

Presidenti i Republikës së Shqipërisë nderon artistë dhe sportistë të shquar shkodranë.
Nga Ramazan Çeka
Fillimi i Vitit të Ri solli për artistët dhe sportistët shkodranë një eveniment të rëndësishëm, sepse më të spikaturit e tyre për veprimtarinë e gjatë e të suksesshme artistike e sportive u vlerësuan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në sallën e Këshillit Bashkiak të qytetit të Shkodrës të tejmbushur jo me këshilltarë, por me një publik të mrekullueshëm nga Shkodra, Malësia e Madhe, Dukagjini dhe të gjitha trevat shqiptare, pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar u nominuan emrat e më të shquarëve ndër vite dhe u akorduan për ta titujt e lartë, të cilët iu dorëzuan me dorën e tij nga vetë Presidenti.
Të gjithë të dekoruarit me fjalë zemre dhe shumë emocion shprehen falenderimin për vlerësimin e punës së tyre. Një ndër ta isha edhe unë, që sot u nderova me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Ceremonia e dekorimit filloi me dhënien e titullit të lartë “Nderi i Kombit” këngëtarit të shquar dhe të paharruar të këngës popullore shkodrane, bilbilit të “Ahengut Shkodran” Shyqyri Alushi (pas vdekjes), një vlerësim që tregon se ky kollos i këngës popullore do të jetë përjetësisht nderi i artit dhe kulturës sonë kombëtare. Në vazhdim nga fusha e artit dhe kulturës u nderuan me titullin “Mjeshtër i Madh” Agron Dizdari, Merita Smaja, Nimet Salabegu, Adnan Bala, Ilmi Kurti dhe Mhill Çun Gjonaj (pas vdekjes), një nga rapsodët më të shquar e të spikatur të Veriut të Shqipërisë, një nga zërat më autentikë të çiftelisë, krijues dhe instrumentist virtuoz, i cili ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme për folkorin dukagjinas e më gjerë.
Ndërsa nga fusha e sportit titulli “Nderi i Kombit” iu akordua ish trajnerit të shquar të atletikës, mësuesit të palodhur të shumë e shumë brezave Feti Dizdari (pas vdekjes). Më pas u dorëzuan edhe dhjetë tituj të tjerë “Mjeshtër i Madh” të akorduar për sportistë e tranierë të disiplinave të ndryshme. Me këtë titull të lartë u dekoruan Artenca Tufi dhe Millojka Vaso, Ismet Hoxha, Selami Dani, Viktor Jubani, Nikolin Qyrsaqi, Ferid Borshi, Fatmir Axhani si dhe Millan Vaso dhe Artan Bushati (pas vdekjes).
Paqyrimi i këtij evenimenti në këtë shkrim më shoqëron edhe mua me emocione të forta, pasi një datë tejet e rëndësishme u shtua sot në kalendarin e jetës time, një datë dhe ditë e paharrueshme, në të cilën u ndjeva shumë i plotësuar dhe shumë i vlerësuar për marrjen e titullit “Mjeshtër i Madh” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, dekoratë të cilën ai ma dorëzoi me dorën e tij sot në ambjentet e Bashkisë Shkodër.
Siç e përshkrova edhe më lart gjithçka filloi në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në mes të gjithë atyre të pranishmëve unë u ndjeva njeriu më i lumtur dhe më i nderuar, jo vetëm për vlerësimin, por edhe për vendin që më rezervuan në krah të Presidentit, duke më radhit mes të njerëzve të shquar, jo vetëm të qytetit tonë, por të mbarë Shqipërisë.
Për mua do të mbetet i paharruar ai moment kur z. Ilir Meta citoi publikisht vargjet e mia: “Amerikë ëndrra e Botës, nuk i ke vlerat e Shkodrës”.
Këtë vlerësim pune dhe kontributi të dhënë ndër vite si poet dhe publicist, ua dedikoj atyre që më çmuan dhe më propozuan në emër të institucionit të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë me Kryetar z. Aleksandër Çipa, si dhe z. Gaspër Marku Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Shkodër.
Kjo punë e gjatë dhe e vazhdueshme, me vështirësitë e veta, ka ardhur si një ngacmim shpirtëror duke zgjuar brenda meje atë pasionin e kahershëm të viteve rinore, ku edhe pata prekur sukseset e para të profesionit, pasi gjatë gjithë jetës sime fizikisht e shpirtërisht kam qenë i lidhur mbas fushës së artit e kulturës dhe artikulimit të fjalës së shkruar, që më ka frymëzuar gjithmonë. Këtë pasion të brendshëm, e zgjova, e riktheva dhe e bëra të prekshëm, konkret, nëpërmjet krijimtarisë sime poetike dhe publicistike.
