
Prof. Shefkije Islamaj/
Bleu i parë i “Lahutës së Malcis”, “Te ura e Rrzhanicës” (Marash Uci), u botua si libër në vitin 1905 në Zarë dhe ka 48 faqe. Bleu i dytë “Vranina” u botua më 1907, po kështu në Zarë dhe ka 58 faqe, ndërsa ribotimi i tyre dhe zgjerimi me këngë të reja vazhdoi në vitet në vijim: 1912, 1923, 1931,1933, për t’u botuar si vepër e plotë me tridhjetë këngë më 1937 në Shkodër, me gjithsej 511 faqe. Ky është teksti i faqes së parë të botimit të parë të “Lahutës së Malcis”: “Lahuta e Malcís”. Kângë populloré. (Tyrtaeusque mares animos ad martia bella Versibus exacuit. Horat, Flac.) — Blêe i pare. Te Ura e Rxhanitses. Marash Utsi. N’ Zader. Shtyp. Vitaliani (1905) – nr. 32, fq. 48.
FOLJA STILISTIKE NË “LAHUTËN E MALCIS” TË GJERGJ FISHTËS
Potenciali stilistik i foljes, i njërës prej fjalëve kryesore të gjuhës, është i madh. Këtë na e vërteton edhe folja e Fishtës. Siç dihet, folja luan rolin qendror në fjali. Asnjëra prej fjalëve të gjuhës nuk e ka bazën semantike aq të gjerë e sistemin e formave gramatikore aq të pasur e të degëzuar sa folja. Pos kësaj, folja është lloji më frekuentues i fjalëve të kuptimshme. Foljet paraqesin një të katërtën e të gjitha fjalëve të kuptimshme në gjuhën e Gjergj Fishtës. Së këndejmi është e pritshme që folja të ketë edhe mundësi të mëdha të variacionit stilistik. Në këtë kontekst ka qenë e rëndësishme të hetohen në këtë kapitull këto çështje: si e shfaq folja e Fishtës potencialin e vet të pasur e të larmishëm leksiko-stilistik e gramatikor-stilistik? Ç’potencial paraqet polisemia foljore, metafora foljore në “Lahutën e Malcis”? Po sinonimia foljore e Fishtës ç’funksion ka – është sinonimi në largesë, në çift, grumbulluese apo shkallëzuese?
Në këtë vështrim për funksionin stilistik të foljes në gjuhën e Fishtës, që në raport me gjuhën e sotme shqipe shpreh jo vetëm largesë kohore – kam parasysh kohën kur ka filluar të botohet vepra e Fishtës, po edhe largesë hapësinore – kam parasysh se vepra e tij është mbështetur në një dialekt me areal të ngushtë dhe nga kapërcimi kohor prej një shekulli mund të trajtohet si mjaft arkaike e konservatore, spikat synimi jo vetëm për një vështrim që del edhe nga vetë formulimi i ngritur në titull, po edhe synimi për të tërhequr vëmendjen, në të vërtetë për të provokuar interesimin për vështrime të kësaj natyre. Mungesa e vështrimeve të këtilla shprehet si për autorë të traditës, si për autorë bashkëkohorë, si për vetë veprën e Gjergj Fishtës.
Veçori të përgjithshme
Ç’vend zë folja në tërësinë e kategorive gramatikore brenda sistemit që përbën shprehjen artistike të Fishtës në përgjithësi e në gjuhën e “Lahutës së Malcis” në veçanti – kjo është çështja që do të shtrohet këtu. Këtë çështje e kam çmuar me interes për faktin se analiza e fakteve gjuhësore në rrafshin e gramatikës poetike të Fishtës ose hetimi i funksionit artistik të kategorive të caktuara gramatikore, këtu i foljes, mundëson zbulimin e veçorive individualizuese të gjuhës së këtij shkrimtari. Për vështrime të kësaj natyre ka tërhequr me kohë vëmendjen Jakobsoni në veprën e tij “Linguistika dhe poetika”. Në mënyrë të veçantë ai i ka dhënë rëndësi gramatikës poetike, sepse, sipas tij, burimet poetike fshihen edhe në strukturën morfologjike e sintaksore. Lënda gjuhësore dhe analiza e kësaj lënde ka dëshmuar se Fishta me sukses ka pajtuar sistemin e strukturës vetjake të tekstit me strukturën e gjuhës në përgjithësi, dhe sidomos me strukturën e gjuhës popullore, me gjedhet e saj dhe me gjedhet tradicionale, përtej kombëtare.
