
Nga ANGELO PANEBIANCO/
Nëse Putini së bashku me aleatin e tij Xi Jinping, të jetë ulur me mënyrën kineze, në zallin e një lumi, duke pritur që të kalojë kufoma e armikut të tij? Ndoshta Putini mendon se koha punon për të, dhe vë bast për dasitë e ardhëshme të Perëndimit. Të njëjtin bast do të mund të vinin edhe kinezët. Mësyemja e Ukrainës papritmas e ka bashkuar kampin perëndimor. Udhëheqja amerikane, mjaft e mpirë për shkak të përfundimit rrënues e të palavdishëm të luftës në Afghanistan, është shfaqur përnjëherësh e fuqizuar, e aftë të rigjallërojë NATO-n e të mbajë të bashkuar aleatët. Bashkimi evropian, nga ana e tij, duket në gjëndje të mbajë nën kontroll dasitë e tij tradicionale. Veç asaj, edhe se nuk është e lehtë të kuptohen të gjithë ndërlikimet, kthesa gjermane – riarmatimi I Gjermanisë si kundërveprim ndaj imperializmit rus – është e paracaktuar të ngulitet thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në përgjithësi, kundërveprimi I thekur i opinioneve publike kundrejt ndërprerjes dramatike të paqës së gjatë evropiane, që ka përhapur kudo pasiguri dhe ndiesi rreziku, për më tepër admirimi I më të shumtëve për qëndresën Ukraine, I kanë dhënë deri tani qeverive energjinë e nevojshme për të kundërshtuar imperializmin rus. Por e gjithë kjo a mund të vazhdojë gjatë? Putini nuk ka arritur t’a përfundojë në kohë të shkurtëra luftën dhe ka ribashkuar Perëndimin, është e vërtetë. Por ideja e tij ( të cilën e ka së bashku me drejtuesit kinezë), simbas së cilës një Perëndim në rënie nuk është në gjëndje të durojë gjatë tensionin, nuk është në gjëndje të përballojë gjatë belegun me sukses, mund të mos jetë e pathemeltë. Së paku, do të ishte e pamatur të pohohej që sot se Putini “Ka humbur”
Të përfytyrojmë që lufta n’Ukrainë, siç është e mundëshme, të zvarritet gjatë. Pasojat johenike të sanksioneve mbi nivelin e jetesës së evropianëve perëndimorë, të bashkuara me lodhjen e të mësuarit me skenat e luftës mund të plasaritë atë miratim të madh që deri tashti ka mbështetur frontin kundër-Putin dhe e ka mbajtur të bashkuar. Dhe është një fakt qënë demokracitë politika kundërvepron rrufeshëm ndaj ndryshimeve të humorit të publikut. Ndryshime në politikat e brëndëshme të disa Vëndeve-kyçe, do të mund të ndikonin për keq mbi aftësinë e botës perëndimore për të mbetur e bashkëngjitur, kusht i domosdoshëm për të kundërshtuar Putinin. Të mbajmë parasysh se çfarë mund të ngjiste në Francë, në Shtetet e Bashkuara dhe n’Itali.
Në Francëjemi në prag të zgjedhjeve presidenciore, në mbarim të një fushate në të cilën Marine le Pen ka rifituar shumë miratime. Mund të ketë një miratim të fuqishëm në herën e parë dhe t’arrinte me një pozitë fuqie në të dytën. Aq më tëpër se lufta po dobëson ledhet e vjetra ndërmjet së djathtës e së majtës. Mbi Le Pen-in mund të mblidhen në herën e dytë, edhe shumë putinianë të së majtës skajore. Një fitore e Le pen-it mund të trondiste nga themelet Bashkimin evropian dhe aleancën perëndimore. Një dhuratë e madhe pëe Putinin.
