Nga Elida Buçpapaj/
Zoti kryeministër, në vend se të vinit në vend kërkesën legjitime të Prof. Sami Repishtit, ju shkuat në Shkodër e kërkuat ndjesë për dekoratën dhënë persekutorit të diktaturës.
Kur Prof. Sami Repishti, i mbijetuari i Holokaustit komunist i kërkoi ministres tuaj që të japë dorëheqjen, sepse nuk meriton të jetë ministre e NATO-s, ju nga ana juaj u mjaftuat me një ndjesë, kur persekutori i dekoruar prej Mimi Kodhelit veç At Zef Pllumit dhe Prof Sami Repishtit kishte torturuar edhe 92 viktima të tjera.
Kryeministri i vendit në vend që të reagonte energjikisht, flakë për flakë, mori rolin e protektorit të Mimi Kodhelit dhe, në vend që ta merrnit në telefon urgjentisht vartësen tuaj të kahmotëshme e t’i kërkonit të dorëhiqej, ju reaguat me sulm ndaj kundërshtarit tuaj, dhe nga Shkodra ju thatë: „Po, ne e dekoruam kriminelin, por Sali Berisha e ka privilegjuar me rrogën e veteranit.“
A nuk jeni anët e së njëjtës monedhë! Ju përdorët sulmin, sipas së njohurës – die beste Verteidigung ist der Angriff – se mbrojtja më e mirë është sulmi. Por gaboheni, fajet e Sali Berishës nuk ju shfajësojnë ju.
Sepse PS e ka rehabilituar nomenklaturën kriminale të diktaturës dhe këto dekorime janë në vazhdën e rehabilitimeve. Në 1997 Nexhmija Hoxha ishte në burg, Ramiz Alija ishte në burg, Manush Myftiu ishte në burg. PS i liroi dhe për çdo ditë të burgut të tyre ata u zhdëmtuan. Pra PS i nxori të pafajshëm. Si mendoni ju zoti kryeministër, a ishin të pafajshëm ?
Andaj ndjesa juaj nuk është mjaft. Ndjesa juaj është shplarje goje.
Kjo ndjesë ju vë në një pozitë shumë të vështirë përpara viktimave dhe martirëve të diktaturës e Prof.Sami Repishti që është një martir i gjallë.
Krimet e diktaturës komuniste nuk mund të harrohen kurrë. Kot lodhen historianët e regjimit komunist ta fshehin të vërtetën. Do të vijë një ditë shumë shpejt kur Shqipëria me një klasë politike të përgjegjëshme, jo si kjo që vetëm leh natë e ditë në Parlament, do të denoncojë genocidin e regjimit komunist të periudhës prej 1944-1992. Shqiptarët si komb kanë përjetuar tre lloj genocidesh, por genocidi komunist është më makabri, sepse shqiptari torturoi, persekutoi, internoi e vrau shqiptarin.
Ju nuk keni se përse të bëheni protektori i një ministre, e cila është kthyer në vegël qorre të atyre që i përpiluan ato lista. Një ministre e NATO-s nuk mund ta mbajë mirë edhe me persekutorët e viktimave të regjimit komunist edhe me homologët e saj të Aleancës Verio-Atlantike, sepse standartet janë të përcaktuara.
Prandaj ndjesa juaj nuk mjafton. Ju pas kësaj ndjese hipokrite nuk mund të dilni i palagur. Nuk e kaloni dot lumin zoti Kryeministër me këtë ndjesë. Sepse nuk është ndjesë. Është tallje.
Ju zoti kryeministër nuk e keni provuar kurrë ferrin e diktaturës, ju ka ecur fati. Keni studjuar ku keni dashur, keni zgjedhur vendin e punës sipas qejfit tuaj, po këto privilegje mos harroni jua siguronte regjimi. Ju në asnjë çast të jetës tuaj nuk keni qenë viktimë e monstrës kriminale, ju nuk e keni provuar të jesh adoleshent dhe diktatura të të burgoste prindërit , se çfarë ferri vinte pas kësaj, ju nuk keni provuar burgun, si Visar Zhiti apo Fatos Lubonja, që ju i njihni mirë; por kjo s’do të thotë se ju nuk duhet të keni sensibilitetin e mjaftueshëm që të futeni në lëkurën e viktimave, të të njohurve tuaj apo të atyre djemve të rinj, të edukuar në Perëndim, shokët e qelive të At Zef Pllumit dhe Prof Sami Repishtit që diktatura i torturoi barbarisht dhe pastaj i vrau. Po ju kujtoj Qemal Draçinin, një njëzet vjeçar brilant, që piu DDT – helmin në burg me qëllimin që t’i jepte fund torturave të këtyre kriminelëve që morën dekorata nga një Ministre e NATO-s. Një farsë e vërtetë. Prandaj ndjesa juaj nuk mjafton.
Është tallje ndaj viktimave, është provokim ndaj shoqërisë dhe Perëndimit dhe Perëndimi nuk ha bar.
Me të njëjtin stil si Mimi Kodheli, ministri juaj i jashtëm, Ditmir Bushati, i biri i një ish-eksponenti të diktaturës, jo vetëm që bën emërime nepotike nën hundën tuaj, por posa ka emëruar ambasador të jashtëzakonshëm e fuqiplotë në Izrael, të birin e Nimet Canit dhe të dhëndërin e ish-byroistes Lenka Çuko, që ka një pasuri prej 1.2 milionë Euro, ndërsa mesatarja e pensionit e gjysmë milioni pensionistësh që kanë punuar 45 vite rresht është vetëm 110 $ në muaj!
Cili do të jetë reagimi juaj ? Ju do të thoni se edhe Berisha i caktonte diplomatët nepotikë me vkm. Po nuk është kjo përgjigjia e duhur. Riciklimi i gabimeve dhe fajeve.
Ju jeni kryeministër i Shqipërisë dhe tregojeni se nuk jeni as protektor i Mimi Kodhelit, as bodyguard i Ditmir Bushatit e dhëndurit të Lenka Çukos dhe as riciklues i kundërshtarit tuaj.