“Lahuta e Malcis” ofron lëndë të pasur, më shumë se çdo vepër tjetër tij, për vështrimin e kategorisë së foljes, ndërkaq gjerësia e problematikës që kap ajo tejkalon suazat e një trajtimi si ky. Për më tepër hetimi që i kemi bërë kësaj lënde ka provuar se folja është përbërës estetik aktiv në “Lahutën e Malcis”, se përdorimi i foljes me funksion stilistik është tipar dallues gjuhësor në gjithë veprën e tij.
Veçori të veçanta
Lahuta e Malcis shtrihet në afro 17 000 vargje. Ashtu si e do ligjërimi epik, ajo përshkohet nga përbërës tipikë, letrarë e gjuhësorë, Morfologjia e rrëfimit të Fishtës përmban kohën foljore si formë dhe formën foljore si metaforë. Është e dhënë e njohur që folja me semantizmin e saj mund të bëhet metaforë: njëra shënon dhe ngjyros përmbajtjen jashtëletrare – kohën, kuptimin dhe përmbajtjen e veprës, ndërsa e dyta i jep vlerë estetike narracionit, duke siguruar kështu anën poetike të tij. Duke qenë se në “Lahutën e Malcis” kemi rrëfim ngjarjesh, është e kuptueshme pse metafora poetike ia lëshon vendin krahasimit. Me shpeshtësinë e veçantë të formave të caktuara foljore, si metafora e më shumë si krahasime, në të shumtën e herës retorike, pamja e botës së vërtetë zbulohet si qenësi poemore. Kësaj i bashkëngjitet teknika e përsëritjes. Mund të themi se pikërisht me përsëritjen në nivelin e foljes gjallërohet ligjërimi; në çdo kontekst të ri përsëritja përjetohet si motiv-imazh ose si motiv-pamje. Në të vërtetë, përjetohet si metaforë, si pjesë përbërëse e semantikës së lartë të veprës.
Përsëritja e foljes në “Lahutën e Malcis” bën që ajo të përjetohet edhe si formë muzikore qarkore. Ndoshta nuk e teprojmë nëse e themi se ajo është vepër shumë evokuese edhe me anën e saj ”muzikore”. Dhe në këtë rrafsh, pothuajse, asgjë nuk është e vetvetishme. Shoqe të tilla në letërsitë e tjera ka, po jo në letërsinë shqipe. Ana muzikore ose ”muzikaliteti” i “Lahutës së Malcis”, qëndron në përdorimin e veçantë të kohës dhe të shenjave gjuhësore të saj – formave foljore. Vlerë metaforike merr vetë koha, që mund të cilësohet edhe si figurë, ndërsa folja dhe format e saj foljore si kohësi ose si kohëshënuese. Sidomos paskajorja, habitorja dhe e tashmja historike mund të futen në këto vlerësime, edhe pse, siç dihet, koha që rrjedh, në përgjithësi, është e kryera. Ajo ndërkëmbehet me të kryerën e thjeshtë. Edhe në rastet kur këto forma këmbehen me të tashmen historike, gramatika e foljes narrative mbetet e realizuar në skemën që është modifikuar ndjeshëm për qëllime stilistike, në raport me traditën e përdorimit të saj në të folmen e dialektit të Fishtës. Ndërkëmbimi i sekuencave narrative dhe i atyre përshkruese sjell pamjen e rrjedhës kohore të ngjarjeve, njërën pas tjetrës, dhe ky ndërkëmbim ndikon në dinamizmin, aq sa ndikon edhe grumbullimi i formave foljore – veçori tipike kjo e narracionit të Fishtës.
