![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/06/447599947_864526069049250_3038599003945786890_n.jpg)
Dr. Bexhet Asani/
Me nismën e çiftit bashkëshortor Arjana dhe Alban Gaba, në Bibliotekën Publike të qytetit të Garfieldit në Nju Xherzi, u themelua Këndi i Librit Shqip – Shqipëria (Albania), në prani të strukturave udhëheqëse të Komunës së Garfieldit dhe të Bibliotekës Publike. Këtë ngjarje të rëndësishme kulturore e përshëndeti ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara znj. Suela Janina.
Këndin e Librit Shqip, me veprat e tyre e pasuruan krijueset dhe krijuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Shkrimtarëve të cilët dhuruan librat e tyre Shoqata “Albanian Alliance of New Jersey” me në krye Alban Gabën, u ndau Certifikata Mirënjohjeje.
Në këtë ceremoni përurimi morën pjesë: Mëhill Velaj, Bexhet Asani, Arjeta Ferlushkaj – Kotrri, Adnan Memeti, Yllka Filipi, Desi Tahiraj, Age Ivezaj, Sabije Veseli, Premisa Kërthi, Luz Thaçi, Nazmi Demishau, Sami Mulaj etj.
Pas përshëndetjeve që bëra midis tjerash thash:
Jam i lumtur që gjendem sot këtu në mesin tuaj për të dhënë edhe unë kontributin tim modest për krijimin e Këndit të Librit Shqip – Albania, në Bibliotekën Publike të qytetit të Garfieldit në Nju Xherzi.
Mbase nuk do të habiteni në qoftë se them se emri i qytetit Garfield për mua është shumë i njohur edhe atë që në vitin e largët 1969, këtu e 55 vjet më parë. Pra, është vit jubilar i 55 vjetorit të njohjes sime me këtë qytet. E di se të gjithë pyesni si ka mundësi që ti 11 vjeçar të kesh ditur për këtë qytet?! Të gjithë do të mendoni se emrin e Garfieldit do ta kem mësuar në shkollë?! Përgjigjja është: Jo.
Në janar të vitit 1969, vëllai im Mustafa Asani ka emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atëbotë ka jetuar në Garfield. Unë i kam shkruar letrat për vëllain tim. Në zarfin me ngjyra anësh, i cili kishte një aromë që i ngjante parfumit, unë lexoja adresën, rrugën, numrin e shtëpisë dhe qytetin GARFIELD, N. J. U S A. Dhe me duart e mia të vockëla shënoja adresën. Asnjëherë një fëmije siç isha unë nuk do t’ i shkonte në mend se një ditë, pikërisht në atë qytet – në Bibliotekën e atij qyteti, në Garfield, do të dhuronte disa nga veprat e tij letrare dhe shkencore.
Të nderuar kolege e kolegë shkrimtarë, kjo ditë është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Bibliotekën Publike të Garfieldit por edhe për ne shkrimtarët. Pse është ngjarje e rëndësishme për ne shkrimtaret dhe shkrimtarët? Më 1917, Mësuesja e Popullit Sevasti Qiriazi e botoi gazetën “Ylli i mëngjesit” në Filadelfia, para 107 vitesh. Ajo gazetë ruhet në Bibliotekën Publike të Filadelfias në shtetin e Pensilvanisë. Mbase pas 100 vitesh, stërmbesat e stërnipërit tanë do t’ i gjejnë librat, në gjuhën shqipe apo në gjuhën angleze, në Bibliotekën Publike të Garfieldit.
Nuk rri dot pa e përmendur shokun tim shkrimtarin Mëhill Velaj sepse sa i tregova për nismën e Arjanës dhe Albanit, u gëzua pa masë dhe bëri gati librat për t’ ia dhuruar Bibliotekës Publike të Garfieldit. Ky njeri humanist e altruist rrallë i ka shokët!
Të nderuar miqtë e mi Arjana dhe Alban ju falënderoj nga zemra për këtë nismë! Kam shpresë se nismës tuaj do t’ i bashkohen edhe qindra shkrimtare e shkrimtarë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.