Resul REXHEPI/
Tashmë kemi hyrë në vitin e katërt nga kur hoxha, imami, pedagogu, studiuesi, myftiu, veprimtari dhe diplomati i Kosovës Dr. Rexhep kaloi në Botën tjetër – Ahiret.
Prandaj, me rastin e ndarjes nga ne të Dr. Rexhep ef. Bojës, do të shpalos disa të dhëna jetëshkrimore të tij dhe disa vlerësime e kujtime për të, ndonëse për jetën dhe veprën e dr. Bojës jam i bindur se do të shkruhet e do të flitet gjatë, sepse veprimtaria e tij ishte e begatë, e qëndrueshme, fisnike dhe gjithmonë në shërbim të fesë e të atdheut.
Unë kam pasur nderin, madje e konsideroj edhe privilegj që kam bashkëpunuar me Dr. Rexhep ef. Bojën, madje, në të shumtën e herëve edhe në kohë tejet të ndjera dhe shumë të vështira.
Në të vërtetë, njohja ime me Rexhep efendiun nis që nga viti i largët 1985, atëherë kur në numrin e 42-të të revistës “Edukata islame” kisha botuar një shkrim të karakterit informativ-biografik, me titull “Kur ambiciet kurorëzohen me sukses”, dhe i cili bënte fjalë pikërisht për Dr. Rexhep Bojën, me rastin e mbrojtjes së tij të doktoratës në Universitetin Islamik të Medinës.
Më pastaj, në vitin 1986, përderisa unë isha drejtues i Medresesë “Alaudin”, kemi pasur nderin që Dr. Rexhep Bojën ta angazhonim si pedagog për lëndën e fikhut-jurisprudencës islame, prej nga ku pas disa viteve do të kalonte në Kryesinë e Bashkësisë Islame për ta udhëhequr atë deri në vitin 2003, e për të vazhduar më pas si pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës. Në kuadër të FSI-së, krahas detyrës së dekanit nga viti 1992, pra nga themelimi, ai gjithashtu ka qenë i angazhuar për mbajtjen e lëndëve të fikhut-jurisprudencës islame dhe Da’ves.
Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për veprimtarinë e Dr. Rexhep ef. Bojës, unë mendoj se atë duhet parë si të ndarë në disa aspekte dhe faza, duke filluar që nga koha kur ai shërbeu si imam në “Xhaminë e Kuqe” të Pejës, më pastaj si profesor në Medresenë “Alaudin”, më pastaj si drejtues dhe pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës, më pastaj si myfti i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, dhe së fundmi si diplomat i shtetit tonë – Republikës së Kosovës.
JETËSHKRIMI I REXHEP EF. BOJËS
1. Arsimimi
Rexhep Boja lindi më 20 qershor 1946 në fshatin Kërrnicë, që i takonte komunës së Klinës. Familja e tij ishe një familje solide mesatare, e babai i tij Jashari ishte dashamirës i fesë e besimtar i devotshëm, prandaj që herët e kishte ndarë mendjen që djalin e tij ta dërgonte në Pejë për të mësuar në mejtep te hoxha Muhamed ef. Gashi. Dëshirës së prindit do t’i përgjigjej pozitivisht Rexhepi, që aso kohe ishte akoma i njomë dhe i ruante ato pak bagëti të familjes në lëndinat e Kërnicës. Me gëzim do të shkonte në Pejë për të mësuar në mejtep te hoxha. H. Muhamed ef. më vonë do të shprehej në superlativ për nxënësin e tij, i cili me aq përkushtim i përkushtohej mësimeve të fesë islame tek alimi i nderuar.
1.1. Në mejtepin e hfz. Muhamed ef. Gashit
Për shkuarjen e Rexhepit në mejtep, babai i tij Jashari kishte biseduar paraprakisht me hoxhallarë të Pejës dhe kishte vendosur që djalin e tij – Rexhepin ta dërgonte në Pejë. Dhe kështu, Rexhep ef. mësimet e para fetare islame si fëmijë i kishte nisur te hoxha i tij haxhi hafëz Muhamed ef. Gashi, në Pejë. Rexhep ef. ishte shumë i rregullt dhe i disiplinuar, dhe kureshtar për të mësuar sa më shumë, e kjo natyrisht se i gëzonte sa prindërit e tij aq më shumë edhe hoxhën nga i cili mësonte. Gjatë kohës sa qëndroi pranë hoxhës së tij të nderuar, ai nga mësimet fillestare vazhdoi në mësimnxënien e disa lëndëve të rëndësishme sipas traditës së vjetër, e cila asokohe ishte shumë efektive.
