-Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës nga Bashkimi Evropian në Kosovë jepet Çmimi “Evropiani i Vitit 2021”/
PRISHTINË, 9 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova shënon Ditën e Evropës, 9 Majin, e cila është festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin e miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008. Dekretimi i Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 13 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.
Në prag të 9 Majit 2021, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës është votuar për Çmimin “Evropiani i Vitit 2021”, çmim ky që jepet çdo vit me rastin e Ditës së Evropës nga Bashkimi Evropian në Kosovë.
Në ceremoninë e zhvillur, kryetarit të Shoqatës së Matematikës së Kosovës Armend Shabani iu dha çmimi nga Ambasadori Tomáš Szunyog – Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësues Special i BE-së. Të nominuarit e tjerë: Arlinda Murtezi – aktiviste rome, Flutura Kusari – nga Iniciativa Kosovare Kundër Padive SLAPP dhe Blerta Basholli – regjisore filmi ishin poashtu të pranishëm.
Fituesit e mëparshëm Lul Raka dhe Jeton Neziraj gjithashtu ishin të pranishëm në këtë ceremoni, së bashku me Zëvendës Kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi.
Për të gjashtin vit radhazi, me rastin e Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian Kosova i ndan Çmimin Evropian të Vitit një individi / institucioni që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane gjatë vitit paraprak. Fituesi u vendos përmes votimi që u bë online përmes llogarisë e Facebook-ut të BE-së, nga populli i Kosovës.