KOSTA NAKE/
Kur shohim dikë të veshur me kostumin prej letre të karnavaleve, forma prej kafshe nuk na largon nga perceptimi se poshtë tij ndodhet një njeri që demonstron, ashtu edhe Blushi nuk i ka shpëtuar tundimit për trajtesën politike të plastelinës që pati vendosur mbi tavolinën e punës. Ai është i dënuar ta vështrojë Shqipërinë si politikan dhe fatin e saj nuk mund ta kalojë në sitë pa paraqitur alternativat e veta. Artistja japoneze Joko Ono thotë: “Artistët e vërtetë janë profetë.” Pasi kam lexuar të gjitha ato që ka botuar deri tani, kam filluar të mendoj se Ben Blushi po profilizohet si një shkrimtar profet. Ai është përpjekur të vijë me një qasje universale duke luajtur me figura historike në një fushë ku ka humbur nocioni i kohës dhe ku përpjekjet e lexuesit për të t’i identifikuar karakteret letrarë me ata historikë do të rezultonin në humbjen e orientimit në horizont.
Lek Dukagjini, përveç emrit dhe analogjisë, nuk ka asnjë lidhje me autorin e kanunit, edhe pse enumeracioni i faqeve110-111 ka diçka të ngjashme me kanunin. Ndërtimi i një Shqipërie tjetër në një ishull prej Lek Dukagjinit nuk është asgjë tjetër veç trill, por kjo nuk e frenon fantazinë e autorit që t’i gjejë një ishull të pabanuar në Mesdhe për të filluar gjithçka nga e para, për të ndërtuar një Shqipëri në miniaturë. Gjithçka përtypet më lehtë me dëshirën e Lek Dukagjinit për të zëvendësuar Zotin, me ndërrimin e emrave të fëmijëve të zgjedhur për të krijuar një ishull të izoluar nga bota pa fe, pa prona, pa para, pa fëmijë dhe pa familje.
Aksioni i parë i madh është mohimi i Zotit dhe sakaq Leka i shekullit XV, vjen në mesin e shekullit XX kur Shqipëria e ndaloi fenë me ligj, shkatërroi objektet e kultit dhe përndoqi klerikët me objektivin ambicioz që në fronin e tij të hipte Lek Dukagjini i Ri. Hapi i parë ishte vërshimi i pyetjeve që kërkonin përgjigje nga Zoti dhe për Zotin, pyetje që ende nuk kanë një përgjigje as nga Zoti as nga shkenca. Pyetja e parë: A kishte prindër Zoti?
Lek Dukagjini jo vetëm ia doli ta fshinte Zotin nga Shqipëria, por këtë udhë e vazhdoi Enveri që mori frenat e shtetit pas vdekjes së tij. “Kur frika plagoset, mirësia vdes dhe kur frika vdes, Zoti bëhet i panevojshëm.” (f.85) Gjithë historia 13-vjeçare e ishullit shqiptar është ndërtuar në mënyrë të tillë që në fund të arrihet në përfundimin: “Shqiptarët do të mbeten njëlloj, të egër, të uritur dhe pa shpresë. Kudo që t’i çosh ata, do të jenë njëlloj sepse shqiptarët kanë një zakon që ti nuk e ndryshon dot: ata gjithmonë e vrasin Zotin e tyre.” (f.587-588)
Programi politik i Lek Dukagjinit shoqërohet me parashtrimin e programit demografik që përbën goditjen e dytë të madhe këtë herë drejtuar kundër familjes, pasi ajo i lidh njerëzit duke krijuar ndjenjën e pronësisë, madje rreziku fillon brenda saj duke krijuar pabarazi mes anëtarëve të familjes. Kuzhinieri Aleksandër deklaron: “Nëse do të jetosh në Shqipëri, duhet të harrosh të paktën dy gjëra: Zotin dhe familjen.” (f.244)
Infektimi historik i shqiptarëve është aq i madh sa ndryshimi, sipas Lek Dukagjinit, nuk mund të realizohet përveçse larg trojeve ekzistuese dhe duke ndërtuar një varkë tjetër si Noe, por me korrigjimet e nevojshme që gjithçka të jetë e përzgjedhur te njerëzit, kafshët dhe bimët. “Në Shqipëri çdo gjë do të shkruhet nga fillimi.” (f.177)