Gramatika e kohës në poemën tonë nuk paraqet, pothuajse, kurrfarë përjashtimi nga rregullat tradicionale të gegërishtes së tij. “Lahuta e Malcis” nuk paraqet shmangie as në sintaksën e foljes narrative të kësaj idiome. Megjithatë, rrëfimi i tij na del shumë polifonik. Ai ka mëtuar të regjistrojë njëkohësinë e veprimit. Shpejtësia dhe ngjeshja e narracionit shpesh është marramendëse, ndërsa loja me kohën mjeshtërore. Edhe pse është e kuptueshme se nuk ekziston formë foljore që ngërthen në vete dy mendime ose dy veprime njëkohshëm, Fishta në këtë rrafsh artistik ia ka arritur t’i afrohet shumë lartësisë që mundëson arti gjuhësor, pikërisht me foljen. Përqendrojmë vëmendjen në shembullin në vijim:
Msyni Turku me fuqí;
Priti Shkjau me trimëní,
E ka’ u ndeshen me furí:
Si t’ u ndeshshin flakë e agzot:
Lum e lum per t’ Madhin Zot!
T’ i a dha vigma e t’ i a dha ushtima,
T’ i a dha krizma e bumullima;
T’ nisi topi me gjimue,
T’ filloi pushka aty me vlue,
T’ u perlá Turku me Shkjá
Njâni m’ tjetrin t’u ndersy,
Shoq me shoq t’u kaperthye,
Njâni msyj e tjetri shtyj: L.M. 76
Folja si kategori stilistike në veprën e Fishtës nuk mund të hetohet vetëm në vështrim formal ose në atë strukturor, sepse as Fishta nuk ishte formalist, edhe pse shpesh krijohet përshtypja se për formën ai sakrifikon shumëçka në planin gjuhësor. Ligjërimi i Fishtës, mund të thuhet se, është foljor ose kallëzuesor, edhe pse numerikisht dyfish më shumë ka emra. Mund të thuhet kështu, pikërisht, për të dhënën se folja e tij ka funksion të theksuar stilistik. Në Lahutë numri i paraqitjes së foljeve është shumë i madh – mbi 16 300 paraqitje. Shtrirja e tyre nëpër këngët është, pothuajse, në mënyrë të barabartë. Nga ky korpus foljesh shumica e tyre kanë karakter kryesisht shënues dhe në fjalësin e veprës marrin pjesë me gjashtëmbëdhjetë për qind duke pasur parasysh të gjitha kategoritë gramatikore, të kuptimshme dhe të pakuptimshme, ndërsa në raport me emrin dhe mbiemrin shifra e pjesëmarrjes së saj është afro tridhjetë për qind. Dhe kjo përqindje ruhet, pothuajse, në të gjitha këngët.
Sasia dhe shpeshtësia e paraqitjes
Karakteri i këngës ose subjekti nuk luan shumë rol në sasinë ose në numrin e paraqitjes së foljes nëpër këngët në vështrim. Por, as sasia nuk ndikon në cilësinë e në dinamizmin aq të theksuar të të gjithë poemës. Të tjerë përbërës stilistikë, si fjala vjen përsëritja e përzgjedhja në nivelin leksikor e semantik, morfologjik e fonetik, përcaktojnë edhe cilësinë e shprehjes artistike të Fishtës, dhe, rrjedhimisht, dinamizmin:
Njani hapu, tjetri zmbrapu,
Shkjavi msyj, e Turku shtyj:
Shtyju, msyju, nzitu, lvitu,
Nzitu e lvitu, e kacafitu,
Kacafitu Turk e Shkjá,
Fytafyt tuj e perlá,
Tuj u grî, m’ dhamë tuj u shkye,
Shoq më shoq lamsh kaperthye, L.M.312
