-Presidenti Thaçi: Epopeja e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare, në Kosovë, në diasporë dhe anembanë botës, kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët/ -Kryeministri Haradinaj: Forca e Sigurisë së Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s/
-Kryeparlamentari Veseli: Vitet po kalojnë, por kujtimi për 5 marsin e vitit 1998 mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tone/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 5 Mars 2018/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në homazhet në Kompleksin Memorial në Prekaz, tha se sot shënojmë dy dekada të rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes së tij.“Sot jemi këtu për nderime institucionale shtetërore për të vazhduar në manifestime tjera nderimin për rënien heroike, por në të njëjtën kohë edhe përkushtimin për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit tonë të pavarur e sovran, një shtet modern, i orientimit euroatlantik, i bazuar dhe i ndërtuar mbi vlerat e luftës çlirimtare, të asaj lufte ku bënte pjesë pothuaj një popullatë e tërë”, u shpreh presidenti i Kosovës.
“Prandaj, sot në këtë 20 vjetor të rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari duhet të ndihet krenar çdo qytetar për kontributin e vet, duhet të ndihet krenar për rrugëtimin që kemi pasur po edhe duhet të ndihet me besim të plotë e optimizëm për të ardhmen e sigurt të shtetit tonë”, theksoi prsideni Thaçi në Prekaz.
Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot në një seancë të veçantë, me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashri dhe Familjes Jashari.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë, në nderim të njërës prej sakrificave më të mëdha të popullit tonë për liri e pavarësi: sakrificës së Familjes Jashari nga Prekazi dhe Kryeheroit të Kosovës – Komandantit Legjendar Adem Jashari.
“Vitet po kalojnë, por kujtimi për 5 marsin e vitit 1998 mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tonë. Mbetet dhembja dhe krenaria jonë njëkohësisht. Atë ditë në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat”, u shpreh ai.
Kryeparlamentari Veseli tha se, sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit.
“Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve: Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli tha se ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz nxorën para gjithë botës të vërtetën e madhe të Kosovës.
Në seancën e veçantë të Kuvendit, ku të pranishëm ishin përfaqësues institucionalë, kori diplomatik i akredituar në Kosovë, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, familjarë të dëshmorëve si dhe personalitete tjera të jetës politike e akademike në vend, fjalë rasti mbajti edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai vlerësoi lart sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të Familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se Familja Jashari përshpejtoi kohën, përmbysi shekujt, ndërroi epokat dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit, si rast unik i flijimit për liri e dinjitet.
“Brezat e rinj të shqiptarëve dhe miqtë e Kosovës na porosisin që ta ndërtojmë paqen për të gjithë, sepse ajo është më e vështirë se lufta, pra ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët, të tillë çfarë e ëndërruan dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, pa dhunë e shtypje, pa padrejtësi e nëpërkëmbje. Ne, kemi ecur njëzet vjet në liri dhe të arriturat janë të dukshme”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai ftoi të gjithë shqiptarët, gratë dhe burrat, partitë politike dhe liderët e tyre si dhe komunitetet me të cilët bashkëjetohet, për unitet institucional dhe kohezion shoqëror, për t’i mbrojtur idealet e lirisë, për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes.
Në vijim të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së” sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00 u mbajt ceremoni ushtarake e FSK-së e përcjellë me programin kulturor dhe artistik.
Nga Familja heroike e Prekazit, Rifat Jashari tha se sot nderojmë të gjithë ata që luftuan e ranë për lirinë, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar edhe për të sotmen dhe të ardhmen e kombit e atdheut.
Presidenti Thaçi: Epopeja e UÇK-së zgjoi kudo krenarinë shqiptare
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila sivjet përkon edhe më 10 vjetorin e shpalljes të Pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se këta dy përvjetorë jubilarë janë ngjarje epokale, historike dhe me peshë të veçantë për Kosovën dhe qytetarët tanë.
“Para dy dekadave Kosova sublimoi tërë historinë e përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi, duke iu kundërvënë aparatit administrativ, policor dhe ushtarak të Beogradit, të drejtuar nga regjimi i Millosheviqit. Kjo kundërvënie u bë përmes rezistencës së armatosur, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli nga gjiri i qytetarëve tanë. Qëndresa e komandantit Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij u shndërrua në masivizim dhe zgjerim të jashtëzakonshëm të radhëve të UÇK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai tha se Epopeja e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare, në Kosovë, në diasporë dhe anembanë botës, kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.