Më vonë, gjatë kohës sa kamë pas mundësinë të bashkëpunoja me të, kurdo që e përmendtë Muhamed ef. thoshte “Hoxha i im”.
Meqë ai tregonte interesim të dukshëm gjatë ndjekjes së mësimeve, Muhamed efendiu e inkurajonte edhe atë po edhe babanë e tij që Rexhepin ta dërgonte në Shami-sherif për të mësuar.
Kjo kishte ndodhur pasi që asokohe, një grup hoxhallarësh nga Kosova, e me ta edhe Rexhep efendiu, në vitin 1967 ishin organizuar për të shkuar dhe për ta kryer haxhin. Gjatë kthimit, ata kishin vizituar edhe Damaskun dhe disa shkolla atje, në njërën prej të cilave e kishin regjistruar Rexhepin e ri për të vazhduar shkollimin dhe ia kishin dorëzuar si amanet alimit të njohur Abdulkadër efendi Arnautit, që ishte një nga shqiptarët e Kosovës të migruar në Damask.
1.2. Nxënës në Damask
Në Damask, që asokohe ishte qendër e kulturës dhe shkencës në përgjithësi, Rexhep ef. Boja do ta vazhdonte nga ku e kishte ndërprerë dhe do ta mbaronte me sukses shkollën fillore. Po aty do ta mbaronte edhe shkollën e mesme. Gjatë qëndrimit në Damask, pati rastin e mirë që të njihej me koloninë shqiptare që jetonte e vepronte atje, në veçanti me dijetarët më eminentë shqiptarë, e sidomos me Abdulkadër ef. dhe bijtë e tij etj. Nga bisedat, ligjëratat dhe ndejat me ta, Rexhep efendiu përfitoi dije të shumta dhe të hairit. Jo rrallë herë tregonte me shumë pasion se si i shfrytëzonte takimet sidomos me Shejh Abdylkadrin për të përfituar sa më shumë nga dija që ai posedonte. Aty ishte njohur dhe kishte kaluar momente frytdhënëse edhe me të bijtë e Abdulkadrit dhe bashkëmoshatarë të tjerë. Jo rrallëherë tregonte se si kohën e lirë e kalonte me dijetarët e Shamit, dhe nga ta përfitonte dituri e eksperiencë. Kjo kishte bërë që ai gjithmonë të ishte i dëshiruar dhe i admiruar në mesin e tyre. Ndonëse kafshata e mërgimit është shumë e hidhur dhe jeta mjaft e rëndë, vetëm durimi i madh dhe sakrifica për t’u shkolluar bënë që ai të përfitonte dituri dhe të ngrihej intelektualisht. Ai tregonte se edhe gjatë pushimeve verore jo gjithmonë ka ardhur në Kosovë, sepse kishte frikë se pushteti i atëhershëm komunist mund t’ia merrte pasaportën dhe kështu t’i pamundësohej vazhdimi i shkollimit të cilin e kishte nisur. Ndaj dhe dr. Boja shpesh e theksonte këtë fakt: “Kur arrija në Bullgari, në rrugë e sipër për në Damask e më vonë edhe për në Medine, mërzitesha për familjen, por gëzohesha jashtë mase sepse e dija se më nuk do të mund të më ndalnin…”. Jeta në Damask gjatë moshës së tij të re, jo vetëm se e ngriti në aspektin arsimor, por për të ishte edhe një përvojë e papërsëritur. Ajo e kaliti dhe e bëri të fortë, në mënyrë që më vonë t’u përballonte sfidave e peripecive të ndryshme. Ai me shumë admirim e theksonte se shkollimi në Damask, kontaktet e tij me dijetarët shqiptarë dhe të tjerë që jetonin e vepronin në këtë qendër arsimore e kulturore, i ka ndihmuar mjaft shumë si në mësimin e gjuhës arabe e po ashtu edhe shkencave islame. Kjo eksperiencë e përfituar në moshën e rinisë, më vonë i ka shërbyer mrekullisht në veçanti në komunikimet me xhematlinjë. Shpesh herë thoshte se Damasku ka vend të veçan në zemrën time.
1.3. Student në Medinën e ndritshme
Pas Damaskut, Rexhep efendiu, ndonëse ka pasur mundësi të kthehej në vendlindje, ai zgjodhi kalimin e tij në Medinën e Ndritshme, aty ku pushon më i zgjedhuri i Zotit – Muhamedi (a. s.), për të vazhduar studimet e tij.
