NGA DRITAN MISHTO/
Kryetar i Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA/
Festa e Pavarësisë na sjell gjithnjë ndër mend të nderojmë ata burra që me forcën e tyre mendore, qartësinë dhe largpamësinë për një komb shqiptar evropian firmosën dhe vulosën historikisht themelimin e shtetit modern shqiptar.
Por, ky vit, si asnjëherë më parë na ka bërë të evidentojmë njërin syresh, Mid’hat Frashërin, të cilit iu plotësua amaneti për dergjen përfundimtare në tokën mëmë.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e ka nderuar dhe do ta nderojë Mid’hat Frashërin për gjithë atë çfarë ai ka bërë për alfabetin dhe gjuhën tonë të bukur, zbulimin e rrënjëve dhe prejardhjes sonë kombëtare, kontributin e rrallë në letërsinë shqipe, bibliografinë mbi baza shkencore, faktet historike të zbuluara e shoqëruara me argumentë të pakundërshtueshëm, elegancën diplomatike dhe forcën bindëse, e mbi të gjitha për qëndrimin e tij atdhedashës në luftën e pakompromis kundër komunizmit, gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, si një e keqe e cila fatkeqësisht na pllakosi për dekada të tëra.
Veçanërisht Federata VATRA nderon dhe kujton me shumë respekt e dashuri Mid’hat Frashërin për marrëdhënien e bashkëpunimin e veçantë që ka pasur me këtë gjigand të shqiptarizmës, si ambasador të saj për të mbrojtur çështjen tonë kombëtare tek Fuqitë e Mëdha; si të deleguar të Shqipërisë kur arka e shtetit shqiptar ishte bosh, dhe VATRA mblodhi fondet e duhura, apo edhe për kërkesën që Vatranët i bënë të merrte drejtimin e Federatës. Ashtu siç duhet të pranojmë me dhimbje të vërtetën tjetër, që VATRA e pasluftës, për shkak të influencave të qeverisë komuniste të Tiranës, e kritikoi dhe nuk e mbështeti Mid’hatin në nismën e tij me Komitetin Shqipëria e Lirë, aq sa edhe njoftimi i vdekjes së këtij kollosi të shqiptarizmës në Gazetën Dielli ishte i thatë. Por, ne jemi dëshmitarë që dekadat e fundit, VATRA e ka kujtuar dendur e vlerësuar lart Mid’hat Frashërin, aq sa vizitat në varrin e tij, akademitë politike, veprimtaritë kulturore e dokumentare kanë qenë të panumërta. Vetëm vitin e fundit drejtuesit e Federatës dhe përfaqësues të diasporës kanë vizituar tre herë varrin e Tij, duke përfshirë edhe ndarjen dhe homazhin përfundimtar. Fotografia e Mid’hat Frashërit ka zënë gjithmonë vend nderi në zyrat tona.
Ndaj, nisur nga ky raport i veçantë dhe kjo trashëgimi historike, Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA shtron me të drejtë pyetjen: Si po kthehet Mid’hat Frashëri në Shqipëri? Në qoftë se vetëm kthimin e eshtrave të Mid’hatit e konsiderojmë të mjaftueshëm, mendoj se bëjmë një vlerësim të pjesshëm. Ndaj pyetja është: A po kthehet i plotë Mid’hat Frashëri në Shqipëri? Unë mendoj se Jo.
Qeveria Socialiste Shqiptare vërtet ndërmori një akt të tillë, por është i papranueshëm vlerësimi i cunguar i figurës së Tij, vetëm si kryetar i Kongresit të Manastirit, ashtu siç shkruhet në njoftimin zyrtar të ceremonisë kryeministrore “Personalitet i Kulturës Mbarëkombëtare” duke lënë në hije tërë pjesën tjetër të aktivitetit të tij patriotik, albanologjik, historik e mbi të gjitha Doktrinën e tij politike.
Rivlerësimi i figurës polidimensionale të Mid’hat Frashërit nuk bëhet me një fjalim Kryeministror, që e merr era e vjeshtës. Ky vlerësim dhe ndjesa ndaj Tij bëhen me platforma institucionale duke filluar nga rishikimi i teksteve historike shkollore e studimore; përfshirja në enciklopeditë e figurave më të ndritura kombëtare; analiza e thellë të sjelljes brilante diplomatike; e nuk gaboj të shtoj përthithjen e doktrinës “Mid’hatiane” në qëndrimet aktuale akademike e politike për të ardhmen e kombit tonë. Duhet pranuar dhe thënë me zë të lartë që koha i dha të drejtë Mid’hatit në luftën pakompromis kundër doktrinës komuniste dhe bartësve të saj, sepse Shqipëria që donte Mid’hati do të ishte një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që fatkeqësisht kishim me dekada të tëra. Vetëm kështu ne të gjithë do të jemi të qetë dhe brezat do të njohin Mid’hatin e vërtetë.
E derisa të bëhen të gjitha këto, na mbetet të themi: “Çohu Mid’hat nga varri se erdhën armiqtë politikë me të marrë”!