Ky projekt gjithsesi ka një pikë të dobët sepse shqiptarët kishin det, por nuk e kishin shfrytëzuar atë duke kërkuar besnikërinë e malit; tani duhej të jetonin në mes të detit, pa asnjë përvojë paraprake. Vlerësimi për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk fillon këtu, ai është paraprirë nga deklarata të forta edhe te romanet paraprijës “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, po këtu ka më shumë se analizë, ka një diçka të ngjashme me sallën e gjyqit, me një përfundim jo aq të papritur se sa të pamëshirshëm: “Shqiptarët nuk bëjnë dot shtet sepse ata nuk besojnë në Zot.” (f.319) “Raca e shqiptarëve nuk kishte dëshmuar kurrë epërsi në luftë dhe zanat. Ajo nuk i ka dhënë botës asnjë shpikje.” (f.426) “Shqiptarët nuk kanë aftësi ta kthejnë dashurinë në lumturi, sepse ata nuk dinë ta përdorin dashurinë.” (f.530-531) “Shqiptarët do të sillen një ditë si gjithë popujt e botës dhe atë ditë Shqipëria do të jetë një vend ku mund të jetohet, një vend që do të kuptojë se fajtor për varfërinë, për hidhërimin dhe urrejtjen nuk është Zoti, por janë vetë njerëzit.” (f.497)
Qyteti projektohet me detaje dhe realizohet brenda një hapësire të kufizuar kohore, por me një mungesë të dukshme: asnjë plan për mbrojtjen me paramendimin se do të jetonte larg dhe i fshehur prej botës. Duke përdorur alegorinë, mund të vendosim një lidhje të shkurtër mes Lek Dukagjinit dhe një kryetari bashkie për vëmendjen që tregojnë të dy për fasadat.
Anija sjell fëmijët e përzgjedhur në një datë problematike për shqiptarët: mesnatën e 28 nëntorit dhe, nëse Shqipëria ishullore do t’i kishte ditët të gjata, historianët luftën do ta fillonin pikërisht për datën e themelimit: Kur u themelua Shqipëria, kishte vajtur ora 12 e mesnatës, apo kishte kaluar dhe rrjedhimisht ishte data 29 nëntor?
Projekti i Lek Dukagjinit është i përimtuar deri në tingëllim grotesk, i ngjashëm me kanunin e Lek Dukagjinit Plak, aq sa ka parashikuar edhe modelin e shqiptarit dhe shqiptares. “Shqiptari do të ishte i gjatë, me sy të kaltër, me nofulla të forta, me veshë të vegjël, me flokë të dendur ngjyrë okër, me duar të forta dhe gishta të gjatë, me këmbë të drejta si një karotë pa dhjamë, me kraharor të gjerë dhe shpatulla pak të përkulura, i ndjeshëm ndaj çdo teknike të re, praktik, trim, i menduar, i bindur dhe aspak i ngeshëm dhe kureshtar për t’iu përkushtuar gjërave të panevojshme… Ai duhej të dinte të luftonte dhe mbi të gjitha të kishte aftësi bindëse…” (f428) “Gratë nuk kishin pse të ishin të bukura. Gjinjtë e tyre do të ishin të vegjël, por të fortë dhe pa shumë lëng… Flokët e tyre do të ishin të shkurtër, sqetullat dhe kofshët duhej të kishin sa më pak qime dhe push… Këmbët e tyre duhet të ishin të plota, të bardha, pa tule, shputat të trasha dhe të gjera për të mbajtur sa më shumë peshë, sytë të thellë dhe të shkruar si qiejt në pranverë, dhëmbët sa më të bardhë… lëkurën të butë, të shtrirë dhe të lëmuar, me sa më pak pore… ato duhej të ishin të vendosura, të drejta, të vëmendshme, të pastra dhe mbi të gjitha plot kurajë e fantazi…” (f.429-30)
Shqipëria e Lek Dukagjinit dukej si parajsë, por ishte një dështim. Vazhdimësia nga Enveri ishte edhe më e keqe dhe arriti pikën kulmore kur ndryshimi i bë i domosdoshëm me çdo kosto. Shqipëria eksperimentale duhej braktisur. Romani është shkruar pasi ka ndodhur një eksod i përmasave të mëdha në fillim të viteve ‘90, autori duket largpamës kur justifikon ikjen nga Shqipëria dhe nuk kaloi as një dekadë që ka mjaft elementë të një eksodi më dinjitoz. “Nëse shqiptarët donin të iknin, kjo nuk vinte se kishin frikë nga natyra, nga thatësira, nga stuhitë detare apo nga kafshët…. Shqiptarët kishin frikë vetëm nga njëri-tjetri.” (f.593)