Dhe, siç e përmendte shpesh “…I Madhi Zot më ndihmoi dhe pata sukses të studjoja në Medinë!” Fillimisht ishte regjistrua në Fakultetin e Davës – në gjirin e Universitetit Islamik, të cilin e mbaroi me sukses solid. Krahas dijes së përfituar, ai fitoi dhe një eksperiencë tashmë edhe më të avancuar. Ndonëse ky ishte një sukses i pamohueshëm, Rexhepi kishte vendosur të vazhdonte me magjistraturë, e në fund edhe me doktoratë. Gjatë kohës sa ndiqte ligjëratat për magjistraturë (magjistroi në vitin 1981) dhe doktoratë (doktoroi më 1985), ai qe angazhuar si edukator në kuadër të konvikteve të Universitetit Islamik të Medinës. Ndonëse kjo për të qe një përvojë e re, megjithatë ishte mjaft sfiduese dhe goxha atraktive, sidomos për faktin se ajo i ofronte mundësi që të takonte dhe të njihej me studentë nga shumë shtete të botës, të cilët qyteti i Pejgamberit i mirëpriste për t’i shkolluar e edukuar në formën më të mirë të mundshme. Në Medine, ku asokohe kanë studiuar edhe disa studentë kosovarë, me mburrje tregonin për afërsinë, përkrahjen dhe ndihmën që e kanë gëzuar nga Rexhep ef. Boja.
Qëndrimi i Rexhep ef. për të studiuar në Medinë, asokohe ka qenë i përcjellë me mjaft vështirësi, mirëpo, kur nuk mungon ndihma e Allahut dhe gatishmëria për sakrificë, edhe ato vështirësi tejkalohen. Vështirësitë qenë të mëdha sidomos gjatë muajve të verës, kur temperaturat ishin të larta, ndërkaq niveli i ngritjes teknologjike lente shumë për të dëshiruar. Rexhep ef. thoshte se kur gjenim ndonjë vend vetëm pak të freskët ose ujë jo shumë të ngrohtë, e njomnim dhe e flladisnim pak shpirtin. Shumë vite më vonë kur shkonim në Medine dhe takonim studentët tanë që studionin atje, ka ndodhur që ndonjëri të ankohej për ndonjë pakënaqësi. Rexhep ef. iu thoshte të mos i përmendnin këto marrëzi se ju nuk e dini si ka qenë këtu para 30 viteve, e sot klimatizimi ju përcjell në çdo hap. Ndryshimeve të mëdha për të mirë që ndodhnin në Mbretërinë e Arabisë Saudite, të cilat sillnin lehtësira për të jetuar, Rexhep ef. iu gëzohej pa masë.
2. Imam në Xhaminë e Kuqe të Pejës
Pas përfundimit të studimeve të doktoratës, ndonëse pati oferta për të punuar në Medine, ai megjithatë kishte vendosur që të kthehej në vendlindjen e tij, pra në Kosovë, ku dëshironte që atë thesar të diturisë që e kishte fituar me shumë mund e sakrificë ta shpërndante në popullin e tij.
Me t’u kthyer nga Medina, sikurse thamë, filloi punën si imam, hatib dhe mualim në “Xhaminë e Kuqe” të Pejës. Punoi me shumë pasion e elan dhe ndjente kënaqësi për punën që e bënte. Çdo iniciativë që ndërmerrte, kishte përkrahje të madhe të xhematit. Vitet e para të angazhimit të tij me xhemat qenë shumë interesante dhe mbresëlënëse. Ligjëronte rregullisht para namazit të xhumasë, ishte mjaft konkret, i kuptueshëm dhe aktual. Kjo bëri që ai ta fitonte simpatinë e xhematit, të cilët pastaj e ftonin në raste të ndryshme. Edhe në ndeja ai ishte i pranueshëm, bisedonte me të gjithë fare lehtë. Mbi të gjitha, raportet e tij me Këshillin e Bashkësisë Islame të Pejës gjithmonë i ka pasur në nivel të admirueshëm. Gjithmonë gëzonte respekt si te administrata e Këshillit ashtu edhe tek kolegët tjerë. Nuk organizohej mevlud, hatme a ndonjë mexhlis tjetër fetar ku ai të mos ishte prezent. Nga ana tjetër, raportet e tij me kolegët tjerë imamë ishin të shkëlqyera, për shkak se ai prore gëzonte respekt e autoritet, e mbi të gjitha ishte modest.
