtare. Ai është i sanksionuar në:
-Nenin 2(4) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që ndalon çdo kërcënim ose përdorim të forcës kundër integritetit territorial apo pavarësisë politike të ndonjë shteti;
-Nenin 2(7) të së njëjtës Kartë, që ndalon ndërhyrjen në çështjet që i përkasin juridiksionit të brendshëm të një shteti;
-Aktin Final të Helsinkit (1975), i cili e përforcon detyrimin për respektimin e sovranitetit dhe mosimponimin politik ndërmjet shteteve.
Si anëtare e OKB-së, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, Serbia ka detyrimin ndërkombëtar të respektojë këto parime. Megjithatë, përmes ndërhyrjeve në proceset zgjedhore të Kosovës, ajo jo vetëm që shkel të drejtën ndërkombëtare, por edhe zotimet e dhëna në kuadër të dialogut të Brukselit, për të mos penguar funksionimin e institucioneve të Kosovës në veri.
5. Ndërhyrja si vazhdimësi e politikës hegjemoniste serbe ndaj Kosovës
Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet lokale në veri është pjesë e vazhdueshme e politikës hegjemoniste dhe neoekspansioniste serbe që nga përfundimi i luftës së vitit 1999. Serbia nuk e ka pranuar realitetin e shtetësisë së Kosovës dhe, përmes strukturave paralele, synon të ruajë një mekanizëm kontrolli politik dhe ekonomik mbi qytetarët serbë të Kosovës.
Kjo politikë nuk është vetëm kundër shtetit të Kosovës, por edhe kundër interesave të vetë komunitetit serb që jeton në Kosovë, i cili pengohet të integrohet në institucionet demokratike të vendit dhe të ushtrojë të drejtat qytetare në mënyrë të lirë dhe të barabartë.
6. Përgjegjësia ndërkombëtare e Serbisë
Sipas Draft Articles on Responsibility of States for Internationally Wrongful Acts (Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare, 2001), çdo shtet është përgjegjës ndërkombëtarisht për veprimet që shkelin sovranitetin e një shteti tjetër.
Në këtë kuptim, Serbia, përmes:
-Organizimit të strukturave ilegale në territorin e Kosovës,
-Ndërhyrjes direkte në procesin zgjedhor,
-Propagandës kundër institucioneve të Kosovës, dhe
-Thirrjeve për bojkot institucional,
ka kryer akte ndërkombëtarisht të palejuara, të cilat prodhojnë përgjegjësi shtetërore.
Prandaj, Kosova ka të drejtë të adresojë këtë çështje në instancat ndërkombëtare – përfshirë OKB, BE, OSBE dhe Këshillin e Evropës – duke kërkuar sanksione diplomatike dhe politike ndaj Serbisë për ndërhyrje flagrante në punët e saj të brendshme.
7. Reagimi i institucioneve të Kosovës – mbrojtja e rendit kushtetues dhe sovranitetit
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë detyrimin kushtetues dhe moral për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të siguruar ushtrimin e lirë të të drejtës së votës nga çdo qytetar, pa dallim etnik.
Reagimi duhet të jetë i shumëdimensionuar:
-Juridikisht, përmes zbatimit të rreptë të ligjit ndaj çdo strukture ilegale;
-Politikisht, përmes informimit të vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarë;
-Diplomatikisht, përmes ngritjes së çështjes në instancat evropiane dhe ndërkombëtare;
-Kushtetueshëm, përmes forcimit të pranisë së institucioneve shtetërore dhe garantimit të funksionimit të vetëqeverisjes lokale në përputhje me ligjin.
8.Ndërhyrja serbe si sfidë për paqen dhe sovranitetin
Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës nuk është vetëm akt politik, por sulm juridik, institucional dhe sovranitetar ndaj shtetit të Kosovës.
Ajo përbën cenim të rendit kushtetues, të sovranitetit popullor dhe të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Nëse një ndërhyrje e tillë do të tolerohej, do të rrezikohej jo vetëm stabiliteti i brendshëm i Kosovës, por edhe arkitektura e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, e ndërtuar mbi parimet e integritetit territorial dhe respektit të sovranitetit shtetëror.
Mbrojtja e Kushtetutës dhe e sovranitetit të Republikës së Kosovës nuk është vetëm detyrim juridik e institucional, por detyrim historik, kombëtar dhe moral – në mbrojtje të shtetësisë së fituar me gjak, të rendit demokratik dhe të paqes rajonale.