Ashtu si gjithë misionarët e artit edhe unë hyra në këtë rrugë me guxim, por dhe i bindur në aftësitë e mia, të cilat e kishin prekur suksesin qysh në moshën 20 vjeçare. Edhe pse kam qenë më pak aktiv për disa vite, u riktheve me një siguri e vetbesim të madh, se do jem përsëri në gjëndje të korri suksese, gjë që edhe ja dola. Mora parasysh çdo gjë, edhe vështirësitë që mund të më dilnin përpara, por hap pas hapi, falë punës këmbëbgulëse, u ndjeva më i sigurtë dhe më i vlerësuar, jo vetëm nga të gjithë kolegët, por edhe nga të gjithë artistët bashkëpunëtorë, një motiv më shumë ky, që unë të vazhdoj në këtë rrugë.
Duke lënë mënjanë modestinë, më duhet të them se, që në fillim, kisha një dëshirë dhe një peng që duhej ta shfaqja, por edhe ta realizoja. Kisha vënë re se në mediat e shkruara, por edhe ato vizive mungonte pasqyrimi i jetës dhe krijimtarisë të gjigandëve të skenës dhe të letrave dhe unë i vura detyrë vetes, që krahas krijimtarisë poetike, të merresha me këtë fushë e ta plotësoja këtë boshllek të madh. Dhe kështu fillova të botoj me radhë artikuj në shtypin e përditshëm për këto personalitete, artikuj që nuk ishin vetëm shkrime informative, por më tej edhe hulumtime biografike duke sprovuar kështu të portretizoj secilin prej tyre si njerëz dhe si artistë të shquar.
Ndihem shumë krenar që në faqet e gazetave, në rubrikat kulturore e artistike, kam botuar për ta, por edhe kam bashkëpunuar në krijimtarinë time me pjesën më të madhe të artistëve të shquar të skenës e ekranit. Dhe ata nuk janë pak. Ata janë gurë të çmuar në gjerdanin e artit e kulturës shqiptare. Ata janë kollosët e të gjithë brezave, artistë që kanë lënë gjurmë jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjërë, duke filluar me dramaturgun e madh Fadil Kraja, muzikologun e shquar Ferid Bala, studiuesin dhe drejtuesin e artit dhe kulturës Isa Alibali, me këngëtarët virtuozë shkodranë Bik Ndoja e Shyqyri Alushi, legjendat e këngës shqiptare nga Kosova Nexhmije Pagarusha dhe Ismet Peja, e duke vazhduar më pas me një brez më të ri, me “Mjeshtrat e Mëdhenj” të këngës: Bujar Qamili, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Myfarete Laze, Vjoleta Zefi, Mukades Çanga, Merita Halili, Shkurte Fejza, Valbona Mema, si dhe me këngëtarët e mrekullueshëm Fatmira Breçani, Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi, Nikollë Nikprelaj, Shaban Gjekaj, Albërije Hadërgjonaj, Nik Çarku, Demir Zena, Selami Kolonja, Alma Velaj, Hajro Pepaj, Ymer Bajrami, Visar Peja, Edi Furra, Edi Ermeni, Afërdita Demaku, Gëzim Salaj, Hajro Ceka etj.
Bashkëpunim të frytshëm e të suksesshëm kam pasur edhe me kompozitorët më të njohur në Shqipëri e Kosovë: “Mjeshtrat e Mëdhenj” Prof. Zef Çoba, Edmond Zhulali, Kolë Susaj, Skender Doshlani, Shpëtim Saraçi, Mark Kaftalli, Kujtim Alia, Edi Balili, Alban Furtuna, Gjergj Leka, Fatmir Lela, Sabah Bytyçi, Pranvera Badivuku, Florent Boshnjaku, Ilir Shaqiri, Valton Beqiri, Raif Hyseni, Nexhat (Wirusi) Mujovi, Burim Krasniqi, Behar Neli, Gëzim Mneri, Ilir Balla, Tonin Tarnaku, Ilir Zoga, Roland Guli, Gazmen Kraja, Zyhni Beqiraj, Luan Dagistani, Andi Unaza, Zaim Merkulaj, Artion Qamili, djali im Arsidi etj, për të vazhduar me aktorët gjigantë të skenës shqiptare Paulin Preka, Ymer Bala, Zyliha Miloti, Gëzim Kruja, Zef Deda, Besnik Çinari, Drande Xhaj, Sandër Ruçi, Edmond Halili e shumë të tjerë. Në gjithë këtë galeri emrash të artistëve të shquar zë vend edhe një shkodran i thekur, kompozitori dhe regjisori i Radio Televizionit Shqiptar Osman Mula.