3. Pedagog në Medresenë “Alaudin” të Prishtinës
Një vit më vonë angazhohet edhe në Medresenë “Alaudin”, si mësimdhënës për lëndën e fikhut-jurisprudencës islame. Dhe nga këtu fillon edhe kontributi intensiv dhe i shumanshëm i Dr. Rexhep ef. Bojës për t’i shërbyer vendit dhe bijve të popullit të tij në rrafshin edukativo-arsimor. Ndonëse për të Medreseja ishte një mjedis i ri, ai shumë shpejt u adaptua dhe krijoi raporte të mira me kolegë, kurse nga nxënësit gëzonte autoritet të padiskutueshëm.
Fillimet e punës së tij në Medrese kanë qenë mjaft sfiduese sepse duke qenë se jetonte në Pejë, i duhej të udhëtonte dy herë në javë Pejë- Prishtinë dhe anasjelltas, e kjo ka qenë mjaft e rëndë dhe sfiduese.
Gjatë kohës sa ka qenë në Medrese, krahas orëve të rregullta të mësimit, atë e angazhonim edhe në mbajtjen e ligjëratave tematike me rastin e festave fetare, gjë të cilën e bënte me shumë pasion.
Përvoja e Dr. Rexhep Bojës në Medrese ka bërë që nga aty ai pas pak vitesh të kalojë në Kryesi të Bashkësisë Islame për t’i udhëhequr myslimanët e Kosovës për 13 vjet me radhë.
4. Në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës
Dr. Rexhep Boja nga viti 1990, e deri më 2003, u vu në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës. Koha kur dr. Boja e ka udhëhequr Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë koha më e vështirë në shumë aspekte, e në veçanti në aspektin politik, por falë gjendshmërisë së tij dhe bashkëpunimit me strukturat udhëheqëse të Bashkësisë Islame dhe atyre politike, ia doli që me shumë sukses t’i mbronte interesat e institucionit të cilin e udhëhiqte dhe të vendit të cilit i përkiste. Gjatë kësaj periudhe, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Dr. Rexhep Boja në krye të saj, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, dr. Boja e ka përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare në mënyrë të denjë. Pjesëmarrja e tij në shumë konferenca ndërkombëtare, në sesione shkencore e tryeza akademike, ia ka mundësuar që çështjen e Kosovës ta plasonte gjithandej nëpër botë. Në tubime të tilla ka prezantuar në shumë shtete evropiane, aziatike, afrikane e deri në SHBA. Kryefjalë e paraqitjeve të tij vazhdimisht ka qenë angazhimi për lirinë e Kosovës, të cilën deshi Zoti dhe e përjetoi. Miqësia e tij me shumë faktorë politikë, fetarë, arsimorë, kulturorë e të tjerë të nivelit botëror, ia ka mundësuar që për Kosovën kurrë të mos ndalej dhe t’i shërbente asaj.
5. Kontributi i dr. Bojës në hapjen e FSI-së
Në anën tjetër, një periudhë tjetër shumë e begattë e kontributit të Rexhep efendiut, pa dyshim është edhe roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij në hapjen e Fakultetit të Studimeve Islame (1992) dhe vazhdimin e punës më tutje. Dr. Rexhep efendiu, para se të hapej Fakulteti, i kishte takuar Rektorin e Universitetit të Prishtinës, dr. Ejup Statovcin si dhe strukturat tjera udhëheqëse në vend. Nga të gjithë kishte marrë përkrahje për këtë iniciativë kaq të qëlluar. Shumë prej tyre i kishin premtuar përkrahje për fillimet e para të fakultetit. Sot, shumë nxënës dhe studentë që i kanë ndjekur mësimet dhe ligjëratat e tij, e kujtojnë me pietet për urtësinë e tij, për dinjitetin njerëzor dhe intelektual që ka treguar. Atë e ka karakterizuar respekti që gëzonte nga stafi punues i fakultetit e po ashtu edhe afërsia me studentë. Gjatë punës së tij si në Medrese, Kryesi të BI-së të Kosovës apo edhe në Fakultet, atë e ka karakterizuar modestia dhe thjeshtësia.