“Rezistenca e UÇK-së dhe ajo gjithë qytetare bëri që bota demokratike, në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së ta vë në përdorim fuqinë më të madhe ushtarake të Aleancës Veriatlantike, NATO-n. Kosova përfundimisht u bë një vend i lirë për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi ai.
Kreu i shtetit shtoi se sa herë gjendet para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës e sheh momentin e ndritur të Kosovës, ku bashkohet më së miri historia, e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë.
“Rreshtimet tuaja të gjithëve na bëjnë krenarë, na japin forcë, siguri dhe më shumë dashuri për atdheun tonë. Ju jeni në themelet e identitetit tonë si shtet i pavarur, që prej kohës së transformimit deri në strukturimin e sotëm. Prandaj, si President i Kosovës, shpreh respektin tim më të madh për gjithë punën tuaj nën uniformën e FSK-së. Këtë uniformë, përmes pjesëtarëve tuaj, po e bëni të respektuar kudo në botë, në akademitë prestigjioze, qoftë me aktivitete grupore, qoftë me të arritura individuale. Duke marrë parasysh përgatitjen tuaj, bashkëpunimin e suksesshëm dhe përkrahjen që keni nga KFOR-i dhe NATO-ja, ju faktikisht po dëshmoni pjekurinë dhe aftësinë për të ushtruar misionin tuaj themelor, atë të Forcave të Armatosura të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “niveli i përgatitjes në shumë dimensione është më i mirë se ai i forcave të armatosura të rajonit”.
Edhe pse sot është një ditë festive ku përkujtohet krenaria dhe sakrifica për liri dhe pavarësi, presidenti Thaçi theksoi se nuk mund të mos e themi se marshin e ecjes përpara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në transformim profesional nuk arriti ta përcillte politika jonë.
“Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon”, shtoi presidenti Thaçi
I pari i vendit theksoi se dëshiron që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke bashkuar në një vend, në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha entiteteve dhe të gjitha komuniteteve të Kosovës.
Ai theksoi se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë vlerë e përbashkët e të gjithëve, një vlerë që shpreh karakterin shumetnik të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Kryeministri Haradinaj: FSK së shpejti ushtri e Kosovës dhe anëtare e NATO-s
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 20 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
Në këtë ceremoni, që u mbajt në kuadër të manifestimit gjithpëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila me shumë mund e sakrifica po krijon një imazh ri të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.
Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:
Të nderuar ushtarë e oficerë,
Gjeneral Rama, ministër Berisha,
I nderuar president i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi
Familjarë të dëshmorëve, martirëve, kategori të lirisë,
E nderuar dhe e respektuar Familje emblemë e shqiptarëve, Familja Jashari
I dashur baca Rifat.
Sot, kur para nesh parakalon Forca e Kosovës, në fytyrat e tyre shëmbëllejnë ushtarët e lirisë.
Fytyra e ushtarit është e përjetshme dhe na ngjanë gjithmonë në fytyrat e heronjve tanë që jetën ia dedikuan atdheut.
Kjo tokë ka njohur ushtar e ushtri të rrepta e guximtare, që nga radhët e dardanëve e deri te Ushtria e Çlirimtare e Kosovës, ushtria e komandantit legjendar Adem Jashari.
Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.
Ushtri që në zemër dhe në shpirt mban flakën e lirisë të ndezur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që është e gatshme sot të njohë dhe të mbrojë diversitetin kulturor e etnik të vendit tonë, lirinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve.
Ju, në rrethana paqeje do të shërbeni kudo që e kërkon Aleanca Veri-Atlantike aty ku do të jetë edhe qëllimi Ynë!
Pra, ushtarë e oficerë, Forca e Sigurisë së Kosovës, të gjithë ju prezentë, sot ne mund të kthehemi të nderojmë dhe kujtojmë me respekt të rënët për liri, të kujtojmë me respekt Epopenë e UÇK-së dhe rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të betohemi në drejtimin tonë për një liri të përjetshme.
Lavdi të rënëve për liri.