Për konkretizim po paraqesim pak të dhëna statistike, sipas tabelës të mbështetur në analizën e hollësishme të foljes së Fishtës. Llogaritjet janë shumë të përafërta dhe zbulojnë tipologjinë stilistike të përdorimit të motivuar të foljes. Kështu, fjala vjen, nga llogaritja e bërë në tri këngë të “Lahutës së “Malcis, pak a shumë me subjekt dallues, del se kënga e parë “Cubat” ka funksionin e këngës hyrëse ose të asaj paraqitëse të poemës; kënga e 14-të “Te ura e Rrzhanicës” përshkruan veprim intensiv, ndeshjen e forcave malazeze e shqiptare, ashtu si edhe kënga e 18-të “Te ura e Sutjeskës”, që është, njëkohësisht mjaft përshkruese. Në këto këngë mund të identifikohen mjaft elemente dalluese në rrafshin stilistik, ndërsa pamja statistike që na del në këto këngë është kjo: në këngën e parë “Cubat” nga gjithsej 385 vargje me 2365 fjalë, të kuptimshme dhe shërbyese, folja paraqitet 385 herë, domethënë një varg – një folje, numri i paraqitjeve të emrave është 559, ndërsa i mbiemrave një hise më pak sesa i foljeve. Te kënga e 2-të që ka 375 vargje, domethënë dhjetë vargje më pak dhe 2207 fjalë, dalin 564 emra, domethënë ruhet përpjesëtimi që karakterizon këngën e parë, dhe 330 folje, domethënë 55 folje më pak se në këngën e parë, edhe pse, vini re, veprimi në këtë këngë është shumë më intensiv. Parashikimet e mia me leximin e rëndomtë, me leximin e parë në fillim, para se të bëja përllogaritjet, ishin të kundërta. Pse? Sepse përzgjedhja e foljeve që na del në mbështetje të kriterit stilistik, edhe në rrafshin e simbolizmit tingullor dhe, përgjithësisht, në anën tingullore të fjalës, krijon një përshtypje të tillë. Natyrisht, situata gjuhësore në numra shpreh të tjera vlera, prandaj edhe të tjera përfundime, përfundime që bien ndesh edhe me vlerësimet e deritashme të sipërfaqshme për veçoritë e gjuhës e të stilit të Fishtës të pak autorëve që janë marrë me të në rrafsh të gjerë. Po kështu, në këngën e tretë të analizuar, që ka dyfish më shumë vargje se dy të parat, gjithsej 830 vargje, dalin 803 folje, domethënë më pak se një folje për varg, edhe pse veprimi është dinamik në pjesën më të madhe të këngës. Është i madh edhe numri i mbiemrave shumë karakterizues, sasia e të cilëve realisht ka ngadalësuar narracionin e me këtë ka kushtëzuar edhe paraqitjen më të rrallë të foljes, po nuk ka ndikuar në cilësinë e saj stilistike. Raporti sasior sqaron edhe çështje të efekteve stilistike. Nga kjo del se Fishta ka përdorur shumë shpesh foljen me funksione stilistike dhe ajo ka ndikuar në dinamizmin, jo me praninë e saj të madhe, sa me vlerën e saj semantike e eufonike. Shumëçka në këtë rrafsh mund të shpjegohet edhe me fonostrukturën e njësive foljore dhe me strukturën e vargut në tërësi, pra edhe me kërkesat e rimës së tij shumë të pasur.
Format dhe mënyrat e kohëve
Edhe sa i përket përdorimit të formave, të mënyrave dhe të kohëve foljore në rrafshin stilistik dalin përfundime interesante e me vlerë. Pamja në këtë rrafsh është kjo: mënyra mbizotëruese është dëftorja me kohët e kryera e me të tashmen – me afro 40%, dhe me më pak paraqitje e pakryera e kohët e ardhme. Fill pas saj vjen paskajorja – afro 21%. Dallohen paskajorja historike ose tregimtare dhe paskajorja kundrinore. Më pas me një përqindje përgjysmë më pak paraqiten përcjellorja – me 11% e pjesorja – me 10%. Format e këtyre kohëve, në masë të madhe zvogëlojnë dhe ngjeshin shpërndarjen morfologjike dhe sintaksore të rrëfimit. Sidomos paravendosja e pjesores në foljet e kohës së kryer e më se të kryer do vështrim të veçantë për problemin e ngritur. Dëshiroren e habitoren i shquan stilogjeniteti i lartë, ndërsa shpeshtësia e përdorimit të paskajores është kthyer shpesh në vlerë stilistike.
