Sot i gjithë kombi shqiptar përkujton 17 vjetorin e kalimit në përjetësi të udhëheqësit, shtetarit, filozofit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e modern, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Sot më shumë se kurrë na mungon urtësia, frymëzimi, filozofia, shpirti, mendja dhe idetë e Doktor Rugovës. Një kapacitet intelektual ndërkombëtar që arriti ta kthente Kosovën në një çështje ndërkombëtare. Asnjëherë më shumë se sot Kosovës dhe kombit shqiptar i nevojitet testamenti filozofik i Presidentit Rugova: unifikim shtetëror e kombëtar, bashkëpunim dhe dashuri mes njëri-tjetrit. Dr. Rugova dhe veprimtaria e tij patriotike, politike e diplomatike do të mbahet mend për jetë të jetëve, në memorien e çdo shqiptari si politikani legjendar që vuri themelet e Shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. Ky përvjetor largimi në përjetësi na bën të ndiejmë dhimbje për mungesën e madhe, por njëkohësisht krenarë dhe dinjitozë për veprën që Dr. Rugova na trashëgoi si popull dhe si komb.
Emri i tij është gërmëzuar me shkronja ari në historinë e lavdishme të Kosovës së bekuar.
I paharruar përkujtimi për Presidentin historik, filozofin dhe shtetarin e madh të Kosovës e kombit shqiptar Dr. Ibrahim Rugova.
Me mirënjohje e respekt të veçantë
Përulësisht
Kryetari i VATRËS
Elmi Berisha