Ka edhe deklarata që, pavarësisht në gojën e cilit vendosen, meritojnë debat sepse janë të forta për t’u përtypur dhe të vështira për t’u gëlltitur. Ja dy shembuj: “Shqipëria do të jetë më e mirë pa shqiptarët dhe shqiptarët do të jenë më mirë pa Shqipërinë.” (f.590) “Shqiptarët ndryshe nga popujt e tjerë kanë një zakon: ata zgjedhin ato toka që të tjerët nuk i duan dhe pastaj i shkatërrojnë.” (f.597)
Programi politik dhe ekonomik i Lek Dukagjinit nuk është i vetmi. Pas dështimit të parë të Shqipërisë ishullore shkaktuar nga një stuhi që e përmbyti, erdhi kërcënimi i urisë, prandaj Lek Dukagjini tërhiqet nga një element i rëndësishëm i programit të tij ekonomik që ndalonte marrëdhëniet ekonomike me botën. Ademi, një prej njerëzve të besuar të tij, zbret në një tokë tjetër dhe kontakton me një pinjoll nga një familje shqiptare e emigruar, Zed Komneni, nipi i Arianitit, të cilin autori e vlerëson aq shumë te romani “Të jetosh në ishull.” Ai i zbulon Ademit jo vetëm një botë tjetër, por edhe i shpalos programin e vet politik dhe ekonomik. Në qytet Zedin e quajnë Prifti i Kuq sepse ishte një njeri që kishte qejf të fliste pa pushim për botën, për artin, për Zotin, për dashurinë, për mjerimin, për padrejtësitë dhe për luftën. Sillej si rebel dhe fliste si prift. Parimi që e udhëheq atë është pranimi i nevojës për ndryshim. Ndryshe nga Lek Dukagjini, Zed nuk është për mohimin e Zotit, nuk e pranon mbylljen e Shqipërisë. Gjithsesi platformat e Lekës dhe Zedit janë të ngjashme, me ngjyra të theksuara majtiste, por që kërkojnë rrugë të ndryshme për të arritur që ta bëjnë Shqipërinë një parajsë, “rruga e Zedit kalonte nga vera, rruga e Lek Dukagjinit kalonte nga gjaku.” (f.369)
Programi i tretë vjen nga poeti David Blunata që lë poezinë për të organizuar njerëzit që të mos e linin Shqipërinë në duart e Enverit, pas një letre që ia sjellin në burg këshilltarët e Lek Dukagjinit të vdekur. Por edhe ai ngjan me Lek Dukagjinit, “si dy vëllezër që mendojnë njëlloj, po sillen ndryshe.” (f.500)
David Blunata bëhet edhe shprehës i PD, Pushtimit të Dashurisë dhe e tejkalon Zed Komnenin, kur lëvizjes së lirë i shton mundësinë për të jetuar në shtetet e tjera, madje që ta përziejnë gjakun me ta për t’u bërë më të butë. “Duhet t’u jap një shenjë, mendoi dhe duke u mbështetur te muri ngriti dorën në ajër dhe shkroi: PD.” (f.528) Ato dy gërma u shfaqën së pari në trupin e një vajze të vdekur, pastaj Ademi dhe Aleksandri i shkruam në mur, pastaj në barkun e një lope. Dhe këto ngjanin në dhjetor. Lëvizja e lirë, tregu i lirë dhe Shqipëria e hapur për turistët dhe investitorët e huaj e bëjnë programin e djathtë të David Blunatës.
Tre figura të tjera janë me interes në këtë roman: Enveri, Mehmeti dhe Shtuni. Enveri ngjan pak me Enver Hoxhën kur bëhet kamxhiku i Lek Dukagjinit si ngjyrosës i yllit të verdhë me ngjyrë të kuqe, si mbrojtës i pronës kolektive, luftëtar kundër fesë, kthimin Shqipërisë ishullore në bunker. Mehmeti ngjan pak me Mehmet Shehun kur i ngarkohet mbrojtja e Shqipërisë për shkak të përvojës ushtarake dhe përsëritjen disa herë të tre djemve të tij. Shtuni nuk identifikohet me njeri, por me Sigurimin e Shtetit, ai ishte syri, veshi dhe testamenti i Lek Dukagjinit.
Në këtë mozaik historik dhe paradë figurash historike ka aq shumë kapërcime në kohë dhe aq karakteristika të salduara, saqë çdo analogjie, sa më shumë i afrohesh, aq më shumë dallime zbulon. Ajo që nuk ndryshon është qasja kritike e autorit ndaj gjithçkaje që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët.
(Romani “Shqipëria” i Ben Blushit, Mapo editions 2011)
Bilisht, 10 -14 prill 2024