6. Përfaqësues diplomatik i Kosovës në Arabinë Saudite
Dr. Rexhep Boja karrierën e tij prej intelektuali e ka përmbyllur duke qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, fillimisht si i ngarkuar me punë e më pas edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe në disa shtete fqinje të saj (si ambasador jorezident), detyrë kjo të cilën e përfundoi me sukses. Edhe si diplomat, dr. Boja është angazhuar maksimalisht që vendin e tij të cilin e përfaqësonte, ta prezantonte sa më mirë që ishte e mundur. Në qarqet politike dhe diplomatike në të cilat kishte marrë pjesë, në vazhdimësi insistonte të afirmonte shtetin e ri – Kosovën, të cilin e përfaqësonte. Ushtrimi i punës së ambasadorit, ndonëse për të ishte detyrë e re, falë gjendshmërisë së tij, ia ka dalë që ta kryej me mjaft sukses. Na tregonte me shumë keqardhje se në disa shtete ku ka qenë i emëruar ambasador jorrezident, as që ka mundur me i dorëzuar letrat kredenciale, dhe atë thjesht vetëm për shkak të ndikimit të bllokut lindor dhe influencës së madhe në ato shtete.
Mirëpo, ajo që ia vlen të theksohet është se dr. Boja, edhe pas mbarimit të misionit të tij diplomatik dhe kthimit të tij në Kosovë, aktivitetet diplomatike i ka vazhduar edhe më tutje, sepse ai raportet me qeverinë e Kosovës prore ka vazhduar t’i ketë në nivel të lartë sepse ka gëzuar respekt të lartë, gjithashtu.
7. Kontributet shkrimore të Dr. Rexhep Bojës
Rexhep Boja është autor i shumë studimeve në fusha të ndryshme me të cilat është paraqitur në konferenca e simpoziume, dhe i artikujve të shumtë që janë botuar në gazeta e revista vendore e ndërkombëtare në gjuhën shqipe dhe arabe. Intervistat e tij dhënë shtypit vendor dhe atij ndërkombëtar, vazhdimisht kanë ofruar informacione të nevojshme për gjendjen në Kosovë, në veçanti për dhunën dhe terrorin që ushtronte okupatori serb në Kosovë. Gjithashtu, ai është edhe autor i dy librave: “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami – Myslimanët në ish-Jugosllavi”, botim në gjuhën arabe. Pjesa e parë përmban disertacionin e magjistraturës, ndërkaq pjesa tjetër e librit përmban disertacionin e doktoratës. Këta dy tituj, të bashkuar në një botim, kanë karakter krejtësisht shkencorë, të pajisur me aparaturë shkencore, gjë që jua rritë vlerë ku e ku më shumë.
Dr. Rexhep Boja ka botuar në gjuhën shqipe edhe librin “Për një të nesërme më të mirë”. Kjo vepër përmban intervista të cilat i kishte dhënë autori si për mediet dhe shtypin vendor ashtu edhe atë të huaj. Janë e përmbledhura, gjithashtu, edhe mesazhet e tij në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, qoftë për festat fetare apo dhe të tjera, dhe shumë prononcime, komunikata e të ngjashme.
8. Rexhep ef. Boja në kujtimet e mija
E ndjejë të arsyeshme që t’i shkruaj disa vlerësime për të, ndonëse për jetën dhe veprën e Dr. Rexhep ef. Bojës, jam i bindur se do të shkruhet e do të flitet gjatë.
Përgjatë punës së tij afër katër dekada, e në pozita të ndryshme sidomos në kuadër të Bashkësisë Islame, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme, dhe do të kujtohet me pietet nga gjeneratat që do vijnë.
Unë kam pasur nderin dhe madje e konsideroj edhe privilegj, që kam punuar e bashkëpunuar me dr. Bojën për një kohë relativisht të gjatë, aq gjatë sa asnjë tjetër nga ata që sot akoma janë gjallë.
Nga njohja dhe puna ime më dr. Rexhep Bojën, me këtë rast, do të veçojë dy momente, ndoshta jo ata më të gjeturit që pasqyrojnë personalitetin, urtësinë dhe mençurinë e dr. Rexhep Bojës, por të cilët kanë ngelur në kujtesën time dhe që mu shfaqën derisa po merresha me shkrimin e këtyre rreshtave.
