Haxhi Dulla – Varshavë/
Polonia gjithmonë e ka qenë partnere mike e Shqipërisë në kulturë por edhe në ekonomi si dhe në ndërtimin e urave të miqësisë. Këtu tani disa vite me radhë mësohet gjuha shqipe në disa, Universitete, atë të Varshavës, Poznanit, por vlenë të përmendet Universiteti i Nikolla Kopernikut në Toruń ku në kuadër të Katedrës së gjuhëve ballkanike zë vend edhe gjuha shqipe. Në Poloni kanë studiuar shumë personalitete të njohura shqiptare të cilët pastaj kanë qenë përfaqësues zyrtar të Shqipërisë në Poloni në postet me të larta diplomatike.
Kam patur nderin e të bashkëpunoj me disa nga ata, duke vequar profesorin tashmë të ndjerin Enver Faja, profesorin Osman Kraja, të ndjerin Florent Çeliku, gjerë tek ish Ambasadorja dr. Shpresa Kureta. Të gjithë këto personalitete kanë lënë gjurmë të madhe në bashkëpunimin shqiptaro – polak. Sot Shqipëria po vizitohet me të madhe nga turistët e huaj, por thuhet se rreth gjysma e këtyre turistëve vijnë nga Polonia. Kjo padyshim është edhe meritë e përfaqësuesve diplomatike por edhe e komunitetit shqiptarë që me decenie jeton e kontribon në këtë vend.
Promovimi i atdheut është detyrë primare e bashkatdhetarëve tanë në Poloni.
Bashkëpunimi i përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë me komunitetin shqiptar është në nivel të lartë.
Sot në Poloni kemi ligjërues shqiptar në disa universitete. Të përmendësh të gjitha aktivitetet e përbashkëta duhet kohë. Këtë herë do veçoja një personalitet polak që meriton vëmendje. Është fjala për Konsullin e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Poloni, historianin e humanistin, Paweł Michalak.
Në qytetin me aglomerim më të madh pas kryeqytetit, në qendër të Polonisë, në qytetin Łódź çdo ditë valon krahas flamurit polak edhe shqiponja jonë dykrenare. Në sallat e restauruara e të bukura të pallatit, i cili ka marrë shkëlqimin e tij (dikur ishte Pallati i Dasmave)
falë konsullit Michalak është shendrruar tani në një qerdhe shqiptaro – polake, ku shpesh mbahen takime ku promovohet kultura, gjuha e traditat shqiptare.
Këtë vit duhet vequar koncertin recital të artistes shqiptare nga Kosova, profesoreshës së pianos, Lule Elezi.
Dr. Paweł Michalak si konsull kujdeset për studentët shqiptarë, duke organizuar praktika shkencore për ta, duke siguruar qëndrimin e tyre në Poloni, ndër të tjera. akomodimi, ushqimi, transporti etj. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve të pambrojtur dhe në nevojë. Kujdeset në mënyrë të veçantë për ta, duke ofruar përkrahje dhe ndihmë materiale. Ofron ushqime për familjet në situata të vështira financiare dhe ëmbëlsira dhe pajisje sportive për fëmijët. Ndihmoi një familje të rinovonte banesën e tyre pas një zjarri. Prej shumë vitesh mbështet financiarisht Qendrën Rajonale Vullnetare “Centerko”, synimi kryesor i së cilës është parandalimi i përjashtimit dhe margjinalizimit social.
Ndër aktivitetet e shumta të konsullit Michalak ishte edhe paraqitja e korit të fëmijëve të qytetit Łódź të cilët me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë vitin e kaluar kishin përgatitur një koncert me këngë shqiptare duke e hapur atë me himnin e Shqipërisë .
Ndërmjetësoi për krijimin e një linje direkte fluturimi mes Tiranës dhe Varshavës, që ka lehtësuar në mënyrë të konsiderueshme udhëtimin dhe shkëmbimin mes dy vendeve. Meritë e madhe e tij ishte iniciativa dhe dërgimi i vakcinave në Shqipëri gjatë pandemisë së fundit globale.
Kohëve të fundit Paweł Michalak, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Łódź të Polonisë, ka bërë një dhuratë të vlefshme për shkollën 9-vjeçare “Petro Poga” në fshatin Shën Todher të Lunxherisë, Gjirokastër. Dhurata e tij përfshin pesë kompjuterë të rinj dhe pajisjen e një kabineti informatike që do të shërbejë për edukimin e teknologjisë për rreth 100 nxënës të kësaj shkolle. Akti I tillë human shënon një kontribut modest por të vlefshëm për arsimin shqiptar, njëherit vazhdon lidhjet kulturore dhe shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.