Nga Astrit Lulushi/
Çfarë kërkon njeriu? Në dukje ai ka. Por sot kërkon, nesër diçka tjetër. Oreks për çdo gjë. Ka, pa qenë në gjendje t’i konsumojë të gjitha.
Njeriu, jo rrallë, ndjehet i vetëm edhe mes të vetëve, nuk e di çdo. Ndoshta kërkon të jetojë më shpejtë se koha. Para syve i kalojnë epoka të tëra si në një shirit të dikurshëm filmik dhe ai zgjat dorën t’i prekë të gjitha njëherësh. Apo vetja është gjithçka, rrënja e pemës së jetës që me degët e saj zgjatet përhapet, bën fryte dhe në fund vlerësohet për hijen.
Edhe Estetika e gjërave ndryshon.
Më parë, kur shumica e sendeve bëheshin me dorë, njeriu vlerësonte pa mëdyshje përsosmërinë teknike, simetrinë. Piktura dhe skulptura, për shembull, çmoheshin për realizmin e tyre, vërtetësinë, sa saktë ato përshkruanin temën e zgjedhur. Me aparatin fotografik, interesi për realizmin u venit, dhe arti hapi fusha për forma të tjera si ekspresionizmi, kubizmi etj. Asimetria a pabarazia filluan të cilësoheshin si kryevepër. Realiteti ndryshon çdo sekondë, kështu edhe shijet, përse për më mirë edhe jo njeriu?