8.1. Rasti i parë që do e përmend është vizita e parë e delegacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Shqipëri në Prill të vitit 1991. Na kishte rastisur të ishte dita e fundit e Ramazanit, se të nesërmen ishte dita e parë e Fitër-Bajramit. Në të vërtetë, pasi që i kishim bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, përfshi këtu edhe vizat dalëse, më 14 prill 1991 mbërrimë në pikën kufitare në Vërmicë. Ishte një vizitë e organizuar në një kohë, si të thuash, të çuditshme e të trazuar, mes emocioneve dhe entuziazmit, mes lotëve e gëzimit, mes ndjenjave të përshkruara dhe euforisë. Po shkelnim, që të gjithë ne, për herë të parë në atdheun mëmë, në Shqipëri dhe atë jo vetëm si vizitor të thjeshtë, por me detyrë, me mision, po shkonim për t’u dhënë krahun vëllezërve tonë, për t’u folur për fenë islame pas dekadash të ndalimit të saj, po shkonim për t’ju folur për lirinë e besimit dhe rëndësinë e tij.
Delegacioni ynë përbëhej nga Rexhep ef. Boja – kryetar, Qemajl Morina, që aso kohe ishte nëpunës i Kryesisë, dhe unë që asokohe isha drejtor i Medresesë “Alaudin”. Këtë ngjarje, për ne historike dhe të paharruar do ta përcillte edhe Elez Osmani-gazetar në “Dituria Islame”. Në ndërtesën shtetërore të kufirit pas pak çastesh u takuam me nikoqirin tonë Hfz. Sabri ef. Koçin, i cili ishte figura qendrore islame në Shqipëri dhe disa shoqërues të tij. Pa humbur shumë kohë, u morëm vesh që të niseshim në drejtim të Shkodrës, kështu që pak para iftarit u vendosëm në shtëpi të Hafiz Sabriut. Pas iftarit dhe namazit të akshamit, i ndamë detyrat: dr. Boja dhe Qemajli do të niseshin menjëherë për Tiranë, për të qenë të gatshëm për ta falur namazin e Bajramit, gjithmonë të prirë nga Hafëz Sabriu, kurse unë të ngelja në Shkodër për t’i prirë xhematit në faljen e namazit të Bajramit. Ky do ishte namazi i parë që do të falej në mënyrë të organizuar pas dridhjeve që i kishte marrë Partia Komuniste në pushtet e pas një çerek shekulli. Në Shkodër morëm vesh se kishin ardhur edhe dy nëpunës të BFI të Shkupit për të përcjellë manifestimet e para të Bajramit pas rënies së komunizmit. Pas kryerjes së namazit të Bajramit, para Xhamisë së Plumbit na priste një numër shumë i madh i njerëzve. Shihej gëzimi në fytyrat e tyre, urimet për Bajram vazhdonin pafund, përqafime e përqafime. Nuk di se kush ishte më i gëzuar aty, vëllezërit tonë që po i ktheheshin fesë apo ne që po gjendeshim në mesin e atij gëzimi në vendin që dikur vetëm e kishim ëndërruar.
Vizituam një familje të lagjes së “Myftive”, ashtu siç kishte qenë traditë nga hera. Për një intervistë, u dashtë të shkojmë te radio-Shkodra, sepse sot duhet të flitet për festën e Bajramit, traditën që kemi ne në Kosovës e shumë çështje të tjera.
Pas intervistës, menjëherë jemi nisur për Tiranë, ku u takuam me kreun e delegacionit tonë dhe me nikoqirët. Për arsye se Bashkësia Islame e Shqipërisë akoma nuk ishte e konsoliduar, pritjen e urimeve për festën e Bajramit e kishin organizuar në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë, ku Rexhep ef. për herë të parë do të merrte pjesë, e më pas edhe ne filluam ta organizonim pritjen në Prishtinë, e cila vazhdon akoma të organizohet.
Gjatë qëndrimit tonë disa ditor, krahas vizitës së objekteve islame si xhamia e Ed’hem Beut, ajo e Kokonozit (ose e Pazarit), vizituam edhe disa institucione e qytete tjera si Durrësin, Kavajën, kaluam nëpër Fier për të arritur në Vlorë e Berat. Takuam disa personalitete si Qeramudin Dyrdiun, që aso kohe ishte myfti i Myftinisë së Beratit, e disa të tjerë. Në Tiranë takuam edhe Kastriot Islamin, asokohe ministër i Arsimit dhe kulturës, Sali Berishën – kryetar i Partisë Demokratike e disa autoritete tjera që aso kohe mbanin poste të rëndësishme në Shqipëri. Vizituam edhe Muzeun Kombëtar. Të gjithë pa përjashtim tregonin respekt e admirim për delegacionin tonë e në veçanti për dr. Rexhep ef. Bojën, i cili në qarqet intelektuale dhe politike të Shqipërisë, për çudinë tonë, ishte fortë i njohur, sa që dr. Kastriot Islami, përveç tjerash, do të shtonte: ‘Me sa jam në dijeni, ju dr. Boja keni autoritet të jashtëzakonshëm në Botën Arabe, po të urdhëroni e të na siguroni pak ndihma nga andej, do bënit mirë shumë, sepse edhe arsimi edhe kultura kanë shumë nevojë për përkrahje…”. kudo që shkonim dhe në çdo takim që kishim, me uniformën e tij prej hoxhe dhe fjalët e zgjedhura të dr. Rexhep Bojës, me atë urtësinë dhe kujdesin e madh të treguar, zinin vend, ngjallnin emocione dhe interesim të paparë. Shumë shpejtë u bëmë si të ishim një nga ata, si të ishim të tyre, ndiheshim si të kishim jetuar mu në mesin e tyre.