Pastaj është Amerika, vëndi drejtues i Peëndimit. Popullariteti i Biden-it është shumë i ulët. Simbas hulumtimeve, në zgjedhjet e meskohës të nëndorit, demokratët mund t ë humbasin kontrollin e të dy Dhomave. Një president i dobësuar kështu do të bëhej më pak i besueshëm edhe në fushën ndërkombëtare. Aftësia e tij për të drejtuar me energji ballin aleat do të rrezikohej.
Së fundi Italia, i zakonëshmi rast i veçantë, për fuqinë të përfaqësuar mirë në bisedat televizive, të partisë filo-ruse ose sido qoftë kundër-perëndimore. Një fuqi për të cilën është i vetëdijshëm Kremlini, siç tregon tërbimi i tij gojor i veçantë kundër Italisë. Zakonisht luftërat krijojnë dasira mbi të cilat ndërtohen aleancat pasuese të qeverisë. Por në gjëndjen ekzistuese është e vështirë të hamendësohet që kjo të jetë e mundëshme tek ne. Qeveria Draghi mbahet mbi një shumicë gjithënjë e më të ndarë (lufta e pasojat e saj janë një burim i rëndësishëm dasije). Ndoshta do të jetë qeveria e fundit italiane krejtësisht e sigurisht filo-atllantike. Është e vërtetë që dy partitë më të forta, simbas hulumtimeve Pd dhe Vëllezërit e Italisë, janë rrjeshtuar me Aleancën atllantike. Është një fakt, sidoqoftë që disa aleatë të mundshëm e (të rëndësishëm) të tyre nuk kanë bërë – është më e pakta që mund të thuhet – zgjedhje po aq të qarta. E duhet të kujtojmë se secila nga dy partitë e sipërpërmendura më të fortatt – na thonë hulumtuesit – do të mblidhte votë më pak apo më shumë, rreth njëzet përqind të votave. Mbas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, si të fitojë e djathta, si të fitojë e majta, koalicioni qeverisës do të ketë në “barkun” e tij shumë politikanë me ide shumë të ndryshme nga sa është e nevojshme për të bërë për sigurinë italiane dhe evropiane. Me vështirësinë pasuese të mbajtjes drejt të timonit në ujra kaqë të trazuara.
Sido që të përfundojë lufta në Ukrainë, mundimi që i kërkohet Perëndimit për të përballuar belegun e autokracisë ruse (e ndoshta nesër edhe atë ta asaj kineze) do të jetë një zotim i një kohe të gjatë. Nuk mund të jetë vetëm një flakë. Është një rrahje mendimesh e herëshme ndërmjet atyre që i konsiderojnë demokracitë në gjëndje të pavolitëshme kur duhet të përballen me autokracitë dhe atyre që mendojnë se demokracitë, të përbëra me dasi e pra të dobëta në dukje, janë në gjëndje, gjatë krizave, të arrijnë të zbulojnë rezerva, morale e materiale, e të mobilizojnë forca me një iintensitet të tillë që autokracitë nuk arrijnë. Siç ndodh shpesh, historia e shkuar nuk lejon të përcaktohet njëherë e përgjithmonë se kush ka të drejtë e kush jo.
Paqja e gjatë që pasoi Evropën mbas fundit të luftës së Dytë botërore i ka bërë shumë të harrojnë se mënyra e tyre e jetesës, të drejtat që zotërojnë, liria që gëzojnë, nuk janë frut i rastit ose i një “përparimi” moral e qytetar të përgjithshëm , pak a shumë të pashmangëshëm. Janë pasojë e raprtit të forcave e të barazpeshave ndërkombëtare që deri tani kanë qënë në dobi të demokracive. Nëse do të ndryshonin këto barazpesha, së bashku me paqën, do të rrezikoheshin edhe mënyrat e jetesës, të drejtat e liritë. Vetëm nëse shumë do t’a kujtojnë ose do t’a kuptojnë këtë atëherë Putini do t’a humbë bastin e tij.
“Corriere della Sera”, 8 prill 2022 Përktheu Eugjen Merlika