Në punën time i kam kushtuar vëmendje të madhe edhe aktiviteteve të shumta e të larmishme kulturoro-artistike të zhvilluara jo vetem në Shkodër e në gjitha Trojet Shqiptare, por edhe në Europë e deri në Amerikë. Gjithashtu duhet të permend edhe realizimin e disa dokumentarëve si skenarist, realizime që janë mirëpritur me vlerësime, jo vetëm nga publiku, por edhe nga kolegët e kësaj fushe.
Për gjithë këtë punë të pamatshme ndjehem tejet i lumtur, por edhe krenar, pasi jam vlerësuar, jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë, por edhe nga personalitete të artit, kulturës dhe fushave të tjera sociale dhe jam i bindur që kam përmbushur atë obligim që i kisha vënë vetes.
Ky vlerësim natyrisht është edhe nota më e lartë që kam marrë në jeten time, për çka së pari dua të falenderoj familjen time për mbështetjen, por edhe miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë shkodranë e më gjërë, pasi rrethi i bashkëpunimeve të mia është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi e deri në Amerikën e Largët.
Falenderoj nga zemra për mbështetjen profesionale dhe vllazërore Mjeshtrin e mjeshtrave, të pavdekshmin prof. Fadil Kraja, si dhe mikun tim të mirë mëndjendritur, mjeshtrin e pendës dhe të penelit, profesorin e letërsisë Osman Kozmaj. Një falenderim të veçantë kam për dy gazetat e përditshme: “Telegraf”, “Dita” dhe “Nacional”, por edhe për gazetën “Bota Sot” në Europë dhe gazetën “Dielli” në Amerikë, të cilat u bënë për mua tribuna nga ku unë përcolla idetë dhe mendimet e mia si gazetar.
Çdo njeri ndjehet i lumtur kur një ditë sheh se puna e tij është vlerësuar. Kjo lumturi erdhi edhe tek unë sot, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta më akordoj titullin “Mjeshtër i Madh” duke u shprehur me fjalët: “Artisti, poeti që do të vlerësojmë tani është Ramazan Çeka, një personalitet me kontribute të shumta, veçanërisht në fushën e artit muzikor. Gjatë punës së tij disa dekadëshe Ramazan Çeka është autor i mijëra teksteve të shumë këngëve, që janë kënduar në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Ramazan Çeka është një nga poetët dhe publicistët më të shquar të qytetit të Shkodrës, i cili me penën e tij ka pasqyruar dhe përçuar vlerat kombëtare, në të gjitha trevat shqiptare dhe nëpër botë. Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin dhe vlerat e tij si poet e publicist kam kënaqësinë të vlerësoj Ramazan Çekën me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: Zotit Ramazan Çeka: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe vlerat e mëdha krijuese si poet, publicist dhe tekst-shkrues i muzikës popullore dhe qytetare shkodrane, e cila këndohet nga shqiptarët, anembanë botës, si dhe për bukurinë e fjalëve dhe të melodisë së saj.” Ky vlerësim nuk është për mua vetëm një çmim për t’u krenuar që ma pasuron jetën time, por një obligim dhe stimul për të punuar, pasi pesha e tij më shton përgjegjësitë për të dhënë akoma më shumë nga vetja, që këtë punë krijuese, studiuese, e propoganduese ta çoj më tej, sepse sot shoqëria jonë ka nevojë të informohet për gjëra të bukura, larg “kronikave të zeza”, larg debateve politike, që sjellin pesimizëm, cilësi që populli ynë nuk e ka as në gen, as në gjak.
Artistët e mëdhenj me veprat e tyre, me artin e tyre e ushqejnë shpirtërisht shoqërinë njerëzore dhe veprat e tyre do t’i pasqyroj gjatë gjithë jetës sime.
Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan në dhënjen e këtij çmimi e në veçanti mirënjohje të përzemërta Shkëqesisë së Tij z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë. Një falenderim akoma më të përzemërt kam për deputetin e Qarkut Shkodër z. Agron Çela, i cili bëri të mundur që gëzimit tim t’i shtonte edhe nderimin e ardhjes së Presidentit të Shqipërisë në sofrën që familja ime shtroi në Shirokën e bukur buzë Liqenit për miqt e mi të nderuar Anila Basha, Engjell Ndocaj, Ben Tafili, Bujar Qamili, Nikollë Nikprelaj, Edmond Ndou, Linda Kavaja, Osman Kozmaj etj.
Edhe kjo drekë kaloi me një atmosferë të këndshme, ku vetë Presidenti e ndjeu veten si një prej nesh, duke u bërë pjesë e këngëve të bukura që sollën këngëtarët e mrekullueshëm Bujar Qamili e Nikollë Nikprelaj, i bindur se qejfi bëhet me shkodranë.
Ky eveniment u ndoq dhe u transmetua nga televizionet lokale dhe ato kombëtare.
Mirënjohje të përjetshme të gjithëve!
Janar 2022