Nuk do ta harrojë kurrë kontributin e dr. Bojës që i ofroi Hafëz Sabriut dhe të tjerëve rreth konstituimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilët një ditë sa ne akoma ishim në Tiranë, organizuan një mbledhje, të cilën e mbajtën në Xhaminë e Pazarit, me ç’rast debatuan përkitazi me organizimin e KMSh. Këtu dr. Boja mbajti një fjalë rasti, u ndoq me shumë interesim nga të pranishmit duke lënë kështu mbresa të një lideri e strategu të vërtetë. Në vitet në vijim, Rexhep efendiu, në cilësinë e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe shumë herë e ka vizituar Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe u është gjendur atyre pranë dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe organizimin e tij.
8.2 Ndërkaq, rasti i dytë që prore do ta kujtoj, është durimi i dr. Bojës. Liderët rëndom karakterizohen me padurim sepse karizma e tyre prej funksionari, sikur ua arsyeton këtë mosdurim. Mirëpo, te rasti i Rexhep efendiut, puna qëndron krejtësisht ndryshe. Me një rast, unë e shoqëroja në një konferencë në Arabinë Saudite, e cila mbahej në Mekei-Mukerreme. Konferenca zgjati dy ditë, ndërkaq ditën e tretë, Rexhep efendiu më tregoi se do shkojmë në selinë e Rabitës (Ligës Botërore Islame), për t’i takuar disa nëpunës e edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës (Rabitas) që aso kohe ishte Abdullah El-Ubejdi. Duhet të ketë qenë përafërsisht viti 1996 ose 97. Një veturë zyrtare e Rabitës na mori nga hoteli ku ishim të akomoduar dhe na qoi në selinë e Rabitës. Na pritën shumë përzemërsisht disa nëpunës duke u interesuar për gjendjen te ne në Kosovë e besa edhe në regjion. Dr. Boja, me gjuhën e tij elokuente, ju ofronte informacione të bollshme për Kosovën dhe gjendjen jo të mirë nëpër të cilën ajo po kalonte. Në ndërkohë, na pranoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Rabitas. Pas një gjysmë ore përafërsisht, ne dolëm nga kabineti i tij, unë duke menduar se takimin e mbaruam. Dr. Boja po më thoshte se do të presim pak aty në korridor sepse do ta takonte edhe një herë të njëjtin zyrtar. Unë, natyrisht, e pranova pa hezitim, sepse mendoja se nuk do kemi nevojë me pritë edhe gjatë kohë. Dr. Boja ka prit aty edhe disa orë të tjera, deri sa e ka takuar për së dyti Sekretarin, sepse kishte për t’i thënë edhe shumë gjëra që lidheshin jo me Bashkësinë Islame, por me Kosovën dhe për situatën që po mbretëronte asokohe. Sot, nga kjo perspektivë kohore, mbase mund të them se ai që e do institucionin të cilin e përfaqëson, ai që është i vetëdijshëm për nevojat e institucionit të cilit i prinë, përveç se i urtë, i kujdesshëm, i matur, ai duhet të jetë edhe shumë i durueshëm. Dr. Rexhep Boja i kishte që të gjitha këto, për se jam bindur edhe në shumë takime të tjera që ka pasur me personalitete dhe diplomatë vendorë dhe të huaj, qoftë brenda këtu dhe qoftë edhe jashtë Kosovës.
