Pëllumb Kulla
HAZNEDARI, PORTRET ME VETËM NJËRËN NGA BOJRAT (3)
Shkrimtari amerikan Xhek London ka një roman, me titull “Ujku i Deteve”, ku ka vënë në qendër një personazh që mban vërtet emrin e ujkut. Është kapiten i një vapori dhe quhet Ullf Larsen.
Ky njeri është i mbrujtur me një filosofi materialiste të egër. Ai thotë se njeriu nuk i zgjon asnjë ndjenjë frenuese dhe nuk ia hollon delikatesën. Asnjë paragjykim nuk e bën atë të ndjeshëm përpara qënies njerëzore. Ai mund të rrahë, të torturojë, apo ta vrasë njeriun njësoj sikurse vret një lepur, ther një dele dhe një pulë, apo i çan barkun një peshku.
“Ju nuk më thoni asgjë dhe nuk më qortoni kur i bëj këto gjëra,” thotë ai. “Sapo vras një njeri, ju menjëherë ulurini. Sa të padrejtë! Të gjithë si vlera jemi të barabartë në faunën natyrore dhe i forti është mbi të gjithë!”
Thonë, se sa kohë ishte i pa angazhuar me lëvizjen komuniste, Nevzat Haznedari lexonte shumë. Nuk kam të dhëna nëse zotëronte ndonjë gjuhë të huaj dhe nëse e ka lexuar këtë libër të fryrë me teoritë niçeane të Mbinjeriut dhe që ende nuk është i përkthyer në gjuhën tonë, por libra të tillë me mësime të llojit, që përhapnin kulturën e torturës pa skrupull, duket që ka lexuar mjaft.
Pastaj I ka lënë këto lexime dhe na shkroi e na la librin e tij.
Gjeneralit Nevzat Haznedari, për vite dhe vite me radhë drejtor i Degës së Hetuesisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i jepet autorësia e manualit të llojeve të torturës që ushtroheshin në qendër dhe në rrethe për të arritur pranimet e fajeve të sajuara nga Sigurimi i Shtetit, mbi të cilat ishin bazuar kapjet dhe arrestimet e njerëzve.
Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në pavionin e gjenocidit komunist, në një tabelë numërohen afro njëzet lloje torturash fizike, që përdoreshin në burgjet e diktaturës enveriane. Ishin kryesisht të importuara nga praktikat hetimore hitleriane dhe staliniane. Zbatimi në Shqipëri solli një pasurim të shumëllojshmërisë së tyre. Tabela në pavionin e gjenocidit rreshton:
• Jeleku i torturës.
• Dëmtimi i organeve gjenitale.
• Kamxhiku dhe druri.
• Lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe mbajtja në këmbë për ditë të tëra.
• Përdorimi i korrentit elektrik, deri në humbjen e ndjenjave.
• Varje në qafë të zinxhirëve me peshë të rëndë.
• Varje prej krahësh, lidhur mbrapa, në lartësi që këmbët prekin tokë me maja gishtash.
• Mbushja e gojës me kripë.
• Dërgimi gjoja për pushkatim, zbrazje armësh dhe hipja në trekëmbësh për varje.
• Futje me kokë poshtë në një fuçi me ujë.
• Djegje e mishrave me cigare, ose me hekur të skuqur.
• Hedhja e alkoholit në duar, apo në flokë dhe ndezja e tij.• Thyerje kockash dhe shkulje e mishit me darë.
• Dhënie gjelle të kripur dhe më pas lënia pa ujë.
• Futja në ujë të ftohtë e të dënuarit dhe lënia lagur e tij, në dimër.
• Pakësim gradual i ushqimit, për të shkaktuar vdekjen pas një kohe të caktuar.
• Përdorimi i lëndëve kimike për ngacmim, apo dëmtim të sistemit nervor.
• Lidhja me pranga duar e këmbë, për një kohë të pacaktuar.
• Përdorimi i zgjojeve të bletëve ndaj të burgosurve të zhveshur.
