
Marjan Cubi/
(Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut)
Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova meriton mirënjohjen e mbarë shqiptarëve. Vizioni, mençuria, urtësia dhe filozofia e Dr. Rugovës ishin frymëzim për aspiratat shumëshekullore kombëtare të shqiptarëve. Përjetësimi në shtatore i kësaj figure të pavdekshme shtetformuese është nder dhe respekt për jetën dhe trashëgiminë e tij. Jam i lumtur të ndaj lajmin me bashkëkombësit dhe patriotët e mërgatës se Komuna e Klinës miratoi vendimin për ngritjen e shtatores së Dr. Ibrahim Rugovës në Sheshin “Rugova” në qendër të Klinës.
Ky është një investim dhe dhuratë personale për qytetarët e Klinës e çdo patriot shqiptar prej djalit tim Ilir Cubi në shenjë nderimi e vlerësimi për Dr. Rugovën, frymëzuesin e lirisë e pavarësisë së Kosovës. Dr. Rugova ka dhënë kontributin më të rëndësishëm me afrimin e Kosovës me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte fryma e Rugovës, aftësia dhe zgjuarsia e tij që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe bindi kancelaritë politikë për Kosovën. Si njeriu besnik i Dr. Rugovës në Amerikë, mik e bashkëpunëtor i tij i ngushtë dhe i afërt, përmes kësaj shtatoreje memorizoj kontributin, miqësinë dhe vlerësimin e Dr. Rugovës për mërgatën e Amerikës në veçanti.
Si vatran historik dhe themelues e drejtues i LDK-së në New York 1998-2002, jemi rritur, frymëzuar dhe udhëhequr nga filozofia e shpirti patriotik i Doktor Rugovës. Ai kishte lidhje të fortë me mërgatën e Amerikës dhe Vatrën. Sot më shumë se kurrë shtetit të Kosovës, Shqipërisë e mërgatës sonë i duhet një politikan vizionar e perëndimor si Dr. Rugova. Ai është frymëzim i përjetshëm, nderimi dhe respekti i qoftë ndër breza, politikanit dhe burrështetasit që frymëzoi e udhëhoqi shqiptarët e Kosovës në kohët më të vështira. Dr. Rugova la një trashëgimi dhe testament kombëtar të përjetshëm. Nderim e lavdi përjetë.