E tashmja historike prin me frekuencë, ndërsa e tashmja aforistike me figuracion. Ajo shfaqet shpesh si shndërrim i nuancuar në përshkrimet me shumë kohë foljore dhe për thyerje të monotonisë. Janë me interes për vështrim në rrafshin stilistik përsëritjet e së tashmes historike. Për të konkretizuar atë që thamë të shohim shembullin në vijim:
N’ ato maje, kû ju hani,
N’ ato kroje, kû ju pini,
N’ ato hije, kû ju rrini,
N’ ato valle, kû vallzoni,
Kjani e lott mos i pushoni, L.M.33
Me interes dalin edhe ndërthurjet e kësaj kohe me kohë të tjera, sidomos ato me këtë radhitje: kohë e tashme /paskajore /paskajore/kohë e kryer dhe e tashme e habitores ose e tashme /përcjellore/përcjellore /përcjellore /kohë e kryer /kohë e kryer. Shih shembullin:
Shkon Dervishi tuj u shty
Tuj u shty e tue rremye.
Ka mârrë Zetë e Podgoricë,
Ka mârrë Viri edhe Kernicë, L.M.44
Larmia e ndërthurjeve është shumë e madhe dhe në këtë rrafsh është e vështirë të bëhet ndonjë tipologji e saktë. Edhe grumbullimi i formave foljore të së tashmes dëftore, i formave aktive ose atyre pasive, si dhe ndërthurja e tyre, shndërrohen shpesh në stilema evokuese, si në shembullin vijues:
Mbí trim trimi hapet, turret,
Lshohet, struket, hidhet, ngurret,
Tash ha shtatin me dredhí,
Tash m’ tagan sjellë me furí, L.M.136
Vini re si, në vargjet e mësipërme, e rrit shkallëzimi zbritës shprehësinë që krijohet me paraqitjen befasuese të dy formave aktive që vijnë pas foljeve varg të formës pasive.
Koha e kryer dhe koha më se e kryer shquhen për përsëritjen e grumbullimin. Format foljore perfektive në përgjithësi përbëjnë 60 për qind, por mbeten prapa formave të tjera për shprehësi stilistike, për shkak se thjeshtësojnë rrëfimin, por edhe veprimin, rrjedhimisht edhe ngjarjen. Ndërsa e pakryera dhe e kryera e thjeshtë njohin ndërkëmbime dhe zëvendësime interesante. Ato shoqërojnë sidomos format e habitores, të urdhërores e të paskajores. Përsëritjet e shpeshta të formave të ndryshme prefektive marrin ngjyrim stilistik dhe e çojnë rrëfimin në vijë të drejtë, ndërsa rima në këto përsëritje është e pashmangshme, si në shembullin në vijim:
M’ ká korrë aren e punueme
M’ ká marrë token e trashgueme,
E tue m’ bâ kanûn paçaver,
M’ ká mârrë qét, po, per nên laver,
M’ ka mârrë lopet me gjith viça,
M’ ká mârrë delet me gji’ ogiça,
M’ ká mârrë dhên e m’ ká mârrë dhiz,
M’ ká thá vathë e m’ ká thá mriz: L.M.65
Ka mê topi edhe havani
Ká prâ pushka, âsht shukun zani, L.M. 136
E kryera e thjeshtë sikur edhe në të folmen e gegërishtes në përgjithësi, e në gegërishten e tij veriperëndimore në veçanti, është kategori shumë e gjallë. Nuk ka shumë paraqitje, po ka funksion shumë shprehës. Format e së kryerës së thjeshtë në kontekste perfektive bartin në vete mundësi stilistike të fshehta: ato e dinamizojnë veprimin emocionalisht dhe i aktualizojnë në pikëpamje kohore pamjet që shënojnë. Ato, zakonisht, si edhe e pakryera, zëvendësojnë të kryerën dhe nisin këngët ose kryerreshtat, si, bie fjala, në shembullin vijues: Vojti fjala ke Cetina
L.M.20; Prendoi dielli, n’qiellë duel hana, L.M.86. Me efekt stilistik shquhen sidomos ndërthurjet e formave aktive dhe pasive:
Si u perpoqen kah Rrzhanica.
Heshti huta edhè novica,
U perzien ksula e kapica,
Flakruen kaptina e koka,
Shkumoi gjaku, bumblloi toka. L.M.98
Në vargjet me të kryerën e thjeshtë ndihet një mëtim për shkurtësi, ndërsa e pakryera, edhe pse jo e shpeshtë, thuajse është krijuar për ngjarje të kaluara e të rëndësishme.