Të burgosur që kanë kaluar nëpër ferrin e Haznedarit, ankohen se në tabelë janë harruar dhe plot lloje të tjera torturash, disa nga të cilat janë më të tmerrshme se ato të publikuarat. Të tilla ata quajnë: lidhjet në shtylla betoni në vende të ekspozuara në diell deri në vdekje; përdhunimi i femrave të familjes në sytë e të ndaluarit; ndërsimi i qenve të kufirit dhe kafshimet që u bënin ata, atyre që ishin zënë duke u arratisur; fryrja e zorrëve me pompë nëpërmjet anusit; torturat dentale me thyerje dhe heqje dhëmbësh e dhëmballash pa mpirje; shtrëngimi për të ecur zbathur përmbi prushin e ndezur dhe plot e plot të tjera tortura, hartuar me fantazinë e një njeriu të egërsuar me llojin e vet.
Shumëkush mund të mendojë, se këto vepra të shëmtuara çnjerëzore i bënin shërbëtorët xhelatë në bodrume të errëta, larg syve të shefave që i kishin urdhëruar. Jo! Stalini këto i kish shfaqjet më të preferuara dhe i shikonte ose të filmuara, ose atypëraty, duke u ulur në një kolltuk përtej xhamesh nga ai nuk dukej. Kurse Haznedari, Hekuran Isaj dhe Feçor Shehu e shumë të tjerë, nuk e kishin problem dukeshin, apo nuk dukeshin: ata uleshin qetësisht pa ia bërë syri tërrr, në një anë të dhomës së torturave, pinin duhan dhe kënaqeshin në një shfaqje shumëngjyrëshe, me gjak, fekale, me klithma dhe ulurima.
Para syve të tyre përpeliteshin nën duart e zellshme të torturuesve të etur për karriera në këtë fushë, akademikë, fshatarë, ushtarakë, komandantë të njësive partizane dhe deri anëtarë të Byrosë Politike.
Vetvetiu të shkon mendja se Haznedarët si Stalini e kënaqnin urinë e tyre spektatoriale vetëm me të soditur. Aspak! Dy sigurimsa të devotshëm, rënë vite më vonë në grackën e zakonshme të shokëve të vet, tregojnë përpara hetuesit, veç e veç, por ama në një renditje të hollësishme dhe me një ngjashmëri tregimesh që të rrënqethin, se si e qysh kishte qenë fundi dhe vdekja e stërmundimshme e Komandantit të Flotës Ushatarako-Detare të Republikës, Teme Sejkos, në një shtëpi të veçuar të Maminasit.
Emrat e dëshmitarëve nga radhët e Sigurimit enverian janë Qemal Xhaferri dhe Islam Gjondeda. Ata treguan:
Katër vetë, ndarë dy e nga dy, mbanin dy anët e një litari prej kërpi lakun e të cilit e kishin kaluar rreth qafës të Teme Sejkos dhe e tërhiqnin nga të dy anët njëkohësisht për ta mbytur admiralin, këtë shokun e tyre, të maleve partizane!… Fatziu admiral fryhej në fytyrë sytë i dilnin avash avash nga orbitat dhe kështu vazhdoi deri sa ai dha shpirt i mbytur. Po këta që e mbytën, ashtu si qenë së bashku e shoqëruan trupin pa jetë të admiralit dhe e varrosën në një skaj të Linzës në kodrat e Tiranës, në një gropë që Xhaferri dhe Gjondeda, që të dy, thonë që nuk e dinin se kush e pat hapur. Dhe të katër mbytësit ndenjën të pranishëm deri sa i mbyturi me litar u mbulua me dhè.
Me siguri duhet të ketë lindur kureshtja se cilët ishin vallë këta njerëz në të dy anët e litarit prej kërpi.
Të njohur janë. Më i panjohuri prej tyre mbante gradën e gjeneralit.Këta quheshin Nevzat Haznedari, Mihallaq Ziçishti dhe Rexhep Kolli. Dëshmitarët flasin për praninë e Kadri Azbiut, por nuk thonë nëse e tërhoqi apo jo, litarin, Azbiu.
Pas këtyre dëshmive është vështirë të kuptohen, çfarë prisnin dhe përse qahen Kullat e Zëmblakut?! (Fund)