Dr. Rexhep Boja gjatë kohës sa ishte në krye të BI-së dhe gjatë kohës sa unë isha i pranishëm aty, ka pasur shumë takime dhe nga më të ndryshmit që secili prej tyre është rast më vete dhe për secilin prej tyre sigurisht që ruaj kujtime të ndryshme, por unë kësaj radhe i shkëputa vetëm këta dy shembuj si kujtime mbresëlënëse. Ta kesh shoqëruar dhe të kesh bashkëpunuar me dr. Bojën nuk ka qenë frikë se do të dalim keq në përfaqësimin e institucionit të BI-së dhe as të Kosovës në përgjithësi, përkundrazi ka qenë kënaqësi dhe mburrje e vërtetë.
Nuk mundem me këtë rast pa e potencuar edhe një të vërtetë tjetër. Para ardhjes së Rexhep Bojës në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk kemi pas kontakte e as bashkëpunim me botën arabe-islame të çfarëdo karakteri qoftë. Rexhep Boja ka qenë ai që na i ka hap dyert dhe kemi filluar kontaktet me këto shtete, kontakte këto që më vonë u intensifikuan jashtëzakonisht shumë dhe vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën. Ai është nismëtar i kësaj pune. Në kontaktet me atë botë për ne dhe për vendin tonë, pa na pyetur fare, kanë folur të tjerët. Prandaj, për këtë çështje kaq me rëndësi, merita, e tërë merita i takon atij.
Falë gatishmërisë së tij, ai ka marrë pjesë në shumë Konferenca ndërkombëtare, sesione shkencore, vizita të shteteve të ndryshme duke i vizituar të thuash shumicën dërmuese të Botës Arabe, shumë shteteve evropiane e deri në SHBA, Pakistan e në Afrikën e Jugut. Këto kërkojnë sakrificë, mundim, durim e qëndrueshmëri.
9. Kalimi në botën tjetër
Dr. Rexhep ef. Boja ndërroi jetë më 14 shtator 2021, ndërsa u varros më 15 shtator 2021 në vendlindje – Kërnicë të Klinës, ku morën pjesë familjarë, miq, dashamirë, kolegë e autoritete fetare nga Bashkësia Islame e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, e autoritete politike lokale e qendrore, të cilët në fjalët e tyre të rastit vlerësuan lart punën dhe kontributin fetar dhe kombëtar të Dr. Rexhep Bojës. Në varrim morën pjesë një numër i madh i njerëzve, të cilët me lot në sy kishin shkuar ta përcillnin për në botën e amshuar, sikundër që edhe numri i hoxhallarëve pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte tejet i madh. Një punë të mirë e kishin bërë edhe organet komunale të Klinës që e kishin organizuar Policinë të drejtonte e udhëzonte numrin e madh të pjesëmarrësve në varrim. Kjo iu ndihmoi shumë në veçanti atyre që vinin nga qytetet tjera të Kosovës si dhe atyre nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Namazit të xhenazes i priu myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, ndërsa duanë e xhenazes e bëri kryetari i BFI-së të Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu.
Si përfundim
Në përmbyllje të këtyre pak rreshtave, do të doja të shtoja se unë, Dr. Rexhep ef. Bojën, prore do ta kujtoj si njeri që fenë e atdheun i ka dashur me aq vendosmëri, sa ka qenë në gjendje të sakrifikonte edhe jetën e tij për këtë qëllim. Nga viti 1989 e deri në kohën e luftës në Kosovë, ai vazhdimisht ka qenë cak i policisë serbe. Ngado që ka lëvizur, ngado që ka shkuar, vazhdimisht ka qenë i përcjellë, e shpeshherë i ndaluar, madje edhe në prani të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, e shumë herë edhe i torturuar. Gjatë vitit 1999 forcat serbe, të cilat e tejkalonin çdo kufi të agresivitetit të tyre, familjes së dr. Bojës ia ndërprenë ngrënien e ushqimit duke ua lënë sofrën me bukë e pjata mbi të dhe i kanë dëbuar nga shtëpia, dhe akoma pa u larguar mirë nga oborri, shtëpisë ia kishin vure flakët.
Shpresojë që në të ardhmen, rreth jetës dhe veprës së dr. Bojës do të shkruhet nga shumë rrafshe dhe do të dalë në shesh puna dhe angazhimi i tij, do të flitet e shkruhet me kompetencë për kontributin e tij të shumanshëm.
E lus Zotin e Gjithëmëshirshëm që Dr. Rexhep ef. Bojën ta ketë pranuar në mëshirën e Tij të pakufishme dhe ta shpërblejë me Xhenet!
رحمة الله عليه رحمة واسعة