Format imperfektive, në të shumtën e rastit, sjellin në stilin e tij diçka solemne:
Jo, po, shpatlla keq diftote:
Luftë kah maja ajo kallxote, L.M.26
Kshtû Kaçeli po këndote;
Rrokull oda po e vezhgote, L.M.26
Por Shqyptari gjallë s’ perpihej
E as me u shkelë, besa, s’ po lihej… L.M.3
Format foljore arkaike, të shumta në Lahutën e Malcis, shquhen me ndjeshmëri gjuhësore e artistike. Nga këto forma më të shpeshtat janë ato të tipit: Edhe del e bjen n’Shqipni, L.M.185; Rrin e ban kokrrën e pallës, L.M.5; Merr e mësynë m’turk fulikare, L.M.7; Mêrr e i bân me tê kryq m’ ballë. L.M.202; Kur bân dielli per me lé L.M.53; Bân me i hapë dánat me kâmë,/Bân me bré dánat me dhâmë L.M.108; Rri e plandosu kryqterthuer L.M.218, e të tjera.
Stilistike dalin edhe format aktive të së ardhmes, edhe pse nuk paraqiten në numër të madh. Përdorimi i një forme pasive në vargun e përdorimit të formave aktive jep në vazhdimësi befasi stilistike, ashtu si edhe grumbullimi i formave të njëjta. Përdorimet e tyre në rrethana të caktuara, të shoqëruara nga forma të tjera foljore, në çastin e duhur e në vendin e duhur, dallohen me shtesë njohëse, tepricë informacionesh, emocionale e estetike. Për shembull:
Do t’a mârr edhè Mostarin:
Do t’ mârr Shkoder e Prizrend
Krajl do t’ bâhem pernjimend,
Edhè n’ Shkoder do t’ zâ vend.
Tý do t’ bâj un nji Mbretneshë:
Mâ dollamë nuk ké me veshë,
As s’ do t’ vêjsh mâ kacilitë,
Por krejt n’ ari ké me shndritë,
E do t’ vêjsh kunorë mbí krye, L.M.76
Paskajorja dallohet me denduri e me shprehësi të lartë. Denduria e përdorimit të saj, si dhe e përcjellores dhe e pjesores, kthehen në shprehësi të lartë. Lidhjet e natyrshme të paskajores, si edhe ato të veçantat, me format e tjera foljore, duan vështrim të veçantë, për të hetuar se ç’mundësi të pakufishme ndërthurjesh stilistike ka krijuar Fishta me foljen. Grumbullimi, numërimi, pranëvënia e këtyre formave në vazhdimësi bëhen tipar individualizues. Për shembull:
Shka â Shqyptár, e shkaf â Shkjá
Mos me u ngucë, as mos me u ngá;
Por me rmue t’dekunt nder vorre,
Por me bartë t’ shituemët n’ llogore … L.M.176
Pjesorja shpesh zëvendëson një hipotaksë shpjeguese (modale) ose ka vlerë mbiemërore duke zëvendësuar perifrazat e gjata dhe si e tillë është theksueshëm sintetike, ekonomike dhe shprehëse. Pjesorja pasive nga ana kontekstuale bart shënjues morfosintaksorë të ndajfoljes: paradigmë, funksion mbiemëror ose funksion të segmentit në sintagmë të emrit foljor, p.sh.: Shyt për tokë e zhyt në gjak.” (f.137). Janë shumë tipike edhe anasjellat që krijohen me paravendosjen e pjesores në foljet e kohëve të kryera, sidomos të kohës së kryer dhe të asaj më se të kryer. Për shprehësi dallohen edhe ndërtimet me pjesore absolute, si forma shumë arkaike, të cilat njohin paraqitje të shpeshta, për shembull: Shpërvjelë tirqit der’ në gju, / Lagë e ndragë e djersët tue i shkue’ L.M. 36.
