Rafaela Prifti/
Shprehja “ndërrimi i orës” është disi e çuditshme sepse ora në të vërtetë nuk ndërrohet por të gjithë e dimë kuptimin e saj. Sot në Evropë dhe të dielën tjetër në gjithë Amerikën ora kthehet mbrapa një orë me përjashtim të Arizonës dhe Havait ku ruhet koha standarte. Ndonëse kjo mund të jetë hera e fundit përsëri mund ta pyesim veten nëse mund ta përballojmë më me lehtësi kalimin zyrtar në stinët e ftohta dhe të errëta. Sondazhet tregojnë se amerikanët e kanë mërzi “rikurdisjen” e orëve, të cilën disa madje e quajnë “tirani”. Dhe në periudhën dixhitale, siç dihet, pajisjet elektronike e bëjnë tranzicionin në mënyrë automatike. Në fillim të këtij viti Senati amerikan miratoi ligjin për orën e pandryshuar që mund të hyjë në fuqi që vitin e ardhshëm. Një orë më shumë errësirë mund ta ngarkojë gjendjen shpirtërore tek njerëzit që janë më të ndjeshëm dhe i kap plogështia në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Si kundërpeshë, një orë më shumë gjumi ju jep mundësi të pushoni por edhe të funksiononi më mirë gjatë ditës. Mjekët këshillojnë që këtë javë të filloni të shkoni në shtrat 30 minuta më vonë se zakonisht në mënyrë që t’i jepni trupit mundësinë të përshtatet më gradualisht me ndryshimin të dielën e ardhshme dhe për të shmangur orë të tëra zgjuar në shtrat për shkak se truri ndalëson prodhimin e hormoneve të gjumit, melatonin.
Kur orët kthehen gjashtëdhjetë minuta pas kjo nuk do të thotë një orë më shumë.gjumë. Në të vërtetë mund të dalim defiçit me gjumin, të paktën në javët e para të muajit nëntor. Trupi vetëpërshtatet në mënyrë organike me dritën natyrale prandaj mund të fillojmë qysh sot ta ndihmojmë bio ritmin tonë me disa hapa konkrete. Për të mos e humbur aktivitetin e pasdites si për shembull shëtitjen pas pune apo një ecje të lehtë në park të cilin ka nisur ta kaplojë muzgu, dilni në orët e para të mëngjesit. Nëse rënia e temperaturave në agim të ditës ju pengon të bëni vrapin ose rutinën e ushtrimeve të mëmgjesit, dëgjoni një këngë ritmike dhe bëni lëvizje në vend sa për t’i dhënë vetes një kolpo. Për prindërit me fëmijë të vegjël zgjidhje të tilla mund të sjellin lehtësira për gjithë familjen. Për ata që e kanë rutinën e stërvitjes apo gjimnastikës në mbrëmje këshillohet që mos e shtyjnë vajtjen në palestër shumë vonë sepse gjendja fizike interferon me rutinën e vajtjes në shtrat. Dietologët thonë se për të mos ndryshuar orarin e të ngrënit mund të filloni të hani 10-15 minuta përpara tani në mënyrë që trupi të përshtatet brenda disa ditëve me vaktet e bukës një orë më vonë.
Këshilla të tilla praktike apo një guidë personale mund të jenë ide të thjeshta por të vlefshme në një kohë kur ngarkesat mendore, jeta sedentare dhe pasive si edhe streset e shtuara nga konsumimi i tepërt i mediave janë faktorë që çojnë në depresion mijra njerëz Për historinë e ndërrimit të orës, arbitraritetin dhe ingranimin e saj në jetën e përditshme, mund të lexoni më shumë te Dielli https://gazetadielli.com/do-you-have-time/
Mbase një mënyrë për të gjetur energji pozitive dhe aktivitete krijuese mund të jetë recitimi me zë i vjershave të preferuara tuajat apo të familjarëve, vizatime, punë dore etj. Një ide e shkëlqyer për të recituar janë vargjet legjendare të Mjedës sonë të madh te poezia Dimni që hapet me këtë panoramë të paharrueshme:
“Nëpër fushë e nëpër male,
Fryn murlani me stuhi,
O murlan, at frymë ndale,
Ndal, ti, akull mos më ngri,” …..
Vargjet që pasojnë janë nga përshkrimet më të bukura në poezinë shqiptare.
Shkencëtarët dhe politikanët nuk kanë arritur të pajtohen për kohën optimale standarte, edhe pse projekligji është miratuar. Ndërkohë ushtrimet fizike, daljet në ajër të pastër, aktivitetet dimërore, shtimi i dozës së vitaminës D dhe mendimet pozitive ndihmojnë për ta përballuar pak më lehtë tkurrjen e ditëve, ardhjen e temperaturave të ulëta dhe netët e gjata.