TIRANË, 7 Tetor/Nga Gjergji Mima/ -Trajneri i Serbisë, Radovan Curçiç dhe kapiteni i Serbisë, Branislav Ivanoviç, mbajtën sot një konferencë për mediat në prag të sfidës së 8 tetorit ndaj Kombëtares shqiptare në “Elbasan Arena”, të vlefshme për elemiatoret e kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Konferencën e hapi zv/Presidenti i Federatës serbe, Savo Milosevic, i cili theksoi se gjatë rrugës për në Tiranë, autobusi i Serbisë është goditur me gurë, por tha se autoritetet shqiptare reaguan menjëherë dhe situata u normalizua.
“Ndodhi një incident i vogël rrugës për në Tiranë. U qëllua me gurë autobusi, por nuk pati ndonjë problem. Reaguan autoritetet shqiptare dhe gjithçka është në rregull”, tha Milosevic.
Ndërsa trajneri i Serbisë, Radovan Curçiç u shpreh se, “do mundohemi të mos mendojmë për gjë tjetër në fushë, por vetëm lojën. Sa i përket formacionit të përfaqësueses së Serbisë, trajneri serb tha se, “formacionin do ta shihni nesër në fushë”.
Trajneri serb ka ripërsëritur se përfaqësuesja serbe mendon vetëm për futboll dhe për asgjë tjetër në këtë ndeshje. Sa për motivimime lojtarëve, ai tha se, “ka qenë shumë e lehtë t’i motivosh futbollistët për këtë ndeshje”.
Ai deklaroi se skuadra e tij do të hyjë në fushë për fitore, megjithëse shtoi se Shqipëria ka një skaudër të konsoliduar. “Kombëtarja jonë është ende në formim, ndërsa Shqipëria ka një skuadër të konsoliduar. Shqipëria është një ekip fortë dhe jo më kot është në vendin aktual në grupin tonë”, tha ai.
Lidhur me një shkarkim të tij nëse humbet nesër trajneri Çurçiç në tha se, “Çdo trajner e di që një ditë do të largohet, por unë nuk mendoj se do të iki pas kësaj ndeshjeje”.
Ndërsa kapiteni i Serbisë, Branislav Ivanoviç u shpreh se, “kjo ndeshje e kalon sportin por ne duam ta fitojmë”.
I pyetur për trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi, Ivanoviç tha se, “trajneri i Kombëtares shiqptare është një Italian dhe mendoj se ai ka bërë një përgatitje psikologjike si dinë vetëm ata”.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi impaktin e parë në Tiranë, Ivanoviç tha se, “E dimë që kjo ndeshje tejkalon sportin, por ne duam vetëm futbollin dhe do të përpiqemi me çdo mënyrë ta fitojmë këtë ndeshje”. Kapiteni serb shtoi se, ky rast është rasti më i mirë për të ndryshuar mentalitetin mes dy popujve në Ballkan.