Lidhorja e kushtorja nuk dallohen me efekte të veçanta stilistike, ndonëse kur përsëriten në kontekst të ngushtë vargor fitojnë një farë shprehësie:
E t’ na i thuejsh, se, n’ kje qi e bâni
Vetë kabúll, qi t’ mêjë zijani
E t’ shuej pushka dér n’ sabah,
Me dalë gjindja neper rrah. L.M.176
Prandej vetë kishe me thânë,
Se s’ âsht Shqyptarët me i ngá:
Le t’ a lâjm ket punë m’ nja’n anë
E mos t’ sjellim kot belá. L.M.288
Kushtorja kur përsëritet prej një vargu në tjetrin di të befasojë me lidhjet që krijon në ndërtimet me paskajoren e me përcjelloren, shpesh edhe me pjesoren. Nuk janë të rrallë shembujt
si këta në vijim:
Se aj natë t’ madhe s’ do e kremtote,
Se aj kumarë as krushk s’ do t’ shkote:
Gostë as darsem nuk do t’ ngrifte,
S’ do t’ u láte as do t’u krifte,
As do t’ dilte n’ log t’ kuvendit,
Per pá i hî Stambollës permbrendit,
Per pá kcye mbi post të Mbretit,
Me u bâ aj zot i tokës e i detit:
Edhè Europës tregun m ‘ i a pré,
Mos m’ e lânë me shitë, me blé,… L.M.4
Grumbullimi i formave të kushtores është më i madh se ç’mund ta presim në të folmet gege veriperëndimore. Ky grumbullim rrit shprehësinë e vargjeve të Fishtës:
Gjallë Shkjaut n’ dorë se s’do t’ i bijte,
Tatë e nanë se s’ do t’ koritte,
S’ do t’ koritte vllán per s’ dekuni,
Fisit marre s’ do t’ i lîte: L.M. 246
Dihet se habitorja me të gjitha trajtat saj shquhet për shprehësi e ngjyrim stilistik, ndërsa te Fishta, sidomos në kontekstet me karakter satirik ajo shndërrohet në përftesë të veçantë. Edhe në funksion të pyetjeve retorike e në fjalitë nxitëse habitorja e Lahutës së Malcis bart fuqi dramatike duke krijuar kontekste stilistike që mbahen mend. Ja pak shembuj:
Motra e Avdís kû kjate e mjera.
Shoqi shoqin nuk po e pritka,
Por seicilli vrap po ngitka,
Thue se t’ parit qi do t’ veka,
Petku cohet do t’ i u préka,… L.M.15
Kshtû vajton të vllán Turkina:
E ndien Lqêni edhè Vranina,
Edhè e ndieka aj Oso Kuka;
Vaj’ n e ndieka e m’ kambë u çueka: L.M.15
Per njat t’ ngratin mor’ Bymbash,
Qi kta e lshuekan laradash
Atjè n’ Lesh, e e bâkan dekun. L.M.168
Veç se prap ajo u mendueka:
se vllau petkash u ndrrueka, L.M.202
Edhe pse kjo formë është më e shpeshta dhe modaliteti i saj i vërtetësisë në raport me ngjyrimin e saj shoqërues stilistik është në të mirë të përdorimit të saj të parë, në kontekste të caktuara gjuhësore, ajo, si edhe trajtat e tjera të habitores, shquhen me stilogjenitet të theksuar, sidomos e kryera e saj:
Oso Kuka paska ndí:
Paska ndí, po, e kênka idhnue:
M’ sylah doren paska çue: L.M.9
Urdhërorja përdoret mjaft shpesh në monologët e gjallë të rrëfimtarit dhe në dialogët shumëfunksionalë. Më stilistikja paraqitet në situatat gjuhësore bashkë me fjalitë pyetëse. Për shembull:
T’ janë mledhë miqt prej s’ dij se khahit:
Pse m’ rri shtrî si drû prej ahit?
Çou nji herë, per me ligjrue:
Çou, djelmnín per m’ e trimnue!
Folja ’i fjalë babës Nikë t’ motnue. L.M.304
Rri e perplasu nper ledinë:
Perplas kamë e perplas duer
Kukzò shtatin per terthuer:
Si njaj kau i mbajtun n’ grazhd,
Kur t’ i mrrîje thika n’ asht,… L.M.174
Cilli Zot tha Shkjaut: mêrr drap’in;
Korr kû s’ molle, e miell n’ arë t’ hueja?
Dér kû t’ duejsh ti mate hapin;
Shqyptarija â nder duer t’ ueja? L.M.154
Funksioni kohor i urdhërores me vlerë stilistike është shënjues tipik i ligjërimit gojor. Ai i përshtatet ligjërimit folklorik, prandaj brenda urdhërores së Fishtës bien në sy disa forma proverbiale me urdhëroren si kjo: Prit gomar sa t’dalë bar… (L.M. 149); Kiju inád, por foljau hakun. (L.M..93) ose në formën që na del në shembullin vijues:
Bár e ço me kosha e trina,
Bjeri t’ kshtênit sa i ha shpina.
