

Flamur VEZAJ/
Në sheshin e Bashkisë së Bostonit, nën kujdesin e Federatës Panshqiptare VATRA dhe organizatës shqiptare MAASBESA, u ngrit flamuri i Kosovës për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë nga pushtimi serb!
Edhe pse moti ishte i ashpër, me shi e borë, zemrat e shqiptarëve rrezatonin ngrohtësi dhe krenari. Bashkatdhetarët u mblodhën për të nderuar këtë ditë të shenjtë, duke valëvitur flamurin e Kosovës krah atij amerikan – simbol i miqësisë dhe mbështetjes që ky vend i madh ka dhënë për popullin tonë. Ngritjen e flamurit të Kosovës e bënë me nder nxënësit Olsian Vezaj dhe Joni Maksutaj, të ndihmuar nga Jorid Çelaj, duke simbolizuar vazhdimësinë e brezave që do të mbajnë gjallë identitetin kombëtar shqiptar.
Për këtë përvjetor të lavdishëm, Guvernatorja e Massachusetts-it, Maura Healey, lëshoi dhe firmosi një Proklamatë, e cila u lexua nga atdhetari Faton Limani. Në këtë dokument historik, guvernatorja vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar dhe theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Massachusetts-it dhe popullit të Kosovës.
Gjithashtu, kryetarja e Bashkisë së Bostonit, Michelle Wu, në një gjest domethënës, shpalli 17 Shkurtin 2025 si “Ditën e Kosovës në Boston”. Proklamata e saj, e lexuar nga përfaqësuesja znj. Lisa Menino, konfirmoi mbështetjen e qytetit të Bostonit për komunitetin shqiptar dhe vlerat e tij.
Pas intonimit të himneve të SHBA-së dhe Kosovës, në atmosferën e mbushur me emocion, vijuan fjalimet përshëndetëse të organizatorëve.
Kryetari i VATRA-s në Boston, z. Menor Maksutaj, shprehu mirënjohjen ndaj autoriteteve për mbështetjen e dhënë dhe falënderoi komunitetin për pjesëmarrjen. “VATRA do të vazhdojë traditën e shumë patriotëve që e ruajtën gjallë shqiptarinë në mërgim. Flamuri ynë nuk është thjesht një copë stofi, ai është gjaku dhe sakrifica e mijëra burrave e grave që luftuan për lirinë tonë. Sot, ne e ngritëm këtë flamur për të treguar se Kosova jeton në zemrat tona, kudo ku jemi!” – u shpreh Maksutaj me emocione të forta.
Në emër të organizatës MAASBESA, foli Eduard Lazri, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit të diasporës dhe ftoi bashkatdhetarët të angazhohen në komunitetin shqiptar. “Ne jemi një komb që nuk dorëzohet! Historia jonë është histori qëndrese dhe sakrifice. Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrën të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në çdo cep të botës ku jetojmë.” Duke ftuar komunitetin çdo të shtunë në qendrën shqiptare të hapur tashmë në Braintre MA.
Në emër të Albanian Bostonians Community Center, foli Endri Kume, i cili njoftoi se një qendër e re për komunitetin shqiptar në veri të Bostonit do të hapet së shpejti në Beverly, MA. “Një komb i fortë ndërtohet mbi baza të forta. Me qendrat tona kulturore, me gjuhën tonë, me flamurin tonë, ne tregojmë se shqiptarizmi nuk shuhet kurrë!”
Në emër të shoqatës “Laberia” në Boston, zv/kryetari Neviol Shukulli përshëndeti të pranishmit dhe uroi shqiptarët për këtë ditë të shënuar. “Jemi bij të shqipes, jemi populli që di të qëndrojë krenar në çdo kohë. Lavdi dëshmorëve të Kosovës! Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova, rroftë Kombi Shqiptar!”
Ceremonia u pasurua me poezi patriotike të recituara nga Albulena Kastrati, Namik Selmani dhe një fëmijë i lindur në SHBA, Marti Ismailaj, i cili, me një shqipe të pastër dhe zemër plot dashuri për atdheun, emocionoi të gjithë të pranishmit.
Nuk munguan as këngët patriotike, të interpretuara nga rapsodët vëllezërit Delia, të cilët ndezën atmosferën me këngët e tyre që rrëfejnë historinë dhe krenarinë kombëtare.
Ceremoninë e moderoi studenti nga Kosova, Ledion Hoti, i cili me profesionalizëm dhe emocion përcolli mesazhin e kësaj dite madhështore: Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një datë, por një amanet i shenjtë që duhet ruajtur, nderuar dhe mbrojtur nga brezat e ardhshëm!
Boston, një qytet i madh, sot u bë edhe më i madh me zemrat shqiptare që rrahin fort për Kosovën dhe kombin. Ky flamur që valëvitet këtu nuk është vetëm simbol i një shteti – është simbol i gjakut, sakrificës dhe krenarisë sonë kombëtare.
Lavdi heronjve të Kosovës! Rroftë populli shqiptar.