Prandej, thom un, na del
Në ket punë mos me u kapë tel;
Por miqsí edhè famulli … L.M.149
Mos me zânë trimi kund n’ pritë,
Mos m’ i u shmangë trimi rrezikut,
Por per ballë me i dalë anmikut… L.M.162
Format pasive janë shumë të shpeshta në gjuhën e Fishtës dhe bëhen veçori në rrafshin stilistik, sidomos grumbullimi i foljeve të rralla, të cilat, zakonisht, i shquan simbolizmi tingullor. Me to krijohen situata të veçanta gjuhësore e stilistike. Për shembull:
U dorgj turr. Trum trokollisin
Troç m’ troç, mtruhen, tranden trimat,
Mendsh trullue. Lamsh hamullohen
Njani m’ tjetrin; matarohen,
Ngiten, nziten me dorë njiten,
Hârakuqen nper rrgallë:
Kush terthoras, kush perballë,… L.M.221
Ja edhe disa shembuj për të parë ç’kujdes i kushton Fishta përdorimit të formave pësore dhe simbolizmit tingullor:
Fort gjimuen top e havan!
Nziten, njiten, kacafiten,
Keq dermishen, idhtë shkelvishen,
Lshohen, vriten, dbohen, priten,
Desin, mesin, prishen, prishen. L.M. 259
Edhe ndërthurja e formave aktive me ato pasive rrisin shprehësinë e tekstit poetik të Fishtës. Shembuj:
Ngasin, vrrasin Kapitanat,
Hingllojn kualt, turfllojn katanat,
Gjimojn topat e havanat,
Shprazen gjylet breshen lshue,!
Ai perpjetë e ky tatpjetë,
Atà shaju këta çaju,
Këtej vritu pertej pritu:
Pritu, vritu idhshim nzitu,
Brit, gerthit e mbush e qit,
Koder m’ koder shoqit thrrit:
Thrrit, vërrit “ah-ha-ha-há,”
Si atà mazat fushës tue ngá:
Dnes t’ varruemt, gjimo t’gjymtuemt,
Turru, gurru, matu, shmatu,
Duku, thuku, struku, zhduku,
Aj pa vesh e ky pa fregull,… L.M. 313
Shumë nga format kohore, siç u pa, shndërrohen në përftesa e në stilema, ndërsa larminë e tyre e ka favorizuar organizimi ritmik i poemës. Edhe raportet që krijohen ndërmjet kohëve dhe formave foljore bëhen shpesh shënjues stili. Sistemi i kohëve foljore të Fishtës organizon, pothuajse, në tërësi anën temporale të kohës artistike.
Përfundim
Studimi i foljes së Fishtës ka nxjerrë këto përfundim: e para. në gjuhën e Fishtës struktura sipërfaqësore e shprehjes ka vlerë të shquar konotative dhe me strukturën e thellë të shprehjes ka edhe polivalencë të lartë të simboleve; e dyta, në veprën e Fishtës sasia e mesazhit rritet varësisht nga numri i shndërrimeve a i alternimeve në rrafshin e shprehjes dhe të shënjuesve të saj të caktuar dhe vlen, pa përjashtim, për të gjitha njësitë, të cilat mund të jenë përçuese të mesazhit, përfshirë këtu edhe foljen; e treta, në veprën e Fishtës përzgjedhja në rrafshin e morfostilistikës mund të bëhet identifikuese e stilit të tij; e katërta. në gjuhën e Fishtës, përdorimi i foljes dhe funksioni stilistik i saj bën përdallim të qartë të epikës, të dramatikës, të lirikës e të satirës së Fishtës; e pesta, në gjuhën e e Fishtës përdorimin e foljes shpreh veçanti dhe shkallë të lartë përpunimi e krijimi gjuhësor e artistik.
(Fragment i shkëputur nga monografia ime “Gjergj Fishta – gjuha dhe stili” I, IA, Prishtinë, 2012, f.380-399)